Kreu Letërsi Bibliotekë Konstandin Dhamo: Shën Valentini në burg (tregim)

Konstandin Dhamo: Shën Valentini në burg (tregim)

Ajo po qëndronte në këmbë përpara shkallëve të Televizionit dhe shkruante me ngut në një bllok të prishur.

- Mirëmëngjesi !

- O, ç’kemi …

- Ç’po zhgrap ashtu gjithë nerv ?

- Një renditje të punëve të sotme. Këtu, te ne në Shqipëri, dita e Shën Valentinit, të kujton lehtësisht Tetë Marsin; ja, provoje të dalësh në rrugë dhe, do të shohësh gratë grupe – grupe, të lyera dhe të veshura me një kujdes të veçantë, të cilat, pasi i lodhin këmbët lart e poshtë nja dy orë të mira dhe, pasi hyjnë me radhë në të gjitha dyqanet, zdërhallen më në fund te ndonjë restorant për të ngrënë një drekë të potershme dhe të stërgjatur, me një muhabet të çlirët, larg burrave..

- Ç’të bëjnë gratë e shkreta ! Mesa duket, ato e kanë bërë të tyren festën e Shën Valentinit më shpejt sesa meshkujt matufë. Por dëgjo ! Ku do të xhironi sot ? Jam i lirë…

- E ku nuk do të xhirojmë; së pari në Bulevardin Dëshmorët e Kombit,i cili kuqëlon tej e tej nga tullumbacet në formë zemrash, më pas te Parku i Madh, që mbipopullohet në kësi rastesh, dhe ndyhet mizorisht nga mbetjet e ushqimeve, nga qeset gjithfarësoj dhe, fidanët e thyer që hallakaten mbi bar; oh ,edhe te disa butikë të qendrës pastaj, sepse kanë ekspozuar koleksionet e rinj të pranverës dhe,në fund ,miku im, te një burg.

- Te një burg ?

- Po! Si përjetohet dita e të dashuruarve në një burg shqiptar të kohëve moderne; hehe , por më saktësisht , do të duhej të thuhet, në një burg postkomunist.

- O, Zot, i plotfuqishëm, i di ti këto, çuditë shqiptare ? Ja, ku erdha në humor menjëherë !  Po a është përgatitur me këtë rast ndonjë program i pasur artistik ; di gjë ti ?

- Patjetër që është përgatitur diçka, por, se çfarë konkretisht, do ta shohim në vend. Megjithatë, edhe këtë herë, do të kenë ftuar se s’bën ndonjë këngëtar popullor, ndonjë instrumentist virtuoz, me gjasë, një violonçelist dhe, për qershi mbi tortë, ndonjë aktor komik, me titull  Mjeshtri i Madh.Të burgosurit kanë nevojë të argëtohen herë pas here, i dashuri mik dhe koleg ! Apo jo ?

- S’ka dyshim. Dhe, shih, ç’ditë e bukur është ! Dritë e bekuar dashurie…

- E pra, por ç’të bësh, një farsë e përsëritshme protokollare është e tëra kjo, sa për t’ua treguar atyre syleshëve, të betohem ,atyre syleshëve të Komunitetit Europian se, në Shqipërinë Demokratike, ( për pak desh thashë, në Shqipërinë Socialiste ! ) të drejtat e njeriut, zbatohen me rigorozitet, sipas standardeve europiane edhe nëpër burgje…

- Mjaft, zemra ime, sepse më përzihet kur dëgjoj të tilla marifete, megjithatë do të dëshiroja të vija me grupin tuaj në burg. Veçse në burg !

- O, shumë mirë ! Por më jep fjalën se, nuk do të më ndahesh.

- Ç’thua ? E si mund të ndodhë ndryshe ?

Pamja e burgut më zymtoi goditshëm, kur m’u shfaq përballë. Vetëm festa e Shën Valentinit nuk kishte punë aty. Burgu ishte si një bunker i stërmadh, mbi sipërfaqen e tokës, ashtu i derdhur i tëri në beton dhe, i qarkuar me hekura të zinj si ushta…

Ora po shkonte njëmbëdhjetë dhe, nga çasti në çast, pritej të vinte vetë Ministri i Drejtësisë, i cili , siç e kërkonte edhe protokolli, do të mbante fjalën e rastit.

Dhe, mbërriti fiks në orën njëmbëdhjetë, dhe ashtu shtatshkurtër mes rojave të tij trupmëdhenj , të kujtonte atë viçin e brishtë të rrethuar nga buajt mbrojtës. Përshëndeti me dorë, duke u kthyer më të majtë e më të djathtë dhe, u vendos pa e zgjatur përpara mikrofonit:

- …. Ndonëse ju, të gjithë keni kryer krime nga më të ndryshmet dhe, nga më banalët, prapseprapë, jemi të detyruar por, përse jo, edhe të përkushtuar t’ju plotësojmë një sërë kushtesh, që të bëni një jetë sa më të mirë, kështu ? Ja, gjykojeni vetë: popullatës ndodh që i mungon energjia elektrike edhe dhjetë orë në ditë, kurse juve as edhe një sekondë të vetme, njëlloj si edhe studentëve në atë qytezën e tyre. Popullatës i vjen uji në shtëpi dy apo tri herë në ditë, kurse juve, përsëri njëlloj si edhe studentëve ju rrjedh pa pushim , tërë ditën e ditës. Po po, sepse ne nuk kemi hapur burgje ndëshkimi, por burgje rehabilitimi…

Dikush nga turma e gazetareve, kuturisi ta pyesë ministrin e ekzaltuar se,a do të ndahej në vaktin e drekës hallvë për ëmbëlsirë me rastin e festës,gjithashtu, po me rastin e Valentinit, a ishin shpeshtuar për të burgosurit lejet për takimet në dhomën intime,dhe, a ishin zgjatur sakaq në kohë ata takime specialë ? 

Por ai e përmbylli ligjëratën, duke thënë :

- Dhe tani tek pritet të fillojë shfaqja artistke, unë do të shkoj të dekustoj me kënaqësi të veçantë gjellën e kazanit, që gatuhet për ju…

Duartrokitje, fishkëllima, ngërdheshje tallëse…

Posi, posi; kështu patjetër! Eh, sa mirë i venë punët shtetit!

U afrova te thurima me tela dhe shtypa enkas mbi një gjemb mollëzën e gishtit tregues. E shtypa aqsa të më digjte dhe të më dhimbte; jo që të më dilte gjak, duke besuar se, me këtë gjest simbolik me prirje vëtëmundimi, do të përfshihesha më lehtësisht dhe më natyrshëm në atmosferën e burgut.

- Ç’është kjo traditë e keqe, që vazhdon edhe sot e kësaj dite ! Të gjithë në të njëjtin vend u plandoskeni ju ? – iu ktheva koleges sime  – Këtë burgun do të ndjekin të tërë në edicionet e lajmeve ? Shih; njëzet kamera, po aq mikrofona me qaforet e logove dhe, po aq edhe gazetare. Dhe asnjë gazetar, sepse burrat vazhdojnë të rrinë ende nëpër zyra; ehuu !

- Lere, lere, por sikur nuk e di ti si veprohet te ne ! Po i ndoqe lajmet në një kanal, zëre se i ke ndjekur te të gjithë.

Dhe, krisi veprimtaria artistike.

Duke qenë më i gjatë se shumica e atyre që kisha përpara, i shihja qartë fytyrat e të burgosurve, të mbledhur n’anën tjrtër të oborrit.Po t’i gjykoje nga tutat dhe xhupat me ngjyra të çelura, që mbanin në trup, do t’i merrje për ca sportistë, që do të dilnin në fushë për stërvitje.Por duke i vëzhguar më me kujdes, ato fytyrat e tyre m’u dukën si të enjtura dhe, pothuaj pa mimikë.

Por dale…

Programin artistik e përndezi një këngëtare popullore nga Shqipëria e Mesme,brekët e së cilës,tek kuqëlonin pas një fustani të tyltë,ua xixëlluan sytë të burgosurve mu si demave të Pamplonës. Pas saj, në sheshin e ngushtuar doli një komik. Të gjithë qeshnin me të madhe, ndërsa policët kujtoheshin herë pas here të shfrynin : hej, kujdes kujdes, mos shtyni dhe mos thërrisni kaq fort; na lini të dëgjojmë…

Më kaploi një zymti e rëndë, megjithatë , tek shihja një e nga një të burgosurit e shfrenuar, mundohesha t’i mvishja secilit , krimin që duhet të kishte kryer: sherr për një vështrim të vëngërt, apo për një fjalë goje; plagosje për një gërvishtje makine, për devijimin e një vije uji, apo zhvendosjen paksa të një gardhi…

Por, në një burg grash, para disa muajve, isha pikëlluar më shumë, s’di përse? Ndoshta ngaqë s’mësohesha dot me të qenit e femrave në burg. I kishin vënë të prashisnin nja dy parcela të vogla me perime dhe, ato, ashtu të përthyera më dysh n’atë mjedis bukolik, he he, më shtynë të shfryja se, shoqëria njerëzore vazhdonte të ishte ende fatalisht e dhunshme dhe primitive…

Vetëm njeri nga të burgosurit nuk gëzonte me të tjerët; as brohoriste, as përplaste shuplakat, as qesëndiste. Mbante përpara gojës pëllëmbën e mbledhur grusht dhe, kuptohej lehtësisht se kafshonte me nervozizëm thonjtë. Siç duhet, vuante nga onikofagjia, të cilën mund ta kishte dhuratë nga vitet e burgut. Kolegia ime e papërmbajtshme u fut në mes të burgosurve dhe bëri disa intervista me ta, por unë nuk e ndoqa nga pas, ndonëse i kisha premtuar se, nuk do t’i ndahesha për asnjë çast. Epo, sikur nuk ishte nevoja, sepse edhe ajo, e përfshirë nga ethet e punës, më harroi fare. Njeri nga të burgosurit që intervistoi ajo, mbante një karafil në dorë dhe, dëgjomëni, u prek aqsa filloi t’i merrej goja, kur ia dhuroi! Paskësha gabuar ca unë, kur mendova se të burgosurit e buhavitur s’paskëshin ndjenja dhe për pasojë, as edhe mimikë në fytyrë…

Kur dolëm nga burgu, të gjithë psherëtimë thellë të çliruar.

- Ç’pësove papritur e pakujtuar ? – iu ktheva mikes sime, koleges së shkathët, sapo makina jonë u nis dhe, ne u ngjashëm brenda. – Përse e vare kokën , apo u lodhe ? 

- Ah, është tjetër gjë, krejt tjetër gjë. Nuk kishte si të mbyllej kjo ditë pa një çudi…

- Pa hë, një herë, ta dëgjojmë !

- Ja, merre këtë copë letre dhe, lexoje vetë. Shtrije me kujdes, sepse e bëra shuk nga shqetësimi.

- Shih, shih…

- Ishte një tip që kafshonte tërë kohës gishtat, apo thonjtë dhe, i shkëndijonin sytë. Më bëri përshtypje me ta parë dhe, e porosita kameramanin t’i këpuste një plan. Ai ma rrasi pra, letrën në dorë.

- Po po; dale ta lexoj:

… e dashura Suzi ! Je gazetarja më seksi e të gjithë televizioneve. Pas tre vitesh , kur të lirohem nga burgu, kam qejf ta bëjmë një herë bashkë…   

Exit mobile version