Vjen një situatë kur për artistin fillojnë të zhduken kufijtë, fillimisht ata lokalë e krahinorë, për të shpërthyer në rrafshin kombëtar, duke e gjetur vendin e vet ndërmjet të mëdhenjve. Padyshim se Autori ynë, për të cilin jemi mbledhur sot këtu, falë shpërblimit prestigjioz për letrat shqipe, Çmimit Rexhai Surroi për romanin e vitit 2021, të cilin përpos tij e morën në mes të tjerëve Ismail Kadare, Agron Tufa, Fatos Kongoli, Ridvan Dibra, Ag Apolloni, i kapërcen këta kufij.
Të jesh në mes të këtyre kolosëve është nder dhe krenari, por është edhe ngarkesë me të cilën duhet të jetohet, është kërkesë e vazhdueshme të mbetesh në nivel.
Mark Pashko (apo si e njohim ne bashkëvendësit deri në botimin e romanit Humbja, Mark Lucgjonaj) nuk është penë e re në tregun shqiptar të librit. Do ta tregoj një anekdotë lidhur me fillimet e tij letrare. Ishte nxënës i klasës së tretë të gjimnazit në Tuz, diku në vitin 2000/2001 e unë në atë kohë, pa kurrfarë fajit të Markut, isha mësues i tij. Pasi kishte dëgjuar për botimin e përmbledhjes sime me poezi, mu afrua me një drojë, me disa fletore në dorë. Profesor, m’u drejtua. A keni mundësi t’i shikoni këto poezi të miat. Natyrisht se i shikova me kënaqësi. Kishte poezi nga më të ndryshmet sipas cilësisë. Kishte idenë ta botonte një përmbledhje siç bënin disa gjimnazistë, që vetëm kishin shkruar vargjet e para. Pas shqyrtimit të tyre, me një drojë i thashë se ka poezi të mira ndër to, por se jam i mendimit se duhet të vazhdonte të shkruante, e sa për botim t’i linte kohës kohë. Falënderimi i tij për qëndrimin tim, disa vjet më vonë, kur ishte student në Prishtinë, besoj se ishte shumë i sinqertë. Ai kishte vazhduar të shkruante, por pjekuria artistike e tij kishte arritur nivel të lakmueshëm.
Për përmbledhjen e tij të parë poetike Zhurmë mendimesh / Buka misli, botim bilingual në shqip dhe malazezisht, ma besoi përkthimin.
Pastaj vazhdoi me “artilerinë më të rëndë të letërsisë”, me romanin: Fshati i heshtjes, Ligji i maskave dhe më në fund me Humbjen.
Në secilin prej këtyre veprave ndihet një sens interesant për zbulimin e temave, një thuktësi në të menduar, akribi në shprehje pa anashkaluar edhe thellësinë e mendimit dhe qasjet filozofike për të vërtetat e gjithmonshme, dashurinë dhe vdekjen.
Këto të dyja, dashuria dhe vdekja, dy antipode që përcjellin vazhdimisht njëra tjetrën, në romanin Humbja na paraqiten në të dy rrëfimet jetësore që rrjedhin paralelisht duke e plotësuar mjaft mirë njëri tjetrin dhe që falë rastit ngërthehen ndërmjet vetes. Tregimi mbi të cilin ndërtohet romani është ai i Mateo Labeatit i cili paraqitet me një retrospektivë që nga ditët e luftës së tij me kujtesën në një spital të Lucernit, duke u kthyer deri në fëmijërinë e tij të hershme.
Për mua personalisht, ky tregim përkujton novelën filozofike autobiografike të botuar diku në vitet e tetëdhjeta të një malësori, që shkruan në kroatisht, me emrin artistik, shih ngjashmërinë Illyrianka Labeati, Apokalipsa Paška s prokletija / Apokalipsa e Pashkut nga Bjeshkët e Nëmuna/, por që assesi nuk mund të thuhet se kemi të bëjmë me farë plagjiati. Thyerjet shpirtërore që i përjeton Pashku në këtë novelë, na përkujtojnë shënimet për fëmijërinë e hershme të personazhit të këtij romani, Mateo Labeatit, kur sipas vendimit të të atit të tij merr rrugën e shkollimit diku larg vendlindjes, në Livno për t’u bërë meshtar.
Të dy këto tregime, ai i Mateos dhe ai i Albertit, kanë një të përbashkët: shkeljen e parimeve primare të fituar nga familja patriarkale – shkeljen e betimeve të dhëna apo të vetëkuptueshme. Në rastin e Mateos kemi të bëjmë me një varfëri të skajshme të familjes, kur një gojë më pak do të thotë shumë, dhe pikërisht për këtë arsye edhe dhënia e djalit në shkollë të fritnisë, shkollë e vetme kjo që i mbulonte të gjitha shpenzimet dhe që, në të ardhmen siguronte një “jetë të qetë”, punë të sigurt, jetë më të begatë në krahasim me të gjithë të tjerët. Edhe përkundër celibatit, që ishte domosdoshmëri e profesionit. Profesionit të zgjedhur prej tjetërkujt, në një moshë kur nuk je i vetëdijshëm për jetën dhe sfidat e saj.
Historia e Mateo Labeatit është historia e një prifti të rebeluar, i cili, në konfrontim me vetveten ndërmjet kushteve së betimit të dhënë me rastin e marrjes së meshëve, në një anë dhe lajmit se në një rast të dobësisë kishte lënë shtatzënë një aktiviste gjermane të Kryqit të Kuq, që kishte ardhur për t’i ndihmuar popullatës malësore, për t’i ndihmuar grigjës së Mateos si meshtar. Përgjegjësia që ndjen për fëmijën e ngjizur, qoftë edhe në një moment dobësie, në njërën anë dhe rruga e zgjedhur si dishepull i Krishtit, në anën tjetër, gati kalon në një skizofreni, për t’u lehtësuar në fund duke e pranuar fëmijën e vet dhe dashurinë ndaj të shoqes Rozmari dhe duke braktisur profesionin, që ia kishin zgjedhur të tjerët.
Në anën tjetër, historia e Albertit, doktorantit të ri në Zvicër, kishte kaluar nëpër disa etapa që, gati se ua imponon të rinjve tranzicioni i stërzgjatur i shoqërive ballkanike. Në disekuilibrin ndërmjet dëshirave dhe (pa)mundësive, edhe Alberti në një moment rrëshqet, shkel parimet për të cilat betohej ai vet dhe lidhet me nëntokën e një vendi të vogël (unë sikur e shoh Tuzin!), që ishte bërë e njohur në përmasa shumë më të gjera. Historia e vendit të tij janë dramat rrëqethëse që paraqiten ditë për ditë për t’ua lënë vendin shumë shpejt dramave tjera (Çdo çudi thonë zgjat tri ditë, por çuditë në Malësinë tonë filluan të ishin më jetëshkurtra), personazheve që kalben nëpër varre, burgje, shpella dhe pa një gur varri mbi krye. Sepse “kriteret e grupit duhet plotësuar”, përndryshe pësohet fati i Alfonsit, shokut të fëmijërisë së Albertit që kishte gjetur vdekjen tragjikisht diku në Rumani me tre euro në njërin xhep dhe me dy cigare në xhepin tjetër. Ai, Alfonsi pra, që kishte hyrë në botën e ëndrrave (së paku sa i përket parave dhe jetës së shfrenuar) kishte kapërcyer cakun, kishte folur më shumë se ç’duhej dhe duhej të likuidohej, ia kishte shpjeguar Albertit Gabrieli, shefi i tij.
Por, në një shtet të kapur, në një shoqëri ku të gjitha poret e jetës i kontrollon përkatësia partiake, ku libreza e partisë hap më shumë dyer se diploma e magjistraturës, jeta e intelektualëve të llojit të Albertit është gjithmonë e rrezikuar. Veçanërisht nëse këmbëngul se nuk do të merret me politikë. Sepse, politika kthehet në ankth. Nëse ti nuk merresh me të, merret ajo me ty. Ose të fut në binarë të dorës së zezë, që mbjell vdekje, pa mendua se do të vdesin edhe ata.
Sado tragjik, rastin e shokut të tij të vdekur Albertit, e veçanërisht vdekja nga mbidoza e një turisteje të huaj në jug të Shqipërisë, që kishte kaluar një natë me njërin prej “tyre”, bëhen momente të kthjellimit të Albertit, që provonte të gjejë mënyrën të shkapej nga kthetrat, që e shtrëngonin dhe ia zinin frymën. Në moment e zbulon frikën dhe frikacakun në vete, që dëshironte të bënte një jetë mondane, nëpër hotele të shtrenjta, në përcjelljen e femrave të moralit të dyshimtë dhe e sheh se nuk e ka konstruktin mendor për një botë të tillë, sepse nuk ishte i gatshëm të bëhej vrasës, por vrasjet e përcjellin gjithandej.
Alberti zgjodhi rrugën e shpëtimit. Rrugën e bashkëpunimit me drejtësinë, ndërsa shokët e tij një nga një ranë në kurthe, u gjetën të vrarë a bënë vetëvrasje. Athua ia arriti?
Po si u ndërlidhen këto dy tregime: i Mateos dhe i Albertit? Mjeku, që e shëronte Mateon, ia dha Albertit materialin e tij për ta përkthyer, gjoja për një studim që po e bënte. Në vorbullën e fatit gjatë bashkëpunimit me policinë, Alberti e përktheu materialin, i cili, i botuar në formë romani e priti posa doli i lirë nga paraburgimi. I lirë me kusht, për shkak të sjelljes në përputhje me ligjet dhe kontributit të tij në zbulimin e një klani ndërkombëtar të Drogës, por kjo “liri” nuk lejoi as që emri i tij të shkruhej si përkthyes i romanit. Vetëm në botimin e dytë… Vetëm për një çast këto dy tregime gati që mu shkrinë në një të vetëm. Kjo ndodhi në një ëndërr të roman. Ëndrrat kryesisht shihen në vendlindje, çfarëdo moshe të jesh, e vendlindjen këta dy personazhe e kishin një të vetme.
Personazhet në roman janë të përpunuar me një precizitet që nuk le të dëshirosh, por as nuk humbet në përshkrimet e stërzgjatura të tyre. Për artin poliedrik që e përshkruan personazhin e Mateos guralecët janë të shpërndarë aty këtu. Ndërsa talentin e tij për muzikën e gjejmë në interpretimin e veprave të kompozitorëve të mëdhenj, lëvizjet e brushës së tij në pëlhurë dalin në pah, atëherë kur, gjatë atyre tri javëve që përjetonte ferrin e vendimmarrjes për zgjedhjen e vazhdimit të jetës së tij, punonte në Itali në një vresht të madh, që tradicionalisht organizonte takimet e piktorëve më të njohur.
Figura e Albertit, pavarësisht rrëshqitjes së tij në botën e krimit, prapëseprapë na del mjaft pozitive për nga ana njerëzore dhe intelektuale. I përpiktë, i përkushtuar që ta vazhdojë jetën larg episodeve të përparshme, me një përgjegjësi ndaj punës, siç shihet në rastin e përkthimit të materialit, që ishte “e vetmja gjë që e shkëpuste nga realiteti i tij”. Ai me një mjeshtri që i takon intelektualisht, na e fut personazhin tjetër në lojë. Gjoja ishte duke bërë një studim mbi çiftet, njëri prej të cilëve është nga Ballkani i egër. Është Rozmari, e shoqja e Mateos, që me një përshkrim të gjallë dhe dashuri të pamatshme ndaj të shoqit, na zhgoglit pjesën intime të tyre. Jetën e përbashkët të pa travajë me një intelektual të cilin të gjithë që e njihnin e quanin mister Mateo.
Janë edhe dy personazhe të cilave autori u kushton një rëndësi të posaçme: Oficerja e policisë, e përshkruar sipas një modeli të mirëfilltë të sjelljes njerëzore të saj ndaj Albertit bashkëpunues dhe e pa kompromise ndaj atyre kriminelëve të nëntokës dhe bashkëvepruesve të tyre brenda policisë; dhe Maria, e dashura e Albertit, që dashurohet në shikim të parë dhe e përcjell me mirëkuptim gjatë tërë kohës. Fjalia “Kur njeriu e shikon realitetin dhe vazhdon ta dojë atë person, aty banon dashuria” sikur është enkas e thurur për të.
Edhe kësaj radhe Mark Pashko na e bën të ditur se e ka të pamundur të shkruaj për malësorët, edhe intelektualë të mirëfilltë qofshin, që lidhin fatin e vet larg vendlindjes, e të mos shkruaj për Malësinë, atë tradicionalen, që është dhe mbetet patos i vetëdijes edhe përkundër rregullave shkatërruese të viteve të mbrapshta të nëntëdhjeta.
Me një fjali, është roman që nuk të lëshon nga dora e tij. Me një mision të posaçëm për të gjithë ata që ndodhen në curulajën e jetës ndërmjet moralit të mësuar në familje, apo filozofisë moderne të një kasabaje pranë kufirit.
Autori, Mark Pashko, e në radhë të parë botuesi, edhe kësaj here e vërtetuan thënien e mikut dhe shkrimtarit tonë të madh, Ridvan Dibrës, se “Letërsinë e vërtetë e krijon provinca dhe e promovon qendra”.