Kreu Arte pamore Vizionet mbresëlënëse të Henry Moore të Londrës gjatë Blitz-it

Vizionet mbresëlënëse të Henry Moore të Londrës gjatë Blitz-it

nga Sotheby

Në mbrëmjen e 11 shtatorit 1940, Henry Moore dhe bashkëshortja e tij, Irina, u larguan nga shtëpia e tyre Belsize Park dhe u drejtuan për në qendrën e Londrës për të darkuar me miq. Çifti e bënte rregullisht këtë, por rrallë merrnin London Underground në vend të makinës së tyre (e cila ishte duke u riparuar).

Rrugës për në shtëpi, çifti Moore u habit kur pa londinezë të grumbulluar mbi platformat e secilit stacion. Ishte nata e katërt e sulmeve ajrore naziste që tani njihet si Blitz, dhe civilët ishin mbledhur nëntokë për të qenë të sigurt.

“Kur arritëm në stacionin e Belsize Park”, kujton Moore vite më vonë, “nuk na lejuan të dilnim për një orë për shkak të bombardimeve. E kalova kohën duke parë radhët e njerëzve që flinin mbi platforma. Nuk kisha parë kurrë kaq shumë figura të shtrira… Mes tensionit të zymtë, vura re grupe të panjohurish të formuar bashkë në grupe intime dhe fëmijë duke fjetur pranë trenave që kalonin”.

Kjo skenë do të frymëzonte një prej arritjeve më të mira të karrierës së Moore-it: vizatimet e Strehës. Këto vepra e mbajtën të zënë për rreth dy vitet e ardhshme. Shfaqin masat londineze duke u strehuar në stacionet e Underground prej bombave sipër. (Blitz-i vazhdoi deri në Maj 1941, duke i lejuar Moore-it mundësinë të vizitonte më shumë stacione të tjera përgjatë rrjetit përveç Belsize Park.).

Vizatimet shënjohen me dhembshuri dhe njerëzi të madhe. Trupat e figurave ndonjëherë duken të ndërthurur me njëri-tjetrin, bashkuar nga ritmet e valëzuara të bojës, lapsit, dhe bojërave të dhjamit të Moore-it.

Kur artisti i tregoi nja dy shembuj të hershëm Kenneth Clark-ut, drejtorit të Galerisë kombëtare, ky i fundit gati u përlot. Clark-u, i cili në atë kohë ishte edhe kryetar i War Artists’ Advisory Commitee (WAAC), i kërkoi Moore-it të prodhonte një seri të tërë vizatimesh të së njëjtës temë.

HENRY MOORE, Vizatimet e Strehës: Mama e ulur me fëmijë, rreth 1941.

Moore pranoi – pjesërisht sepse shpërthimi i luftës kishte ulur mundësinë për të siguruar materialet e nevojshme për të punuar në mediumin e tij kryesor: skulpturën. Pa kaluar shumë kohë, ishte përhapur fjala për vizatimet e Strehës, dhe filluan t’i lakmonin koleksionistët privatë. Moore vëreu në Mars 1941 se “në këtë moment, ka më shumë kërkesë se ofertë. Nuk ka qenë kurrë kështu më parë me veprën time”.

Vitet e fundit, kanë përparuar një numër teorishë që sugjerojnë se frymëzimi i Moore-it për vizatimet, në fakt, kishte ardhur përtej London Underground. Disa kanë cituar një ngjashmëri me fotografitë e Robert Capa-s të republikanëve të mbledhur në platformat e metrove të Madrid-it gjatë Luftës Civile Spanjolle. Prej atmosferës spektrale, të tjerë i kanë krahasuar strehat me mumiet egjiptiane, ndërkohë që vet Clark tha se i kujton trupat e zhvarrosur në Pompeii.

Në raste të veçanta, subjektet i bëjnë jehonë skulpturave te vetë karriera e hershme e Moore-it. Te Vizatimet e Strehës: Mama e ulur me fëmijë, për shembull, iu kthye motivit të tij më të parapëlqyer: një mama me fëmijën e saj.

Një pjesë e madhe e rolit të Clark-ut te WAAC ishte të inkurajonte artin që përforconte moralin civil në një kohë kur ishte i lartë kërcënimi i pushtimit gjerman. Ishte gjithashtu për të krijuar një qëndrim të dhembshur në Shtetet e Bashkuara për telashet e Britanisë në një kohë para se Amerikanët t’i bashkoheshin luftës (që ndodhi vetëm në Dhjetor 1941).

Është e vështirë të thuash saktësisht sa sukses pati Clark-u te të dy këto qëllime, por historiani i artit, David Alan Mellor, ka argumentuar se “pikturat e strehës filluan të ishin të dobishme si formuese opinionesh”. Publiku britanik i pa për herë të parë kur një përzgjedhje e tyre u paraqit te Galeria Kombëtare në Prill 1941, të njëjtin muaj kur katër shembuj të tjerë u çuan në New York për një ekspozitë të organizuar nga WAAC në Muzeun e Artit Modern, të quajtur Britania në luftë.

Paqja u arrit në 1945, dhe në vitet në vazhdim Moore u mbajt si një prej artistëve kryesorë të botës. Ama, vizatimet e Strehës ishin po aq të njohura sa çdo skulpturë që prodhoi më vonë.

Vizatimet kapnin fabulën e ‘shpirtit të Blitz-it’ – të britanikëve që i rezistonin stoikisht çdo gjëje me të cilën i sulmonin nazistët, dhe me kohën, përforcuan idenë e këtij shpirti për brezat e ardhshëm.

Më shumë se specifik për një konflikt të vetëm, vizatimet e Strehës shërbejnë, më gjerësisht, si imazhe universale të njerëzve që bashkohen në kohë fatkeqësie: momente qëndrese të brishta, por në fund, të forta.

Përktheu: Enxhi Hudhri

Exit mobile version