KTHIMI NË EDEN
U shkallmuan dyert nga trokitjet e munguara.
Çatia shpellon nga ngrohtësia e flakur.
Puhiza e mbrëmjes, si ethe fantazmash,
valvit shaminë e lamtumirës
në gjethe manaferrash.
Qilim glasash ka shtruar dallëndyshet
në lavrën ku hodhëm hapat dhe ëndrrat e para.
Myku, si pështymë verëmliu
ka triumfuar mbi maninë e dikurshme të nënës
për të zbardhur muret me gelqele.
Nuk paska mbrojtur as veten
patkoi që do t’na mbronte nga e keqja.
I mundur kalbet nën peshën e ndryshkut.
Këtu, prej shekujsh asgjë nuk ndodhë.
Si duket asgjë nuk të grryen më keq se asgjëja.
Cifla kujtimesh më ushtojnë në vesh si zëra
që duan t’më bindin se në Eden
mund të shkelësh vetëm si fëmijë.
Ose si engjëll.
Koha arrixheshë,
mbledh rrangullat që solli vetë,
dhe ikën.
Harrimi ka dorën e lehtë.
Të rënda veç jargët e nostalgjisë
Dhe ingranazhet që na cysin përpara,
larg Edenit që shkelëm kur ishim fëmijë.
Larg parajsës që shkelëm kur ishim engjuj!
VONESA
Ti,
lotin më të madh se syrin.
lëmshin më të madh se lukthin,
ëndrrat më të mëdha se frymën.
dashurinë më të madhe se shtatin.
Unë,
mallin më të fortë se shpatullat,
trishtimin më të hekurt se gjunjët,
dalldinë më të madhe se shqisat,
mëkatin më të rëndë se lutjet,
Ti,
vishkull që lulëzon nën diellin gënjeshtar të nëntorit.
Unë,
vjeshtë që nuk t’i mbush dot degët me fruta!
iriq me gjemba kthyer kah vetja!
Mollat e pangrëna më shpallin mëkatar.
Nepërka e ankthit bishtin tund kobshëm.
Edeni i gjallimit një xhungël e marrë,
Ferrat rritën vrullshëm, lulet çelin zorshëm.
Kotësia fluron nën mermerin e lëkurës
përgjunjem para Absurdit, t’vetmes Përendi
Më nyjëzohen gjymtyrët në mes të udhës
Nuk bëj para, as prapa. As ndalur s’rri.
Iriq me gjemba kthyer kah vetja.
Ditët dhe ëndrrat më thyhen vazhdar.
Në lumin ku shkasin jeta dhe vdekja
Mollat e pangrëna më shpallin mëkatar!
SHALUAR!
Përtyp frerët që i kanë vënë në gojë.
Ia heqin veç kur ha bar.
Kapistra e qepur pas koke,
e sajuar me rripa,
zbukuruar me tufla, xhingla e zilka,
ia gardhon shikimin.
Që t’mos tërhuzet prej tundimit,
ia kanë cunguar shikimin.
Shikon veç përpara.
Që të meritojë një grusht krunde,
â, që t’i ikë kamzhikut,
nënshtrohet pa naze.
I bindet edhe fishkëllimës.
Gjithë ditën e lume
mes turfullimash.
mes djersësh dhe mizash,
tërheq karrocën, â plugun.
Gurin e Sizifit.
Natën, në grazhd, tek përtyp tagjinë,
kashtë dhe shpresa të thara,
lutet që pranvera,
kurdo që të vijë, (në ardhtë ndopak)
t’ia njomë ëndrrën për t’u bërë pegasus!
Pas shembjes!
Të shkosh fillikat në rrugë.
Të strukesh brenda palltos,
Si butak që mrrolet brenda zhguallit.
Mes njerëzve, të mos i flasësh askujt.
Mbi qepalla të ndiesh peshën e reve,
(atyre të errtave që mbjellin stuhinë).
Saharanë të ndjesh në buzë,
dhe në damarë gjakun e ngrirë.
Të mendosh se në thelb s’ndodh asgjë.
Koha boshtin ngulur në dhimbje.
Bota top ping-pongu hedhur në terr.
Gjallimi ngjitur shket si hije.
As nuk ikën, as nuk vjen.
Horizonti gri deri në palcë.
Zoti nuk i mban dot lotët.
Kushedi sa mërzitet.
I vetëm dhe I përjetshëm.
Punë e Tij.
Të ulesh në bar.
Të porositësh zehër në fixhan të bardhë.
Të ndezësh një cigare.
Të përgjosh shiun që sapo nisi kujen.
Po shëmbet qielli, -thotë dikush ngjitur.
Fjala ‘shembje’ të kujton perandoritë.
Dhe dashurinë.
Perandoritë e mëdha janë si dashuritë e mëdha,
Shemben veç nga pesha e tyre.
Pas shembjes,
me shekuj, kërkohen dhe vajtohen reliket e humbura!
GUACKA!
Dallgë malli shkapeten mbi ty.
Të shembin.
Ti bie shakull.Mblidhesh fetus.
Guackë që përpin trazimin e detrave,
kujën e shekujve.
Kështu qendron një grimëherë
(një shekull).
Pastaj ngrihesh, i gjithi zguall.
Sajon një biçim buzëqeshje,
Më saktë, një të zgërdhirë
Hiqesh se nuk ndien.
Se nuk ndjeve kurrë
Je guacka e brishte që do të dukesh gurë!
DRU PËR ZJARR.
Mblidhja dru për zjarr
se ditët qenë të trishta.
Bryma frymën ma kthente në mjegull.
Balta zamohej në çizmet e grisura.
Trucmacë, njolla të përhime, më vinin pranë,
për shoqëri, a për ndonjë thërrime.
I prisja me gurë,
Me llastik i vrisja
Dhe shokëve u mburresha për trimëri.
Mblidhja dru për zjarr.
Thellimi strukej n’fole të braktisura.
Era sajonte ninullë fantazmash.
Oxhakët vidhnin shamatën e mbledhur gjatë natës
Të shkelmoja samarin pa breshkë
dehesha me endrra idilike,
për të ardhmen që më priste,
ose më saktë, e prisja.
Dimri u mardhej pemëve në gishta.
Misri, mbetur n’arë, nderte shami të ndtyra.
Mblidhja dru për zjarr.
Shpandkoja gardhe, portare prishja.
Digjesha nga e ardhmja idilike,
që më priste, ose më saktë, prisja.
Tash nuk kërkoj më dru për zjarr.
Trumcakët janë tërhuzur.
S’ka më brymë, as baltë.
Ditët janë si janë,
barishte pa pranverë
rrathë pa prehje në një pellg ujë.
Tek prisnim të ardhmen që s’erdh asnjëherë.
Na mbështolli e ardhmja që se pritëm kurr.
STINA E ZEHERIT
S’e tërheqim dot fillin e këputur,
as mërgatën e shpendëve s’mund ta ndalim,
ndaj le të biem në gjum letargjik.
Kur shiu, breshëri dhe bora të vijnë
le të shikojmë ëndrra të Blerta.
Pas dekadash të zgjohemi si zvarranikë,
të pështirë, të rrudhur, të akullt.
Të plakur.
Shkoi si shkoi, më mirë që shkoi
dhe zeheri i mbetur ka për të shkuar,
Gjithçka do të avullojë.
Hiri do t’i mbysë thëngjijtë e pashuar.
Shkoi si shkoi, në djall le të shkojë.
Nuk çojnë heler ca ëndrra më pak,
as ca dhimbje më shumë.
Është çmenduri
të zhytesh me gur lidhur pas qafe,
këmbëzbathur të futesh në xhungël,
të digjesh në një flakë kashte.
Shkoi si shkoi, në djall le të shkojë.
E kam të qartë se çfarë më pret;
do jem ca kohë as në tokë, as në tra,
do filloj të flas përçart,
broçkullat do t’i shes si poezi.
tek-tuk ndonjë lot do më shkasë,
tek-tuk ndonjë qetësues do e pi,
Pastaj retë do të davariten,
stuhia do të kalojë
e do marrë me vete imazhin tënd.
Kështu do harrosh ti.
Kështu do të harrohem edhe unë.
Sepse nga të gjitha speciet,
koha, dështakët urren më shumë!
***
Kërkoj në qiell të gjej një çengel
Ku të var lëkurën time të qullur
nga lotët e paderdhur.
Kockat e mia le të bëhen ashkla
për fole skifterësh.
Frymën ua fal djerrinave,
le ta bëjnë fllad për grurin e pa mbjellur.
Nga çdo gjë heq dorë me dëshirë,
Kam blerë përjetësinë me monedhën e harrimit.



