Kreu Letërsi Bibliotekë Pesë poezi për Ukrainën nga Shqiptar Oseku

Pesë poezi për Ukrainën nga Shqiptar Oseku

ky ari ka vrarë më parë

mund ta kuptosh nga mënyra si sillet
se ky ari ka vrarë edhe më parë
pjellë të veten
në emër të dashurisë
ka putra të rënda të prindit brutal
që dashuri s’njeh
e kërkon respekt
qenie turiegër nga guva historie
të merr në grykë në përqafim mortor
pa t’i thyer eshtrat
s’të lëshon
pa ta marrë frymën
s’të lëshon
kurrë


fushë beteje

si materniteti
si parashkollorja
si kopshti
si bashkia
si zyra
si kisha
si spitali
si oborri
si familja
si shtëpia e fshatit
si kati i nëntë


zi

pikëllimi është kjo familje
që ecën heshtur në rresht për një
drejt kufirit të ndarjes


ti mbijeton

duke nisur lista fjalësh të ndaluara
si avionë letrash
për t’i ulur diku ndër poezi

midis ciflash të ftohta të dimrit
një butësi në vendbanimet tua
që parathotë pranverë


ukraina ime

(palimpsest me fjalë nga
Volodymyr Zelenski)

1.
Të gjithë po mendoni se jeni larg
Jo, jeni në një trevë lirie

2.
E kur pragu i lirisë dhunohet e shkelet
Duhet të na mbroni
Se ne po shkojmë të parët
Por ju jeni të dytët
Se bisha sa më shumë të hajë
Uritet aq më shumë
e më shumë
e më shumë

3.
Unë jam këtu
Është e imja S’e lëshoj
Qyteti im
Bashkësia ime
Ukraina ime

Exit mobile version