Kreu Intervista Violeta Volumi: Audiolibri më përkund me zërin e malluar të nënës sime

Violeta Volumi: Audiolibri më përkund me zërin e malluar të nënës sime

Violeta Volumi, ndonëse është diplomuar në fizikë, lëndë të cilën e dha gjatë gjithë jetës, në prag të daljes në pension, në vitin 2015, vendosi të krijojë audiolibrin e parë shqip.

Bisedoi Andreas Dushi

A.D.: Prof. Violeta, bisedat me ju janë përherë kënaqësi! Pasioni që keni për librin është aq i madh, saqë prej disa vitesh, tanimë, keni vendosur t’i dedikoni kohën dhe përkushtimin tuaj gati të përditshëm nëpërmjet një platforme pak të njohur në Shqipëri sikurse është audiolibri. Nga ju lindi fillimisht kjo ide?

V.V.: I dashur Andreas, së pari ju falënderoj për këtë intervistë që më rezervoni në gazetën “ExLibris”, një gazetë elitare në art e kulturë. Për mua, nëse përralla më sjell në mend zërin e gjyshes, audiolibri më përkund me zërin e malluar të nënës sime, të librave të parë që më bënë dhuratë motrat e vëllezërit. Pastaj më çon në ditët e netët e vetmuara e të vështira në spital, ku ëndërroja që dikush të lexonte për mua ndonjë libër, më sjell në mendje miken time të gjimnazit, që sot nuk mund të lexojë për arsye shikimi. I kisha shumë borxhe letërsisë.

Vite e vite të tëra, më është gjetur pranë në momente dëshpërimi e gëzimi. Gjashtë vite të shkuara, nipi më solli një dhuratë që ma ndryshoi jetën: një iPad ku kishte shkarkuar për mua libra në format pdf dhe audiolibra në format mp3. Kërkova nëse kishte në shqip ndonjë faqe të tillë. Por jo, e vetmja gjë që gjeta ishte një podcast në Australi.

Ajo ishte shkëndija e parë, e që prej asaj dite nuk gjeta rehati, derisa me ndihmën e nipit tjetër, sipas modeleve më të mira, arrita të krijoj website-in http://www.volumiaudiolibra.com/, një platformë e shërbim që ofrohet falas sipas motos: Librat do të duhej të ishin falas.

Zgjodha emrin e familjes volumiaudiolibra sepse ka qenë kontribut i gjithë familjes dhe ish nxënëseve të  mia, që në këtë risi, u bënë mesueset e mia.

Vitin që shkoi, kishim edhe përvjetorin e pestë të faqes së audiolibrit në gjuhën shqipe, faqe që ka filluar aktivitetin e saj para 5 vitesh, në nëntor 2015.

A.D.: Po në vijim, si u pasurua audiolibri? Kush ishin lexuesit e parë dhe kush janë lexuesit e tanishëm? Po veprat kryesore të publikuara, cilat janë?

V.V.: Sikurse e përmenda pak më parë, unë ia kisha borxh librit kënaqësitë që më ka falur, ndaj mendimi i parë ishte të kthej në audiolibra veprat kryesore që kanë ndikuar në formimin tim, e më pas, të ndjek trendin e audiolibrave në botë; nga ato klasikë, në ato bashkëkohorë në të gjitha gjinitë: romane, novela, tregime, poezi, esse apo edhe libra historikë, etj., etj.. Përsa i përket lexuesve, ato kanë qenë e janë lexues vullnetarë.

Dy janë familjet e mëdha të lexuesve: lexues të familjes sime dhe lexues nga familja e dytë, e dashur për çdo mësues, ajo e nxënësve dhe ish nxënësve. Ndër to keni qenë edhe ju, që keni kontribuar jo vetëm me lexim të tregimeve, por edhe me përkthimet tuaja.

Po përmend disa nga autorët e përzgjedhur si pjesë e galerisë së audiolibrit: Cronin, Camus, Ryunosuke, Balzac, James Barry, Bakalli, Borges, Bulgakov, Buzzati, Byron, Jung, Cehov, Dikens, Kollodi, Roald Dahl, Dante Alighieri, Grazia Deledda, De Amicis, Dostojevski, Dushi, Elsa Morante, Remark, Koliqi, Antoine de Saint Exupery, Kongoli, Faulkner, Fishta, Fitzerald, Flober, Nadine Gordimer, Galsworthy, Goethe, Gorky, D’Annunzio, Verga, Maupassant, Sienkievwicz, Heminguej, Hermann Hesse, Hugo, Borges, Andric, Sartre, James Joyce, Jules Verne, Franz Kafka, Khaled Hosseini, Kavabata, Kierkegaard, Krauss, Kuprin, Lamartine, Lazri, London, Sepulveda, Proust, Marquez, Marin Barleti, Martin Camaj, Migjeni, Mullisi, Temali, Kundera, Mjeda, Sparks, O. Henry, Oliver Sacks, Orwell, Ovidi, Perrault, Pirandelo, Edgar Allan Poe, Pushkin, Carver, Rilke, Singer, Tolstoy, Tomas Mann, Turgeniev, Mark Twain, Herbert Wells, Vëllezërit Grimm, Oskar Wilde, Virginia Woolf,  Stefan Cvajg, Zef Zorba, etj.. Kjo për të treguar kujdesin për t’i sjellë dëgjuesit ajkën e letërsisë. Ndjesë që nuk arrij t’i përmend të gjithë.

A.D.: Sot, në fillimin e vitit 2021, sa materiale audio numërohen në faqen e internetit http://www.volumiaudiolibra.com? Cila kategori është më e pasura?

V.V.: Tituj librash të plotë janë 127. Numërohen rreth 29 romane, 43 novela, 213 tregime, 131 përralla, 143 poezi dhe poema,110 esse, etj.. Të regjistruar në faqen zyrtare të audiolibrit janë 2096 përdorues, 836 mijë dëgjime.

Ndërsa në youtube https://www.youtube.com/c/VioletaVolumi janë 1230 përdorues të regjistruar. Në faqen e mësipërme janë hedhur 730 video të audiolibrit shqip, 352 mijë dëgjime. Në total në këto dy kanale kryesore janë 1 milion e 188 mijë dëgjime librash, pa llogaritur ato të librave që kam qenë e detyruar të heq për arsye copyright-i.

Mendoj se më e preferuara për dëgjuesit është kategoria e tregimeve të shkurtra, prandaj kohët e fundit, edhe jam fokusuar në këtë kategori.

A.D.: Ju personalisht i rregulloni, i sistemoni dhe i publikoni materialet vetë në portalin e audiolibrit. Të kryhet vetëm nga një person, ngjan punë e mundimshme… Apo e kam gabim?

V.V.: Në fakt, është një punë pa mbarim, në kuptimin që, gjithnjë kur përfundon do të doje ta kishe bërë edhe më mirë. Por koha është ajo që është: të duhet ta ndash mes përzgjedhjes së materialit, regjistrimit, pastrimit të audios, përgatitjes së kopertinës, të linkut të autorit, hedhjes në faqe, konvertimit në youtube, pastaj divulgimit në Facebook, Twitter, Linkedin, në mënyrë që t’i shkojë personave të interesuar. Në fillim e kam patur pak të vështirë t’i mësoj tërë këto procese e programe, gjë që ndjehet në cilësinë e audiove të para, të cilat, shpresoj të kem mundësinë t’i bëj sërish më mirë. Por, njëkohësisht është edhe kënaqësi e madhe kur sheh produktin të përfunduar.

A.D.: Si njohëse shumë e mirë e italishtes, ju, edhe keni përkthyer krijime letrare nga autorë të njohur për t’i vendosur në portal. Si është të përkthehet për këtë qëllim, pa pritur një botim fizik të përkthimit?

V.V.: Disa kanë qenë arsyet që më kanë bërë t’i kthehem dashurisë së vjetër, përkthimeve, formatin audio të të cilëve e kam vënë në faqen e audiolibrit shqip. Fillimisht lidhej me dëshirën për ta ndarë me dashamirësit e audiolibrit, atë kënaqësi që kam provuar unë kur i kam lexuar, apo dëgjuar, por edhe  për arsye copyright-i. Përkthimi është kënaqësi më vete. Një numër i madh materialesh pret radhën në kompjuterin tim. 

A.D.: Ndërkohë, para disa vitesh, jeni nderuar me Çmimin e Filantropisë. Si e kujtoni atë moment?

V.V.: Menjëherë pas Panairit të Librit, Tiranë 2016, ku për herë të parë krahas librit radhitet edhe audiolibri, Volumi Audiolibra do të nderohej me çmimin prestigjioz: Çmimi i Filantropisë, 2016. Unë, akoma sot, e kujtoj me aq emocion, sa që më duket si një ëndërr e bukur. Ishin fillimet, e meqë nuk kisha mundësi krahasimi (nuk kishte asnjë website tjetër për audiolibrin në shqip, më vonë do të krijohej në “Vodafone books” dhe akoma më vonë, do të dilte edhe “Sigal”), pra kisha nevojë që të më thonin se përpjekjet tashmë dyvjeçare nuk kishin qenë të kota. Mirënjohje pa fund!

A.D.: Sikurse e përmendëm dhe më lart, duke qenë se jemi në fillim të vitit 2021, natyrshëm më lind pyetja: keni ndonjë plan konkret për këtë vit? Ndonjë vepër, leximi i së cilës pret të përfundojë sivjet?

V.V.: Sikurse ju thashë, një numër i madh pret në radhë. Nëse me autorët shkodranë kemi bërë një punë jo të vogël, këtë vit shpresoj të realizojmë gjëra të mira edhe me veprat e Naim Frashërit, Çajupit, Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit etj.. Por gjithnjë mbetet problemi i të drejtës së autorit. Do bëjmë më të mirën së bashku me lexuesit vullnetarë. Po ashtu kam në dorë përkthime nga Marguerite Duras, Friedrich Dürrenmatt etj..

A.D.: Dhe diçka të fundit: Ka njerëz që e duan librin, kryesisht të rinj, të cilët mund të kenë dëshirë të japin kontributin e tyre në audiolibrin shqip… Ju, besoj, i mirëprisni! Ata, si duhet të veprojnë?

V.V.: I mirëpres me shumë gëzim. Mënyrat e komunikimit janë të ndryshme, por po përmend dy më të përshtatshmet:

a) Pasi të regjistrohen në faqen e audiolibrit, mund  të dërgojnë një e-mail ku shprehin dëshirën dhe do të mund të komunikojmë për zgjedhjen e materialit dhe cilësinë e leximit e regjistrimit.

b) Ose thjesht një material, një tregim të shkurtër apo poezi, ta dërgojnë në adresën vvolumi@yahoo.it.

Ju jam shumë mirënjohëse për këtë mundësi për të shtuar lexuesit vullnetarë.

Së fundi, duke ju uruar suksese të mëtejshme në punën dhe krijimtarinë tuaj, ju falënderoj nga zemra për këtë mundësi për njohjen edhe më gjerë të audiolibrit shqip.

Exit mobile version