Kreu Letërsi Botime të reja Poetika e variacioneve

Poetika e variacioneve

Nga Anton Papleka

Mosha që kam arritur, më jep mundësi t’i shoh gjërat nga larg, të gjykoj me gjakftohtësi për atë që kam bërë mirë ose keq. Duke përsiatur për itinerarin tim poetik gjashtëdhjetëvjeçar, qëkurse kam botuar poezitë e para, vë re se, siç ka ndodhur edhe me autorë të tjerë, të cilët kanë folur për një identitet proteik, gjatë periudhave të ndryshme të krijimtarisë sime kanë ndryshuar shijet, parapëlqimet dhe modelet e mia estetike.
Në fillimet e mia, nën ndikimin e poezisë gojore dhe të autorëve që më kishin rënë në dorë, kam parapëlqyer vargun e matur, melodioz, kumbues. Rreth moshës shtatëmbëdhjetëvjeçare kam lexuar krijime me varg të lirë, i cili më ka bërë për vete menjëherë. Ndoshta kjo gjë ka ndodhur, ngaqë më është dukur se një varg i tillë i jepte krijuesit liri më të plotë dhe mundësi më të mëdha për të shpalosur ndjenjat, mendimet dhe imazhet e tij.
Ka pasur periudha kur kam menduar se poezia që kishte shprehësí më të lartë, ishte ajo metaforike. I nisur nga kjo mendësi, kam pasur kultin e metaforës. Nuk kanë munguar edhe rastet kur kam përdorur metafora të sforcuara apo që kanë pasur vetëm funksion dekorativ.
Ashtu siç ndodh me lëvizjen e lavjerrësit që shkon nga njëri skaj i amplitudës së tij në tjetrin, ndoshta edhe si kundërveprim ndaj metaforizmit të skajshëm, në një periudhë të mëvonshme kam anuar nga një poezi e zhveshur nga stolitë stilistike, duke synuar që teksti në tërësi të kishte karakter simbolik ose metaforik. Natyrisht, në këto përpjekje për eksperimentim, për risim të stilit tim, jam ndikuar nga autorë që praktikonin një poezi të tillë, sidomos nga ndonjë poet amerikan. Edhe gjatë lëvrimit të një poezie që prirej drejt shkrimtarisë së bardhë (l’écriture blanche, II, 10) nuk kam shpëtuar nga mëkati i thjeshtëzimit të tepruar, kur ndonjë teksti i ka munguar thellësia e duhur, i ka munguar nënteksti ose pjesa e nënujshme e ajsbergut që përmend Hemingueji. (III, 209) Duke pasur parasysh ekuacionin e M. Jourdain-it që thotë se poezia është prozë+a+b+c (II, 33), vetëkuptohet se thjeshtëzimi të shpie te mohimi i shkrimtarisë poetike, te shndërrimi i tekstit poetik në një prozë lineare. Në esenë e tij “Letërsia”, Paul Valéry-a ka theksuar se mendimet, emocionet fare lakuriq, janë po aq të dobëta sa edhe njerëzit fare lakuriq, pra ato duhet t’i veshësh.
Duke përqasur praktikën e metaforizmit të skajshëm që të shpie në barok, në precizitet dhe në kapsllëk estetik, me praktikën e thjeshtëzimit të skajshëm që e zhvesh tekstin poetik nga atributet e tij të qenësishme, që e varfëron brendinë e tij, e pakëson ose e humbet fare ndikimin e tij te dëgjuesi/ lexuesi, sot jam i bindur se prerja e artë do të ishte ruajtja e baraspeshimit midis këtyre dy prirjeve të kundërta. Gjatë leximeve të mia kam vënë re se në një përfundim të tillë kanë arritur edhe autorë me përvojë të madhe. “Fat i çuditshëm ky i shkrimtarit. Në fillimet e tij, ai është barok, barok deri në vanitet; pas shumë vjetëve, në qoftë se yjtë janë dashamirës ndaj tij, ai mund të arrijë jo thjeshtësinë që nuk është asgjë, por kompleksitetin modest e të fshehtë”. (I, 31)
Në qoftë se nën ndikimin e faktorëve të duarduarshëm kanë evoluar konceptet e mia për poezinë, ka diçka që ka mbetur e pandryshueshme. Kjo konstante artistike ka qenë mendimi se poezia duhet të burojë nga jeta, të lindë nga një ngacmim jetësor.
Sido që nuk besoj te prania dhe ndihma e Frymës së Shenjtë apo e Muzës gjatë aktit krijues, prapëseprapë jam i mendimit se ky akt lidhet medoemos me një gjendje mendore dhe emocionale krejt të veçantë, e cila mobilizon në qenien e letrarit energji të mëdha e të fshehta, të pakontrolluara nga vetëdija, nga logjika e rëndomtë, apo siç e ka thënë shumë më bukur René Char-i: “Fjalët që do t’ia behin para nesh, dinë për ne atë që ne nuk e dimë për to.” (IV, 100)
Unë besoj se krijimi i vërtetë poetik lind nga një ngacmim jetësor, ashtu siç lind tingulli nga prekja e telit të violinës apo e tasteve të pianos. Me shprehjen “ngacmim jetësor” kam parasysh atë që studiuesit e kanë quajtur “elementi shpërthyes” (élément déclencheur) ose “shkëndijë poetike” (l’étincelle poétique). Jacques Lacan ka shkruar: “Le të themi se poezia moderne dhe shkolla surrealiste na kanë shtyrë të bëjmë këtu një hap të madh, duke treguar se çdo bashkim i dy shënjuesve do të ishte i barasvlershëm për të ndërtuar një metaforë, në qoftë se do të kërkohej kushti i ndryshimit më të madh midis imazheve të shënjuara për përftimin e shkëndijës poetike, me fjalë të tjera, që të ndodhë krijimi metaforik.” (V, 20)

Nga ana e tij, G. Haldas-i shprehet se poezia lind pas dasmës midis poetit dhe realitetit që e frymëzon: “Ai që quhet emocion poetik, mund të konsiderohet si bir i kësaj dasme midis botës së jashtme dhe botës së brendshme.” (VI, 7)
Duke u nisur jo vetëm nga gjykimet e poetëve të mëdhenj, të estetëve dhe të kritikëve letrarë, por edhe nga përvoja ime si lexues dhe si krijues, mendoj se poezia cerebrale, poezia e kabinetit, ajo që është vetëm refleks leximesh, që u ngjan prodhimeve industriale të falsifikuara apo seriale, që nuk lind nga emocione të fuqishme, nuk mund ta emocionojë lexuesin, në fund të fundit, nuk është poezi e mirëfilltë dhe nuk ka vlerë. Unë bashkohem plotësisht me pikëpamjen e Robert Frostit, sipas të cilit emocioni i fuqishëm luan rol vendimtar gjatë aktit poetik: “Së pari, një poemë është një lëmsh në grykë, malli për vendin tënd, një hidhërim dashurie; ajo e gjen vetë mendimin, kurse mendimi gjen fjalët.” (VII, 166)
Raporti i poezisë me jetën, me botën reale, lidhet pazgjidhshmërisht me raportin midis poetit dhe shoqërisë ku rron ai. Sipas Alain Bosquet-së, një poet ka përpara tij tri rrugë: “Poeti i madh mund të marrë një pozicion shoqëror, joshoqëror ose antishoqëror (në qytet, jashtë tij ose kundër tij…” (VIII, 11-12) Përvoja e poetëve të të gjitha kohërave dhe të të gjitha vendeve ka treguar se angazhimi i jashtëm, deklarativ, i një autori, i cili i ka dhënë përparësi vetëm parimit të dobishmërisë (patriotike apo klasore) të tekstit poetik, ka qenë i dëmshëm dhe në disa raste vdekjeprurës. Poetët që kanë qenë ithtarë të angazhimit të jashtëm, deklarativ, nuk kanë krijuar dot tekste poetike të mirëfillta dhe jetëgjata. Ndonëse në një çast të caktuar historik poemat e tyre mund të kenë luajtur rol pozitiv në shoqëri, me t’u zhdukur konteksti historik, në të cilin kishin lindur ato, ka firuar ose është zhdukur fare vlera e tyre artistike.
Shembulli më fatkeq i angazhimit të jashtëm, deklarativ, kanë qenë shkrimtarët e realizmit socialist, për të cilët Zbigniew Herbert-i ka thënë: “Përkundrazi, realizmi socialist deshi t’i bindte shkrimtarët se ata ishin inxhinierë të shpirtrave dhe ç’është më e keqja, ata e besuan këtë gjë. Ata nuk qenë inxhinierë, por qenë katranosës që katranosën jetën e tyre dhe katranosën librat e tyre.” (IX, 21)
Për të qenë besnik ndaj së vërtetës, do të shtoj se kjo gjë nuk ka ndodhur vetëm me tekstet e autorëve të realizmit socialist, por edhe me tekstet e autorëve me orientime politike dhe ideologjike të tjera. J. Breton-i ka shkruar se me mijëra poema të autorëve francezë, të angazhuar e qëllimmirë, kanë përfunduar në gjethe të rëna. (X, 18) Në një intervistë të tij, nobelisti Mario Vargas Llosa ka theksuar se po aq sa ç’ishte kundër një letërsie të angazhuar në kuptimin e vjetruar të këtij termi, ai ishte edhe kundër një letërsie pa funksion të rëndësishëm shoqëror: “Unë nuk e pranoj që letërsia të mund të jetë një formë zbavitjeje, qoftë edhe e përpunuar dhe e sofistikuar.” (XI, 10) Mendoj se një fat të ngjashëm me tekstet e autorëve që kanë praktikuar angazhimin e jashtëm e deklarativ, kanë pasur edhe ithtarët e artit për art, të “kullës së fildishtë”, të cilët kanë qenë kundërshtarë të çdolloj angazhimi, që kanë hedhur poshtë funksionin shoqëror të poezisë, duke i dhënë përparësi kërkimit formal, elementit ludik, eksperimentimit si qëllim në vete. Një qëndrim kësodore e rrënon harmoninë midis përbërësve të tekstit, duke ia nënshtruar plotësisht brendinë formës, ashtu siç vepronte angazhimi i jashtëm, i cili kërkonte që forma t’i nënshtrohej brendisë. Është e qartë se pa kërkime formale, pa eksperimentime, poezia do të ngurtësohej, nuk do ta ndiqte dot zhvillimin e jetës, nuk do të ishte dot një zbulim i pandërprerë i botës së brendshme të njeriut, por njëkohësisht ajo do të reshtte së zhvilluari edhe si një ligjërim autonom, siç është bërë qysh nga koha e Baudelaire-it dhe e Rimbaud-së. (IV, 20) Shkurt, ajo do të vdiste, do të mumifikohej. Duke pranuar këtë të vërtetë universale, nuk mund të harrojmë se poezia nuk është thjesht formë: “Sipas mendimit tim, teknika nuk ka të bëjë vetëm me përdorimin e fjalëve, me zotërimin e metrit, të ritmit e të thurimës fjalësore (texture verbale) nga poeti, ajo kërkon edhe të përcaktohet mënyra se si e sheh jetën, domethënë realitetin e saj të veçantë.” (VII, 165)
Formalizmi i skajshëm në emër të eksperimentimit e të risisë, në emër të elitizmit apo të çdo idhujtarie tjetër, prerja e të gjitha urave midis poezisë e publikut, do të katandiste poezinë në një robinsonadë, në fund të fundit, do të çonte në vdekjen e saj. Duke shprehur skepticizmin e tij ndaj eksperimentimit të skajshëm, Borges-i ka shkruar: “Në të vërtetë, eksperimentimet individuale janë shumë të vogla (minimale), veç në qoftë se novatori pranon të farkojë një ekzemplar muzeu, një lojë të paracaktuar për diskutimin e historianëve të letërsisë ose për të bërë skandal, siç është rasti i “Finegans Wake” ose i “Soledades”. (I, 30) Te vepra e tij “Arti i poezisë”, po ky autor ka tërhequr vëmendjen se artifiset (marifetet) letrare e lodhin lexuesin. (XII, 34) Studimet e derisotme kanë vënë në dukje se në poezinë e mirëfilltë kërkimi formal nuk duhet të ndahet nga përpjekjet për pasurimin e vazhdueshëm të tekstit me lëndë të re jetësore: “Në të vërtetë, poezia nuk mund të jetë vetëm kërkim formal apo klithmë pasioni, njëherazi, ajo duhet të purifikojë ligjërimin dhe pasionin.” (XIII, 78)
Me aq sa e njoh unë zhvillimin e poezisë në Shqipëri, kam përshtypjen se sot mbizotërojnë dy grupime kryesore. Grupimi i tradicionalistëve kultivon një poezi me angazhim patriotik ose social, e cila nuk ka thellësi mendimi, nuk ka formë befasuese, pra i mungojnë vlerat estetike. Sipas grupimit tjetër që ka kultin e formalizmit, që nuk pranon asnjë lloj angazhimi, poezia duhet të jetë kozmopolite, e zhveshur nga përkatësia etnike dhe e shkëputur nga problematika shoqërore. Përvoja e letërsisë europiane dhe e asaj botërore na mëson se lidhja midis individit krijues dhe shoqërisë ku rron ai, përbën thelbin e poezisë së mirëfilltë. Formulën nervaliane “Unë jam tjetri”, A. Rimbaud-ja e modifikoi në trajtën “Uni është tjetri”. Nga një formulim i mësipërm merret vesh se, në të njëjtën kohë që shpreh ndjenjat dhe mendimet e tij, poeti i vërtetë shpreh edhe ndjenjat e mendimet e një bashkësie njerëzish, duke u bërë kështu interpret i tyre, falë një dhuntie me të cilën e ka pajisur natyra: “Unë do të doja vetëm që ajo që kam shkruar të jetë refleksi i një jete njerëzore – jo të rëndësishme, jo të veçantë, – i jetës sime dhe përmes saj edhe i jetës së brezit tim, i raportit tim me autorët e mëparshëm, me mjeshtrit”. (XIV, 26). Duke nxjerrë në pah lidhjen e ngushtë të poezisë së sotme greke me mjedisin shoqëror, J. Lacarrière thekson se ajo bëhet herë pasqyrë, herë kujtesë, herë jehonë dhe skalpel i realitetit bashkëkohor, qoftë grek apo universal. (XV, 24) Nga ana e tij S. Heaney vlerësonte përmasën politike të krijimtarisë së disa poetëve të shquar të Europës Lindore, si Herbert-i ose Milosz-i, që përpiqeshin t’u jepnin përgjigje problemeve me të cilat ballafaqohet njerëzimi. (VII, 126) Pas këtij shqyrtimi të shkurtër të disa çështjeve të lidhura me artin poetik, me të cilat jam ndeshur gjatë karrierës sime krijuese, jam i bindur se poezia e vërtetë është e papajtueshme me solipsizmin estetik, nuk ka gjë të përbashkët me vargjet që mund të mbushin albumet vetjake dhe me diarrenë lirike të narcisistëve…
Nga intervistat dhe nga kujtimet e disa autorëve të shquar që kam lexuar, del se, pavarësisht nga koha kur ka rrojtur dhe nga talenti që ka pasur, asnjë poet nuk mund të mëtojë se të gjitha tekstet e tij kanë pasur vlerë estetike të barabartë, se ato kanë mundur t’i bëjnë ballë njëlloj shoshitjes së kohës, rivlerësimit të saj të pashmangshëm. Pyetjes së një intervistueseje se cilin nga librat e tij e konsideronte më të rëndësishëm, Herbert-i i është përgjigjur kështu: “Unë nuk e di. Besoj te historia, te kjo korrektore e përjetshme (correctrice éternelle), siç thoshte Norwid-i. Ajo do të bëjë punën e saj dhe do të shohim se çfarë do të mbetet. Ndoshta do të mbetet një libër, ndoshta do të mbeten disa poema, ndoshta…” (IX, 22) Ca më larg shkon përvujtëria e Borges-it, i cili ka pohuar se, pasi kishte botuar pesëmbëdhjetë vëllime, e ndiente veten të lumtur që kishte shkruar pesë ose gjashtë faqe të pranueshme. (XII, 103) Në një letër të vitit 1908 që i ka dërguar një shkrimtari të ri, Leon Tolstoi i ka dhënë porosinë e mëposhtme: “Mendoni më shumë dhe shkruani më pak, hidhni poshtë ca më shumë.” (XVI, 207) Duke pasur parasysh jo vetëm përvojën e autorëve të tjerë, por edhe rrethanat në të cilat është zhvilluar krijimtaria ime, e kam pasur të qartë se hartimi i një antologjie personale kërkonte një tëharrje të kujdesshme, por para së gjithash të padhimbshme, ashtu siç thotë fjala e urtë shkodrane: “Kur don me krasitë fikun, thirr anmikun.”
Nga librat e mi, të botuar deri sot, kam zgjedhur tekstet ku shpërfaqet më mirë ndjeshmëria ime, qasja ime ndaj anëve të veçanta të mjedisit ku kam rrojtur, tekstet ku mishërohet më mirë aftësia ime krijuese, pra, ato tekste që më janë dukur më të arrira, më origjinale, më përfaqësuese. Natyrisht, përveç kriterit formal, nuk kam shpërfillur as kriterin përmbajtjesor, duke lënë mënjanë ato krijime që ngërthenin mesazhe të tejkaluara ose të gabuara. E vërteta është se kriteri themelor që kam mbajtur parasysh si gjatë përzgjedhjes ashtu dhe gjatë ripunimit të teksteve të mia ka qenë vlera artistike. Këtë gjë e vërteton fakti se nuk kam krasitur vetëm poemat e botuara para vitit 1990, por edhe poemat e botuara më vonë. Kritikët dhe estetët kanë theksuar se procesit të përzgjedhjes i janë nënshtruar dhe i nënshtrohen tekstet e të gjithë autorëve që kanë shkruar në ato periudha kur mungonte liria e shprehjes: “Nga një shkrimtar duhet të mbajmë vetëm atë ku ai ka qenë plotësisht vetvetja, jo atë ku ai i është nënshtruar kësaj apo asaj ideologjie.” (XVII, 47)
Antologjisë sime personale, qëllimisht, i kam vënë titullin e përmbledhjes sime të parë, “Zëri im”. Në qoftë se atëherë zgjedhja e këtij titulli ka qenë diçka intuitive ose e rastësishme, tashti atë e konsideroj si programin tim estetik. Drejt një vetëdijësimi të tillë më ka shtyrë edhe përvoja e poetëve të tjerë. “Për një poet, të gjejë një zë, do të thotë të jetë në gjendje të shprehë atë që ndien me fjalët e veta dhe me fjalë që i bëjnë jehonë asaj që ka ndier dhe ka menduar ai”. (VII, 161) I përudhur nga përvoja e disa autorëve të njohur, tekstet e përfshira në këtë përmbledhje të quajtur version përfundimtar, i kam ripunuar, duke krasitur fjalë, vargje dhe sekuenca të tëra. Parimin e njohur se një tekst letrar fiton shumë më tepër nga një heqje me vend sesa nga një shtesë e mrekullueshme, Antoine de Saint-Exupéry e ka formuluar në këtë mënyrë : “Më duket se përsosuria nuk arrihet kur nuk ka më asgjë për të shtuar, por kur nuk ka më asgjë për të hequr.” (XVII, 52) Si një shembull tipik të shkurtimeve që kam bërë, po përmend poemën “Zëri im”, e cila në botimin e parë ka pasur 38 vargje, kurse në versionin përfundimtar ka vetëm 14 vargje. Kam bindjen se nga ky ripunim ose nga kjo ngjeshje, teksti i lartpërmendur nuk është varfëruar, por është bërë më lakonik, ndërsa mesazhi i tij përcillet në mënyrë më të përqendruar, më të saktë.
Me ripunimin dhe me latimin e vazhdueshëm të teksteve letrare, poetët janë marrë qysh në lashtësi. Kësaj praktike të domosdoshme i referohet porosia e Horacit “Kthe stilin”, e cila donte të thoshte se krijuesi duhej të korrigjonte e të shuante vazhdimisht. Pak a shumë, po këtë gjë përsërit edhe klasicisti Nicolas Boileau në veprën e tij “Arti poetik”: “Nxitoni me ngadalë, me kurajë e me mend,/ Veprën tuaj, njëzet herë ta vini në avlëmend:/ Limojeni pareshtur, limojeni sa më mirë,/ Ndonjëherë shtoni diçka, por më shpesh duhet fshirë.” (XIX, 162-163)
Përpjekja për t’i përsosur tekstet e tyre i ka karakterizuar edhe poetët modernë, siç dëshmon deklarata e Jules Supervielle-it, sipas së cilës tërë jetën ai ishte munduar t’ia përdridhte qafën poetit të keq që kishte brenda vetes. Ndoshta më mirë sesa pikëpamjet teorike, gjakimin e poetëve dhe të shkrimtarëve për t’iu afruar sa më shumë përsosurisë e vërteton puna këmbëngulëse dhe rraskapitëse që kanë bërë ata. I tillë është rasti i Heminguejit që e ka rishkruar tridhjetë e nëntë herë mbarimin e romanit “Lamtumirë armë” dhe vetëm herën e fundit ka mbetur i kënaqur. (III, 202) Mendoj se ripunimit të një teksti letrar i ka dhënë një domethënie filozofike nobelisti W. B. Yeats, i cili ka bërë këtë saktësim: “Kur ndreq (retushoj) veprat e mia, unë ndreq (retushoj) veten.” (XX, 9) Më se një herë kam dëgjuar njerëz të ndryshëm duke thënë se autori nuk ka të drejtë t’i ndryshojë tekstet e tij letrare. Një opinion i tillë që mund të ekzistojë vetëm në Shqipëri, në një shoqëri të paemancipuar, nuk ka kurrfarë mbështetjeje teorike. Ai i bie ndesh praktikës mijëvjeçare të zhvillimit të letërsisë gojore dhe të asaj së shkruar. Shkrimtari i mirënjohur paraguajan Augusto Roa Bastos është i mendimit se letërsia e të gjitha kohërave ka funksionuar sipas poetikës së variacioneve: “Në atë masë sa ai vetë është një lexues, edhe autori mund ta modifikojë pafundësisht tekstin e tij, pa ia humbur karakterin zanafillor, por, përkundrazi, duke e pasuruar me variacione të holla. Në qoftë se ka një imagjinatë që përnjëmend është e lirë dhe krijuese, ajo është pikërisht poetika e variacioneve.” (XX, 10) Më tej, ai shton se të korrigjuarit dhe të ndryshuarit e një teksti të botuar më parë është një përvojë stimuluese. I vetëdijshëm për gjendjen ku ndodhet sot letërsia shqiptare dhe për horizontin e pritjes që ekziston në vendin tonë, këtë përmbledhje unë do ta botoj për disa dashamirës të paktë, për disa lexues hipotetikë, po të përdor shprehjen e Ph. Sollers-it: “Unë shkruaj i nxitur nga disa të vdekur tejet të gjallë dhe për disa të palindur hipotetikë.” (XXI, 380)
Tiranë, prill 2019

Exit mobile version