Kreu Letërsi Bibliotekë “Njerëz të harruar”, poezi nga Hiqmet Meçaj

“Njerëz të harruar”, poezi nga Hiqmet Meçaj

ANA

Në këtë kllapi të syrit rri një qiell tjetër
aty të kam vendosur
të më ruash një vend,
do të të sjell lajme të reja
do të të tregoj për shiun që rrjedh brenda meje,
ti tani banon në një mungesë të madhe
edhe unë jam në një mungesë të madhe

megjithatë takohemi. Rrobat e tua,
këpucët, fustanet
kapelet e rrumbullakëta, hidhërimin e këmbës,
të gjitha i flaka,
ti vjen natën, gjithnjë natën,
si dritë hëne ngjyrë limoni,
më futesh në shtratin e gjerë…

Tani mungesa bëhet dhomë
tani mbushet me zëra që dikur kanë qenë
fytyrë, mërzitje, temperaturë, lodhje
në një kohë me kufij të paqartë.

Dua të ta fshij pluhurin
të të blej flokë të rinj, jo prej bari e rrënjësh,
të të çoj nëpër vende të panjohura
ku shpesh jemi takuar e puthur.

27.10.2005


DERI NË SHUARJE

Harresa, koha që ikën
avull veshës, pa frymë,
interval zmadhues, gjithçka
bëhet s’ka qenë, fytyra gur,
jam-i ish,
harresa përpin…

…vjen rrotull të gjthëve
koha që ikën, avulli veshës,
fryma pa frymë. Ajo që ka qënë
ikën e ikën,
interval zmadhues
deri në shuarje.

Dikush përsëri
diçka rrëmon
kujtesën shpik.

2.7.2001


TE KRISTUA DHE TE VANGJELI

Vangjeli shet armë. Kristua ilaçe
dyqanet përbri.
(Irakliu i përshëndet çdo mëngjes “mirëmëngjes”
dhe çdo mbrëmje “mirëmbrëma”. Vesh gjithnjë kostum gri).
Hyn vdekja te Vangjeli, porosit dy revolverë. Te Kristua
antibiotikë. Kanë xhiro të mirë.
Nuk thërrasin si te tregu i mishit.

Hyn vdekja prapë, kërkon plumba te Vangjeli.
Te Kristua qetësues.
Ngatërron dyert vdekja, kërkon thika te Kristua,
te Vangjeli fasha dhe pudër. Gjithnjë qesh
te Kristua dhe te Vangjeli.

Natën dalin armët në rrugë, qëllojnë kundër fashave
thyejnë qelqet e farmacisë.
Gjithë natën e natës
antibiotikët mjekojnë vitrinat
në mëngjes nuk ka shenja plagësh.

Veç tutje në lëndinë,
Irakliu ka zhveshur kostumin gri
ka veshur një cohë të trashë bari
ka vënë në kokë një kapele guri
ka shkruar në gur emrin e tij

5 Nëntor 2004


ZARFI I VERDHË

Ky burrë me një zarf të verdhë
mban nën sqetull skeletin e tij
ka frikë mos i rrëzohen eshtrat e i thyhen.
Kalojnë pambukë mbi vena të shpuara
fajin e kanë rruazat e kuqe
dikush i ka ngrënë nga uria a nga frika
kërcasin stolat në pritje dhe ky qen i bardhë
ka ngulur sytë mbi zarfin e verdhë.

2004


TRAM

Mbërtheva me një kapse të kuqe
kollën time të vjetër…
mjekrën e futa
në qeskë të zezë
zbrita njëzet vjet
njëzet shkallë të rreme
hipa në katin e katërt të kurvave
pastaj u kujtova për një burrë të heshtur
që dikur zëvendësonte mua
pa bojra në kokë
lëshova kollën nga kapsja e kuqe
bota u mbush me shkallë
nuk po vendos
të ngjitem a të zbres.

31.12.2004


SUPERMARKET GJËRA TË LIRA

Bli një konservë
ky peshk ka humbur jetën
para pesë vjetësh
në një aksident kur u pëplas me rrjetën
kjo domate lulëzoi
kur unë s’kisha lënë mjekër
ndodhën shumë, gënjeshtra jeshile mbinë udhëve
në formën e rrepave
dikush me kohën në duar
e gdhendi buzëqeshjen te pllaka në mur
një tjetër pesë kurora vuri
kur koha ishte varur si perde

Në supermarket, në qivure të vegjël
zbukuruar me lulka
shiten detra të vdekur
e lëndina të zverdhura

29.1.2005


SEPSE…

Sepse një njeri i gurtë
rrinte sipër një kolone, pa ujë
pa bukë,
kishte mall për fjalën dhe ecjen,
sepse A2 autobuz me shumë vende në këmbë
është sonte armiku im,
sepse pasi takova Eskilin
te parku zoologjik
i mbeti hatri Sofokliut
nuk ia dëbova macen nga hunda,
sepse nata dhe unë
ishim dy qeska plastike pa ajër brenda…

dhjetor 2004


ESTETIK ATHENS

atje ku Nova Bank kërcënonte
me përmbytje të reja
kujtuam Cunamin
Singruja* kishte veshur minifund
dhe autobuzi kishte veshur minifund

Estetik Athens, gjokse artificialë,
Pansistems, Tojota, Transko,
ndreqa flokët, hoqa rudhat,
zgjata organin mashkullor
rrëmbeva një Audi luksoz
humba rrugën,
qyteti qe bërë ajër.

9.1.2005

*Udhëgjerë kryesore në Athinë


NUK DUA TJETËR

tani nuk dua tjetër
veç t’u ndërroj vendet gjërave
pjatën ta vendos në qiell
me një hënë si vezë të skuqur në mes
të ushqej me të Arifin leshragjatë
që shet tespihe dhe fle nëpër stola
(po më thonë se Arifi ka vdekur
shëtit natën me një shtëmbë plot verë
deh qentë e rrugës dehet edhe vetë)

tani s’dua tjetër, veç
të mbush një makinë policie me peshkaqenë blu
ta fus Kainin në parajsë, Evën në bordelo,
ta ngjall venën e vdekur të dritës,
në Kolosé Aristofanin bretkocë
ta ndesh me Gògolin pa hundë
ta fus dorën thellë nën tokë
të nxjerr që andej farëra krishti
të mbijnë priftërinj të një race tjetër

11 Nëntor 2004
ora 14:43


RRUGË TË ÇMENDURA

Kur humbi rruga e parë
paditësit u tronditën. Shkuan në gjykatë
askush s’i besoi. Më pas humbi e dyta. Gjykatësit
urdhëruan policët. Paditësit u nxorrën me dhunë nga salla.
vazhdoi humbja e tretë, e katërt
gjykata i nxorri paditësit të çmendur.
Kur humbi rruga përballë gjykatës
paditësit hynë nga terraca. Gjykatësit nuk erdhën dot.
Megjithatë vendimi u shpall:
janë çmendur rrugët!

3 dhjetor 2004


NJERËZ TË HARRUAR

kur heshtjen e prishte ai
buldozi i kuq
shtëpinë tonë e mbulonin eshtra dhe kafka
“Janë njerëz të harruar” thoshte im atë
koka pashallarësh, duar shpatarësh
eshtra barinjsh, tregtarësh,
nuk ishin vdekje, qenë komedi
çibukë prej balte, dekorata gjeneralësh
dhëmbë pa nofulla, gjyle, gaveta
“janë uri të harruara” thoshte im atë
“Kur humbin zemrat, kur humbin buzët,
kur humbin fjalët, humbin dhe varret”
Shtëpia jonë kërpudhë i shtynte
çlironte qiellin e vet të vogël
ne rriteshim mes vdekjes
që ngjante me lodër

4.2.2005

Exit mobile version