Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Alfred Çapaliku

Poezi nga Alfred Çapaliku

1.QIEJ MERMERI

Qiej mermeri
pa peshë,
Dallëndyshe kundër rrymës
pa mbërritje.

Pleq ripërtypës kujtimesh
pa tym,
Aerobi pemësh bri rrugëve
pa erë.

E bardha bëhet e kaltër,
E zeza mbetet pa bojë,
Zaret janë hedhur,
Jeta është lojë.

Pikat e shiut, lotë virgjëreshe,
Prishen në shtratin e lumit,
Avullojnë të mistershme,
Si britma pa dënesë.

E bardha ngjyhet me të kuqe,
E zeza ndërron bojë,
Në kurthin e ditës,
Jeta është lojë.


2. FILLIKAT

Si derë e mbyllur me mur,
S’më vjen trokitja qyshkur.

Si muzg violet mbi dritare,
Më thyhet zemra gastare.

Si pemë skelete pa gjeth,
Më sillet era për rreth.

Si pyll i rrafshuar me zjarr,
S’më mbin fidani në zhar.

Si tokë ku s’del një kalli,
Pa lulëkuqe stoli.

Si qiell i mbetur pa blu,
Pa bisht komete bizhu.

Si hon i gremisur pa urë,
Pa një ylber si dikur.

Si derë, si muzg përmbi pyll,
Si tokë, qiell pa yll.

Si hon i shkretuar pa fat,
Ashtu krejt bosh fillikat.


3. MAJË GISHTASH

Majë gishtash djali me ritmin e të zgjaturit,
Ashtu vajza nën puthjen e të dashurit.

Majë gishtash burri kthyer vonë pas gotës,
Ashtu gruaja tek gjumi i foshnjës.

Majë gishtash mjeku mbi shtrat të pacientit,
Ashtu vartësi tek zyra e shefit.

Majë gishtash vjelësi i mollës nga toka,
Ashtu ne tek distanca nga Evropa.


4. PIKA EKUILIBËR

Lëkundet koha e humbur,
Tek rendja në pista stresi,
Me rrotat vrik të parasë,
Ku në retinën e syrit,
Përmbyset prizmi i botës.

Sa bie nata e thellë,
Fanitet rrezja e yllit
Dhe nis zbulimi i vetes,
Te pika ekuilibër,
Për t’u ribërë Njeri.


5. IMAZH

Kalimtar tokës,
Pasagjer qiellit,
Krehër mes flokësh
Rrezet e diellit.

Gjestet dhe fjalët
Për dashuri,
Gdhendin në ajër
Art harmoni.

Si kalimtar
A pasagjer,
Jam një imazh
Dridhës në erë.


6. MUZG NË SHËN NAUM

Një kishë nën qiell,
asgjë s’ka më shumë,
Një varkë liqenit
dhe shenjti Naum,
Një degë blerimi
e kaltër mbi lumë,
Një diell në ikje
përhënur gjithkund.

Ca tinguj këmbanash
po luten mbi ujëra,
Mes qindra qirinjsh
me flakë të pashuara,
A janë murgesha
nën kryq të përkulura,
A nimfa legjendash
të lashta, të zhdukura?

Një hap s’bëj më tej,
kudo ka magji,
Nga këmbët tek flokët
bulon dashuri,
Se shelgjet me rrënjë
në Drinin e Zi,
E ndezin flakë muzgun
si një mrekulli.


7. MUZIKË NË LËVIZJE

Çiftet përqafuar në shkallaret e shesheve,
Si akrepat e orës në çast të tingëllimit,
Nëse një ditë ndahen, nëse një natë s’shihen?

Bëhen fotografë të verbër në qytet,
S’mbështeten asnjëherë mbi shkopin e urrejtjes,
Armiq të mirë mbesin.

Muzikë në lëvizje është puthja pa u fshehur.


8. SHKALLËT

Ngjitëse, zbritëse njëherësh,
Shkallë granili, mermeri,
Palosëse, rrotulluese,
Lëvizëse, fikse, druri,
Metali, mëndafshi, litari –
Aventureske mes erës.
Rrëshqitëse akull janë
Veç shkallët e karrierës.

Exit mobile version