Kreu Letërsi Bibliotekë Nurie Emrullai: E fyti thahet nga këto mendime (poezi)

Nurie Emrullai: E fyti thahet nga këto mendime (poezi)

E përzgjedhura

Jam e pafundmja në numër.
Infiniti që lindet për të shtuar veten.
Jemi specie në zhdukje vetëm nga mendja.
(një lloj animālis në shumim.
-Këtë mos e lexo me zë!
Këtë thuaje po je me nerva.)
Të përzgjedhurën e llojit e quajnë fatlume.
E fati te ne paracktohet në muajin e katërt.
Nga ty s’kërkohet shumë:
Rritu, martohu dhe lind.
Hap pas hapi ti bëhesh si tjetra.
Veshja jote është identiteti yt.
Identiteti njeri këtu ka humbur.
Jeta jote është e ditur si do të vejë:
Rritesh, martohesh dhe lind.
Shumimi i pafund i egos njerëzore.
Ruajtja e llojit brenda fisit është luftë.
Lufta më e egër tek ne është lufta e t (u)-r-u-pit.

Ikim sa më larg që mundemi, po instinkti thërret.
Të veprosh me instinkt është më pak lodhje.
Intuita u shtyp kur Eva u zhgënjye prej parajsës.

Jam e privilegjuara,
Infiniti i pjellorisë,
Po u ngatërrua edhe kësaj here çiftimi, s’ka gjë.
E rëndësishme është të ruajmë llojin tonë.
E rëndësishme t’i shkruhet fati muajin e katërt pa lind.


Temena

“Bie dhe zgjohem me mendje të kurdisur.
Ul ballin e sytë për ta nderuar nënën-tokë.
Ngri duart lart për t’iu falur qiellit.
ato më shohin në nderimet që bëj,
Çirren para meje, këndojnë, hedhin sheqerin mbi mua,
Që shumë lehtë mund të kthehet në gurë.”
Hopaaaa ha! Hopaaa ha!- gjëmojnë veshët e mi.

Hapat i hedh delikat
Dhe asgjë nga trupi im nuk duket.

Kënga që më këndohet mua
Krahasohem me hanën, zanën dhe dimrin e egër si zemra e këtyre anëve.

“Përse bie kjo daulle?”

Ngjitja e vetme janë shkallët e dhomës.

Qaj ndër duvak dhe tri herë marr ngrykë shtëpinë
Për të nisur një jetë të re pas këtij pragu.
Të ëndërroj s’ma ndal dot njeri.
Të jem një tjetër pas këtij pragu duhet ta kapërdij.


Hapa të mësuar

Jetoj në brendinë e një zhgualli të tejdukshëm.
Dal prej tij duke përsëritur rregullat.
“Çdo gjë që s’përsëritet, harrohet.”
As edhe një rregull s’e kemi të shkruar,
Po nëna m’i pat kënduar në djep.
M’i pat pëshpëritur kur më lante,
M’i pat dhënë t’i përpija bashkë me bukën.
“Ti, thoshte ajo, Je vajzë.
Këtë mbaje mend!”

Ç›më dallonte nga të tjerët?
Kisha frikë ta shoh trupin në pasqyrë.
Kisha frikë t’i flas mendjes sime.
Një pjesë e historisë më mungonte.
Kush ishte nëna ime, aq e largët nga trupi im?
Mendoja se vuaja nga harresa.
Kush isha unë?
Njeri kurrë s’më pyeti
Mjaftoi për ta trupi im,
Flokët e mia dhe zëri im femëror.

Jetoj brenda një zhgualli
çdo ditë që dal prej tij,
Përsëris me vete zërin që më thotë:
“Mos harro, bota është e ashpër për gratë!”


Thyerje e moshës

Hava, Eva, Lilija,
Tashmë të plakura
Kanë brazduar vendin e tyre mbi shtrat
Dhe u bëhet sikur ngushtojnë botën.
Tashmë identifikohen me atë pjesë shtrati
që ka marrë formën e kurrizit të tyre të lakuar.

Ato teksa pleqërojnë stinët
Asgjë s’bëjnë, veç vriten përditë në mendime.
Kush ka faj në këtë mes?
Që vetëdijen s’dinin ta pranonin,
E tashmja qe një ditë për të pritur të ardhmen.

Pastaj,
E dini: punët, martesa, burri, fëmijët, shtëpia, bota,
këto duhet ta kishin bërë të ndjehet e plotësuar dhe në kohë,
Teksa ishte harruar fare për veten.

Një çast qe ai, shumë i shkurtër
Tek sa ajo pa dimrin mbi flokë,
Tek sa pa lëkurën e çarë si lëkura drurit të thatë.
Pastaj, e mësuar të harrojë shpejt
Shkoi, u kruspullos te vendi i saj,

Hava, Eva, Lilija
A cilado qoftë prej tyre
Pleqëron në lëkurë
Teksa koha e saj rrjedh
Mbi sytë që janë bërë det
E ruan ujin e kripur të viteve
se s’kishte vend të saj as për të qarë…
Dhe pret, e urtë Dimrin e gjatë
mbi shtratin që ka marrë formën e trupit të saj…


Jam grua

Jam e ngjizur në dhé.
Jam trup i bukur, shëmbëlltyrë e një skulpture. Jam grua.
Jam më pak trup dhe më shumë shpirt.
Jam më pak lëkurë dhe më shumë ndjeshmëri.
Jam e shkathët në mendime.
Brenda tokës sime rriten sytha dhe lulëzojnë.
Trashëgoj pafund dashuri, ëndrra dhe pasiguri; n’fund- t’fundit- Njeriun.

Jam e fuqishme. Marr dhe jap zemra. Marr dhe jap dhé në dhé.
S’më sheh kush në jam apo jo.
S’kam shtëpi, veç një dhomë, me një dritare sa sytë.
Hap sytë e mendjes, dhe sytë e zemrës qeshin.
Jam grua.
Tokë.
Botë.
Gea.
Jam me përbërje dheu dhe reje.
Jam pluhur që bartet e ngjizet nëpër drurë e lule,
e linden bletë, flutura dhe fëmijë
Që ngarendin pas tyre e po shkelin mbi barkun tim.

Jam gjithëpërfshirësja.
Jam gjithnjë shumë mendje e shumë zemër.
Jam ndjeshmëria e dritës mbi natën.


Perritë

Ndër thellësitë e maleve
Nëpër tymin e oxhakut
Del mendimi fort i shqetësuar i tyre,

Se gruaja është e përkohshmja.
Kupto- Gruaja s’ka kohë.
Gruaja nuk është shtyllë,
po një kujdestare e orës
që mos ua lë unët sytë.

E fyti thahet nga këto mendime.

Ndër thellësitë e natës, ndër hijen e plepit,
Gruaja ëndërrohet si një Zanë Perit,
Që t’mallkon po i shkele mbi ma(n)gjen e saj- bukën,
Po nuk ia puthe bardhësinë e saj,
E po nuk ia krahasove fytyrën me bukë-urinë.

Po, burri ka uri për bukë, prandaj, gruan e quan Perri*.

Nën fytyrat e shqetësuara të botës,
Vërehet fytyra e burrit atje prapa maleve,
Që e do bukën si të ishte shenjt,
Po duart që ia gatuan i sheh si rob.

Burri lëshon frymë,
E gëzohet pse është burrë
Vetëm nga pesha që e di se duhej të mbante
Po të ishte Perrni,
po të ishte Zana që ndër themelet e shtëpisë frymon.

Po, gruaja, i kanë thanë, ësht gjarpër,
e gjarprin nuk guxojmë ta vrasim,
Se ai është mbrojtës i shtëpisë..


Vdor’* e bardhë

Zbardhet mali pas malit të syve,
Lulja fsheh kokën e turpërohet për hijeshinë e saj
Vjen acari dhe nata e enjte e gjen të bërë nuse,

Bardhësia dhe vdekja- nji shtrat.

  • Vdorë\a- borë
Exit mobile version