Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Vllasova Musta

Poezi nga Vllasova Musta

ZËRI I POETES VLLASOVA MUSTA

Nga Enver Kushi

Vllasova Musta, është një emër i njohur i Letrave Shqipe, veçanërisht i botës së madhe të poezisë. Them i botës së poezisë, sepse ajo ka një jetë të tërë, që i është kushtuar asaj. Ajo ka lindur me poezinë dhe që në rininë e hershme deri më sot, pra më 8 prill, kur feston datëlindjen dhe kur me këtë rast, “EX LIBRIS” boton një cikël, si në vend të një urimi për poeten e njohur.

Vllasova Musta mbetet e re dhe e freskët në frymëzimin e saj. Një nga gjenitë e letërsisë dhe kulturës botërore, Bohesi ka thënë: “Poezia është një ndër mundësitë, që kemi ne njerëzit për t’u ndjerë të lumtur”. Vllasova e ka patur këtë fat, që të lindë, përkundet dhe madhohet në shtratin e poezisë. Ajo ka dhe një fat tjetër, sepse ka lindur dhe kaluar rininë në qytetin e Gjirokastrës, qytetin aristokrat të dhjetra personaliteteve, ku mes tyre do veçoja Ismail Kadarenë e madh. Gjirokastra, përtej shirave, erërave, mjegullave, reve që ulen dhe ngrihen, si në shtëpinë e tyre, fsheh në thellësi të saj shumë poezi, shumë lirizëm, ndjeshmëri, dritë dhe ca zëra mijëvjeçarësh dhe plakash gjirokastrite, që janë në gurthemelet e këtij qyteti. Po të lexoni poezinë e Vllasova Mustës do të prekni dhe ndjeni, dritën, qiellin blu, gëzimet, por edhe mjegullat, shirat e papritur, trishtimin, dhimbjen, zërat e të vdekurve, vetminë dhe prapë dritën, që vjen pas rrebesheve, siç ndodh në qytetin e saj të lindjes. Edhe në këtë cikël, që do të lexoni, duket që nëpërmjet thjeshtësisë së vargut, metaforave, apo përqasjeve dhe gjetjeve befasuese, është edhe gëzimi, edhe dhimbja, edhe drita, edhe e qeshura, edhe loti, edhe trishtimi gri. Poezija e saj është e qelqtë, e brishtë, delikate. Duket sikur po ta prekësh, befas do thërmohen gërmat, fjalët, vargjet…

Poetja Vllasova Musta ka mbetur i njëjti shpirt i ndjeshëm dhe i butë, adoleshentja dhe e reja e ëndrrave të dikurshme, poete e lindur e mbi të gjitha modeste dhe zonjë e vërtetë, nënë dhe gjyshe e mirë.

Jetët e njerëzve, fatet e tyre, qofshin krijues apo jo, duket, siç kanë shkruar grekët e lashtë dhe të mënçur, sikur janë të paracaktuara nga Perënditë. Vllasova  ka patur një jetë të trazuar të trazuar. Ajo ka ditur të përballet me të. Në përfundim, i uroj edhe në emër të lexuesve të saj të shumtë, miqve, krijuesve të botës shqiptare, si dhe të redaksisë së gazetës, jetë dhe krijimtari të bollshme!


PËRHERË ZGJUAR

Në këtë mbrëmje të butë,
Pas dritaresh
U fikën të gjitha dritat,
Sikur u mbyllën qerpikët.
Njerëzit,
Shkuan të flenë.

Vetëm një dritëz,
Rri ndezur përherë
Asaj,
Kurrë s´i them:
“Shko, fli!”
Ajo,
Është brenda meje,
Je ti.

KALON NJË GRUA

Nga gjiri i saj merr jetë bota,
Gjithë njerëzimi
Aty rritet,
Ajo është gurra,
Ajo,- porta,
Veç nga nëna
Dalin mitet.

Kalon një grua
A e ndjeni?!
Është lëndina,
Kodra, mali
Ajo, folezë për gjithë zogjtë,
Ajo, shkëndija e çdo zjarri.

Kalon një grua,
Mirësia,
Me butësinë engjëllore
Ajo lëviz e mban në këmbë
Gjithë galaktikat
Qiellore.

Kalon një grua,
Hapi i saj
Sikur përcjell ndonjë ninullë,
Fërfërijnë në qiell yjet,
I bëjnë dritë
E i bëjnë udhë!

FOLEZË QIELLORE

Një folezë zogjsh,
Qëndron në ajër,
Varur në degën e hajthme
Shkojnë e vinë stinët…
Ajo nuk lëviz,
Përcjell
Cicërima
Dhe paqe.

Çelin sythet,
Pema blerohet
Zogjtë këndojnë e çukasin
Ujëvarë ylberi më hedhin që lart
Shkallinë,
E mes tyre më marrin.

Po patë diku
Në pemë a në strehë,
Folezë pa tinguj brenda,
Ajo nuk është vetëm,
Kam lënë në të
Zemrën,
Mbështjellë me ëndrra…

Bamberg, 02.02.201
Çelin sythet,
Pema blerohet
Zogjtë këndojnë e çukisin
Ujëvarë ylberi më hedhin që lart
Shkallinë,
E mes tyre më marrin.

Po patë diku
Në pemë a në strehë,
Folezë, pa tinguj brenda,
Ajo nuk është vetëm,
Kam lënë në të
Zemrën,
Mbështjellë me ëndrra…

ELEGJI PËR DASHURINË

Ç´është kjo drithërimë,
Që vjen varg pas vargu
Qiellit i them:
Ulu!
Tokës i them:
Hapu!
Ç´është kjo drithërimë,
Që troket troshitur
Më përçarti stinët
Veç një yll
I ndritur!

Ç´është kjo drithërimë,
Që gjumin ma prishi
Natës i dha dritë
Mjergullat
I grisi!
Ku ta gjej, ku mbeti
E përpinë retë
Si një hënë e ngrirë
Tretet
Përmbi det…

TË BESOSH TEK FJALA

Unë,
Besoj se dua të besoj
S‘më kanë detyruar
Asnjëherë.
I besoj kodit, që ka fjala
Sikurse 
Pas dimrit,
Kemi verë.

Nuk e fut në mjergull
Asnjë fjalë
Nuk i vesh dyshime
S‘i vë prita
Më pëlqen
Dhe prirem të besoj:
Pas çdo terri
Do të çelë drita!

Ndoshta,
Ky besim
Më ka lënduar,
Më ka vrarë
Dhimbje më ka sjellë,
Por kam gjetur forcë
Për t‘u ringritur
Farë mirësie duke mbjellë.

Ndaj besoj
Dhe prapë do të besoj
S‘mund të bëhem ndryshe
Kurrsesi!
Dhe sikur të zhbëhesha e gjitha
Do rikthehesha 
E njejta
Përsëri.

KËRKOJ NJË ÇAST DHE VETËM NJË…

Tik-tak, tik-tak
Kërcasin orët
Tik-tak, tik-tak
Bën dita, nata
Tik-takun ndjejmë brenda vetes,
Tik-takun ndjejmë nëpër hapa.

Oh, m´i ndaloni gjithë tik-takët!
Vetëm një çast,
Vetëm një grimë
Të kap një fjalë,
Të prek një tingull,
Fundja
Të nxjerr një psherëtimë…

NJË GRUSHT DIELL

Një grusht diell,
Do më mjaftonte
T´ua derdhja mbi flokë
Gjithë vajzave
Vello nusërie.

Një grusht diell,
Do më mjaftonte
T´ua vija si lodër
Pranë shtratit
Gjithë fëmijëve.

Një grusht diell,
Do më mjaftonte
Për gjithë të moshuarit
T´ua bëja
Bastun pleqërie.

Një diell i tërë,
S´do më ngrohte kurrë,
Sa një fjalë e vetme dashurie!

I DUA KËTO NDJENJA

Brenda meje
Jetojnë disa ndjenja të çuditshme,
Herë më troket
Zëri i fëmijërisë,
Herë si gonxhe
Më riçel vajzëria,
Pranë fëmijës,
Tek unë zgjohet nëna,
Pranë burrit,
Merr jetë dashuria.

Kur lozin fëmijët
Me ta dhe unë luaj
Dhe veten
S´e ndjej mes tyre të rritur,
Pranë tyre
Vetja
S´më duket e huaj.

Kokrrës së grurit
I gëzohem si bujku
Dhe pika e ujit
Më duket e artë,
Pranë bimëve,
Në fushë
Jam e dyzuar
E butë si nënë,
E fortë si atë.

Në ngjarje,
Ku ngrihet
Flamuri i kombit,
Një ndjenjë krenarie
Më ngop e më mbush
E kuqja e tij
Jeton brenda meje,
E ndezur si flakë,
E ngrohtë si prush.

…I dua këto ndjenja
Që gjallojnë me mua,
Pa to,
Nuk e di si do isha…
Unë ndjehem e lumtur,
Që në zemër blerojnë
Dhe shelgu
Dhe rrapi
Dhe pisha!

DIELLI I FJALËS

Dielli,
Është i zjarrtë,
Por,
Nuk i ngroh të gjithë
Fjala,
Ndez dhe shuan
Tërë dashuritë!

BLERJET E MIA

Blerjet e mia, blerjet e mia
Ditë pas dite
Një jetë,
Edhe pse sot i mora të gjitha,
E nesërmja
Prapë më thërret.

E para blerje,
Që s´mund të harrohet
Një perde,
Si re qiellore
Agun ma sillte, më zgjonte me dritë
Dhe dielli më merrte përdore.

Vajzës sime, kur ishte e vogël
Lodra pafund i kam blerë,
Për të isha gati
Gjithë dimrin e egër
Me frymë
T´ia shndërroja pranverë.

Libra kam blerë, rendja për to
Kjo s´ishte blerje, por ngjarje
Dita ndriçonte
Bëhej krejt ndryshe
Shtëpia,
Me tjetër frymëmarrje.

Ditë pas dite e javë pas jave
Blej dhe blej pandërprerë
Gjithmonë marr diçka
Me to nëpër duar
Blerjet,
S´m´u ndanë asnjëherë.

Ç´kam blerë e çfarë blej
Pafund e paanë
Ç´ka toka,
Dhe ç´rritet ndër drurë
Vetëm miqësitë
S´i kërkova në treg
Miqësitë,
S´i bleva kurrë!

J E T Ë S O R E

Nga ç´dreq më erdhi ky ngacmim,
Që më troket
Të tjerr një këngë
Kur ti ke mbetur një vegim,
Që më rëndon
Si shkëmb i rëndë.

Nuk di ku je,
Nuk di ku shkon
Herë si njeri
E herë si shpend,
Ti je gjithkund
Dhe në asnjë vend.

Dhe për çudi
Më shfaqesh befas
Gjithçka merr frymë
Bëhet e madhe
Dhe flladi fshin
E zhduk
Çdo brymë
Sikur rihap dhjetëra dritare.

ASGJË NUK DUA TË JETË KOT

Asgjë,
Nga koti nuk ka lindur,
Asgjë,
Prej kotit nuk jeton,
Prej kotit s´qesh,
Prej kotit s´qan
Dhe vesëloti, kot s´pikon.

Gjithçka e ka një “kot” të vogël
Një “kot” që çel,
Një “kot” që vyshk,
Një “kot”
Që ndez yje ylberi,
Një “kot”,
Që zemrës i vë ndryshk.
Po pse për dreq
Ne gjithnjë themi:
“Jam mërzitur, ashtu, kot!”
Kur pikërisht prej tij na mblidhet
Një vrer, që nuk e nxjerrim dot?!

O kot, që qesh,
O kot, që qan
Që hap pas hapi je në jetë,
M´u zhduk o kot,
M´u zhduk, o djall
Të qesh
Të qaj,
Kur dua vetë!

 * * *

Më thuaj diçka të bukur,
Ta bëj zilkë të ditës
Ta trokas hapësirave,
Ku tingujt
Kanë ngrirë…

MIQVE TË MI

Nëse ju them, më mori malli,
Besojeni, atë që them
Malli,
Frymon si pjergull
Shtrin lastarët
Vjen e ju gjen.

Nëse drithërohem
Në mijëra shkëndija
Prania juaj
Tek unë sjell dritë
Dijeni,
Kjo i përket
Veç dashurisë.

E nëse
S´kam mall
S´kam drithërimë
Dhe harroj të them:
O njerëz, ju dua!
Merrni një qiri,
Dhe…
Ndizeni për mua!

Exit mobile version