Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Alisa Velaj

Poezi nga Alisa Velaj

NUK JEMI KAQ TË ZAKONTË

Sonte s’do të jemi kaq të zakontë dashuri.
Kjo strehë e harruar, vetmuar kaltërsive 
aq shumë është e etur 
për klithma zogjsh mbi ujëra.

Ag dhe muzg nëpër qiell, nëpër det.
Muzg, ag dhe një shtëpi e përndritur,
me një udhë para shtratit që zgjatet nëpër natë,
e marrë të përqafojë yje xixues.

Shtrat i papeshë, i ëmbël si drita
me një diell përmbi krye,
i një shtëpie që na bën të jemi kaq të pazakontë,
kaq të papeshë,
kaq prej harrimi dhe qiparisash të ringjallur.

Nuk jemi më kaq të zakontë dashuri.
Më larg vdekjes, më pranë zërave të erërave
që ndjellin dritën përmbi dete jemi.

Edhe jemi, pa qenë askurrë më parë
të pazakontë der në bjerratisje,
mu aty në zemër të errësirës!

QIPARIS QIELLI E ARKITRAU

  • 1 –

Në arkitraun tim bulëzojne
karafila gjak te kuq, gjak.
Jehonën ua ndjen në palce
çdo kalimtar që aty kalon
kur përskuqet hëna.

Hëna përskuqur, kuqëluar 
                  gjer në mugëtirë.
Hëna, shtëpia, nëna perdore
me nje bir plot hir!

duarsh, duarsh lule ankthi
kanë mbirë (pa mërdhirë)

  • 2 –

Nëpër kulme që prekin qiellin
qiellin, qiparisi hënëzoet.

qiellon qiparisi mbi arkitrau
karafilat rriten me ajër dhe fjalë

nëpër shtat të bimës hyn e del
një djalë

pa fjalë…

  • 3 –

Është bir
është nënë
është vegim shpendi
nepër qiparis

trung mendimi –
fjala e pathënë!

JEHONË

Në atë ishull, jo vetëm ajo është shtëpi. 
Ka zogj e kaltërsi tej e ndanë atje.
Tokë e vogël, e vogël sa një këngë fëmije.
Fëmija këndon e hutohet fëmija.

Shtëpia e ishullt ka mjegull përmbi.
Mjegull anekënd shtëpisë.
Fëmija hutohet e ngazëllen nëpër këngë.
Pulëbardhat ia jehojnë zërin brigjeve.

Me zëra deti ngjizen foshnjat dhe ishujt.
Me zëra deti jehonave të ishullit.

EPIKË PËR NJË DRE

Janë ujëra të shkrirë borë, ujëra të shkrirë bore.
Liqen i qashtër ujësh kristalore.
Natyrë e përsosur, e ndritur si teh thike.
Dreri sheh veten në syprinën e qelqtë të liqenit dhe hesht.
Ngrica i strehoi dikur një vëlla.
Feks ndoshta dhe ai në shpirtin e ujanës.

Ngrita kokën dhe pashë –
ai dre ishte nisur drejt meje.

MËRGIM I PABUJË

E rrëkëllen për çdo mëngjes një lëng portokalli,
me sytë e saj blu përhumbur tejdetit.
Pulëbardhat atje rrëkëllejnë ujëra nëpër fyt 
Ujëra me copa dielli ngjyrë portokalli.

Nëpër fyt të ditës ajo e lodhur nuk di ku të mërgojë.
Diku ku të ketë shpendë
që i ndjellin të tjera pamje.
Shpendë të amullt mendimi,
me këngë të zvarritura për diellin.

Rebeka kullon natë,
heshtje pemësh dhe çaj  hithre.
Kryet e mbrëmjes mbështeten supeve të saj.
Mbrëmja është burrë që lëngëzon vetmi.

Ajo këtë nuk e di.
Ajo vetëm pi lëng portokalli
dhe hesht e hesht me një durim prej brigjesh.

Ajo patjetër do t’ja mbathë në ndonjë muzg
me gjakun e saj nëpër kapilarë.
Mbase gjaku nuk do te këndojë,
buçitja do të jetë e shurdher
dhe mërgimi do të jetë i pabujë…

AI DO TË VIJË

Dikush do të vijë.
Pema ashkla ashkla është, po të shpërbëhet.      
Dikush me kujtesë lumi do të vijë.
Nëpër netët e tij, trungjet mbi ujëra lundronin atypari vetëm në heshtje.
Ai kurrë nuk u ngrintë hymn atyre, kurrë!
Dikush do të vijë dhe ne nuk do të jemi njësoj.
Dikush me krahët si degë të harlisura rreth shtatit tim.
Për çdo trung të përmbytur ujërave, ai mbjell një tjetër pemë.
Ai do të vijë.
Ai që rri zgjuar nga zgjimet e lumit.

TY

Mjafton një shenjë,
ashtu kalimthi,
si rrezje e vetme e dritës,
mbi një muranë vetmie
mes qiparisave.

Një shenjë ndoshta e padukshme,
si pëllumbi mbi kryq,
një mesditë të zakonshme,
kur guguftutë e mëngjesit,
këngën ngujuan në gjoks.

Një shenjë, i dashur, një shenjë,
si uji i gjallë i së dielës, –
pikë e vetme vese
mbi syrin tim të djathtë!

LUTJE

Unë i kam parë gjërat të bëhen
kur për një fije floku prekja zjarrin.

I kam parë gjërat të ndodhin
sa herë shenja dashurie
humbnim nëpër prush të ftohtë.

Ish mesnatë dashuri, e mban mend?
Na mpiheshin këmbët nën hirin e bardhë,
agimi kur zbardhëlleu pa asnjë lule frike.

MALL

Ndonjëherë do të mbjellim zambakë.
Tjera herë do të shohim një lule zjarri,
duke iu avitur murit plot lagështirë
të një shtëpie të harruar qëkur.

Do të mbledhim përherë një lloj bime,
ndërsa humbim e humbim 
nëpër pyllin 
e zbuluar rishmëz pranë shtëpisë.

Exit mobile version