Kreu Letërsi Bibliotekë “Mungesë”, poezi nga Jonida Hitoveizi

“Mungesë”, poezi nga Jonida Hitoveizi

Më gënjejnë dhe unë duhet të jem gënjeshtër (Borges)

Janë zinxhirë,
zinxhirë që ruajnë gjithë ndryshkun e krijimit
oksidimin e prej kur koha nisi,
Zinxhirë mbi rërë të të gjitha gjurmëve, dëshmi prej udhëtimit tonë
Zinxhirë me të cilët tentojmë të mbërthejmë vetveten parreshtur,
të kemi një hije bashkëudhëtare në karvanin tonë të mundimshëm
Nuk do ta mësoj kurrë prej ç’kohe vij
ç’krijesë mutante, ç’yll është shuar në mua?
Pesha e zinxhirëve që s’i shoh kurrë, përsërit vetveten,
si një vegim prej të cilit nuk e shpëton dot kurrë ëndrrën tënde
Nata e padijes bëhet shtjellë yjore,
aty ku të vërtetën askush nuk e nxjerr dot
Askush nuk e gënjen dot një gënjeshtër
Krishti ishte rruga ku të gjithë kryqëzuam vetveten
Do të na vrasë e paditura mik, zinxhirët e kohës do të na vrasin
Si të gjitha gjurmët para nesh!


Një vjeshtë

Një vjeshtë e beftë do të na gjej
krejt të zhveshur prej malli a dashurie
do të më mblidhesh i gjithi si një hënë dhjetori
që pret dimrin në kraharor
fryma ime,
një piskamë krejt e kotë për t’u dëgjuar kund,
veçse për t’u mbytur thellë, në hapësirën mes barkut tim!


Mungesë

Teh drite në ag shprese
Më duaj edhe pak
nëpër dritë s’na gjen dot muzgu i jetës!

Exit mobile version