Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga poetja argjentinase Teresa Palazzo Conti

Poezi nga poetja argjentinase Teresa Palazzo Conti

Teresa-Palazzo-Conti

DOLLI

Dua një dashuri të egër, të kthetrave dhe dhëmbëve
që do të më sulmojë pabesisht haptas ditën me diell.
Alfonsina Storni

Unë jam martiri lidhur tek shtylla
duke u djegur në hijesirën tuaj.

Ti je kudo rreth meje,
dhe brenda zbrazëtisë sime,
ti më do dhe
përunjësisht

unë të lejoj të shpalosësh
devijimin tim.

Bujaria juaj tejshpon poshtë
plagës më të thellë
e cila nuk është më e juaja tashmë.

Do të ngre një dolli për ty
për praninë tënde
dhe një tjetër për veten time
të këtij momenti të vrullshëm.

Nëse ky është fundi
lë të jetë i përpiktë dhe i saktë
mprehe kristalin
dhe le të më derdhet gjaku
deri në pikën e fundit.

Sikur të ishin këto stade fjalësh
hajmalia më fisnike në himnin tim?

Unë ngre dolli në diell,
livadheve dhe breznive
dhe depërtoj në sytë e tu.

Dhe vetë vdekja ime.


BURGOSJE

Sot më në fund do ta lë derën hapur
dhe do ta lë veten të befasohet nga pafundësia e fjalës;
atë fjalë që donit ta linit të çlirët
kur faji dhe frika ju meku zërin.

Sot do ta lë shtëpinë hapur
të mund ta ndjej trokitjen e dorës tënde lypse;
ndoshta thjeshtësinë e dashurisë së ndershme.

Sot më në fund
do ta hap shpirtin
për të parë të derdhet
drita e lëbyrur e pikëllimit tim
duke lundruar në albumin me shëmbëllime të zbehta
në hapat e tua këmbëngulëse që nuk lënë gjurmë.

Sepse kjo është dashuria ime;
plaga prej të cilës mezi të vështroj ty
dhe gjaku im të ndjek
dhe dhimbja ime nuk do të pushojë.

Më në fund do të jetoj e lirë
për të parë atë puthje
të vjedhur në një natë vjeshte
rrokullisur mbi çdo pore të flashkët.

Dhe mandej do të vijë burgimi
dhe lëkura ime do të shndërrohet në mur
mbi të cilën do të shkruash me thonj
emrin tënd.


FLUTURIMI I KONDORIT

Më lidhe këmbët sot
më pengove,
dhe unë mezi ngrihem të të nuhas
në flladin që fryn.

Si në të shkuarën
kur ti nuk munde të ecje
kortezhi i vargjeve;
si më parë,
kur ti u rrëzove në mes të natës
zbulove trupin tim pa më paralajmëruar.

Në gjumin tënd, ti re në prehrin tim
dhe u krodhe në rrecka…
aq pak që munde të gjeje
midis trupit në nxitim e sipër.

Midis meje dhe teje
një udhë yjesh u hap
në mbarim të agsholit.

Dikush më vështroi me sytë e tu.

Dhe atëherë ti munde të buzëqeshje;
ky gazmend i bollshëm që ende të përshkon.

Ndoshta
unë kam fjetur në hijesirat e lashta
ndërsa ti lundrove mes zambakëve të lumenjve
të mi.

Nuk duhet të presësh më;
tani ti ke kopshtin tim dhe ferrat e mia;
Ne do të ngjitemi mbi mur për të parë mollët.

Unë do të jem kondori femër;
midis kthetrash dhe dhëmbësh
të gjitha puplat dhe sulmet.

Mos u druaj;
zhvishu edhe një herë;
më lejo të kërkoj brenda syve të tu
fluturimin që gjendet brenda meje
atë fluturim që ti ende nuk e njeh.

Do të të jap bisqet dhe frutin,
dhe puthje të panumërta
në sytë e tu; ishull;
shumë thjesht si njeri
si këto buzë që sapo të krijuan.


KOPSHT I AKULLT

Harrimi zvarritet, i palëvizur.

Një grua në rrugë
dhe të gjitha manjolat vdesin në gjunjët e saj.
Engjëlli këmbëzbathur në sytë e saj
dhe një tkurrje e menjëhershme
murosje në skajet e mungesës.

I hapa sytë e saj në liqenet e kripës;
e prerë në pyetje;
e pandreqshme.

Fjalët
brazda të një kohe të ndërprerë.
Dhe unë u zhyta në tollivinë e kockave të saj
të ashpra.

Vetmitare e menjëhershme
e mbushur plot me mister.

Ajo endet në duart e mia duke kërkuar tokën
dhe unë rrëzohem përsëri 
në thatësirën e orvatjes sime të fundit.


DHE ATJE ISHTE LUFTE

Në homazh të ushtarëve në Luftën Malvine (Folklands), Argjenitë 1982

Pse zvetënim dhe grahma?
Pse kripësirë?
Zgripe të ngrira të etjes dhe pyetjeve.

Pse nënat janë duke qepur kryqe në uniforma;
pse këmbë dhe jo hapa,
duar në tokë,
gojë e hapur, xhepa bosh?
Letra të mallëngjyera dhe zhurma e fluturimit.

Pse grushti i përgjakur në zemër të rinisë?
Zgavra në lutje. Fjalë të gjunjëzuara.

Pse të gjithë emrat në sytë e shuar të fajit?
Duke fshirë lotët;
shpërthim i nxituar mbi pafajësinë.

Kush i nxiti trillimet e urrejtjes?

Kush i ngjalli sytë dhe qepallat e frikës?

Diku e qeshura u ndal.

Dikush mbylli dyert e dashurisë
dhe pati luftë.

Përktheu Dashamir Malo

Exit mobile version