Gjithsekujt mund t’i ndodhë fatkeqësi në jetë. Shpesh ndeshesh me njerëz fatkeq. Fatkeqësia shfaqet në forma nga më të ndryshmet dhe ndodh që të të thyejë, të të zhysë në pesimizëm dhe ta humbasësh shpresën për të nesërmen. Gjithçka përreth të të duket zi. Kështu jeta ka marrë fund. Askush nuk do t’ia dijë për ti e fatkeqësinë tënde. I vetmuar në vetminë tënde pas asnjë rrugëdalje. I braktisur nga të gjithë, pa një dorë që të zgjatet drejt teje. Atëherë jeta jote ka marrë fund.
Krejt ndryshe ndodh në novelën më të re të Enver Kushit “Jonada” apo edhe më herët tek “Zonja nga Parga”. Humanizmi shfaqet fuqishëm në të dyja novelat krejt të ndryshme për nga subjekti dhe nga struktura e ndërtimit.
Lexon “Jonadën” e vetvetiu të lind mendimi se cilat janë vlerat që mbart njeriu në kohën e sotme, ato të trashëguara nga e kaluara dhe ato të krijuara rishtaz, cila është rruga që ndjek shoqëria e sotme dhe duke e ballafaquar veprën me shfaqjet e shëmtuara të realitetit dhembja të shtrëngon shpirtin. Ato ndjenja të bukura solidariteti, dashurie, vetësakrifikimi etj. shumë rrallë shfaqen në mos fare. Heroinës së novelës fatkeqësia i erdhi nga një sëmundje, por ajo e do jetën, ëndërron, mediton “…Kam harruar shumë gjëra të jetës apo veprime të njeriut, për shembull si ecën, si lëviz duart, por nuk kam harruar se ka një qiell blu, se ka gjelbërim pranvere dhe vjeshtë, kur piqen rrushi e mollët, se ka dëborë që bie aq rrallë mbi det…”, dashuron…
Plot ëndrra për jetën ishte edhe ajo vajza e re, tashmë zonja e moshuar nga Parga…
Duke lexuar librin e Iakovos Kampanelit “Mauthauzen” të trondisin përshkrimet e detajuara të dhëna nga autori për krimet e përbindshme të provuara mbi trupat njerëzore nga Es – esët, nga ana tjetër të çudit forca e kujtesës njerëzore, që ruan me fanatizëm edhe detajet më të vogla. Autori ishte në atë kamp që nga viti 1942 deri në 1945, kur u çliruan nga amerikanët dhe provoi mbi trupin e tij tortura nga më çnjerëzoret, por ky libër nuk është një dëshmi e vuajtjeve të vetvetes, por një akuzë e fuqishme ndaj çdo lloj dhune që është ushtruar e vazhdon të ushtrohet mbi njeriun. Kujtesa e tij është e jashtëzakonshme, por ai për të qenë i saktë, u është referuar edhe bashkëvuajtësve të tjerë. Më ka mbetur në kujtesë një skenë, kur një oficer nazist nga drejtuesit e kampit ekzekuton të shoqen, sepse kishte krijuar një marrëdhënie me një të burgosur çek. Skena tronditëse dhe që të shtyn të mendosh se deri ku mund të shkojë njeriu – kafshë. Le të kujtojmë këtu edhe krimet e përbindshme sllave mbi popullsinë e Kosovës.
Duke shfletuar këtë libër menjëherë risolla në kujtesë ngjarjet tronditëse, shumë të ngjajshme me ato që përshkrova më lart, të dhëna mjeshtërisht nga Enver Kushi në novelën “Zonja nga Parga”. Emri i tij nuk është i panjohur për lexuesin tonë. Ai njihet si shkrimtar, publicist, skenarist, eseist, kritik etj. Dhe theksoj faktin se origjina e tij është nga Çamëria dhe siç pohon vetë: “Që i vogël kam dëgjuar dhjetëra tregime për Çamërinë, kujtimet me mall të papërmbajtur për ato vende: Detin, ullinjtë, dhentë, shtëpitë, njerëzit e vdekur e të gjallë, rrugët ku ata kalonin, pllajat, puset, varret… Ç’është ky vend i çuditshëm, që kujtohet me një mall gërryes? Është më shumë se një mall, më shumë se një dhimbje, më shumë se shumë gjëra të dashura për njeriun…”
Jo më kot iu referova Mauthauzenit. Në kohën kur kampet famëkeqe të nazizmit në të katër anët e Europës po mbylleshin dhe të mbijetuarit po ktheheshin në vatrat e tyre, nis tragjedia e një populli të tërë, shkulje dhe krime të përbindshme mbi njerëz të pafajshëm. Muhaxhirët i gjen të enden rrugëve dhe e vetmja rrugë shpëtimi është të kthehen në dheum amë, nga janë shkëputur padrejtësisht nga Fuqitë e mëdha më 1913. Autorit i intereson fati i popullit të vet dhe qëmton e zbulon përmes kujtesës njerëzore fate njerëzish dhe na i jep ashtu natyrshëm në faqet e prozës së tij. Një vepër e tillë është edhe “Zonja nga Parga”.
Që në hyrje të pjesës së parë autori na njeh me Epirin dhe me gazetarin, që shkon në Pargë atë fund tetori për të takuar zonjën nga Parga mbetur aty që nga shtatori i vitit 1944 dhe për të zbuluar të shkuarën e saj të dhimbshme. Në takimin e parë të gazetarit me zonjën e moshuar, autori na zbulon botën e brendshme të heroinës, plagën e pashëruar të saj. Gjithçka i ruan brenda vetes, të ngrira, të pagosura. “Edhe zërat e fëminisë time, edhe të rinisë, kutu i kam. Edhe zërat e gjishit e gjishes time… Edhe zërat e nusë e të babait tim… Edhe zërin e motrës time të vogël dhe vëllait… Edhe gluhën e të parëve të mi kutu e ruaj…”
Gazetari dëgjon rrëfimin dhe fikson, ndërkohë që zemra i rreh furishëm nga të paimagjinueshmet e rrëfimit. Dikur një jetë e qetë dhe e lumtur e një familjeje dhe brenda një çasti u përmbys gjithçka. I mjafton një frazë autorit për të dhënë trazimin shpirtëror të gazetarit: “…kasetofonin e vogël e mora në dorë. M’u duk shumë i rëndë ai kasetofon, më i rëndë se asnjëherë tjetër”. Brenda tij ishte zëri i nënë Fotinisë me alvanishten e Thesprotisë dhe historinë e një jete të thyer pa nisur akoma.
Aty në oborrin e plakës një limon, i shartuar me një qitro – gjyshi dhe gjyshja, nerënxa – nuja, mamaja, ftoi – babai, një lastar – motra, një fidan i ri limoni – vëllai; të gjitha blerë nga Kristua në të katër anët e Greqisë dhe papritur të lind pyetja: Cili është ky Kristo që e përmend plaka aq thjesht, duke ledhatuar e biseduar me pemët alvanisht. Intriga rritet dhe interesimi i lexuesit arrin kulmet e veta. Autori përmend emra të tjerë: Lefterinë, nënëzonja, Aleksin – babanë e Kristos, që më vonë dalin vjehrri dhe vjehrra e zonjës.
Vepra të ngjan me tragjeditë e Antikitetit. Megjithëse shikuesi e njeh subjektin e tragjedisë, me t’u ngritur sipari ai e ndjek me shumë interesim rrjedhën e veprimit. Kështu vepron edhe Enver Kushi me novelën e tij. Në pjesën e parë përmes përsiatjeve të gazetarit njihemi me protagonisten, me thelbin e tragjedisë së ndodhur, me personazhet kryesorë dhe me ripërtëritjen morale të heroinës, atëherë të re, ndërsa tashmë një plakë, e moshuar, por zonjë me kuptimin e plotë të fjalës.
Po cila është drama e kësaj zonje dhe si mundi ajo të ripërtërihet moralisht dhe të vazhdojë jetën?! Këtu mund të pohojmë pa frtikë se autori ndërton një “purgator” për ta ripërtërirë shpirtërisht heroinën e vet, për t’i mbëlcuar plagët e pashërueshme, për ta risjellë në jetë nga ai ferr në të cilën e hodhën. Dhe përkujdesja njerëzore, dora e shtrirë, dashuria bëjnë punën e vet. Fjalët e Kristos në ato momente tragjike janë kuptimplote dhe i hapin shtigje jetës: “:::Vështromë në s. Ata janë kafshë e kaluar kafshës. Edhe kafshët… Ç’më kanë parë këta si. Ç’më kanë parë. Tani do të them vetëm di fjalë dhe vendos ti se ç’do të bësh… Vështromë në si… Ke dy rrugë: ose të ikësh, pra të dalësh nga shtëpia e të marrësh rrugën për në Alvania ose… Të martonesh me mua, tha pastaj. Më kupton? Të martzonesh me mua…” apo fjalët e ëmbla të doktorit në spitalin e Korfuzit: “Dëgjoja çdo fjalë të jatroit, duke mos ja hequr vështrimin.
-Do bëhesh shumë mirë. Më kupton vajza ime? – tha ai duke më puthur në ballë e pastaj doli jashtë”. Dhe më tej: “Dhe m’u afrua pranë, ma afroi kokën në gjoksin e tij… M’u duk si gjishi im. Kaq shumë e ndjeva ngrohtësinë e atij burri me trup të madh, me leshra të bardhë në kokë dhe me vështrim aq të butë, që të shëronte…”
Pjesa e dytë e novelës ndjek rrjedhën kronologjike të veprimit, që me plot gojën mund ta quajmë genocid, vrajset dhe përndjekjen e një popullsie të tërë pa asnjë shkak të qenësishëm, por vetëm për etninë. Një familje e tërë u masakrua dhe vajza 16 – vjeçare që e përjeton deri në thellësi të qenies humbjen e të dashurve. Po më e keqja vjen më pas: përdhunimi dhe ai, Kristua që u kundërvihet të vetëve e që kujdeset për këtë viktimë të pafajshme.
Autori e jep bukur e realisht marrëdhënien midis popujve – një vajzë çame me një djalë grek, duke nënvizuar përmes fjalëve të doktorit se “Jeta e njeriut është si deti. Herë me dallgë e furtunë si sot dhe herë – herë e qetë… Njeriu qëndroi. Ti dhe të parët e tu jeni rritur me detin… Dallgët e egra të goditën rëndë, por që këtej e tutje hidhe vështrimin përpara kori mu… Mjegulla po shpërndahet. Koha po përmirësohet. Kështu do jetë jeta jote në të ardhmen. Pa mjegull dhe me qiell të pastër, – tha ai e pasi më puthi në ballë , më tha të shtrihesha e të mendoja gjëra të bukura”. Janë domethënëse fjalët e Vasilit me sy të kthjellët si prej deti të pastër thënë gjyshit të heroinës: “Jemi miq e kaluar miq bashkë me fqinjësi që nga gjishërit tanë. Të plas familjarisht të vish nga ú. Do të jeshë në besën dhe mbrojtjen time po u ndodhi ndonjë gjë e keqe juve dhe Pargës.” Njëri mysliman e tjetri i krishterë.
Ikja e gazetarit dhe kujtimet e protagonistes: e kaluara, miqësitë të krishterë e myslimanë, grekë e çamë, Dritë – emri i heroinës në gjuhën e vet shqipe, Fotini në greqisht. Dhe dritë shpërndante vërtet. Drita nuk mund të shuhet dhe errësira davaritet prej saj. Heroina përjeton shumë. Krahas asaj që i ndodhi është dhe malli e ankthi për të vetët. I kërkoi, shkuan në Janinë e Kakavie, në Qafë Botë, në Korfuz ku kishte Sarandën përballë dhe malet që ngriheshin mi të. Asgjë. “Ku janë ata? Ku është gjishi? Po gjishja? Rrojnë? Po nuja? Ah nuja, nëna ime e mirë! Ah babathua im! Do jenë plakur ata, vëllai do jetë martua. Po motra ime e vogël dhe e bukur si ill? Të kisha krahë e të fluturoja. Të kapërceja detin e të veja në Shqipëri… Ah korbau. Korbau… Më mbenë sitë matanë detit. Më mbenë sitë në Shqipëri… Llafosem me detin.edhe me retë dhe erërat që shkojnë tutje, ku duket limani i Sarandës dhe malet e Shqipërisë… U dërgoj që këtej të fala të parëve të mi, që kam vite pa i parë e më vinë vetëm në ëndërr…”
Ngjarjet në dy pamje: gazetari dhe jeta e kaluar, kujtimet në pjesën e dytë jepen në vetën e parë, duke zbuluar më së miri botën e heroinës. Ajo është krenare për origjinën e saj dhe me të drejtë, s’ka si të ndodhë e të jetë ndryshe.
“Zonja nga Parga lumturohej kur i biri sadopak fliste edhe gluhën e saj. Mos të vi turp djalthi im kur flet këtë gluhë, i thoshte ajo shpesh. E ke gluhën e mëmës”.
Preteksti i asaj tragjedie ishte vrasja e Kristo Pitulit dhe Napolon Zerva ishte betuar – këmbë çami nuk do të lërë. Por tjetërkund është e vërteta: nacionalizmi i shfrenuar, që solli pasojat që dihen.
Autori është mjeshtër i detajit. Mjafton diçka fare e vogël dhe fantazia e lexuesit fillon e punon ethshëm. Ç’do të ndodhë, si do të jetë vazhdimi, çfarë?!…
Dhe autori thothë: “…Të trokiturat u dëgjuan edhe më të forta e më pas hapat e tyre, që ngjitnin shkallët e katit të dytë…” dhe do të ndodhë hataja për atë vajzë gjashtëmbëdhjetëvjeçare, siç ndodhi me gjithë Pargën.
Autori duket sikur luan me kohën. Kemi të bëjmë me një kronikë?! Drita dhe errësira, dita dhe nata, mesdita dhe mesnata, e njëjta ditë, e nesërmja, megjithatë nuk kemi një copëzim apo fragmentarizëm, rrëfime ndjek rrjedhën logjike që të mban pezull. Të dyja pjesët e novelës janë në unitet midis tyre. Autori në vepër ka përdorur një gjuhë të figurshme, janë me gjetje përdorimet e shqipes së vjetër apo edhe ndërhyrjet në gjuhën greke, të cilat i japin kolorit veprës dhe portretizojnë më së miri personazhet.