Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Alen Brlek

Poezi nga Alen Brlek

Alen Brlek

Alen Brlek (Zagreb, 1988) është autori i ftuar në Rezidencën letrare “Tirana in Between”, organizuar nga POETEKA, si pjesë e READING BALKANS, bashkëmbështetur nga Programi “Europa Krijuese” i Bashkimit Europian.  Ai i përket gjeneratës më të re të poetëve kroatë. Në vitin 2013 u vlerësua me çmimim më të rëndësishëm që jepet në Kroaci për librin më të mirë në dorëshkrim (Metakmorfoze – titulli simptomatik për të gjithë veprën e autorit), i cili u botua në vitin 2014 nga shtëpia e njohur botuese “Algoritam.”  Poezia e Alen Brlek mbetet thellësisht brenda kërkimit dhe misterit të gjuhës, duke eksploruar shtigjet e saj të fshehura dhe duke provokuar qarqe të shkurtra si dhe duke vënë në pikëpyetje logjikën e saj.  Libri i tij i dytë, “Pratišina”, u botua në Serbi nga “Kontrast”, 2017. Në bashkëpunim me poetin Darko Šeparović dhe muzikantin Emil Andreis, Alen Brlek po gjithashtu edhe eksploron hapësirat mes poezisë dhe muzikës.

ZHYTJA

Nuk ndërtojmë fenerë, kemi telefona –
etja e zjarrvënësit u ngjesh në sinjal.
Nuk më pëlqen zilja në asnjë formë, pasi në anën tjetër
sytë e dikujt e humbasin gjithmonë përqendrimin. Pritja është rruga
drejt astigmatizmit.
Mësoj të rri pranë ujit, sa herë që kridhem
me pëllëmbët larguar prej qiellit
se ligjeve të tregut nuk u besoj.
Mësoj të hyj sikur të ishte hera e fundit,
mbjell jastëkun, dal sikur të mos kisha hyrë kurrë.
Vë Neptunin në gjumë. Pres natën copash në vendet e duhura.
Për të mos e kruajtur kurrizin sa herë që të ha, për të mos harruar detajet.
Në thellësinë e zhytjes
më shumë besim.

ARKITEKTURË

Duhet të gjesh vendin, një qëllim të shpallur
që atë nuk e mohon. Si diga
ndërtuar nga kastorët. Të ngresh barkun
drejt qiellit, të ftosh Perëndinë,
të mbështesë kokën e të përpiqet të bjerë në gjumë.
Duhet të heqësh dorë nga këndet e drejtë
dhe nga të tjerat që nuk mund të arrihen,
të ndash zemrën gjithmonë më dysh
me gishtin e madh të dorës,
për t’ua dhënë fëmijëve si mollë.
Si tufa zogjsh në kurorën e pemës të derdhen
njerëzit në njerëz.

PËRSHKRIM TË JASHTËZAKONSHMES  

Drita ishte e zbrazët atë mëngjes.
Në tryezën e bukës, palëvizshmërisht
një qepë lulëzonte dhe unë desha të them
se më mungon tingulli i zërit tënd.
Bashkë me ujin kanë zier mendimet
sheqeri nuk është zgjuar, herët
ti duhet të vish.

KOPËSHT FAMILJAR

Unë do t’ju mbaj, o, rrënjë,
edhe pas një mijë plugimesh,
mos kini frikë.
Perëndia është këtu, bërthamë,
prapa syve.

BLU

Sot është e diel, marr frymë mehur
si dreri me shigjetën ngulur në qafë. Ky është vendi
i një mijë langonjve që derdhen drejt meje në përqafim.
Mëngjeseve lexova heshtjen e shpezëve të përgjumur, zhurmën
e enëve që kanë gjithmonë lidhje me hapësirën mes dy ndërtesave
e njëjta distancë ndehet edhe nga ballkoni.
Në mesditë vështroj pasqyrën dhe përsëris – është e gjitha një ëndërr
e gjitha një ëndërr.
Më vonë lexoj thellësisht atë që është thënë, pres simbolet
dhe simbiozat dhe disa të tjera me s. Si neSër, e qeShur,
Shtrat
kiSmet.
Mbrëmjes lexova artikuj për njerëzit që ikin nga lufta dhe uria
Rreth vdekjes së poezisë dhe detit, qaj dhe të gjitha gjërat priren drejt blusë.
Sot është e diel, në gjithçka ty të dalloj
në të gjitha të pres ty.

BUKËPJEKËS

Papritmas, çdo gjë që bëjmë kthehet në lutje,
gjithçka mes nesh
altar dhe pasqyrim noti. Toka e athët
na pushton,
I sjell trupit butësi për bukëpjekës të begatë.
Nesër, metalet tuaja do e harrojnë luftën,
nesër, gjuhët e mia do të mësojnë artin e pastrimit të plagës.
Buzët e së nesërmes do të jenë botanikë dhe peshq.

PËRSHKRIM PËRDITSHMËRISË

Prej ditësh përpiqem të përshkruaj parketin. Është
i paepur, u përshtatet vetëm gërvishjeve
dhe me gjasë është përherë gjithë ujë.
Parketi është version papërshkrueshmërisht pikëllimtar i Lindjes,
një hapësirë pa vishnje. Rrugëtim i shuplakave dhe
shputave nëpër dhimbjen e njeriut vetmitar.
Nuk do pranoj vdekjen mbi parket,
ashtu siç nuk e pranoj në tramvaje, ashensorë,
orë dhe urrejtje.
Parketi është mungesë papërshkrueshmërisht e gjithhershme e oksigjenit
dhe e asaj.

NISESHTE MISRI

Nga dritarja ime vështrova përmes
shënjestrës antenat mbërthyer mbi çatitë
e qytetit mbi kulmet e tyre.
Flokët e tu të nxehtë skalitën big bengun
mbi lëkurën time, rrëshqitëm thikën
përmes këmbëve të njëri-tjetrit
dhe u lutëm. Dashuria është një thertore
drejt së cilës ne marshojmë të qetë.

HIPOTEZË E DËSHIRIMIT

Nga kërpudha atomike brenda kopeve të gjoksit tim
zanoret e saj të verdha fluturojnë
me horizontin e shkruar në syrin e tretë.

oaoie
oaoie
iuieu

Ai që e përkthen këtë poezi, le të shkruajë:
heshtja është më dendur nga tetë në tetë e pesëmbëdhjetë.
Të gjithë jemi hibridet e pluhurit të lashtë dhe dritës
dhe ndryshojmë vetëm nga mënyra e zhytjes.
Me kalimin e kohës,
Çdo gjë bëhet e bardhë.

Përktheu Arian Leka

Exit mobile version