Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Arben Velo

Poezi nga Arben Velo

Ah, Ti mangall perëndimi!

U dogj brenda meje dhe ky perëndim
orë pa zembrek,kjo flakë varur dorës
Unë diellin, mbaj në buzë, si karafil
dhe nis e numëroj miqtë përhitur botës

Prej kohësh më nget lemza e vesës
Kujtimet në fyt, si përrenj janë tharë
Ca dhi të egra me thundra mallēngjimi
m’i shkundin brinjëve,si zaje të bardhë

Me çfarë ta mbush përroin e tharë të fytit?
Më sillni ju lutem dhe një zjarrfikëse pikëllimesh
Nëse nuk i shuani këto flakë të Gushtit
do t’i derdh mëngjeseve,çdo mangall perëndimesh..


Abazhurë luleshtrydhesh vendlindjeje

Nuk di ku ti gjej miqtë dhe shokët
të çmallem,të qeshim, pse jo.
dhe mërmërimat e tokës,paskan ikur
kanë ndryshuar,nuk janë më ato.

Buzë rrugës,i mbështetur në qiej
njollë dhimbje,mbetur një shoku im.
fëmijë,kanotieret e erërave
si qeshje i varnim ndër ullinj.

Mbrëmjeve, serat ngjajnë me libra
shkruar nga fushat,me alfabet ndryshe.
lexoj atje emrat e shokëve të ikur
Si abazhurë ndez luleshtrydhe….


E stisur prej vere

Të bëhesha një shelg,Ti – vorbull prej uji,
kur grindjet nga shtrati,lumenjtë i përzunë
Nëse vonon vjeshta, fajin ta kesh Ti,
nëse mungojnë shirat,shkaku të jem Unë

Inatet e tua, mbushçin grindjen time
si kotruvja,nga pusi nëntokë.
Do e mbaja inatin si bucelë në ije
Ti,si një shtëmbë me ujë përmbi kokë.
Pas “mërisë”me mua, shelg të bëheshe Ti
pas grindjes me Ty,lum të kthehesha unë
Të përmbyteshim o zot,me puthje njërëzore
Shelgu apo lumi, e mban frymën më shumë?

Nëse vonon vjeshta fajin ta kesh Ti..
Nëse mërgojnë shirat,shkaku të jem unë!


E bëra nuskë fustanin e nepërkës

Ja dhe një vetmi tjetër
U bë folklor i psherëtimës së vjetër
Fustan i bukur nepërke
varur në garderobë të ferrës

Si ta bëj nuskë
për miqtë e mi të së dielës?

Në ekzistencë të strukur
Kthyer në xhinde motmoti
ma prenë ditën
me jataganët e lotit…

Ka kohë mëzi i harresës
bën portrete me xhinde
teksa lëpin patkonjtë
e pavënë në thundra
Fustanin e nepërkës,
mbetur në garderobë të ferrës
në jelet e shtatë ditëve
e var si një nuskë për mua..


Çanga e vjetër

Ishte një çangë hekuri
Unë,fëmijë dosido.
Kur qante,qarja ime,
niste këngën Ajo.

Kur qante, qarja ime
ding dongu i saj qeshte.
Vraponin prindërit tanë
ngarkuar shtepitë si djepe

Mëngjes,drekë,darkë
Ding,dong, deri në Hënë
E shkreta Hënë, si ne,
binte në gjumë pa ngrënë.

Ding-dong, slodheshin nofullat
-përtypte fshatra pastaj.
Unë tretja gjysmë hijesh
ngelur nga ikjet e babait…

Në ndryshk,kallur e gjallë
tani pi hijet e mënave,
në fyt ngecur si halë
ding donget e gjithë hënave.


Ujqërit e Gushtit

Një gusht pa njerëz
me malet plot ujqër.
Ah, tufat i ka humbur
kjo vapë e përvjelë
ky gusht pa njerëz
si një kokërr hudhër
varur në qiell
të mos e marrin sysh muajt e tjerë.

Ujqër! Ju priftë fati
Si një të njohurin tim
nga nëpunës shteti
u bë portret leku
Me tre jahte të kaltër
katër apartamente.

Ujqër të Gushtit!
Ndërtojeni një thertore
jo vetëm për delet,por edhe për vehte


Kur Ti u bëre pikëllim…

Nga supet e saj erdhi ky mëngjes.
Gramafoni i vjetër i asfaltit,
I regjistron mungesën e hapave
me sqepin e zogjve të mi të inatit.

Kam kohë që flas me të ikurit e mi
I përkthej këngë guguftush në mbrëmje.
që kur Ti u bëre pikëllimi im
që kur unë u mbylla në mungesën tënde


Në Adë fushat vrapojnë

Në Adën time,gjithë fushat vrapojnë
të kapin flutura jeshile,
E thonë sytë e Akacieve-ku rimeli i erërave
iu gjelb të bardhën e syve.

“Mirëserdhe!’, pëshpërijnë arat buzëçara
si plakat me huqe e të serta,
Domatet, mbi bastunë kallamash,
të rrokin nën çitjanet e gjelbërta.

Ta njohësh këtë fshat, pyeti djemtë
pa ata fshati duket ndryshe.
Vajzat mbajnë kod luleshtrydhe
të rrëfehen para dallëndysheve.

Me kod peligorke,duhet të shkosh te Vjosa
të ndjesh ujrat të gurgullojnë ndër brinjë
pasi e mënd ballin me qumësht Hëne
për temperaturë malli,e pi aspirinë.

Sa herë shkoj në Adë,bëhem fushë e vrapoj
Të kap,ah, një flutur jeshile
Në gishta më ngelen ca qerpikë akaciesh
si nojma nga e dashura ime….


Harabeli i Korrikut

(F.Rreshpës për ditëlindjen e tij)

Harabeli i korrikut
pikturo një det për mua,
përkthe valëbrengat e mia
në cijatje të tua…

Veç,mos ma thaj detin.
Çukitma dhe lotin
bëje burim për planetin !

Dua të jem një kanistër, për oh-et e gjithë botës

Më jepni një thupër ëndërrore prej Vjose
të thur një kanistër,
të mbledh gjithë Oh-et e kësaj bote

Mund të ndodh që ohe-t e botës
në vend të dënesjes
tja marrin këngës
dhe gjithë dhimbjet e botës
si mban dot kanistra e zemrës,

Shkoqur
do ftoj shkurtëzat e pashtruara
Vullnetare të kryqit dhe gjysmëhënës.

Le të më hedhin plazmë gjaku
nga uji i këtij lumi
Me sqepin si vigon serumi..

Dhe unë,
le të kthehem kanistër e çuditshme
Ku mblidhen, bien buritë, gjithë dhimbjet …
as më shumë dhe as më pak
Arben me mish, me lumin Vjosë gjak …


Tango prej Tetori

Kur nga shpirti bien erërat,
nisin të qajmë
këpucët e paveshura të bebeve.
Udhëtojmë për asgjëkund
ti themi askujt
asgjë të re
dhe të pamundur.
Braktisëm lindjen tonë
te pragu i shtëpisë.
kyçëm fëmijërinë
brenda një dhome,
që nuk na njeh dhe hijen.
Prindërit i harruam
si një libër, hapur
në faqen shtatëdhjetë e tetë.
Kur nga shpirti bien erërat
në ajër
mbyten ca qiej
Vjen dhe
ulet mbi rrudha fëmijëria.
me lapës mjegullash vizaton
gjithçka që nuk bëmë
Dashuria, ngelet një dhomë,
ku nuk u futëm kurrë
mbushur si kujtesë me flutura.
Kur të mbërrijmë asgjëkund
në asgjë
do gjejmë parandjenja fëmije
Fëmijë që ende beson
se dhëmbi i qumështit
hedhur në çatinë e shtëpisë
të pandërtuar,
do kthehet
në këpucë të paveshura ëngjëjsh..

Exit mobile version