Kreu Letërsi Bibliotekë Preç Zogaj: Autori lirik në profilin e poetit të angazhuar (poezi)

Preç Zogaj: Autori lirik në profilin e poetit të angazhuar (poezi)

Gazmore për 1 prillin

Është një ditë e bukur sot në Tiranë.
Vajzat thonë “po”-të e vonuara dhe qeshin,
Djemtë zemëruar përgigjen: S’ju duam!

S’ka asnjë çudi që shatërvanët nxjerrin livando.
Normalisht shefi perqafohet me vartësit,
nxjerr t’u japë cigare, i pyet: A keni ndonjë hall?
dhe falet prej tyre për pyetjen e kotë.

Është mes nesh seriozi që thotë gjithnjë të vërtetën.
Përse nuk gënjen? e pyesim me shaka.
Seriozi vë buzën në gaz. Kaq mjafton.
Edhe ai është tani në 1 prill.

S’më vjen të kthehem në shtëpi
Dua t’më gënjejnë fëmijët përsëri,
t’i besoj fëmijët, t’i kënaq fëmijët
Sikur më ha qeni,
Sikur më ra kuleta në tokë
gjoja pa kuptuar ç’po ndodh në këtë botë.

1 prill 1984
(Botuar në vëllimin “ E pakryer”, 1986)


Refreni i këmbëve

Një, dy, një, dy-
Pak i çuditur mbaj vesh,
si të dëgjoja kumbimet e zemrës.

Ku po shkon o trup?
Ç’mall të zuri, o shpirt?
Ç’etje keni, o sy?

Një, dy… S’numërojnë më shumë
këmbët e mia, pjesa ime prej hamalli,
të holla, të forta, si trungu i hardhisë.

Një, dy, një, dy…
Refreni i urtë i jetës sonë .

(Botuar në vëllimin “A thua do të vish duke qeshur”, 1988


Fantazmat ngrihen

Gjelat dhe zilet e orëve këndojnë,
Nata tretet në një lumë tingujsh,
Mitet kanë vdekur, fantazmat ngrihen,
Bëjnë gjimnastikë, futen në vaska,
Lahen, rruhen, rregullojnë maska
për t’u dukur njerëz.

Kanë kryer dy jetë, tri jetë, katër jetë.
Vdekjet vetëm i kanë përsëritur.
Në arkivole janë shtrirë si të lidheshin në djep
Janë tundur.
Janë rritur.

Telefonojnë, udhëzojnë, premtojnë, porosisin,
Gjithë edukatë u përulen klasikëve,
Rrëshqasin kryelartë korridoreve, labirinteve
me fytyrën e lashtë primitive nën pudër,
me ëndrra prike e dafinash në çaçkë
të nxirë brenda
të qeshur jashtë
për t’u dukur njerëz.

Për t’u dukur njerëz lajmërojnë të ardhmen.
Po asnjë metër horizont të ri s’kanë shkelur!
Na kanë gënjeyer, edhe pse përditë
zëri u çirret duke klithur: progres!
Fantazma që jetën e duan gjithmonë
kështu si është.

(Botuar në “A thua do të vish duke qeshur”, 1988)


Një orë e shpirtit në vetmi

1-
Kush e di sa kushton
një orë e shpirtit në vetmi?
Për të nuk gjendet etalon,
shkenca ngre supet me habi.

Politikanët e karrierës,
gjahtarë të fronit dhe piratë,
Dhe gjithë skota me shërbenjës
të vetëmohuar për një gradë,
brirët e vetullave lartojnë
si në një zoopark antik:
Ç’ës kjo vetmi që po dëgjojmë?
Ç’ë ky lëngim, ky shpirt armik?

2-

Zëra të tjerrë në hukama,
Kohë të qorruara me lama,
Hapësi të thinjura me drama,
Një orë e shpirti në vetmi.

Shi sinjalesh pa kumtesë,
Valë festimesh, asnjë ftesë,
Fjalë e pathënë që s’don të vdesë,
Një orë e shpirtit në vetmi.

Dëgjon një vaj dhe nuk përgjigjesh
Ndien një kushtrim dhe digjesh, digjesh,
Si në një thark me rrjeta ligjesh,
Një orë e shpirti në vetmi.

(Botuar në vëllimin “A thua do të vish duke qeshur”, 1988)


Ma thanë personazhet

Na bëre kokën, por s’të përkasim!
Na dhe sy, do të shikojmë!
Na fale gojën, do të flasim!
Na vure veshë, do të dëgjojmë!

Krijues, falltar, perëndi a ç’je,
me frymë e letër e penë,
nga hiçi demek na shpike ne.
Pra s’paskemi qenë!

Nga lotusi yt me qindra pikuam,
E bukur shumë ishte kjo botë
U turrëm me vrap por ç’u gjakuam
në cepat e gojës nga freri i fortë.

Na the, këndomëni mirënjohjen e thellë!
Në gjunjë, me sytë plot adhurim e bindje!
Unë romancieri ju kam pjellë,
në kokë futni kokën time.

Krijues, falltar, perendi a ç’je
Mos luaj më fatin tonë siç do.
Njëri u nis të arrijë një re,
tjetri një ëndërr: mos i ndalo!

Nga drita dhe hija jote pushtuese
Lirim, lirim, në kor thërrasim.
Në këtë botë të bukur shumë
na bërë kokën, por s’të përkasim.

( Botuar në vëllimin “ A thua do të vish duke qeshur”, 1988)


ÇASTI I RREZIKSHËM

Çasti i rrezikshëm
si top rrokulliset
rrugëve të fatit.

Mbushur stihi,
etje-shpërthyes.
Me sytë e verbër
na josh ta shkelim.

E nanurisim,
E përkëdhelim…

Oh, ç’fjalë të ëmbla për bukën thatë,
për rrenat pompoze, oh, ç’heshtje e gjatë.
Ç’kujdes në të ecur dhe… nuk na shtyp makina.
Ç’fuqi për të qeshur, shembullore për vitrina.
Jo, jo, nuk them
pse dhëmbët më ranë,
pse gishtat m’u pakën
e kërcet m’u thanë.
Se dua të rroj sot e pastaj
Dhe rroj pa faj.

Mbushur stihi,
etje-shpërthyese,
çasti i rrezikshëm
mbetet prapa…
E shkuara dridhet
si fushë e minuar.

1988
(Botuar në vëllimin “Qielli i gjithkujt”, 1990)


Keq e ka punën ky fëmijë

Poterë për natë në oborr,
me djalin s’merrem vesh.
Kam frikë se do bëhet hor,
t’i shkojë jeta përshesh.

I them: hyjmë brenda shpirt,
Përgjigjet: hyjmë jashtë!
Ky rebelim me ligjësitë
më shpon si gjemb në rrashtë.
Mistrec i vogël, a e di?
Hapësira dyer s’ka.
Dhe kur s’ka dyer, s’ka se si
të hysh, o budalla!

Ai rrudh ballin me inat
dhe sytë i ndizen zjarr.
Dhe vuan që nuk ka takat
ta hedh atin në varr.

Natyra ku nuk hyn, por del-
Gabimi im i vjetër!
Betuar është ky teveqel
të jetë tjetër, tjetër.

I them përralla, nis e qan,
Dhuratat hedh në shesh.
E tremb me ujq dhe djaj,
e tremb me mjekë dhe… qesh.

Keq e ka punën ky fëmijë.
Do nisur nga fillimi
me thupër e pedagogji
t’i ikë rebelimi.

Pa kur t’i dalin brirë pastaj
bastardit kokëshkëmb,
do përfundojë në një skaj
pa brirë dhe pa dhëmbë.

Dhe para se t’i dalë shpirti,
do hapë sytë e ligj:
Baba, gëzimi yt më lindi
por faji yt më vdiq!

Edukatorë, shpejt vini dorë
do nisur nga fillimi.
Me thupër e pedagogji
t’i ikë rebelimi.

Mars, 1989
( botuar në vëllimin “ Qielli i gjithkujt ”, 1990)


FËMIJËT E KALLMETIT
NGJISIN DUHAN

Hangarë të gjatë ku dielli i zhegut kullon
si llavë e bardhë nga pullazet përdhe.
Largësia tej në dihatje ëndërron
një burim, një puhizë, një hije, një re.

Është ora kur fëmijët si fëmijë urdhërohen
të kthehen nga deti, nga oborret, nga rruga.
Me lodra, përralla e premtime mashtrohen
për një sy gjumë në shtrojet e buta.

Kurse fëmijët e fshatit Kallmet
Ulur në gjunjë në hangarët e gjatë,
me gjilpërat e gjata shkojnë në fill shpejt e shpejt
duhanin që volën gratë.

Pushi i trashë dhe i hidhur farmak
u ngjitet në rroba, në duar, në flokë,
Po t’u hedhësh një top nuk lëvizin aspak,
s’kanë kohë tani për t’u bërë çamarrokë.

Hesht dhe pi duhan me bllokun në dorë.
Njëri buzëqeshur më thotë: Të kam mik!
O dritë, je miku im madhështor.
Por unë jam sot, për dreq, armiku yt.

1989
(Botuar në vëllimin “ Qielli i gjithkujt ”, 1990)


IKJE

Kur zogu prijës i vjeshtës klithi,
shpirti im rrahu flatrat në xhama:
Ikim nga plazhi, o shoqe, o motër!
Deti po derdhet në telepatinë
për zbrazje librash, muzesh, urnash.
Gjërat s’durojnë më të thuhen.

Në ashtin e heshtjeve
po ngulen
si thika vetëtimat.

Skicohen heronjtë
qysh më parë të plagosur.

(Botuar në vëllimin “Qielli i gjithkujt”, 1990).


APEL

Përnjmend i mbush
gotat me dritë hëne.
Mos më jep valium!
Ti nuk mund ta dish sa shumë më dhemb
ndarja me shpresat.

U kthye magjepsja, e kisha pritur
si klepsidra pikën.
Në mes të rrugës,
ditën me diell
me duart lart
thirra: Fitoore!
Mos më ço në spital!

Rrotullohen planetet.
vërviten grimcat,
Duke vrapuar merr e jep gjithësia.
Malli më del si brirë në ballë.
Mos më mbyll brenda!
Mos m’i hiq çarçafët, rripin, lidhëset!
Nuk dua të vdes pa më lënë fryma.

Çdo mohim heq një gur në mur,
Vërshon vala e dritës së re.
Mos më ço te juristi.
Kujdestari im!
Gardiani im!

( Botuar në vëllimin “Qielli i gjithkujt”, 1990


SHIKIM

Atje…në trishtore të diellit që u shkreh
Atje…po qajnë dhe askush s’thotë pse
Atje po vajtojnë dhe të vdekurit mungojnë
Të vdekur nuk ka, e zija ra
Dhe askush s’thotë pse!
Dhe askush s’thotë pse!
Dhe askush s’thotë pse!

Më rrënjë nëpër këmbë
bredh nëpër erë,
S’më nxë asnjë derë.

Korrik 1990


NDËRPRERJE

Atleti i Miron akoma merr vrull,
por diskun s’e ka hedhur.
Në Panteon Athinaja ndjell trurin e kaltër nga lindi.
Afërdita është e re, e bukur,
por ende s’është martuar…
Të dashuruarit e shohin dhe qajnë.
Ngrihet e ngrihet shekull pas shekulli
piedestali i saj prej sumbulla lotësh.
Dafinat në kokën e fitimtarit janë vyshkur,
Vrapon, vrapon një djalë, por ende finishin s’e preu.
Dhe ne vazhdojmë të lindim, të vdesim, të lindim
gozhuar prej pritjeve, plagëve tona…

(Botuar në vëllimin “Qielli i gjithkujt”, 1990)


Këngë e parregullt

“Asgjë s’ka ndryshuar dhe gjithçka është tjetër.
Çdo gjë është njëlloj dhe asgjë si më parë 1)
Epoka është re kurse jeta e vjetër,
prapë qajmë duke qeshur e qeshim duke qarë.

N’ekran Komisariati na thotë papushim
se afër është triumfi, në mos jemi në të.
Mbyll sytë që ta shijoj në terr si vizatim
por veshët, ah, veshët, gjëmojnë: jemi në dje!

Atëherë vetvetiu afrohem te dritarja.
E njëjtë është lartësia prej xhamit në tokë.
Por ndryshe, krejt ndryshme, si thonë, pa të shara
do të ishte një kalim i shpejtë në atë botë.

Por dreq, si më mban hovin në çastin e guximit
nijeti kokëfortë i një ëndrre flu?
Ajo nuk ka shanse t’i shpëtojë tërbimit
se vetem epopera ne dimë të bëjmë këtu!

Vargje te një këngë të Charl Aznavour

(Botuar në vëllimin “Këmbësorë në qiell”, 1994)


KOLERA

Kolera erdhi përsëri
në rresht me fitimtarët.
Kush nuk përkulet mjerë ai
ka punë me kryetarët.

Të prirur për t’u dukur mirë
në sfond të epopesë
njerëzia qeshin me pahir
me duart sipër kresë.

Për njëri-tjetrin kanë dyshim,
por edhe u vjen keq.
Shikohen pak e ikin plim
të rrinë veç e veç.

Nuk dihet ku kafshon lëngata…
por unë e kam kuptuar,
më ka molepsur shtriga, shaka,
Kolera e mallkuar.

Kudo ku piva një cigare,
ku shtypa një dorëshkrim,
Ia mbërriti skuadra sanitare
me vula dhe vendim.

Me vulë skuadërkomandanti
i mbylli dyer e brava.
Nuk di si do t’u shkojë fati
lulishteve ku qava.

Shoqet e mia ikën jashtë.
Pushteti seç i pa
me sy të keq, me sy të vrazhdë
ose me synë që ka.

Kështu përditë e pak nga pak
në dhomë vetburgosem.
Mërzinë malli ma bën gjak,
dhe s’di si nuk marrosem.

Dhe ju të dashur mendjelehtë
me letra më kërkoni.
Dhe nuk e dini mor të shkretë,
Të zezën tuaj doni.

Nëntor 1992


Hartim në shtatëvjeçare

E madhe dita kur çlirimtarët
shkelën për herë të parë në Lezhë.
Flisnin shqip, tregojnë të vjetrit,
gjuhën e ëmbël që mësojmë sot në shkollë,
Por kishin zemra të forta gur.
Ata pushkatuan shumë armiq,
Ndue Bajraktarin, atë mendjemadhin
që rrinte majë kalit si kapadai,
dhe gruan e tij shumë të keqe
që nuk tregoi për foshnjën në bark
por e mori me vetë në varr dhe atë.

Pastaj pushkatuan me trimëri
vellëzërit armiq Gjin dhe Ndue Jaku.
I pari u hoq sikur vrau veten,
por nuk i eci dinakut.
I dyti përdori një tjetër dredhi,
shkoi drejt pushkatarëve i paarmatosur
dhe i pangrënë. Me idenë
për të njollosur çlirimtarët.

Këto hollësira unë di mirë
dhe i dëshmoj pa m’u dridhur zëri.
Të dy ishin vellëzërit e gjyshes sime,
dhe kjo është kaq e vërtetë…
Kaq shumë armiq ishin ata
sa motrën e tyre s’e shoh kurrë në gjumë,
veç tu fol me vete.

Ditë e madhe dita kur shkelën
për herë të parë në Lezhë partizanët.
Kjo nuk u kuptua qysh në fillim
Por… tani …mirë është kuptuar.
Të gjithë njerëzit janë të gëzuar,
Unë s’kam asnjë lidhje me vellëzërit Jaku
Dhe po t’ kem të drejtë t’u çoj lule dëshmorëve,
E t’mos e shoh gjyshen duke folur me vete,
do kisha harruar se kanë ekzistuar.

Kam ëndrra.
Do të doja të dilja në mal me armë në dorë,
Të bëj roje nderi pranë lapidarit si shokët e klasës.
Ëndërroj të shkurtohen netët e gjata.
Ëndërroj të shpëtoj nga shtrigat
që vijnë e më marrin natën në gjumë,
dhe s’ma tregojnë kurrë, kurrë
vendin e fshehtë ku më çojnë.

1989-2015
( Botuar në vëllimin “Ushtrimet e melankolisë”, 2015)


Balada e skuqjes

xxx

Prej se kisha lindur në plotësim lutjesh
dhe nënën time e njihte Jezusi,
u bësh një djalë që skuqej shpejt, pashkak.
Duke ndjekur fekondimin e luleve – sa turp!
Duke ngrënë bukë – a nuk është mëkat?

Kjo vazhdoi gjatë, gjatë…
Kujtimet e mia të paharruara
janë prej këtij purpuri të turpit.
Trëndafili im në fytyrë, damka.
Shtriga pafajësi që s’më lëshon, plaga.
Ngjyra e dëgjimit, e heshtjes- reticensa
për fjalë të pathëna që ngecin në vena
dhe i vesh kuqëlimi
si të jem unë gabimi.

xxx

Ngado që kthej sytë ka diçka për t’u skuqur,
Homos erectus ardhur nga larg brigjeve të detit
Hanë, hanë, hanë Bukë dhe Argëtim.
Spektakli në pistë, lakrimoza e viçit,
Hite gjinkallash, ojna pilivesash,
Lot vendi që imitojnë lot të huaj,
Të qeshura kopje, grimasa kopje,
pasarela kopje, ovacione kopje.
Karuseli i sqepave, çukitjeve, grabitjeve,
Mamadhia e dhuratave, falltari i Lumturisë,
me një kërcitje gishtash, një hapjembyllje sysh:
Njëzet miliooonë! Onë… onë.. onë…
Faleminderit! Faleminderit! Faleminderit! Nuk dua!
Nuk… dua… të jem i lumtur, plizëëëë.

xxx

Ulet nata me krahët e gjatë.
Shqipëria mblidhet si zogu në ve,
Unë mblidhem si fetus në kanape.
Panta Rei-Gjithçka kalon,
Por nuk mbaron.
Dëgjoj: Lufta vazhdon!
Jemi të pathyeshëm! Skuqem!
Si Barça e Guardiolës! Skuqem!
Si Barcelona!
Në këtë cep dheu!
Pikërisht këtu! Skuqem.
E nuk kam si t’mos them…Skuqem!
se nuk është kështu…Skuqem!
Asnjë shpresë
t’i ndërroj udhë
kësaj furie.

xxx

Por…por…
U bënë do kohë nuk po skuqem më!
Vena ime e ndjeshme pushoi së vluari.
Vdiq Euripidi që mendoja se isha.
Kaq inerte lëkura që më mbështjell
sa nuk jep njollë në të as skena
me vithe grash që ngrihen rrufeshëm
dhe marrin me vetë historinë e epokës
kur fjalën përgatitet të marrë Udhëheqësi.

Tepër gur,
lutem të më kthehet
dhuntia e humbur.
Vetëm purpurimi
ia del të thotë
diçka që s’thuhet.

Shkurt, 2018 – Qershor, 2020

(Botuar në vëllimin “ Një e tretë, dashuria”, 2021)

Po vjen Udhëheqësi i ri

Udhëheqësi i Ri po vjen, mbrëmë u kuptua.
Ç’ lajm është ky, i mirë apo i keq ?
Nuk di ta thotë njeri hë për hë.

Ishte thirrur t’u përgjigjej pyetjeve
Dhe u nder si shpatë në arenë:
“E di, e di, të vdekur më duan armiqtë e progresit!
Po ty, zotëri, ku të punon djali?
Pse u shtange? Thuaje: në shtet!
Ti qofsh që guxon të marrësh fjalën!
A kam unë fëmijë? Ç’rëndësi ka kjo!
Kërkon t’ia hedhësh, po kush të lë?
Thuaje hapur që je i futur!
S’ka por, s’ka por…
S’ka gër-mër!
Dashke një tjetër më duket”.

Si prej të ftohtit mblidhet Populli
në shpatullat e veta që me zor i binden.
Turbull kujtohet: ka dy-tri gjoba të papaguara…
Pak si problem, do ta marrë vesh gruaja…
Kush përballet me qysh e përse…!

“Fqinjët të kanë dëgjuar duke klithur.
Mos ke nevojë për doktor, o njeri”?
Populli ngrin, s’mund ta mohojë,
E ka ngritur zërin ndonjëherë
pa u kujtuar për muret e hollë.

“Ti lëmë të tjerat, e di vetë ti…”!
Populli zverdhet, i mbahet fryma.
Kujton një grua…Emër i rremë…
Tre-katër mesazhe në celular…
Pale një foto e saj disi hot…
dhe komenti i tij tepër popullor…
E po t’ma kenë hapur… ta marrë vesh bota?

“Hë, u meke, po të shkojnë djersët”?!
Populli dridhet, i bëhet sikur
lakuriq po e shveshin në arenë,
sikur po i futen në trup mrenë
me armë në dorë, me zjarr në gojë,
në anë të panjohura prej atij vetë.

Sakaq i mbërrin- fat e shpëtim-
goditja e fundit, një buzëqeshje
vezulluese si thikë
dhe si ngërdheshje:
“Merr time out!
Merr pushim”!

Fituesit i shkon zemërgjersia.
Në marramendje lëkundet nata.
Udhëheqësi i ri po vjen, sot u kuptua.
Ç’lajm është ky, i mirë a i keq?
Pasi n’ kurriz ta keni provuar
me siguri do ta merrni vesh.

(Botuar në vëllimin “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, 2024)

Exit mobile version