Kreu Letërsi Bibliotekë “Për sa kohë…” poezi nga Shqiponja Axhami

“Për sa kohë…” poezi nga Shqiponja Axhami

KUJTESË

Dielli, ky mashtrues i madh,
gënjen të gjitha nudot e botës;
asnjë yll s’ka kuptim, 
asnjë konstelacion
nuk i përgjigjet kaosit të fatit.
Eremiti i fundit
shënon Luftën e Tretë Botërore
në një të grisur fustani mbi rërë,
mbi të cilin, një pështymë Zoti
qullos lulen e basmës…
Kujtesë…
dy duar fëmije shenjojnë n’ajrí
dy pelegrinë pa kokë…


GRUA

Kalvarë të mundimit, ndalini devetë sonte
pranë zjarrit blu të një pylli të egër;
martohen magmë fisesh të egra,
filistini i fundit është, pa dyshim, një femër
mos e lini pa emër… quajeni Faltore…

Mbi të kridhen si pilivesa mbi zjarr
tundimet e Orfeve;
fisi i saj e dënon me heshtje,
të ngopurit bëjnë të paditurin
por Ajo rrënqeth tërfilin;
poshtë hapit të saj,
larvat kthehen në palma.

Mos e lini pa emër… quajeni Faltore
Grunaja e flokëve të saj
ngop korbin e etur;
vjen me shandanë në dorë
lëkurërat e saj, verbojnë instikin…

Mos e lini pa emër… quajeni Faltore

Zoti i saj masturbohet mbi një kasketë naziste,
në fund të së cilës, në një kokrrizë dheu,
mbijnë dy fije bari…


PËR SA KOHË…

Etiopia shtrin fushnaja me grurë;
bëjnë mbi të kuleçë me gjak
duar fëmijësh…
Kleopatra heq vëthin.. mban zi.
Oh, Teutë, përdridhe fijen e florinjtë;
një Zot pa emër bëhet synet,
në emër të tij një korb si nata vret…
Pellgje të mëdha gjaku,
pellgje të mëdha
…………………….
Kaoset do vijnë, për sa kohë 
në vend të egos nuk mbillet një pemë
afër farit….


FAT…

Qyqja u kthye;
varret zgjasin kokat
duke përbuzur karamelet;
furka e një plake
tjerr idhninë e kobshme…
Qyqja u kthye:
një vëlla në emër të fatit
zbut kaoset me lulka bliri…


NË VENDIN TIM

Në vendin tim flenë bashkë
egërsirat me midhjet,
kurorat e pishave puthin yjëzimin poshtë farit;
mbi tërfil dëfrehet miza e kalit.
Përanash një pazari të gjatë
shitet mjaltë dhe helm minjsh.
Ne jemi pellazgë të vjetër
me këngë dhe saze në buzë;
por këndojmë himne në vend të serenatave,
kalërojmë egon mbi religjione ballkanase –
të dehur nga një ngrohtësi e parakohshme;
përkedhelim dimrat në ikje.
Ndezen në të zjarre pasionesh,
urrejtjesh:
një lagunë e e pa fund,
mes së cilës, si një grua e përdalë
endet gjysëm e dehur demokracia.
Poshtë këmbëve të zhveshura të së cilës,
rrokulliset si një mollë e papjekur
Populli im …

Oh, pemë…


JEHONË E PIKËLLIMIT

Shko, tingull i trishtimit,
shko e vdis
në lukthin e kësaj nate pa agim.
Këto i shkruaj unë,
një Medea e krisur,
një e huaj në atdheun tim.

Por ndjemëni, kuptomëni,
ose ndryshe –
unë vdes çdo ditë nga pak.

Tymi i një udhe..
përdridhet nëpër gjymtyrët e Zotit.
Shën Elisabetë, fal disa bukë
nesër në lagjen 5 të qytetit:
martohen një cigan,
Shën Elisabetë.
Më pas, zbuloje prehërin,
thuaju bashkëqytetarvë të mi,
se të zgjohesh heret, është qëllim,
jo mburrje.
Kurtizanes që s’do tia dijë
dhe pi verë me burrat e huaj,
shkërmoqja mbi prehër
kallirin e misrit
të hanë mbi të
të gjithë gushëkuqët e botës, ta bindin
se jo çdo joshje është mëvetsi.

Dashuria mbetet, gjthësesi, frut i pasosjes.

toka është mizore;
nëse e miklon me djerrinë,
bëhet mallkuese;
detari e ka padyshim ditën e tij:
le të jetë e pabindur rrjeta,
le të ketë javë pa asnjë peshk.
Të paepurit nuk dinë të gënjejnë,
ata vetëm kërkojnë…
Shën Elisabetë, shshshsht…
Jehonë e pikëllimit
më verbon me temjanin e mariuanës;
popullin tim e burgosin për këtë,
por populli im është i varfër,
unë edhe më e varfër.
atëherë si zgjidhet dilema e varfërsisë?
Populli im ka kohë që jeton si deve pa këmbë.
Unë jam në të si një pikës ujë,
por ai s’ka etje, ka uri..
Eci mbi të dhe ndjej poshtë këmbëve
të lëvrjnë si fushnjaja orizi epokat e ngopura.
Bëhem, dëshpërimisht, pak e nga pak
kafshëz e vogël, bulkth
që jetoj në varrezë…

Shën Elisabetë…
Tani më ndje, ose më fajëso,
ose… lute më mirë Zotin tënd
të më shndërrojë në viç….


EPISOD

Në brazdën e pluhurt
rendin milingonat
ndoshta nesër
do fillojë një shi…
turma e fshatarëve
psherëtin. Shalqiri
ky Izreal shpëtimitar
nuk u shit sivjet.

Orgjitë
përziejnë temjanin e mariuanës
me sherebelë;
fshatarët kthehen të pikëlluar
si pas fundit të një gjyqi
gjykatësi i të cilit është
një Xha Kondë me penis:
vrazhdësi dhe lavdi
nën tehun e monedhës.
Qeramika e vazove të luleve
është e pamundur të bëjë bukë;
lulkat mondane mbeten në ikje,
në gjurmët e të cilave
penelata e një piktori skizofren
pikturon vaginën e munguar.

Anemitë e një gruaje
shuajnë shikimin
në këmbanën e rrugës
“Komuna e Parisit”;
është e kremtja e radhës ,
ajo do mungojë,
siç mungon në çdo gosti;
Zot i saj është prej muri,
një Zot i heshtur
që s’i dha kurrë ajër
nga frika se do e mundëte,
se do çiftohej me çifutin e fundit
mbetur ne Kaukaz:
ai çifuti me sy jeshilë
që të kujton lëndinat,
fushat me grurë
dhe rëndësine e mëvetësisë …

Oh, delir i fëmijrisë
i shfaqet me gjunjët e gjakosur
poshtë fustanit
prej basme Berati
në gravurën e gurtë
duke lozur lojë luftash,
rregullat e së cilës
ia mësoi reshti i bunkerëve
në të cilët kukulla prej kalliri misri
u mbyt në jashtëqitje
teksa buza e saj prej trëndafili
përsëriste refrenin e poezisë
për Faraonin.

Oxhaku i Uzinës hesht
si një kasap i dënuar me sklerozë;
bloza e tij firmos data vdekjesh
nëpër gurët një mali të ashpër:
vdiq, vdiq dhe ima atë;
kanceri i mushkërive,
e përhumbura anemike pikëllohet,
thërret devenë e saj të butë
që i sjell harresën.

Në brazdën e pluhurt
rendin milngonat me sy njeriu
poshtë shtrojës
së lëkurës së qengjit …
anemitë e një gruaje
nxjerrin gojëzat
duke lëpirë amshueshëm
sytë e nje vdekje solide.
Jetesa e saj do jetë
një muze i bukur,
i vështirë për tu gjetur,
si eshtrat e një shenjti
që dezertoi besimin


KREMTJA E NJË DIKTATURE

Bien kambanat:
është e kremtja e një diktature.
Mbi papafingo një fëmijë indiferent
qëron krahë shelgjesh,
ndërton një krrabë…
duhet trembur epërsia e zogjve të egër.

Bien kambanat…
Zërat e burgosur përhapen
si sherebelë në një plazmë prej ajri;
kohë e pajetuar rrëshqet udhëve të pluhurta
si këmba e plagosur e një dreri…

Karuseli prej bime shtyn drejt mbrëmjes
heshtje pleqsh,
kuisje qensh….

Bien këmbanat
…në një rrëkezë loti mblidhen
pemë,
fshatra të braktisur,
të vdekurit, lumenjtë
duke përhapur brenda vetes
polenin e një faljeje.

Bie kambana;
është e kremtja e një diktature,
por jo: diktaturat s’kanë të kremte,
kanë vetëm gjëmime.
O zëra të burgosur,
mbusheni kraharorin
me timbrin e një lutjeje:
mbi krizantemën e një pranvere
duhet të mbijë çdo epokë;
nga një lule, mbi çdo kasketë naziste,
ose ndryshe, çdo natë do vdes nga një poet
dhe çdo ditë, një urë do të bëhet rrënojë

Exit mobile version