Kreu Letërsi Shënime mbi libra Alisa Velaj: Retorika e së patjetërsueshmes në kujtesën e një poetike (Ndër...

Alisa Velaj: Retorika e së patjetërsueshmes në kujtesën e një poetike (Ndër vargje të Hiqmet Meçajt)

Hiqmet Meçaj (2 maj 1944), bashkëkohës dhe bashkëstudent i një brezi të artë personalitetesh, si: Koçi Petriti, Xhevahir Spahiu, Ndoc Papleka, Faik Ballanca etj., do të përshëndetej si një poet origjinal që në vitin e largët 1967. Përtej të qenit lëvrues i disa zhanreve letrare, H. Meçaj shquhet veçmas si poet. Stuhitë e jetës e hedhin për shumë vjet larg atdheut, ndërsa për një kohë të gjatë ai vendosi të heshtë në këtë tranzicion vlerash kombëtare në fushën e letrave. Larg jetës kulturore të Vlorës ku jeton, dhe akoma më larg kryeqytetit, Hiqmeti e theu heshtjen vetëm pak ditë më parë, kur iu përgjigj pozitivisht ftesës së Ministrisê së Kulturës, për të qenë protagonist i mbrëmjes poetike “KultArt”, e cila u mbajt në bibliotekën e qytetit. Lexuesin e vërtetë të poezisë padyshim se e kënaqi rikthimi i Poetit. Mes miqsh, poetësh e dashamirësish u prezantuan poezitë e tij dhe të të birit, poetit Andi Meçaj. Aktivitete të tilla zyrtare, ku poetët e ftuar janë në themel të poezisë më të mirë bashkëkohore shqipe, janë padyshim ngjarje të mirëpritura letraro-kulturore, si në qytetin e Vlorës, si kudo tjetër.

Një pjesë e krijimtarisë poetike dhe e asaj në prozë të autorit ka mbërritur për lexuesin nga shtëpia botuese “Toena”, ndërsa pjesa dërrmuese mbetet ende në dorëshkrim. Përmbledhja më e gjerë poetike mbetet “Kujtesë e shpikur”. Në këtë artikull do të ndalemi te njëri prej koncepteve bazë të kujtesës poetike të poetit, retorikës së të patjetërsueshmes. Sipas Lacan-it, funksioni i gjuhës nuk është vetëm komunikimi, por edhe pozicionimi. Meçaj ka në poetikën e tij një regjistër fjalësh që mund të klasifikohen përgjithësisht në kufirin mes ligjërimit bisedor dhe ligjërimit poetik jo të mveshur me metafora që sjellin dykuptimësi të fjalës apo frazës poetike. Dykuptimësia e teksteve vjen e ngjizet nga shkrirja në një e shumë fjalëve dhe sintagmave gjuhësore thuajse denotative. Ja si kryhet procesi i komunikimit tekst-lexues dhe pozicionimi i tekstit poetik, për të mbërritur te lexuesi në formën e një grotesku jo pak të kamufluar në poezinë “Kërkoj qytetin”.

“Çdo ditë nisem të arrij qytetin/ dal nga një rrugë e tij, përplasem në trotuare/ pyes majtas, djathtas, e dini ku është qyteti?/ Vetë pyetja ime ngre supet/ një pyetje tjetër pyet/askush s’e di ku është qyteti. Vërtet këtu/ ka drita shumë, gra gjysmëlakuriq/ treni elektrik nuk ngopet me rrugët/ reklamat ulërijnë, megjithatë/ asnjë s’e di ku është fshehur qyteti/ Eci kuturu, pyetja ime para meje/ ngjall panik, të gjithë mbushen me pyetje/ lodhemi, lëvizim çdo ditë nëpër rrugët e qytetit/ me shpresën se një ditë do ta gjejmë qytetin.”

Poeti duket sikur po na komunikon një ndodhi të thjeshtë: i ka humbur qyteti. Duke e eksploruar tekstin në mënyrë të përshkallëzuar, shohim se kumtuesi i qytetit të humbur, apo ai që kërkon ta arrijë qytetin, e ka nisur rravgimin po nga një rrugë e qytetit. Gjuha tashmë e pozicionon unin lirik. Për pasojë pozicionin dhe lexuesin model përballë tekstit. Si paska humbur qyteti kur rravgimi nis nga rrugët e tij? Mbërrijmë kështu te e patjetërsueshmja si përmasë reale dhe irreale. Qyteti apo hapësira ku uni lirik na ka komunikuar humbjen është një qytet tjetër, jo qyteti i tij. Në kujtesën poetike të unit lirik është një tjetër qytet. Ky që ka para syve është imazhi i tjetërsuar i imazhit parak të qytetit. Pra, qyteti është aty, por është i tjetërsuar. Për t’u pozicionuar te kjo hipotezë na ndihmon vargu tjetër “askush s’e di ku është fshehur qyteti”, ndërsa nuk lënë më asnjë dyshim dy vargjet e fundit. Endja nëpër qytet do të na çojë ndoshta një ditë drejt qytetit. Ky qytet i humbur është makthi ynë dhe mospajtimi me tjetërsimet që rrjedhin prej tëhuajzimit. Qyteti që ka para është i tjetërsuar dhe jo për mirë, për sa kohë uni lirik nuk na shfaqet i mrekulluar. Aspak madje. Në fund ai ka shpresë të gjejë atë që ka humbur, atë që i fshihet, atë që e lë krejt të pashpresë në hapësirën e re ku ndjen se po ecën kuturu. Uni lirik shpall se nuk do t’i japë fund rravgimit. Duke kërkuar plot këmbëngulje, duke mos u dorëzuar në asnjë mënyrë, patjetër se diçka do të gjendet.

A del i përmbysur miti i Odiseut në këtë poezi apo na shfaqet në trajtën e meditimit më të mbramë, menjëherë pasi udhëtimit drejt Itakës i ka ardhur fundi? Për mendimin tonë, Meçaj e kryen njëherazi çmitizimin dhe një hamendje poetike të asaj se ç’ndodh me odisenë tjetër, atë brenda shpirtit të rravguesit pasi ka mbërritur në qytetin/Itakën e tij. Çmitizimi ka të bëjë me atë se uni lirik nuk kumton për një tokë të gjetur, por për një tokë/qytet të rihumbur. Meditimi pas fundit të udhëtimit, apo odiseja e dytë brenda vetes, është gjetje shumë e bukur e H. Meçajt. Kjo e fundit ngjiz groteskun përmes së pathënës në vargje që na krijojnë iluzionin, se janë duke na kumtuar gjithçka, ashtu drejt e drejt. E pathëna është drama e njeriut modern përballë tjetërsimit, apo e çdo qenieje që ndihet e huaj në koordinatat e veta, e panjohur në vise të njohura, e vetmuar në një qytet që është dhe nuk është i veti.

Meçaj shpik një kujtesë jo vetëm për gjërat që tjetërsohen për të shkuar drejt tëhuajzimit në rrafsh identitar, por edhe për çdo lloj tjetërsimi që ndodh para nesh prej zanafillës së botës. Një nga ngjarjet më tragjike në jetën e një njeriu është humbja e të dashurve. Humbja e Anës, vdekja fizike e saj, hapësira bosh që le në krahët e dashurisë, vendi bosh i dashurisë, mungesa sa një dhomë e dashurisë së jetës, ia tjetërson botën poetit. Ndaj ai shpik një kujtesë ku humbja nuk zë vend, ku dashuria nuk vdes, ku e tija Rinë ftujëza e shpirtit nuk është e zbehtë si limoni, nuk i ka flokët të përzier me dheun e vdekjes. Shpik një kujtesë që të mos tjetërsohet humbja, që vdekja të mos jetë vdekje, që tragjedia të mos jetë tragjedi. Kërkon të ringjallë atë që dikur ish, kërkon të jetojë si atëherë, po në një tjetër qiell. Duke u kapur me forcë pas jetës, duke përtërirë shpirtin e tij, duke mos e lënë të tjetërsohet nga pikëllima. Dhe kështu nisin e jetojnë brenda shpirtit të unit lirik gjithë ato ngjarje që në kujtesën reale nuk janë më dhe nuk do të jenë dot më asnjëherë. Por në kujtesën e shpikur, në vendin plot dritë e qiell, dashuria, Ana, vazhdon të jetojë, për sa kohë jeton dhe ai, heroi i saj i dashurisë, mohuesi i vdekjes e tjetërsimit.

Përmasa e tretë e së patjetërsueshmes është ajo vetë si e tillë vetëm përballë vetes. Po një e patjetërsueshme krejt e kundërt me dy të tjerat e lartpërmendura. Tashmë ajo vjen si e kundërta e tjetërsimit, e gjërave që uni lirik do t’i kujtojë pa humbje drite. E patjetësueshmja bëhet fundi i pashmangshëm i një procesi ku gjithçka është tjetërsuar në mënyrë absolutisht të pakthyeshme. Është tjetërsuar e mira, e dëlira, engjëllorja dhe mohimi është bërë truall ekzistencial i patjetërsueshëm. Uni lirik madje as nuk mundet të shpikë një kujtesë për gjendjen fillestare para tjetërsimit të pandalshëm, sepse asnjë kujtesë e shpikur nuk e përmban dot një kujtim kaq absurd, kaq të pakuptueshëm, kaq të parrokshëm nga logjika njerëzore. Këtë lloj përmase e ngjiz poezia “Te Kristua dhe te Vangjeli”. Grotesku i ngjizur nga absurdi surreal e mpak kufirin e pamjes. Nuk kemi më njerëz me pamje, kemi vetëm pamje me shumë njerëz. Të gjithë të vetmuar, të gjithë të braktisur nga të gjithë, të gjithë të vetëvrarë nga vetja dhe nga tjetri përtej vetes. Në këto troje ekzistence, kujtesa më mirë duhet fshirë. Poezia është akuzë e hapur ndaj tkurrjes së shpirtit, padijes që me kast na serviret si dije dhe njëkohësisht një nga portretizimet më të goditura që një poet shqiptar u bën dramave të pashmangshme të shoqërive të emancipuara, në dukje të patëmeta, por me plot tragjedi të vogla përbrenda, ku shpërfillja e secilës prej tyre ngjiz tragjedinë e madhe: tragjedinë kolektive të njeriut modern të çdo populli dhe të çdo atdheu.

“Vangjeli shet armë. Kristua ilaçe/ dyqanet përbri/ (Irakliu i përshëndet çdo mëngjes “mirëmëngjes”/ dhe çdo mbrëmje “mirëmbrëma”/ Vesh gjithnjë kostum gri.)”

………………………………………………

“Veç tutje në lëndinë/ Irakliu ka zhveshur kostumin gri/ ka veshur një cohë të trashë bari/ ka vënë në kokë një kapele guri/ ka shkruar në gur emrin e tij.”

Me një krijimtari mbi gjysmëshekullore, Hiqmet Meçaj, nga poetët më të mirë të letërsisë shqipe, ofron një larmi temash dhe motivesh. Nëse në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, ai erdhi në letrat shqipe si rioshi që u këndonte agavive të vendlindjes, nëpër dhjetëvjeçarë vargu iu sofistikua dhe krijimtaria elitare në poezi e prozë, e rendit sot si njërin prej autorëve tanë më modern. Ndaj me plot gojën urojmë që vepra e plotë të mbërrijë sa më shpejt në duart e lexuesit të gjerë. Sepse, së pari, nderi i bëhet letërsisë, pastaj Hiqmet Meçajt.

Exit mobile version