Kreu Letërsi Bibliotekë “Po të due unë”, poezi nga Arjola Zadrima

“Po të due unë”, poezi nga Arjola Zadrima

Po të due unë

Ba me dashtë unë
pranvera zgjohet në mes të dimnit.
Andrrat jargaviten si lule kacavjerrese
ndër muret tuej të naltë.
Ba me dashtë unë liria jote
del prej guackës
e shndrit perlë në qafën teme
të bardhë.
Ba me të dashtë fort unë
jehona e stuhisë tonë
ndihet deri në agim.
Dielli lind në gojën tande
e vdes në gjinjtë e mi.
Por unë nuk due
se poetja në mue, fle nën borën e trishtimit
e të rrëshqet shpinës
veç kur ti e shkrin.


Prit

Para se të shkërmoqet
qenia jeme ndër duer, prit.
Më thuej, a të shkrep andrra ndër sy,
po buzët, a belbëzojnë
fjalë të pakuptimta?
A e din si m’zhvoshket shpirti?
A i kena na t’dy të njëjtat frikëna?
Prit, para se të rrëshqasin
manteli i mndashtë,
më thuej a e din si lkura
gërvishtet?
Çmendja asht gjendja ku strehohem
ndonji natë ,e para se të shembesh
mbi mue, prit…!
Pse me m’vra e me m’dashtë
të duhen armët e mia,
shpirt.


Jam grueja e dashnive t’marra

Jam grueja e dashnive të marra,
puthjeve të thella,
pasioneve të çmenduna.
Jam grueja që duhet me m’dashtë
e me m’drashtë
jam ferr e parajsë bashkë.
Më shih, më njih e m’lut
jam pema ma e lashtë
me rranjë në kohë të vjetra,
as gjallë, as e vdekun nuk bahem tjetra.
Jam grueja që të shoh drejtë n’sy
e prej se s’mundesh me m’pasë
shkrumbohesh fill njaty!

***

Si mundem me ta shpjegu vetminë
kur mes dy pemësh të egra
bien gjeth të brishtë?!

E kena ditë mirë se bota zhurmon,
se njerëzit mbrenda shtëpive
u ngjajnë historive
të përditshme.
E kena ditë se stinët ndërrohen,
që vitet kalojnë,
lëkura tkurret,
andrrat bymehen.
E kam ditë që një vehte e jotja
kthehet, më gjen e ka frikë
se mos kam harru si shknitë
kujtimi jot në mue
një zjerm të pashuem.
Veç një gja kurrë nuk e dite,
se ti nuk ishe dashnia,
por dashnia e tana dashnive,
I dashtun!


Si me t’folë?

Tash që kryet m’peshon,
mbi supe.
Jam e zemrueme me vedin,
me kët’ grue
që mbart valixhe me andrra mbi shpinë.
A të flas si unë,
që s’pushoj tue përtypë mendime,
apo veç për nji herë, po ta l’shoj thirrmën,
që s’kam me e thanë kurrë ndër sy…

Hape shpirtin.
Kam nevojë për ty!
Perlat

A e mban mend kur me frymë t’marrun
pushtueshëm m’veshe gjijtë,
e ndër flokë t’artë
i gjarpnove gishtat,
mbi buzë t’lagshta
zgjove meloditë,
tue rrokullisë çastet
që flejshin ndër andrra?!

Janë perlat që nuk i thamë!

Hukatje
Asht ende dimër,
sado i kuqërremtë të jetë qielli
dashnia e hukatun ngrin.
Tash dhimbjen jam mësue më ia
ngjitë jastëkut
ku prehen andrrat
që pashë,
e prej gjumit m’asht çue vetja
ajo që fle trishtë,
ende pa zbardh,
tuj më këshillue pa bzâ,
mbështille mirë zemrën
asht ftohtë jashtë.


A po t’bjen n’mend për mu?

Me ndje mungesën e një përqafimi,
e mos me e kërku,
me ndje dëshirë me folë
e mos me bzâ,
me ndje nji ofshamë në gji,
e mos me kja,
më ndje nji mall prej larg,
pa mujtë me e shu,
me ndje tue rrjedh nji plagë
pa gjakue,
me ndje kohën tue shku
e mos me iu vu mbas,
me ndje kaos
pa zhurmue,
me ndje stuhi,
ortek në shpirt e mos me u ndi,
me ndje nji kputje pa çilë sytë
e kurrë mos me u anku,
me ndje nji frikë të thellë
me të lanë pa frymu,
me ndje nji dashni të naltë
e mos me e kallzu,
me ndje, me të ndje
me të dashtë e në gjys të natës
me u zgjue sa më të lshue za
veç pak,
tash qi trishtimin e kam në prag
a po të bjen në mend për mue?


Ta dijsh…

Kur e ndjen se nuk i përket kësaj bote,
arratisu dhe merr me vedi diellin,
ik dhe merr me vedi qiellin,
zhduku e buzëqeshjen tande
lenu si jehonë
zemrave që pëshpërisnin.

Ik
dhe mos prit dromca dashniet
kur prej teje
ke dhanë shpirtin.


Më thuej!

Më thuej si ulërihet,
pa i thy xhamat, pa i përkul vitet mbi lot,
ma thuej, po pres.
Du me e ditë si shkundet shpirti
pa ja shkëputë degët kësaj peme
me rranjë jashtë,
po thahet,
po fiket,
po vdes,
tash nuk bjen ma as shi,
as zjarr,
as hi,
askush…
Këndej s’ka ma hapa të randë me lanë gjurmë,
veç stinët kalojnë mbi shpinë,
çelin lule,
digjen male,
thahen liqene të tanë e mandej bien gjethet,
veç stinët prekin nudon e nji grueje,
që s’din me ulëritë!


Peshkatarit

A i keni kallzue atij
për velën e flokëve të mi?
Për rrjedhën e pandalshme të Bunës,
e tërbimin e saj.
Baticat e lëkurës
metafizikën e lundrimit tim të pambrritshëm
në amë të shpirtit tij.
I thoni se ka një urë në përfundim
sa me kalue
kufinin e vetmisë.
A i keni kallzue se kam krisë?

***

Ekziston nji andërr e çeliktë
ku të pres çdo natë,
tue pëshpëritë me vedi,
“eja darka asht gati,
lene n’qoshe lamtumirën…!”


A po m’len?

Ndjej se due me t’i dashtë
bulat e gishtave,
ahtin e parë,
vjeshtën e artë,
deri gjethin që t’ka ra.
Po due me ta çelë mbrenda buzëve
gonxhen e fjetun,
gjumin due me ta ndukë në gushë,
borën e kërcellit me e shkri në
gjuhë.
E tash që qielli yt përkundet
në djepin e andrrave,
ndiej se due me të dashtë,
ngadalë,
deri në fund.
A po m’len?


MUNGESE

Kur i Zoti i shpisë nuk asht ma
merimangat mblidhen qoshesh,
nuk ke kohë me pa rrjetat e uluna deri poshtë.
Dyert kërcasin,
bravat hingëllijnë,
dritaret rrinë të avituna.
Nji në fund nuk mbyllet.
Qeni leh natën vonë e ti shkërmoqesh
prej dhimbës.
Gjithçka mbi kry,
nji qiell të vranët mbi supe,
nji kalë mërzi mbi shpindë.
Pa dalë drita shihesh n’pasqyrë
dikush duhet me të pa tue qeshë.
Sa veshë maskën e butë,
ndin mbas krahëve
“Mam si ke njehë?”
Kur i Zoti i shpisë ikë
zemrat rrinë ndezë.


Arlekin 

Jam grueja e atij që s’më njeh e s’din
se andrrat e mia
ngjallin shpirtën t’vdekun.
Jam nana e parë dhe e fundit e tim biri.
Parmaku i time bije.
Isha dashnorja e burrave që s’ekzistojnë,
e s’dinë si kapërcehen male me nji frymë.
Atyne që më deshtën u fala
veç nji poezi.
Boheme fatesh lidhun.
Zgidhun mendsh, ogur i fatit tem.
Isha, jam dhe do te jem
ajo që mbys veten,
veç mos me kenë arlekini i dramave
pa autorë.
Jam grueja e pamarre,
që dashnisë ia ka mbjell farën bash në bark të vet.
Vdes e ngjallem
nanë e Tim biri.


R O B I N

Kisha me i ndalë
avionët e gjithë botës
nëse aty udhëton dashnija.
Por dashnia asht rritë
e ban dritë
veç nji zemër e vogël mrenda saj.
Dashnija të sheh në sy e ka frikë,
të rrokë në gji dhe ikë
e heshtun,
më një buzë të plasaritun
e mendje të pendueme,
ikë e ti kthen krahët
e ti veç i buzëqesh,
vesh më vesh zemër copëtueme,
me dorën në ajër
tuj u lutë mos të jetë e fundit, lamtumirë.


Gjallno

Në zhguallin e dhimbës,
heshtja je ti.
Ska ma fjalë të sigurta,
as hapa të randë.
Nji hap para, tri mrapa.
Mësohesh me i hesht vitet,
tuj zgju shekujt e vetmisë mortore.
Janë ceremoni të vogla pa fjalë.
Lutesh pa fjalë,
dhe pa u lutë ikë prej kësaj bote të ligësht.
Tanë presin që ti me ra,
tue i thy kocat e shpirtit.
Njatë çast zgjohesh,
ndjen shiun ftyrës,
Stuhitë mbi shpatulla
dhe ecë ne krahun e kundërt të erës.
Një pëshpëritje prej nëntoke
I mbush aortat me jetë.
-Gjallno n’se ende s’ke vdekë!


Ndonjiherë

Në kjofsh gjallë
e i ke lexue këto rreshta,
dije se kjo poezi kje mënyra e vetme
me t’lshue za
përmes territ…


I dashtun

Ti veç më kallzo
si e çmend kohën pa ne,
si i përpin me sy stuhitë që msyjnë,
sa uragane të flenë në shpirt,
sa tallaze përmbytin zemrën tande.
se unë,
heshtja jote pagane,
unë, grueja mjerane e fatit,
me të strukë nji grimë në gji,
bahem liria jeme
e vij!


N’gjysë shtizë

A e ke provue me të lidhë jeta për krahësh?
Tue të zhvendose në polin e saj te veriut,
e ti ecë zdathë në malet me borë,
tue u gjakosë.
Gishtat e shpirtit të mërdhasin aq fort,
sa mes hapësinave diellore,
krijohet morth, e në mendim mort,
e ske me çka me e kuru,
veç të duhet me ecë,
me gjoks para tue e sfidu kjoftë për hatër…
Në kjoftë se nuk e ke provue
me u zgjue e ngrime,
e me përtyp akujt e heshtjes tande,
hesht,
se nuk e din si jeton njeri në gjysë shtizë.

***

…edhe unë i kam dashtë burrat e bukur,
me flokë valë,
shpatullgjanë,
buzëpërdredhun e nazeli.
Por mbas tyne ishte gjithmonë vjeshta,
mbas tyne kishte rrebesh,
stuhi,
mbas tyne vinte dreqi e i biri.
Mbas tyne porta nuk mbyllej ma,
brava heshtte,
çelësi nuk tringëllinte nëpër natë.
E ti vdes kah pak,
si qiri shkrihesh territ pafund,
e s’pyt pse trishtimi ka nji mbretni aq të popullueme.
Ata s’janë,
s’dinë,
s’bajnë.
Ata veç të pushtojnë,
prej atyne pushtimeve shekullore
sa të ndryshojnë e ti ma nuk ngjan as me Marinë
e as me vedin.
Ikin mbas çdo fundi të shkurtë
e të vjedhin kohën.
I kam admirue burrat e bukur,
por ti erdhe vonë, bash at’herë kur msova
me u dashtë.

Exit mobile version