Kreu Letërsi Bibliotekë Poeti Mihai Eminescu (1850-1889)

Poeti Mihai Eminescu (1850-1889)

Përgatiti dhe përktheu nga origjinali rumanisht: Dr. Luan Topçiu

Mihai Eminescu, poet, gazetar, prozator, mendimtar i shquar rumun, lindi më 15 janar 1850 në Botoshani ose Ipoteşti dhe vdiq më 15 qershor 1889 në Bukuresht.

Eminescu konsiderohet poeti kombëtar i Rumanisë dhe studiuesit e kanë quajtur „ndriçuesi i poezisë rumune” si dhe përfaqësuesin më të rëndësishëm të romantizmit në letërsinë rumune.

Në vitin 1861 u regjistrua në Obergymnasium në Chernivt, një shkollë në gjuhën gjermane. Viti 1866 është viti i botimeve të para letrare të Eminescu-t.

Kur mësuesi i tij i gjuhës rumune, Aron Pumnul, vdes në janarin e atij viti, nxënësit botuan një broshurë për nder të tij, në të cilën bënte pjesë edhe poema e Mihai Eminescut „La mormântul lui Aron Pumnul/Në varrin e Aron Pumnul-it”. Më 25 shkurt, Iosif Vulcan i boton në revistën në gjuhën rumune “Familia”, në Pest të Hungarisë dhe më pas i ndryshoi emrin në atë letrar: Mihai Eminescu.

Gjatë viteve 1869 – 1872 Eminescu ishte student në Vjenë, ku ndoqi Fakultetin Filozofik dhe Juridik. Ai ishte aktiv në shoqëritë studentore, kohë gjatë së cilës miqësohet me shkrimtarin tjetër rumun, Ioan Slavici, dhe takohet me të dashurën e tij, që do të ishte edhe dhe muza e tij, Veronica Micle. Fillon bashkëpunimin me revistën e njohur “Convorbiri literare” dhe debuton si publicist në gazetën “Albina/Bleta” që dilte në Pest të Hungarisë. Në periudhën 1872-1874 vazhdoi studimet në Berlin. Gjatë viteve 1874 – 1877 ishte drejtor i Bibliotekës Qendrore, mësues, inspektor arsimi për qarqet Jashi dhe Vaslui, redaktor i gazetës „Curierul” që dilte në qytetin e Jashit. Vazhdoi të shkruante për revistën “Convorbiri literare” dhe në këtë kohë njihet me prozatorin më të madh klasik rumun, Ion Creangă.

Në vitin 1877 shpërngulet në Bukuresht, ku deri në vitin 1883 ishte redaktor, dhe më pas kryeredaktor i gazetës “Timpul/Koha”. Gjatë kësaj periudhe ai shkruan poemat e tij më të njohura: „Luceafărul/Ylli i mëngjesit” dhe „Scrisorile/Letrat”, duke u bërë poeti më i njohur për rumunët. Në kulmin e veprimtarisë dhe krijimtarisë së tij, shëndeti i përkeqësohet, sëmuret rëndë dhe shtrohet në spital. Në dhjetor 1883 botohet një vëllim me poezi të Eminescut të zgjedhura nga Titu Maiorescu, një personalitet i kohës. Duke vuajtur për disa vjet resht nga sindromi depresiv, Eminescu ndërron jetë në moshën 39 vjeçare. Rrethanat e sëmundjes dhe vdekjes së tij nuk janë sqaruar plotësisht as sot e kësaj dite.

Mihai Eminescu ishte i pari që e kthehu gjuhën rumune në një objekt të vërtetë arti, në kushtet kur poezia rumune, e pasigurt, ishte në përçapjet e para të saj drejt formësimit. Përmes kompleksitetit të njohurive të grumbulluara në filozofi, drejtësi, mjekësi, duke treguar interes edhe për ekonominë, sociologjinë apo disiplina të tjera, ndonëse nuk arriti të marrë një diplomë universitare, Eminescu pati një sukses të vërtetë në karrierën e tij, jo vetëm si poet, por edhe si gazetar, përmes botimit të artikujve kritikë për letërsinë, shoqërinë, politikën në gazetat „Timpul” dhe „Curierul!” të Jashit” si dhe në organe të tjera. Vdekja e parakohshme ndërpreu ngritjen e një talenti që kishte arritur pjekurinë e krijimit të tij. Megjithatë, vepra e tij poetike e vendos Eminescu-n si një ndër përfaqësuesit kryesorë të romantizmit europian. Shumë vite pas vdekjes, më 1948, u zgjodh anëtar i Akademisë Rumune më 28 tetor 1948.
Gjatë periudhës komuniste, figura e Eminescu-t, i cili vazhdoi të mbetet një simbol kombëtar, u përdor intensivisht për qëllime të propagandës nacionaliste komuniste. U portretizua ekskluzivisht si një poet i përsosur, ndërkohë që shkrimet e tij filozofike dhe politike u margjinalizuan për përmbajtjen e tyre, ndonjëherë radikale. Gazetaria politike e Eminescu-t mund të konsiderohet si „modeli më i mirë i shkollës së gazetarisë kombëtare”.

Për të lehtësuar njohjen dhe studimin më mirë të veprës së Eminescu-t, Akademia Rumune ka botuar vëllime me faksimile të veprave të tij të plota (23 vëllime)

Në vitin kur ndërroi jetë Eminescu, do të lindte një alter ego i tij në poezinë ballkanike, poeti shqiptar, Lasgush Poradeci. Është një përkim që të bën të mendosh për misterin e rastësive, emigrimin e shpirtrave, duke pasur parasysh marrëdhëniet e posaçme të poetit shqiptar me veprën e poetit të madh rumun, vepër e cila i shërbeu si model kulturor, estetik dhe modelues. Ditëlindja e poetit, 15 janari, është shpallur dita kombëtare e kulturës rumune. Çmimi letrar ”Mihai Eminescu” është më prestigjiozi në Rumani, çmim të cilin e ka marrë dhe një autor shqiptar. Poeti Mihai Eminescu ka qenë dhe mbetet i dashur për lëçitësit shqiptarë falë disa botimeve në Bukuresht, Tiranë dhe në Prishtinë.


Lutje

Zonjë e bekuar gjithë mirësi
të lutem me përulësi,
Na shpëto, lartësona ne
Me val’n e fanitje-ve:
Bëhu mburojë forcimi
Bëhu mur shpëtimi,
Vështrimi i çmuar
Zbrit-na në krahëruar,
Oh, nënë dëlirësie,
Virgjëreshë përjetësie,
Marie!

Ne, nga mëshira e hyjit
I bëjmë tokës hije,
Me dhembshuri të lutjeve,
Ylli i mëngjesit të deteve;
Rënkimet tona – në veshë,
Mbi ëngjëj Mbretëreshë,
Nga mjegulla shfaqesh,
Pah i ëmbël, i qashtër
Oh, nënë dëlirësie,
Virgjëreshë përjetësie,
Marie!


O, nënë…

O, nënë, nën’e ëmbël, prej kohës q’u shprish
Me fërmim fletësh drejt teje ti më grish;
E përmi kriptën e zezë të t’ shenjtit varr
Shungullojnë akaciet nga era plot acar,
E bjenë ngadalë nga degët, zëri yt pikon
Gjithë do të bjenë, e ti do flesh gjithmon’.

Kur të vdes, o vashë, mi krye mos më qaj;
Nga i shenjti ynë blir një degëzë na e ndaj,
Mi kokën time mbill degë të më mbulojnë
Mbi to lotët e valë nga sytë të vezullojnë;
Do ndjej un’ andaj një hije mbi varrin tim…
Gjithjet’ të rritet hija dhe un’do fle pa zgjim.

Edhe në është e thënë që bashkë të vdesim;
N’murishte varresh s’dua që të mbesim,
T’na hapin një vednth në bregun e një lumi
E tok le të na vënë në një zgavër qivuri,
E përgjithmonë ngjatë gjirit do të kem…
Prore uji do të qajë, ne prore do të flem’


Glossa

Kohë shkon, kohë vjen
Gjithë të vjetra, të reja gjen
Ç’është keq dhe ç’është mirë
Veten Pyet, fjalën pesho;
Mos u tut e mos shpreso,
Ç’është valë si valë do shkojë;
Në të grish mos u tundo
Rri mënjanës, mos u miklo.

Shumë gjëra ndodhin në dritë,
Kumbimet veshi përsërit,
Kush mban mend gjithçka
E pse t’i dëgjojë, pra?…
Ti kithët qëndro ashtu veçan
Ruaj qetinë që brenda mban
Kur zhurma të kota ndjen
Kohë shkon, kohë vjen.

As gjuha nuk epohet e s’lot
E peshores së mendimit t’ftoht’
Drejt çastit të ndryshimit
Për maskën e gazmimit,
Që nga vdekja lind e re
Dhe ndoshta zgjat aq pak;
Për ata që dinë sadopak
Gjithë e vjetër, gjithë e re.

Spektator si në teatër
Ti në botë veten fytyro:
Luan njëri sa për katër,
Fytyrën e tij ti dallo,
Dhe kur qahet apo grindet,
Ti n’qoshe ndihu dëlirë
Dhe kupto lojën e tyre
Ç’është e keqe a e mirë.

Çdo e shkuar dhe e ardhme
Të një flete janë dy faqe,
Në fund sheh dhe nistimin
Kush di të nxejë mësimin;
Gjithë ç’ka qenë e do jetë
Tash të gjitha janë në jetë,
Por për kotësinë në to
Pyet veten, fjalët pesho.

Mjetet e njëjta përher’ janë
Që përher’ nështrojnë gjithçkanë,
Dhe prej mijëra vjetësh plot
Botë e lumtur, trishtim i kot’;
Maska të tjera, pjes’ e njëjtë,
Gojë të tjera, e njëjta këngë,
I zhgënjuar nga kaq gjëmë
Mos shpreso dhe mos u trëmb.

Mos shpreso nga të paudhët
Në fitore lidhin urat
Fundërinat ta hedhin shpesh
Dhe me yll në ballë të jesh;
Mos ki frikë, do vijnë vërdallë
Të kashtosen sa janë gjallë
Por ti zemrën se hidhëron
Se është valë, e vala shkon.

Me një këngë prej sirene,
Rrjeta pahu bota shtrin;
Të ndryshojnë-aktorët-n’skenë,
Të josh fort në shakullin’;
Ty hileqarët të braktisin
Madje mos iu hidh kashtë
Nga shtegu yt jashtë
Të tundojnë e të grishin.

Në të prekin, bëj mënjanë,
Në të fyejnë, ti gojën mbylle;
Ç’do nga kësoj këshille,
Nëse e di masën e tyre;
Thonë atë ç’kan’ për të thënë,
Ia kalojnë botës kush e di;
Të mos duash asgjënë,
Ndaj gjithçkaje mënjanës rri.

Ndaj gjithçkaje mënjanës rri,
Që të grish mos u tundo
Ç’është valë si valë do shkojë;
Mos u tut e mos shpreso;
Pyet veten, verbin pesho;
Ç’është e keqe dhe e mirë;
Gjithë të vjetra të reja gjen
Kohë kalon, kohë vjen.


Pse përkundesh …

(me frymë popullore)

Pse përkundesh, korije,
Pa fryrë erë e pa rënë shi,
degët gjer në dhė ti?

— Pse të mos përkundem, pse,
Kur shkon koha dhe më le!
Dita shkon, nata zgjatohet,
Gjethi i rrallë zverdhëllohet.
Era fletët shkundërmon,
zogjtë e mi larg m’i çon
Era fryn më njërën anë, –
Dimër këtu, verë matanë.
Dhe pse mos epohem pak,
Të shoh zogjtë varg e varg.
Përmbi maja bisqesh larushe,
Shkojnë tufëza dallandyshe,
Me mendimet levorashe,
Bashkë me shortin tim të shkretë.
Edhe shkojnë në të përpjetë!
Horizontit nxirë si hije,
Shkojnë si çaste përjetësie,
Flatrat shkunden me pikëllim
E më lënë me shpirt jetim
fillikat me mallin tim,
Firuar dhe të mpirë,
Veç me vajin tim të nxirë.


Sa herë e dashur…

Sa herë, e dashur, ndërmend të sjell, sa herë
Oqeani prej akulli më del para sysh përherë:
N’kupën e qiellit zbardhëlluar – pa shenja yllësish,
Hënë e zbeht’ ngadalë zë fashitet prej magjish;
Kur rrjedhin përmbi valë akuj papushuar,
Një shpend i arratisur shtegton i përvëluar,
Se shoqja e tij pat humbur tutje, në mërgim
Me zogjtë e tjerë, tufëz që shkoi n’perëndim,
Vështrime vuajtjeplot pa hedh në përjetësi,
As keq më s’i vjen, as mirë jo … po vdes tani,
duke ëndërruar vitet që lamë, një çast me lot.
………………………………..

Jemi gjithë larg e gjithë më larg të dy sot,
E gjithë më i vetmuar po ngrysem edhe ngrij,
Kur në përjetësinë e agut humbet e zhdukesh ti.


Përse nuk vjen?

Shih, dallëndyshet, gjithë rrallohen
Gjethet e arrës shkundollohen,
Mbi vreshta bryma zë mbulon-
përse nuk vjen, përse vonon?

Eja në krahë të të mbaj gjallë
Të të kundroj me shumë mall,
dhe t’i vë kryet krejt pa mend
mbi gjirin tënd, mbi gjoksin tënd!

A të kujtohet qysh atëherë,
Lëndinave barisnim shënd e verë,
kur unë të ngrija pendë në erë
aq shumë herë, aq shumë herë!

Në k’të botë vasha plot gëzojnë
që sytë iskra u brambullojnë
Por qofshin t’ëmbla ato gra,
Si ti nuk ka, si ti nuk ka!

Se e ftillon ti gjithëherë
Jetën e shpirtit tim përzjerë,
Përmbi çdo yll ke bukuri
E dashur moj, moj zemër ti!

Vjeshtë e vonë është gjithkund,
Udhëve gjethet po i shkund
Dhe lëmi është veç shkreti…
përse nuk vjen, pse nuk vjen ti?


Kam të vetmin mall

Kam të vetmin mall:
Në natëzën e qetë
Më lini të vdes në zall
Të një deti të shkretë;

Ta kem gjumin e lehtë
Dhe korijen ta kem pranë,
E mbi ujët e paanë
Një qiell pa re të jetë.

Nuk dua flamuj më kot,
As stoli dhe arkëmort,
Veçse thurmëni një shtrat
Me purteka dhe bistakë.

Pas vdekjes sime askush,
Mbi krye të mos më qajë,
Të veniturën gjethnajë.
Vjeshta me zë ta mbush’.

Të vërshojnë me buçima
Krojet me gurgullima,
Hëna lehtas të rrëshqasë,
Kreshtave bredhash të gjatë.

E natëzës puhi
T’i ledhatojë këmborët,
Mbi mua i shenjti bli
T’i hedhë deg’zat therorë

Nuk do jem më mërgimtar
Prej saore dhe më pas,
E kujtimet palë-palë
do t’më vijnë valë-valë.

Edhe ylli i mëngjesit
N’hije bredhash do të dalë
E si miqësi njerëzish,
Do më buzëqeshë prapë.

Do rënkojnë vuajtjesh therëse
Këngën e detit buçimlartë
Kur do t’jem i bërë baltë
Në vetminë e përhershme.


Liqeri

Liqer i kaltër mes korijesh
me zambak’ plot bukuri;
dridhen në rrathë bardhoshë
Përkundin lehtas një gjemi.

Dhe endem bregut rreth-e-qark,
Sikur dëgjoj e pres ç’të jetë,
Ajo t’ia behë prej kallamash
Të prehet mbi gjoksin tim të nxehtë;

Të hipim lundrës levorashe,
Nga zëra ujërash fashe-fashe,
Të shkasë direku ndër gjeratore
Të më shpëtojnë lopatat dore;

Të lundrojmë magjiplot
Nën pahun hënor të mbëmjes-;
Puhiza ndër kallama të shkojë,
Vala të tingëllojë mes ëndjes! –

Por ajo s’vjen… I vetmuar
Psherëtij dhe më zjen gjaku,
Ndanë liqerit kaltërosh
Mbushur plot lule zambaku.


Dëshira

Eja në lirishtë tek burimi
Nën dhè buron dhe drithërimi
Aty ku harliset bari në hulli
E degët falen plot fshehtësi

Dhe në krahët e mi të hapur
Vrapo e bjerë në gjoksin tim,
Të ta heq vellon sa më parë
Të të shoh, moj, s’kam durim.

Do të ulesh ndër gjunjët e mi,
Do të jemi gjithë vetëm, plot magji
Dhe në flokët ngjyrë floriri
Do të të bien lule bliri

Balli borë, flokë shpupurisës
Krahu im aq gjumëgrishës,
Mbetur pre e gojës sate
Ah! Buzët e tua të ëmbla zgjate

Ramë në nj’ëndërr lumturie,
Në këngë të lartë prej magjie
E burimeve të vetmuara,
Fryrja e flladeve të praruara;

Duke fjetur në harmoninë
E korijes plot mendime
Lule bliri do të bien
sipër nesh fije-fije.


I humbur në vuajtje

I humbur në përvuajtjen e asgjësë sime,
Si gjethja nër ujëra, si rrufeja në pështjellime,
U përkula si magu para diellit dhe yjeve
Të më lejojnë hyrjen në prehjen e përjetshme;
Nga hija e jetës sime asgjë mos regëtijë,
Të kaloj si një frymë, një tingull, një shkëndijë,
Si loti që derdh kot një femër ashtu.
Mendja ime është një skelë ëndrrash kuturu.

Ç’është poeti n’botë, ç’është sot poeti vallë?
Kushdo dëgjon zërin e tij në vetminë e gjallë.
E panjohura rrëshqet si shkazmë botës ngadalë
Dhe askush nuk pyet se ç’ishte a nesër ç’do të dalë
Një shkulm prej shkumbe, një krelë dallge, një emër
Sa i ndrojtur njeriu në këtë shekull krejt hekur.
Do të ishte më mirë të mos kish qenë kurrë në bot’
Dhe të kishte vdekur se sa të vdiste sot.


Tek ylli

Der tek ylli që agon
Udha është kaq e gjatë.
Mijëra vite udhëton
Pahu i dritës të na kapë.

Mbase u shua kahmot
Në largësitë blu,
Por-rrezja e tij veç sot
Sytë na ndezi këtu

Ikon’ e yllit të mbramë,
Në qiell ngrihet gjithë jet’,
Ishte kur nuk e pamë
Dhe është kur s’është vërtet.

Kështu ndodh dhe kur mungon, –
Shuar në natën e thellë,
Drita e dashurisë tonë,
Na ndjek, na ndjek përherë.


Zogj të përgjumur

Zogj të përgjumur
Në folenë e ngrirë
Gjethnajës strukur –
Natën e mirë!

Veç kroji psherëtin,
Drurët nxijnë nër parqe;
Lulet heshtin n’ëndërrim
Fli në paqe!

Mjellma ujërat çan
Kallamash gjumi e pret-
Ëngjëjt të qofshin pranë
Gjumë të lehtë!

Natë plot magji
Ç’flori hëne i shkrirë.
Kaq ëndërr dhe harmoni –
Natën e mirë


Në pyll ajo ndjek shtegun e saj

Në pyll ajo ndjek shtegun e saj,
Unë shkoj pas gjurmëve me brymë.
Kur fare pranë e arrij pastaj
Mezi marr frymë.

Unë frymë marr edhe një herë,
Një fjalë them dhe ajo dridhet
Vështrimin hedh nëpër erë
Dhe dot nuk më përgjigjet.

Por unë afrohem si me zor
Dhe s’di se ç’flas ashtu përçart;
Ajo më shtyn lehtë me dorë
Dhe shikon anash, poshtë, lart.

Te beli i saj krahët vë unë,
Ajo hepohet, bën mënjanë,
Pranë vetes e afroj më shumë,
Më pranë, gjithë më pranë.

S’e di a do të vazhdoj,
Kokën i vë mbi supe
Me sytë mbyllur i ngjesh në gojë,
Të panumërtat puthje.

Në gjoks fort e mbaj shtrënguar.
Më meket fryma, oh!
E pyes pse është e trishtuar,
E pyes pse më do.

Sytë madhoshë, me dritën qelq
Lundrues hap me ëmbëlsi:
Dhe pse ndonjëhere je i keq
Të dua me zemër, në thellësi.


Dhe nëse degët bien në xham

Dhe nëse degët bien në xham
Dhe dridhërohen plepat,
Sepse në mendje unë të kam
Dhe më avitesh lehtas.

Dhe nëse yjet ndrijnë në liqer
Duke e ndritur për së thelli,
T’më ëmbëlsojnë tër’ atë vrer
Dhe mendjen t’ma kthjelli

Dhe nëse retë mërgohen
Ndërsa llamburit hëna,
Ndodh që të kujtohem
Për ty – e ëndërrta.

Exit mobile version