Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Liridon Mulaj

Poezi nga Liridon Mulaj

Mbaj mbi vete

I kam mbajtur mbi vete

përkuljet e lisave nga rrufetë!

Luhatjen e bursave nëpër sallone të çmëndurish

që ndryshonin një shifër ,

e që varfëronin njerëz në rend gjashtë-shifror

Një eskavator gjigand, me gojën krokodil,

që priste i heshtur të shkulte me themel,

fushën e gjelbërt, ku fëmijët mbillnin

gjurmët e së ardhmes…

Babëzitë e rracës superiore ,

që shtyheshin në sportele të tejmbushura.

Për një biletë në teatrin e urrejtjes

e më pas , të ktheheshin në aktorë.

Mbaj mbyllur brënda vetes ,

ëndrrat e pluhurosura të harruara në univers.

Epitafe të shkruara keq

Rende frymorësh të shtypur, e të ikur

Tashmë të shndërruar në përkujtimore.

Mbaj mbi vete , anën e errët të botës.

Pothuajse të shumtën e saj

Por nuk flas dot,

dhe pse trupi im , i ngjan një klithme

Një ditë ,shpirti ,

do shpërthejë mbi fushat me grurë

Parajsa do më refuzojë,

Ferri do trembet nga unë

Sepse unë, mbaj mbi vete tmerret e kësaj bote

Dhimbje

Kurba e dhimbjes po i drejtohet qiellit

Mbi shigjetat e saj varet ankthi,

derdhet frika

dhe miliona mendime te tmerrshme

te pasajuara

te pajetuara

te kobshme

te erreta si vete nata ,

apo si çdo natë kur bebet,

bien e nuk zgjohen

Djelmoshat bien dhe nuk zgjohen

gjysherit dhe nenat , vdesin brutalisht

dhe shigjeta e dhimbjes

ne grafikun e durimit

nis e thyen qelqet.

Dhe zemra ime e dobët

s’ka sesi i mban trarët e gurët

Ata dhembin , dhe unë i gjori

s’mbaj dot kaq shumë…

A ke frikë?

A ke frikë për mua?

Netëve kur hëna harron të zgjohet,

e si një grua e ve, qan për dashurinë

në fund të krevatit ,

mbi kuvertën me aromë dielli.

A ke frikë për mua?

Si pemët që lëkunden nga era ,

e strehoret prej llamarine

që mbajnë peshën e lotëve të qiellit…

A ke frikë për mua?

Se asgjëja do më gllabërojë nga krahët e tu

e as parajsa me miliona engjej ,

nuk do ma njihnin bebëzen e syve

si ti.

Unë kam aq frikë…

se një ditë bota do mblidhet kruspull

e vogël , e zymtë , e pashpresë.

Ajo do vdesë ngadalë e ndrojtur si bebe

Me mua shtrirë mbi mungesën tënde

A ke frikë ti?

Se pa ne , toka s’do lulëzojë?

Frymë

T’kisha imagjinu në njimilion gjëndje të lira.

Si puhizë e erës qi ngacmon lehtë sytë,

e eshnat e lotëve i shn’drron n’sfungjer.

T’pata kujtue si valë t’deteve

t’kripuna nëpër botë.

Si hanë e plotë ku ujqit

e maleve t’shkretueme

kndonin serenata n’kuisje qi ndillnin tmerr

Dhe pse ti nuk më bëzaje,

imagjinoja miliona citate shprese n’ofshamat e zanit tand t’ngjirun

Aty ku bota bashkonte copëzat e humbuna,

n’mjegullën e frymës tande…

Përballë vetes

Rrugëve të vendlindjes

tuj u end i vetmuem.

Diku s’largu

pashë veten teme fëmijë.

Nuk i fola, e as nuk i bana zâ

Pa ja tret shpresat

e lashë me andrrue ,

dikënd ndryshe nga unë.

Bijtë e vetmisë

Ne, bijtë e nënës vetmi

Ne, që e shohim jetën errët

Që lindim të vdekur

e të vdekur shkojmë drejt lindjes

Që shpresojmë në ringjallje,

edhe pse s’gjallnojmë

Ne që në dritë verbohemi.

Që fundin nuk ja shohim botës e

bota nuk na e cakton fundin…

Ne që lumturohemi me një fjalë

të thënë me zemër, nëse dikush

do na e thoshte ndonjëherë…

Ne, bijtë e atit, pa nënë!

Jetima të vetvetes,

kurban i tjerëve…

Bir …

Po ta them bir,

sesi nata polli njerëz!

Atëhere kur e gjithë ç’ka kishim ,

ishin vetëm katër mure të errëta,

e shpirti ynë në kërkim të dritës

Në këto kohë vajesh, unë jam vetëm bir!

Miqtë e vëllezerit e kuptuan shpejt ,

se lindën në vendin e gabuar.

Rendën drejt atdheut , atij të vërtetit,

atij që s’ti vret ëndrrat e në mos të mallkoftë,

barkun biles ta mbush me bukë.

Po të them bir se kam qënë shkrimtar

Nga ata që për ditë me rradhë fotografohen,

Shkrimtar që autografon e pozon përballë bliceve. Ditën e fundit, var çantën mbi sup ,

e nën zhurmën e uratëve varur në zingjir

humbet në terrin e qytetit, pa asnjë kacidhe.

Bir, po të them dritat janë mashtrim,

e vërtetë është veç ërrësira,

e çasti kur im atë, shfryu epshin e vrerit mbi

nënën time, e u ngjiza unë.

I vërtetë jam dhe unë bir,

përderisa nuk të sjell në jetë të vuash,

siç babai im gënjeu nënën, se asgjë nuk do ndodhte.

Iluzion

Mbi kreshtat e botës gjenden majat e zbardhura , të pashkelura.

Dhe mbi syprina të rrëshqitshme, hapat nuk ndjekin askënd .

Dita fillon e mbaron , por mendimi zgjatet,

e çdo zgjatim i tepërt, éshtë kthim tek e vjetra.

Hidhu mbi iluzione, e në mos gjetsh asnjë imazh për të qënë, krijoje.

Braktisi të gjithë e në të gjithë shpreso.

Ik, kthehu e prapë ik sikur nuk do të kthehesh më kurrë.

Kokën mbaje prapa, dhe ndiq kurbat e jetës me shpirt në dorë, e sytë hapur.

Se jeta është shilarëse, njëherë të ledhaton ajri, e më pas dheu.

Por ti mos ki frikë, Jeto!

Dorëzohu mbi epshe e falju vetmisë.

Shpreso dhe në puthadorë të mjerë, mos refuzo,

se askush nuk është tërësisht i keq , e as tërësisht i mirë.

Noto mbi ajkën e bardhë e ngjitu aq lart sa bota të zhduket pas teje.

E në çast kur ke prekur errësirën, hidhu mbi të.

Me shpresë se në rënie , do puthësh fytyrat e njëjta

që puthe në ngjitje.

Se do prekësh të njëtat duar, do shohësh të njëjtat bebëza sysh,

e të ndjesh se askush s’të nënçmon që po bie.

Se je po ai që ngjiteshe më parë.

Thjesht kurba të ka ndryshuar!

Më thanë se atje tej

Më thanë se diku në një cep të tokës,

dikush ishte kujtuar për ne.

Më thanë se kishte qarë jo më shumë sesa koha

që merr pirja e një cigareje.

E më pas kishte përhumbur në jetën e tij

mes idealeve të demokracive të rreme.

Më thanë edhe se diku , dikush kishte shkruar diçka për ne.

Për rrugët drejt parajsës që hapërdahen para syve

çdo minutë , e më kujtojne se jeta ime vlen më pak

se një predhë prodhuar në perendim.

A ka bukë në parajsë ?

E nëse po, a do jetë nëna ime të ma japë vetë me dorën e saj.

Vëllezërit që mbetën nën rrënoja,

kush do ua pastrojë gjakun në fytyrë .

A do gjenden pellëmbë të kësaj toke zjarr,

të varrosim trupat e njomë të fëmijëvë

që u ushqyen vetëm më thirrje drejt Zotit.

“Allahu Ekber” i shoqëroi deri në shembje ndërtesash mbi rrashtat e njoma.

Mbi buzë , u mbeti thirrja,

si imitim ndaj të rriturve, atyre që Allahun apo Zotin,

si të doni quajeni , e kanë harruar me kohë .

Më thanë edhe se indinjata popujsh të bardhë

derdheshin mbi gërma të pafuqishme tastierash të armatosura.

Se burra shpirtzinj, jo prindër as baballarë ,

Por djaj të veshur në kostume, shtrëngonin duart

në marrëveshje për dy bomba më pak mbi kokat tona.

Më thanë se dikush , diku atje tej

Ku buka e bardhë hidhej nëpër kazanë mbeturinash industrial

Ishte kujtuar për ne.

Por pasi ne, s”patem nevojë për ta.

Se në parajsë , kujtimet nuk vyejnë .

As lutjet, e as e ardhmja , ndërtuar mbi ëngjëj të vrarë .

Askush s më ktheu përgjigje.

Ata vetëm qanë , e më pas si çdo ditë ,

u zhduken në turmat e frymorëve të demokracisë rreme.

Që marrin frymë , në mirëqënie ndërtuar mbi rrënoja,

Mbi toka te ujitura me gjak ëngjëjsh.

Vdes çdo  ditë 

Unë çdo ditë vdes nga pak.
Në malle zemrash të thyera.
Në arkivole pa kapak,
i pa shpirt sa herë unë hyra.

Çdo ditë të Zotit humbas dinjitet.
Këmbët më shpien në mungesë
E siç një lumë në det humbet.
Trupi im pa lindur, vdes.

Ankthi shok, më vret çdo ditë.
Dy-tre herë brënda një ore.
Një demon që më zë pritë.
Bashkë me engjejt dorê për dore.

Siç mëngjesi më pret me gjëmë.
Sot në të gdhirë nuk ndjeva më.
E mu kujtua, unë që mbremë.
Kisha vdekur, s’dija gjë.

Exit mobile version