Kreu Letërsi Bibliotekë Stefan Çapaliku: Janë përmbajtjet e reja ato që do të më çojnë...

Stefan Çapaliku: Janë përmbajtjet e reja ato që do të më çojnë drejt formave të reja

Bisedoi Andreas Dushi

Pas thuajse tre dekadash, Stefan Çapaliku rikthehet te zhanri i parë i krijimtarisë së tij: poezia. Libri i ’94, “Kohë e ndalur” rifillon si kohë poetike në vëllimin e ri që u promovua para pak ditësh në Tiranë dhe në Shkodër. Aty edhe e takoj, në qytetin tonë të lindjes, ku më pret diku pranë shtëpisë së dikurshme, mbi të cilën tani është ngritur një pallat i madh. Pasi përshëndetemi dhe ulemi, e pyes me shumë kureshtje se pse vendosi të botonte poezi në këtë kohë? Çfarë e shtyu?

“Atë që më shtyu po kërkoj e s’po e gjej…” – fillon përgjigjen me shaka. “Përtej humorit, mundem me thanë se poezia vjen te ai që e pret. Dikur mendoja se poezinë ti thjesht e “gjuan”, si një emocion kalimtar, që ikën njëherë e përgjithmonë, si një kafshë e egër në pyllin e dendur të jetës. Në të vertetë te unë nuk ka ndodhë kështu. Poezia ime ka qenë gjithnjë atje, mes mundësive narrative, dhe ajo thjesht po stagjionohej si një venë e mirë, e mirë, e mirë.

Kësisoj kam shkruar një libër që s’kam mundë të mos e shkruaj. Kam shkarravitë nji libër duke qenë i mbushur me dyshime, që kohët e fundit më kanë vizituar nga të tana anët. Kam kurdis një libër gjatë kohës kur jam ndjerë si fotograf, me kryet e zhytyr në një thes të zi, që ishte paradhoma e nji kutie të errët. Brenda kësaj kutie më është përmbysë bota, më kanë bërë kotullumba imazhet.”

Biseda vijon normalisht. Sapo ndez cigare, ja drejtoj edhe atij, por më thotë se tash dhjetë vjet nuk e pi më. “E lashë njëherazi me mësimdhënien”, vijon.

Më duket pak i komplikuar personaliteti i tij shumëpërmasor. Është e pamundur ta përfshish atë në vetëm një emërtim, qoftë ky edhe shkrimtar; ai e tejkalon. Kam ndjekur shumë nga dramat dhe komeditë e tij e po ashtu, kam lexuar thuajse të gjithë romanet apo përmbledhjet me tregime që ka shkruar. Lexuesi dhe publiku, pavarësisht mënyrës se si Çapaliku i ofrohet, e mirëpret përherë.

E bezdis ndopak lëvizja në të tre zhanret letrarë, nga drama te proza dhe te poezia? Po angazhimet e fundit, ajo e mbledhjes dhe botimit të një sërë barcaletash si dhe, para dy muajsh, antologjia e kulinalirisë në letërsinë shqipe ku është bashkautor, e kanë ndikuar disi procesin e tij të të shkruarit?

“Aspak!”, thotë me bindje. “Është një lojë e mrekullueshme. Është interesant se tek grekët e vjetër fjala ‘art’ është shprehur me fjalën ‘techno’, pra teknikë dhe në Lindjen e Largët, konkretisht në Japoni, fjala ‘art’ ka dashur të thotë ‘lojë’. Ja pra ku i kemi të dyja konceptet: lojë dhe teknikë. Hyr në lojë dhe njih teknikat, kjo kishte me qenë moto. Në këtë kuptim unë jam një lojtar që i përdor të gjitha teknikat, që mendoj se mund të më çojnë drejt fitores…”

Letërsia e Çapalikut e tërheq vëmendjen e lexuesit për një sërë arsyesh. Mua për shembull më tërheq shumë sinqeriteti i saj: Personazhet nuk ngurrojnë të jenë të vërtetë, aq sa ndonjëherë mund edhe të duken si naivë, paçka se vetëm të atillë nuk janë. E kam pyetur shpesh si i portretizon personazhet, nga e merr lëndën e parë etj., prandaj tani, me cigaren e dytë të fikur përmbi tavëll, i flas pak për poezitë e vëllimit të tij të fundit.

Ndërthurja e tematikave bën të mundur që poezitë të përfaqësojnë një kontekst aq të gjerë sa vetë njeriu, jeta e tij në të trija kohët, si meditim, përsiatje dhe shpresë. Çapaliku, me kujdes e zgjedh secilin varg për të tejçuar bashkë me ndjeshmërinë, edhe pamjen e asaj ndjenje që në vetvete e balsamos çastin e zënë thuajse në grackë, pasi duket se ai çast përballë kthimit në përjetësi falë poezisë është i papërgatitur dhe i befasuar. Kështu, i mungon koha ta përsosë veten dhe lënda estetike e poezisë mbetet krejt e natyrshme, pa asnjë mbi-apo-nën-vendosje zbukuruese.

Qyteti, urbanja nuk mungon as ndër to. “Dakord”, më thotë, por për cilën e ke fjalën konkretisht? Po ja, dhe hap librin në faqen 36 ku filloj të lexoj requiem për franz jozefin:

requiem për franz jozefin
thonë se perandori franc jozef vdiq
në shtrat
në dhomën e vet të madhe
në shënbrun
rrethu prej gjithë shpurës perandorake
diku në vitin 1916

kurse franz jozefi im u zhduk për nji natë
në të zbardhun të nji dite pa datë
njiqind vjet ma vonë
ndoshta në vitin 2011
i parrethuem nga askush

edhe pse nji shekull larg
të dy kishin kohë që rënkonin
kishin vite që dergjeshin

i braktisun atje
në mëshirë të fatit
diku në derdhje të lumit bojana
atje ku delta asht nji sqep zogu
i hapun prej dhimbjes
franz jozefit tim i qe hollu beli
i qe tretë shikimi
i qe shkimë durimi

ndjej se dikush ma hangri ishullin tim
andaj rri dhe e kërkoj me sy
në barqet e gjithë atyne
që e jetuen epokën time
shëndosh e mirë

prandaj jam i bindun se ishulli gjendet aty
te zorrët e trasha të të gjithëve ne
që e jetuem vitin 2011
si të qe nji vit i zakonshëm

franc jozefi im
kish pritë që dikush ta shpëtonte
ndaj dhe kishte vite që e kish lëshu
sinjalin sos
por të gjithë kujtuen se ai po llastohet

fatkeqësisht ndër kronikat e zeza
askund nuk gjendet e shkrueme se
më 2011 deti mizor gllabëroi nji ishull

deti
edhepse nuk qe i uritun
e hangri ngadalë
madje pati nge edhe me e ripërtypë
bashkë me pemë
me rranjë
leshterikë
dhe dëshira e andrra të fshehta
që dashnorët kishin belbëzu
kur kishin shkelë mbi të

nuk e di se pse imagjinoj që
ishulli im vdiq ditën kur
njerëzit nëpër botë qenë të habitun
se marinsat amerikanë
patën vra osama bin laden
se kish shpërthy pranvera arabe
se estonia zyrtarisht adoptoi
monedhën euro
se mori fund referendumi
për pavarësinë e sudanit
se india fitoi kupën e botës në kriket
se festivalin europian e fituen
kangtarët nga azerbajxhani
se dha dorëheqjen
presidenti hosni mubarak
se tomas tranströmerit iu dha çmimi nobel

ndërkohë që ndodhnin këto e të tjera
uji i ish ofru te goja francit tim
ndërsa po fundosej bashkë me flokët e vet
të gjelbër
shpresën ngjyrë rane
dhe tana mallkimet e zotave

Ja, kjo për shembull… Pse vendos ta përshkruash nëpërmjet lirikës poetike një subjekt që fare mirë do t’i shkonte edhe një tregimi?

“Se lënda më paraqitet si likuide, një materie e shkrifët, shpesh e lëngshme, që mund të derdhet ndër tasele të ndryshme dhe të japë rezultate të ndryshme. Mandej shkrimtari është një qenie në palestër. Varet shumë se cilën vegël është duke përdorur më shumë në ato ditë.”

Çapaliku këtë libër e ndan në cikle dhe, sikurse jo rrallë herë në letërsinë e tij, kujtoj këtu për shembull “Secili çmendet sipas mënyrës së vet”, Stefani familjarisht është i pranishëm, sidomos në ciklin libri i shpisë. I kërkoj leje t’i lexoj poezinë elit dhe atë mbasardhësen, nana angje nuk besonte radio tiranën.

elit
fëmijë
ishim veç nji vizatim
nji skicë e thjeshtë

ishim nji shenjë që gjithkush
mund ta fshinte
e vizatueme në fletoren e gjetun
te hymja e nji shkolle

le të dukej ashtu
si nji shkarravinë ajo shenjë
por ishte e bame prej ne të dysh
kur po dilte pranvera

ne donim që vizatimi
të mbeste ashtu

dy vija që takoheshin vetëm
po t’i zgjasje
por ne nuk i zgjasnim dot
se ne qenë dy fëmijë
që nuk zgjateshin

mësuesja u shqetësu shumë
se pse ne nuk po zgjateshim si të tjerët

mësuesja donte që ne të zgjateshim
e ta preknim njeni tjetrin
si dy vija që zgjaten
si dy vija që takohen
e mandej
si dy vija që shkojnë
secila për hesap të vet

po ne nuk donin ta shkarravisnin
jetën tonë
që aso kohe ishte thjeshtë
veç dy vija të vogla
të bame prej nesh vetë

ne donim vetëm që
askush të mos e prekte
fletoren tonë të vizatimit

ne kurrë nuk e morëm vesh se pse
dikush kërkonte që të rriteshin
ç’ishte ky ngut

nana angje nuk besonte radio tiranën

edhe pse radio tirana
fliste çdo mëngjes për motin
nana angje nuk besonte
veç shikonte nga dritarja
oborrin e rreshkun
prej murrlanit
hardhitë e ngërdheshuna
nji shegë të përdredhun n’kryq
e nuk di se çka tjetër

ndoshta pusin
që rrinte i shtangun
me nji kovë në ijë
dhe gjethet e shermashekut
që ende nuk e kishin sosë
murmurimën e natës

asht ftohtë thoshte ajo
duhet me u veshë trashë

dhe na bante shenjën e kryqit
para se të na përcillte për shkollë

Sa e rëndësishme është historia e individit në mburjtjen e lëndës poetike, e pyes sapo përfundoj leximet.

“Historia e individit është gjithcka. Ne e jetojmë botën në dy rrafshe: imediate dhe mediatike. Sigurisht që eksperiencat imediate kanë më shumë gjasa të prodhojnë art, për shkak të karakterit mimetik të artit, por nga ana tjetër ne mund të shkruajmë poezi edhe për realitete që na vijnë pranë në kanale mediatike dhe që nuk i kemi takuar kurrë fizikisht.”

Botime Fishta

Në librat e tij ekziston edhe standardi, edhe gegnishtja, edhe bashkimi i të dyjave. Ndonjëherë, për këtë fakt merr edhe vërejtje, prandaj jam kureshtar ta di se në dyzimin që ajo ofron, si gjendet autori? Po zgjedhjen se cilin të përdor, si e kryen?

“Përpiqem të jem i vëmendshëm,” thotë, “ndaj zhvillimeve gjuhësore. Zhvillimet gjuhësore në Shqipëri nuk janë as në duart e gjuhëtarëve dhe fatkeqësisht as në duart e shkrimtarëve. Me librin tim më të fundit kam propozuar një koine gjuhësore, e cila mbështetet kryesisht në dimensionet liberale të gegnishtes.”

Në bisedë e sipër, i kthehem një interviste tjetër që i kam bërë profesorit po në ExLibris pasa dy vjetësh. Titulli i zgjedhur prej meje nga përgjigjet e tij, “Drama është zhaner politik!”, mori ndonjë kritikë jo fort dashamirëse. E tejkaloj këtë ama pasi është krejt e parëndësishme. Vazhdon të mendosh kështu, e pyes. Patjetër, përgjigjet.

Po mirë atëherë, po poezia? Çfarë zhanri është poezia?

“Mendoj se poezia është zhanri më i papërpunuar letrar. Një fazë parake e ekspresioneve estetike, shpesh intuitive dhe e pakrahasueshme për nga struktura dhe projekti me prozën e gjatë dhe sidomos dramën. Ajo është shumë më tepër dëshmitare e shpirtit sesa e mendjes.”

Nuk besoj se në krijimtarinë e Çapalikut gjendet një fragment që t’i përshkruaj më mirë personazhet e tij sesa poezia që i ka dhënë titullin librit, Camera obscura. Po, i rikthehem sërish temës së personazheve, pasi më intereson veçanërisht, për shumë arsye. Autori e tejkalon kthimin e njeriut të zakonshëm në hero të veprës; ai është më shumë se aq: është koha e veprës, subjekti i saj… është vetë natyra e tekstit!

camera obscura

I

dhe i thirra të gjithë të fotografoheshin

ma të parët ahengxhitë me vegla

e mandej berberët

biçiklistët

bojaxhinjtë

bozaxhinjtë

fotografët vetë

hidraulikët

këpucarët

tavapjekësit

rrobaqepësit

lustraxhinjtë

marangozët

radioteknikët dhe saraçët

shtypshkruesit gjithashtu

mbas fotos

do pijmë derisa të vdesim i thashë

të gjithë njiherësh

si nji kooperativë e madhe

artizanale

qyteti nuk ka ma nevojë për ju

asnji nuk foli

mbas kësaj

askush

heshtjen e thyen ahengxhinjtë

që i akorduen mirë veglat

zejtarët e tjerë qëruen zanet

ishte nji kor i mrekullueshëm

shikohej qartë

se të gjithë kërkonin

nji vdekje të përsosun

jo si qyteti

Mendoj me vete se po të mos kishte ndjekur këtë rrugë, ka të ngjarë të ishte bërë fotograf. Nuk ja them, ama gjetja e mënyrës së fotografimit nëpërmjet poezisë ma forcon këtë ide. Vendos mos ta zgjas dhe i rikthehem diskutimit mbi poezitë e tij.

Renditja njëra pas tjetre e dy poezive, dhomat e hoteleve dhe pafajsia ime e bëjnë krejt të qartë se poezitë nuk janë vënë në libër as sipas një rënditjeje kronologjike, as pa një rënditje të brendshme. Për këtë, Stefani më thotë…

“E vertetë,” pohon. “Me rastin e botimit të këtij libri  kam dashtë të eksploroj disa përmbajtje të reja që më kanë rrethuar, me shpresën se janë përmbajtjet e reja ato që do më çojnë drejt formave të reja.”

Po bëhet vonë e afron orari i drekës. Pasdite do të jetë promovimi i librit në kinema “Republika” të Shkodrës. Autori e ka konceptuar krejt ndryshe, si një video-perfomrancë. Nga të erdhi kjo ide? Dhe si lidhet ajo me librin?

“Duke qenë se kam hartuar një libër ku autori i ngjan atij kalimtarit të vetmuar që zbulon, përndjek, lundron në ferrin urban dhe që e zbulon qytetin si nji peizazh vesesh epshore, kam vendosur t’a imitoj këtë estetikë edhe në mënyrën e promovimit të tij.

E di se të fotografosh njerëzit do të thotë t’i dhunosh ata… prandaj personazhet e mi nuk i kam vu kurrë që të marrin pozë. Kësisoj kam fiksu energjinë e pakontrollueme, dinamikat e lëvizjes dhe shpesh edhe situatat e tyne karikatureske.

Siç thotë Susan Sontag te libri i vet mbi fotografinë “Aparati fotografik asht nji sublimim i armës, të fotografosh dikë është nji vrasje e pandërgjegjshme, nji vrasje e butë, e përshtatshme për nji kohë të trishtuar dhe plot ankth…”

Po mirë, profesor, i them kur tanimë jemi në këmbë dhe po ecim një copë rrugë bashkë: Çfarë ndjen që ju riktheve poezisë? Sikur gjete dashurinë e dikurshme? Apo metaforë e lodhur kjo… Mos vallë, ta paktën, ndihesh prap po aq i ri sa kur ke shkruar poezi së pari?

“Sikurse e thashë edhe në krye është kryesisht një libër mendjeje, në kuptimin që nuk ka shumë lidhje me moshën. E kam zgjedhë me ndërgjegje këtë rrugë duke dashtë t’i shmangem sa ma shumë që të ishte e mundun poezive sentimentaliste, erotike dhe qarramane, territore në të cilat janë arritë rezultate të jashtzakonshme dhe të pakapërcyeshme.”

Ndahemi, secili në dy anët e rrugës përballë kishës françeskane, njëri për nga pedonalja e tjetri për në G’juhadol. Jam i sigurt se rrugës shoh disa prej atyre që janë në Camera Obscura të Stefanit. Ndonjëri më përshëndet, ndonjërin e përshëndes.

Ulem të pres dikë përballë katedrales. Përpara syve më kalojnë gjithë ato nana angje që në ballin e tyre dhe në atë të ndonjë nipi a mbese bëjnë shenjën e kryqit, duke shtrënguar me dorë tjetër kryqin e arit të varur në qafë. Po ashtu, fëmijë të kapur për dore, të rinj që puthen pa ju fshehur askujt, turista këmbëzbathur me çanta sa gjysma e shtatit të tyre. Secila tipologji e personazheve që diskutova me profesorin, me ndonjë element të shtuar, gjendet kudo nëpër qytet, veçse duhet pak vëmendje t’i shohësh. Dhe unë e ndjej se Shkodrës, sado përpiqen pambarimisht t’ja shuajnë atë dritë që lidh të shkuarën me të tashmen, në rituale të vogla, në sjelljet më të parëndësishme, filli i dritës vazhdon të jetojë. Veç në atë çast, dy vargje nga tranzicion marrin përnjëmend kuptim: ndër bulza të kujtesës së mbetun/ gjetëm skicat e prjokteve ma të reja.

Exit mobile version