Më 4 mars 2022 u nda nga ne Abdultatif Arnauti, shkrimtari dhe përkthyesi shembullor, i cili promovoi letërsinë shqipe në gjuhën arabe për më se 70 vjet. Viteve të fundit, përveç halleve të moshës ai, sikurse shumica e banorëve në Damask, jetoi në izolim për shkak të luftës 10 vjeçare që kishte pasoja të rënda për shqiptarët e Sirisë. Kolonia shqiptare në Siri, e formuar para një shekulli, e kishte përfaqësues të vetin Abdulatif Arnautin, i cili tani ishte në mosën 91 vjeçare, pra gati sa mosha e kolonisë shqiptare atje.
Abdulatif Arnauti lind në Damask, në një familje të shpërmgulur nga Dobërlluka e Vushtrisë si pasojë e Luftës ballkanike, e përcjellë me shumë masakra në Kosovë kundër civilëve shqiptarë. Për në Damask u nis gjyshi Hasan me tre djemtë (Huseini, Abdurruahmani dhe Islami), dhe gjetën strehim në Lagjen e arnautëve, në veri të Damaskut. Husein kishte interesim për arsim. Por, atë që nuk arriti ta gëzonte për vete, u përpoq t’ua jepte deri në fund fëmijëve. Në këto rrethana u lindën dhe u formuan tre emra, që të bëheshin të njohur në Siri e jashtë saj: Abdulatifi, Abdulkadri dhe Ajshja Arnauti.
Abdulatif Arnauti ishte i pari prej djemve të muhagjerëve që kreu shkollën e mesme dhe Normalen, duke punuar pastaj si arsimtar dhe drejtor shkolle, kurse më vonë kaloi në Ministrinë e Arsimit si sekretar i revistës al-Mu’allim al-Arabi (Mësuesi arab), të cilen e hapi për shkrime dhe përkthime nga letërsia shqipe. Rrënjët e shqipes së vjetër ai i zuri në familje, por e freskoi gjuhën me ardhjen në Damask të opozitës antikoministe nga Kosova e Shqipëria gjatë viteve 1946-1948, me poltikanë, intektualë e ushtarakë (Xhafer Deva, Adem Dushi, Mul Bajraktari, Xhelal Bushati, Ismail Gorani e të tjerë ).
Krahas punës si mësues e më vonë në Ministrinë e Arësimit, A. Arnauti filloi herët të interesohet për prezentimin e letërsisë shqipe në gjuhën arabe në sajë të literaturës së re që arriti në Damask me opozitën antikomuniste. Kështu, në moshën 20 vjeçare e përktheu vjershën“Jetimi” të Ndre Mjedës, dhe e botoi në revistën siriane al-Janbu’ më 2.7.1951. Një vit më vonë përktheu dhe botoi vjershën “Ngushllim” të Vehbi Ronës etj. Me këtë mund të thuhet se A. Arnauti është përkthyes i parë i letërsisë shqipe në Siri, kurse i dyti në nivel të botës arabe pas Vehbi Ismaili(1919-2008).
Abdulatif Arnauti u bë shumë aktiv në vitet ‘60 të shek. XX në dy drejtime të ndërsjella: krijimi i poezisë së vet në gjuhën arabe me motive shqiptare dhe prezantimi i letërsisë shqiptare në gjuhën arabe, dukë përfshirë jo vetëm autorë të Rilindjes Kombëtare, por edhe të pas Luftës II botërore si nga Kosova dhe nga Shqipëria.
Në këtë drejtim ndikuan dy elemente që dhanë frytë më shumë në vitet ‘70 të shek. XX: vizitat e para në Kosovë (në Seminarin Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare) dhe në Shqipëri, përkatësisht takimet me shkrimtarët shqiptarë dhe këthimi në Damask me literaturë më të re të botuar në Prishtinë e Tiranë, si dhe puna e re si redaktor në revistën tremujore al-Mu’alim al-Arabi që e nxirrte Ministria e Arësimit. Tani me literaturë të re dhe me hapsirë për kuturë në revistën e përmendur A. Arnauti u afirmua më shumë si përkthyes i letërsisë shqiptare në botën arabe.
Në këtë periudhë letërsia shqipe e Kosovës gjeti rrugën e vet për lexuesin arab në sajë të punës së A. Arnautit. Në vitin 1971 ai përktheu dhe botoi dy vjersha të Jakup Cerajes dhe një tregim të Ramiz Kelmendit, më 1972 një prozë të Din Mehmetit, kurse më 1973 disa vjersha të Latif Berishës.
Viti 1974 shënon një zgjerim me rëndësi në angazhimin e Abdulatif Arnautit me paraqitjen e letërsisë bashkohore të krijuar në Shqipëri. Kështu, ai përktheu dhe e botoi në atë vit poemën e Ismail Kadaresë “Ditari i gjeneratës” si dhe poemën “Baballarët” e Dritëro Agollit. Më vonë edhe vjersha të Fatos Arapit.
Megjithatë, mund të thuhet lirisht se vitet ‘80 arrihet një kulm me përkthimin e katër romaneve të dy shkrimtarëve më të njohur të Shqipërisë në atë kohë. Më 1981 doli “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, më 1985 “Dasma,” më 1986 “Kështjella” të Ismail Kadaresë. Kurse më 1985 “Njeriu me top” i Drirëro Agollit. Ato vite përkuar me interesimin e madh për Kadarenë në botën arabe. Kështu që pas përkthimeve të A. Aranutit, u përkthyen dhe u botua disa romane tjera të Kadaresë prej frëngjishtes e anglishtes.
Ndërkohë, A. Arnauti nuk ishte vetëm përkthyes e promovues i palodhur i letërsisë shqipe në arabisht, por edhe figurë e njohur e kolonisë shqiptare në Damask me derë të hapur për shkrimtarët e gazetarët që shkonin gjatë dekadave të kaluara në Damask ose kaluan Damaskun në rrugë për Beirut e Amman etj. Si i tilë, A. Arnuati do të mbetet gjithënjë në kujtesë si mikpritës i mysafirëve nga bota shqiptare dhe promovues i kulturës shqiptare në botën arabe. Mund të thuhet lirisht se më shumë se 50 shkrimtarë të Kosovës dhe të Shqipërisë gjetën rrugën për atë rajon falë punës 70 vjeçare të A. Arnautit.
Për këto merita ishpresidenti i Shqipërisë Bujar Nishani e nderoi Abdulatif Arnautin me shtetësinë shqiptare në një periudhë që përkonte me kulmin e luftës në Siri dhe ai kishte nevojë të madhe për të udhëtuar. Ai u nderua po ashtu nga qeveria shqiptare në vitin 2012 duke u ftuar në festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Abdulatif Arnauti do të mbetet gjallë si sinonim i kolonisë shqiptare në Siri dhe si promovuesi më i madh i letërsisë shqiptare në botën arabe.