Kreu Letërsi Bibliotekë Andreas Dushi: Një poezi e Atë Gjergj Fishtës për botën editoriale dhe...

Andreas Dushi: Një poezi e Atë Gjergj Fishtës për botën editoriale dhe shtypshkronjat shkodrane në kohën e tij

AUKTORI

Mos u ngut nji herë; kadalë.
Prit; ndigjo kù due me dalë.
Njato lajme fleta-fleta
(N’ dashtë t’jén rrêna, n’ dashtë t’ verteta)
Qi po dalin n’ gjuhë shqyptare,
A dro ‘i mend ti i qet pa pare?

SHTYPSHKRUESI

Jo! asht e dijtne. Per shpirt t’t’ Parvet
Ktù s’kam dalë; por prej Shqyptarvet,
M’ kallxo mue, sa shkrime m’ vin
Per me qitë n’ punë shtamperin ?

AUKTORI

Vijn sa vijn; por asht nji fjalë,
Se ktù asnji s’ botohet falë. E prandej me ketë zanat
Ty nuk t’jet kuleta that,
Si po don me m’ shitë tash dokrra;
Por me te ti i korrë do kokrra.
Qe, bjen fjala, ‘or faqja e bardhë,
Qe edhe vetë ktû sot kam ardhë
Për me t’ qitun n’ dorë do pare:
Do t’m’ botojsh do kangë shqyptare.

SHTYPSHKRUESI

Mirë se t’ prûka Perendija!
Përse, besa, lum Zotnija,
M’lypen sod do metelikë,
Per me i nisun n’ nji fabrikë,
Ku do borxh e kam n’ teftér…

AUKTORI

Ké me u dá me të me ndér;
Libri i em pse ‘i herë si t’ dalë,
E, si t’shitet, un pa fjalë,
Paret n’ dorë kam me t’i dhanë:
N’ daç, po t’ qes edhe dorzanë.

SHTYPSHKRUESI

Për dorzanë nuk asht nevoja;
Veç po t’ thom un, se shtypshkroja
Tý për pare s’ ka me t’ pritë,
Der qi libri i yt t’jét shitë.
Por, si libri t’jét shtampue,
Paret ti ké me m’pague.

AUKTORI

Po; mirë, mirë; edh’ un po tham…
Porse pare vetë nuk kam
Per me t’ dhanë, pa u shitë ky liber.

SHTYPSHKRUESI

Eeeh!… Kaprolli kênka n’ Diber…
Tash po e dij kû don me dalë…
Jo, Zotní, s’ asht gja ajo fjalë.

AUKTORI

Po ti prit: merr vesht mâ parë
Shka po t’thom. Nder né Shqyptarë
Sa javë, thue, munden me shkue
Pa u shitë libri, qi un kam shkrue?

SHTYPSHKRUESI

Eh… sá javë? ti thueji sá vjet?…
E, medje, nuk dij a e shet?…

AUKTORI

Jo, sá vjet? vrae Zot, mos thuej!
Por mund t’ shkojn, shum shum, tre muej,
Edhe libri ka me u shitë
Mbasi shqyp un e kam qitë.

SHTYPSHKRUESI

Paj, pse asht shqyp, prandej nuk shitet
Ashtú shpejt si ty të gitet.
E, jo veç se s’ shitet shpejt
E se harxhet s’ xieren krejt;
Por un drue edhe nji fjalë
Drue, se krejt me pasë m’e falë
E m’e dá ti derë për derë,
Drue s’ t’a din kurrkush per nderë:
Kaq kan zéll Shqyptarët me kndue
Libra shqyp, si ti po m’ thue.
E, për mos m’e tjerrun hollë,
Ndigio ‘i herë se ç’i ka ndodhë
Me nji liber shqyp Dom Ndocit
Liber shqyp, po, mje n’ palë t’kociti
Don Ndoc Nikaj, si xhakue,
Historin e Kishës pat shkrue
E me ndihmë të Dodmaseut,
(Qi asht bamirsi i gjith ktij dheut,)
E botoi, s’ dij kú n’ Europë,
Jo ma shum, veç n’ pèsqind copë,
Edh’ e qiti, ndigio ‘i fjalë!
Jo m’e shitun, por m’e falë.
Por, a e din sâ vjet kanë shkue
Q’ prej se libri kje botue,
Der qi s’ falnit u mbarue?!
Plot njizet e dy motmote!!!
A merr vesht, Zotnija e Jote!

AUKTORI

Sá vjet thae? njizet e dy?

SHTYPSHKRUESI

Po, po, njaq po t’ thom un ty.
E pra aj liber ka pasë gjasë
Mos me ndejë shum mot nder thasë;
Por me u hapë me t’ shpejtë n’ Shqypni.
Kû, po thonë, se t’ kshtënë njimend,
Qi bájn kryq në kater vend,
Janë njiqind e pésdhetëmi,
E janë shkolla e vende tjera,
Qi s’ po i njehi ktû nji hera,
Persè drue se m’ ndjekë potera!
Por qi gjasë për ta ka pasë
M’e kerkue, mos tjeter, falë
Historin qi shqyp kish’ dalë.
Por, pse shqyp kje Historija,
E breu téja mbi sergija,
Mbi sergjia ase ndër thasë,
(S’ dij taman ku e kishte pasë)
E tash ktû ti vjen e m’ thue:
Do kangë shqyp due me shtypshkrue,
Edhe paret t’i pague,
Shum me thânun, për tre muej:
Pse n’ tre muej, ase mâ parë,
E shes librin ndër Shqyptarë!
Ban, po ban, ti me mend pallë
Pse, qe besa, tash jet m’ zallë,
Edhe trapi ka me t’ lanë,
Me u tha n’ diell, si cung mbi rânë…

AUKTORI

Por se shka? kjo mosha e ré
Per gjuhë shqype sot asht xé:
Librin, thom, ka per t’ m’ a blé.

SHTYPSHKRUESI

Masa e ré, po thue, asht xé
Për gjuhë shqype e për atdhe?
Eh! po, po; me ç’ m’ duket mue
Paske ngae sod me u hutue,
Qysh se vjen e m’ qet kto dokrra,
T’ tana thana të pa kokrra…

AUKTORI

Po si thue tash me i a ba
Me ketë liber? A t’a la
Pa e shtypshkrue?

SHTYPSHKRUESI

M’a lên ktu mue;
T’shoh nji herë se shka ké shkrue:
T’a shoh miellin edhe krûnen,
Mbasandej sheh puna punen.


SHTYPSHKRONJA, GAZETA E REVISTA

Shtypshkronjat e Shkodrës dhe funksioni i tyre.

(Marrë nga Hamdi Bushati, “Shkodra dhe motet”, vëll. II, Shkodër, 1999)

Do të ishte një mungesë e ndjeshme po të linim jashtë ose të kalonim në heshtje ekzistencën e shtypshkronjave në Shkodër dhe shërbimet që ato kryen gjatë kohës së robërisë shekullore osmane dhe të kohës së Pavarësisë. Këtu nuk do të shkruajmë gjatë mbi rëndësinë e shtypit, mbasi dihet nga të gjithë se sa shërbim të madh i ka sjellë shtypi njerëzisë në përgjithësi dhe kombit tonë në veçanti.

Do të lëmë mënjanë shtypshkronjat e vogla private që kanë pasur disa tregtarë industrialë vendas për nevojat e tyre të reklamës, kjo sepse ata nuk kanë luajtur ndonjë rol në shërbim të letërsisë e të kulturës sonë. Fjalën e kemi për shtypshkronjat e mëdha që kanë ekzistuar në kohën e sundimit osman e më vonë. Simbas hulumtimeve tona, në Shkodër deri më 1944, kanë vepruar pesë (5) shtypshkronja:

Shtypshkronja e jezuitëve

Kjo shtypshkronjë mund të thuhet se është më e vjetra në Shqipëri. Që në fillim ajo është titulluar “Shtypshkronja e Zojës së Papërlyeme” e themeluar në vitin 1871. Kjo shtypshkronjë në realitet ishte e lidhur me autoritetin e Argjipeshkëvisë; nuk mund të shtypej e as të botohej libër, dmth libra që i binin ndesh klerit apo që nuk ishin në favor të kishës katolike. As gazetat nuk janë shtypur ndonjëherë në atë shtypshkronjë. Nuk mund të mohohet që jezuitët, me anë të asaj shtypshkronje dhanë një kontribut me vlera përsa i përket letërsisë shqipe në përgjithësi. Prej fillimit e deri në vitin 1928, për 57 vjet me radhë, aty janë botuar 412 copë libra e broshura.

Shtypshkronja turke

Ka qenë një shtypshkronjë e sjellë nga qeveria osmane këtu dhe nuk dijmë me siguri se në çfarë date e sollën atë në Shkodër, por, duke u mbështetur në datën e fletores “Ishkodra” të botuar në atë shtypshkronjë, mendojmë se ajo ka nisur nga veprimi në mes të viteve 1870-1880.

Mendojmë se është e nevojshme të dihet diçka rreth shtypshkronjës qeveritare osmane dhe të veprimit të saj në pikëpamje publicistike, mbasi në atë shtypshkronjë shtypej gazeta “Ishkodra”, pavarësisht nga gjuha në të cilën botohej, vetiu vjen pyetja se çfarë përmbante ajo gazetë, si lëndë të sajën.

Ajo shtypshkronjë ka qenë vendosur në një ndërtesë para konakut të atëhershëm të qeverisë, ku sot zë vend pallati i madh i Kom.Ekz. të KP të Rrethit. Kjo shtypshkronjë kryesisht përdorej për shtypje regjistrash e të tjerash fletë administrative, më vonë filluan të botohen gazeta e salname të vilajetit, dëftesa e të tjera akte për zyret e ndryshme të qeverisë. Sidoqoftë edhe nga kjo shtypshkronjë na kanë ngelë një seri gazetash «Ishkodra» dhe dy a tri copë salname (anuare) që për historinë tonë kombëtare pak a shumë janë një kontribut i vlefshëm.

Me okupacionin e Shkodrës, malazeztë, në vitin 1913, në mes të materialeve të tjera, morën edhe shtypshkronjën qeveritare të Turqisë, për të cilën jemi duke shkruar, vetëm shkronjat turqisht shpëtuan, të cilat i mori në dorëzim redaksia e fletores “Sedai Milet”, mbasi kjo gazetë botohej në gjuhën turke. Kolegjumi i kësaj gazete solli nga jashtë një makineri për të shtypur gazetën e të tjera. Tekniku i shtypshkronjës turke ishte i quajturi Abdyl Djepaxhia nga Shkodra, i cili vazhdoi të ishte edhe tekniku i shtypshkronjës së “Sedai Miletit”.

 Shtypshkronja Nikaj

Pronari i kësaj shtypshkronje ka qenë Dom Ndoc Nikaj e i vëllai (Kini). Siç shihet edhe nga titulli, ai ka qenë prift katolik, por shtypshkronja e tij ka qenë publike. Shkaku i themelimit të kësaj shtypshkronje lindi nga ideja për të botuar një fletore në gjuhën shqipe. Ky mendim u shfaq nga kuvendi i mbajtur në vitin 1906 në Shkodër prej disa patriotëve nën kryesinë e Abatit të Mirditës, Preng Doçit. Në këtë mbledhje u pat vendosur të ngrihej një shtypshkronjë në Shkodër, me qëllim që të shtypeshin fshehtas libra që të shpërndaheshin ndër qytete e fshatra të Shqipërisë për të ngjallur dashurinë ndaj shkronjave shqipe dhe për të nxitur ndiesitë atdhetare në shpirtin e shqiptarëve.

Për atë qëllim u porositën në Milano një makineri e vogël dore dhe disa kilogram shkronja mbi emrin e Mati Logorecit. Të hollat për këtë porosi i dha Preng Doçi. Makineria erdhi me anë të një avulloreje të shoqërisë “Pulja”, e cila sillte në Shkodër mallra nepërmes Bunës dhe i shkarkonte në Obot. Në atë kohë D. Ndoci ishte famullitar i atij fshati. Prelati në fjalë do të mirrej vesh me agjentët e vaporit të shoqërisë “Pulja” për ta futur atë makineri kontrabandë në qytet. Në Obot ajo qe shkarkuar në një maunë të asaj shoqërie dhe prej aty D. Ndoci e barti fshehtas copa-copa deri në Shkodër. Në marrëveshje me françeskanët qe instaluar në një dhomë të shkollës së tyre.

Me atë makineri u patën shtypur disa fletore keqas, sepse ishte e pa plotësuar: fletët e shtypra u shpërndanë me anën e famullitarëve ndër katunde. Nuk zgjati shumë e qeveria osmane ra në erë të asaj makinerie, beri hetimet dhe kontrollet e nevojshme, por ajo mbeti e fshehur deri në vitin 1908, kur u shpall konstitucioni i Turqisë.

Mbas sa përpjekjesh, Dom Ndocit iu dha leja të sillte një shtypshkronjë në Shkodër. Në prill të vitit 1909 D. Ndoc Nikaj instaloi të parën shtypshkronjë publike në Shkodër dhe më 1 janar 1910 filloi botimin e fletores “Koha”. Dom Ndoci nuk botoi vetëm gazeta. Ky shkrimtar i palodhur nisi veprimtarinë e tij letrare që më 1888, kur botoi veprën e parë e nuk pushoi së shkruari deri në vitin 1940.

Shtypshkronja françeskane

Në vitin 1916 edhe françeskanët sollën tipografinë e tyre të mekanizuar. Shtypshkronja për natyrë të Urdhërit që administronte ishte nën urdhërat e klerit e jo publike, sikurse ajo e Nikajve. Në tipografinë françeskane u patën shtypur dy gazeta “Posta e Shqypnisë” dhe “Ora e Maleve”. Në të dyja botoheshin shkrime në bazë të programit kishtar, më tepër për mbrojtjen e të drejtave të katolikëve. Në tipografinë françeskane janë shtypur edhe të përkoshme, siç qe “Hylli i Dritës” dhe “Zani i Shna Ndout”, etj.

Shtypshkronja “Ora”

Me rastin e shkrirjes së redaksisë së gazetës “Sedai Milet” shtypshkronjën e asaj gazete e trashëgoi mjeshtri i njohur, Abdyl Djepaxhia, i cili ishte i vetmi qytetar shkodran që kishte përvetësuar profesionin e tipografit që në periudhën osmane. Grupi turkofil i gazetës në fjalë, me vullnet të përbashkët, ia la në dorë shtypshkronjën atij. Mirëpo Abdyli me kohë solli pajisje të tjera dhe shkronja turqisht e shqip. Shtypshkronjën e tij e pagëzoi me emrin “Ora”. në këtë shtypshkronjë u shtypën shumë libra të ndryshme e fletore. Me një fjalë, shtypshkronja e tij fitoi emër të bukur si për ndërshmërinë e pronarit dhe bijtë e tij, ashtu edhe për punën e pastër e të mirë që kryente. Shtypshkronja në fjalë vazhdoi punimet deri në shtetëzimin e saj pas 1944.

Shtypshkronja pas vitit ’44:

Shtypshkronja “Migjeni”

Pas çlirimit kemi këtë shtypshkronjë me bazën materiale dhe mjeshtrit e shtypshkronjave të ndryshme të Shkodrës. Është vendosur në lagjen Vasil Shanto dhe shërben për të përmbushur nevojat propagandistike të rrethit, sidomos në zgjedhje të ndryshme, konferenca etj. dhe për shtypshkrime për nevoja të përditshme të rrethit si fatura, kartela, regjistra etj.

Në këtë shtypshkronjë ka një repart radhitjeje, shtypi dhe libërlidhjeje. Këtu radhiten dhe shtypen edhe gazetat e organeve të ndryshme të rrethit si dhe almanakët “Shkodra”, “Buletini Shkencor” i ILP së Shkodrës, Kumtarët e muzeut etj. Në përgjithësi teknika ka mbetur po ajo e viteve të para të çlirimit.

Fletoret (ase gazetat) e botuara në Shkodër

Këtu poshtë po vemë në dukje gazetat e botuara në Shkodër pavarësisht nga gjuha amtare ose e huaj që përdorën ata që në periudhën e sundimit osman e deri në ditët e sotme. Shënimet rreth këtyre gazetave pjesërisht i kemi nxjerrë nga fletorja “Vullneti” të datës 28 nëntor 1930 e pjesërisht nga burime të tjera.

Gazeta “Ishkodra”

Më 24 qershor 1879 doli për të parën herë në gjuhën turqishte e pjesërisht shqip (por pjesa shqip nuk ka vazhduar më tepër se dy numrat e parë). Jup Kastrati në një artikull të tij njofton për të parën herë se me 24 qershor 1879 paska qarkulluar gazeta “Ishkodra” në gjuhën shqipe dhe turqishte, por autori nuk na njofton se ku ndodhet ai numër gazete, kështu që nuk kemi pasur mundësi ta kemi në dorë. Sipas këtij autori, ai numër paska dalë si organ i Degës së Lidhjes së Prizrenit e më 7 maj 1880 dhe aty, pra në “Ishkodra” qenka botuar thirrja e krerëve të lëvizjes për liri dhe autonomi.

Gazeta “Ishkodra” ishte javore. Drejtori i shtypshkronjës ishte edhe drejtori përgjegjës i fletores. Gazeta në fjalë botohej në katër faqe me një dimension 50×30 cm. Për shitje dhe reklamë që botoheshin në atë fletore paguheshin tre “mexhide” në vit, një mexhidije e dy çerek për një gjysëm viti, kurse, për viset jashtë qendrës së vilajetit, paguheshin edhe 12 grosh dhe 20 pare për postë, më tepër. Për çdo rresht të reklamave të shpallura paguheshin dy grosh. Gazeta kishte karakterin e një gazete zyrtare, sepse aty nuk duhet të jetë shkruar ndonjë artikull me ngjyrë politike, shoqërore ose kulturore, me përjashtim të lajmeve të jashtme të marra telegrafikisht ose prej gazetave të huaja si dhe lajmet e brendshme të vilajetit: ngjarje, transferime, pushtime, lidhje kontratash në mes të Turqisë dhe të ndonjë shteti tjetër ose traktate, sikurse ishte rasti i Traktatit të paqes në mes të Perandorisë Osmane e të Greqisë. Ky numër i gazetes “Ishkodra” është shtypur në vitin 1897, shi në periudhën e luftës turko- greke. Këtë numër të kësaj gazete e ruan edhe autori në arkivin e vet. 

Gazeta “Koha”

Është e para gazetë shqip që shtypet në Shkodër në vitin 1910, botuar nga shtypshkronja “Nikaj”. Numri i parë pat këtë emër, ndërsa numri i dytë doli me emrin “Bashkimi” e vazhdoi deri në vitin 1915. Pastaj mori emrin “Besa Shqyptare”, përsëri më vonë e ndryshoi emrin në “Zani i Shkodrës”, por nuk qëndroi as me këtë titull, duke marrë përsëri titullin “Besa shqiptare”, gjithmone e drejtuar prej Dom Ndoc Nikajt.

Gazeta “Atdheu”

Shtypet në vitin 1912, e drejtuar prej N.M.Mihal Lehova në Shkodër.

“Shqipnia e re”

Botohej në Shkodër në vitin 1913, nën drejtimin e H.Mosit.

Gazeta “Taraboshi”

Botohej në Shkodër në vitin 1913. E para gazetë e përditshme e shkruar shqip dhe italisht nën drejtimin e Terenc Toçit.

“Besa Shqiptare”

Është vijim i fletores “Koha” që u botua në vitin 1910 më 1 janar nën drejtimin e Dom Ndoc Nikajt në Shkodër.

Gazeta “Populli”

Më parë qe botuar në Vlorë prej Said Qemalit e Mustafa Qullit. Kjo gazetë e vijoi mandej botimin e saj më 1915 në Shkodër nën drejtimin e Mustafa Qullit dhe të Salih Nivicës. Me pushkatimin e Mustafa Qullit prej malazezve, gazeta “populli” vazhdoi të botohej prej Salih Nivicës deri që me 10 janar 1920 u vra edhe ky prej një dore tradhtare, agjent i italianëve.

Gazeta “Sedai Milet”

Shqip do të thotë “Zeri i popullit”. Kjo botohej në Shkodër në vitin 1914, nën drejtimin e nje grupi xhonturkofil dhe të një redaktori turk të quajtur Salih Efendi. Kjo gazetë propagandonte programin e saj kundër qeverisë së Vlorës së kryesuar nga Ismail Qemali dhe bënte agjitacion në popull për të kërkuar një mbret nga dinastia e Ali Osmanëve të Stambollit. Shtyllat e kësaj gazete qenë vënë krejtësisht në shërbim të propagandës antikombëtare.

“Zani i Shkodrës”

Gazetë që botohej këtu në vitin 1915 prej Dom Ndoc Nikaj. Ajo ishte vijim i gazetës “Koha” dhe “Bashkimi” që u botuan në vitin 1910.

Dielli-Sunca-Sole

Gazetë e përjavshme me karakter politik e shoqëror. Botohej në Shkodër në tri gjuhë: shqip, italisht, turqisht.

“Posta e Shpnisë”

Kjo gazetë është botuar nën drejtimin e At Gjergj Fishtës në vitin 1917. Në këtë gazetë, përveç shqipes, përdorej edhe gjuha gjermane, sepse atëherë në Shkodër sundonte Austro-Hungaria. Shtypej në shtypshkronjën françeskane.

Gazeta “Koha e Re”

U botua në vitin 1919 në Shkodër e drejtuar prej Nikolla Ivanajt. Përveç në gjuhën shqipe, gazeta botohej pjesërisht në gjuhën frënge. Qe politike, doli për pak kohë, por u botua përsëri në vitin 1925. Kësaj here doli vetëm një numër, sepse zuri vendin e fletores “Republika”, e cila qe mbyllë me urdhër të qeverisë.

Gazeta “Kombi”

U botua në vitin 1925 në Shkodër…

“Ora e maleve”

U botua në Shkodër në vitin 1923 nën drejtimin e Shuk Gurakuqit dhe shtypej në shtypshkronjën françeskane. Ajo qe një gazetë politikë nën ndikimin e klerit. Gazeta e përmendur nisi të botohej në vigjiljen e zgjedhjeve të Asamblesë Kushtetuese. Ajo përkrahu vazhdimisht grupin e opozitës kundër partisë popullore me në krye A. Zogun. Përveç kësaj, një nga pikat e programit të saj ishte përkrahja apo mbrojtja e të drejtave të katolikëve.

“Shpresa Kombëtare”

Gazetë politike, botohet në Shkodër në vitin 1923 nën drejtimin e Nasuh Dizdarit. As kjo nuk qe një gazetë e paanshme.

Gazeta “Vllaznija”

U botua në Shkodër në vitin 1923 nën drejtimin e N.Shllakut. Kjo gazetë, si shumë të tjera, nuk pat jetë të gjatë, sepse ishte kurdisur në një periudhë kritike të politikës se brendshme për interesa të njërit o të tjerit grup politik.

“Republika”

U shtyp në Shkodër në vitin 1923, nën drejtimin e Nikolla Ivanajt, por mbas disa numrave pushoi botimi i saj. Në vitin 1925 nisi përseri të botohej dhe vazhdoi deri me 15 maj të atij viti. “Republika” ka qenë një gazetë serioze e plot temperament. Kryeartikujt përgjithësisht shkruheshin nga Mirash e Martin Ivanaj. Ajo gazetë vazhdimisht përkrahu shkollën laike dhe polemizoi me klerin.

“Brezi i Ri”

Botuar në Shkodër në vitin 1925 nën drejtimin e Pashuk Ndok Illisë. Pak numra mundën të botohen.

“Zani i Popullit”

U botua në Shkodër në vitin 1925 nën drejtimin e Kole Mjedës. Gazetë politike proqeveritare.

“Rinia fashiste”

U botua shqip-italisht në vitin 1939-40 nën drejtimin e H.Frashërit. Organ i Partisë Fashiste.

“Jehona e Shkodrës”

Organ i Këshillit Nacionalçlirimtar i Qarkut të Shkodrës. Nisi botimin më 21 dhjetor 1944. Shpërndahej në formë klandestine.

“Koha e re”

Ka qenë vijimi i organit “Jehona e Shkodrës”. Ajo filloi të botohej nga nr.25 më datën 3 shkurt 1945 dhe vazhdoi deri në mbyllje më 11 Janar 1948.

“Jeta e Re”

Organ i Komitetit të Partisë së Punës të Shqipërisë të rrethit të Shkodrës. Kjo nisi të botohej më 15 prill 1967 dhe vazhdon të botohet regullisht.

Exit mobile version