Kreu Letërsi Bibliotekë “Motrës në karrocë”, poezi nga Arbër Selmani

“Motrës në karrocë”, poezi nga Arbër Selmani

Kuptohet,

Një ditë do të ecim të dy së bashku

Kur këmbët tua të mos jenë hekur.

                          Në mes të një autostrade, në pikun e të nxehtit

                          Do të pijmë ujin e një bjeshke

                          Autobusëve do t`u buzëqeshim si dy të marrë.  

Në mes plantacionesh, ndoshta dorë për dore

Do të vallëzojmë mbi kokra rrushi

Me shputat tona që na butësohen mbi ajvar.

                          Ti ende mbetesh në një karrocë,

                          Për botën, e gjymtuar

                          Për mua, për jetën time, një motër e munguar.

Do ta blejmë bashkë biletën për kinema

Nuk do të shkojmë, do të vazhdojmë ditën duke numëruar qenushet rrugëve

Si qenushet e lagjes që ta lëpijnë gojën çdo mesditë.

                          Kuptohet,

                          Një ditë do ta ngasësh ti veturën,

                          Kur duart tua të mos lëvizin kaq dridhshëm prej temperaturës.

Në mes të detit, të përcëlluar prej Zotit

Do të notojmë, ndoshta krah për krah

Trupin tënd do ta lëmë të cicërojë si zog mëngjesi.

              Ti ende mbetesh në një karrocë,

              Që peshon mbi mua dhimbje, padrejtësi, rëndesë,

              Për mua që harxhohem, që s’pranoj, që kam shpresë.

Do të çlirohet trupi yt, e do të marrim dy biçikleta

Do t’i futemi shtegut më të gjelbër

Do t’ua shprehim drunjve e dheut dashurinë pa kushte.

              Ti ende mbetesh në një karrocë,

              Për librin e mrekullive, e harruar

              Për një vëlla zemërthyer si unë, e munguar.

Kuptohet,

Një ditë do të bëjmë gjithçka që bën një vëlla e një motër,

Do të paguajmë për dekorimet që nuk na duhen

Do ta lëndojmë njëri tjetrin

Do t’i urrejmë dasmat

Qysh tash e dëgjoj ankesën tënde për pizhamat që t`i vodha

Do të ketë lot mungese

Do t’a pëlqejmë të njëjtin qytet

Do të ngushëllohemi për dashuritë që vdesin pa lindur

Do të pijmë një kafe mëngjesi buzë liqenit

Do të skijojmë bashkë, do të ngjitemi në maje mali.

              Ti ende mbetesh në një karrocë

              Në një objekt që të mban në jetë, që sheh para teje

              Ta përplasë një shuplakë që unë kurrë nuk doja ti ta ndjeje.

Kuptohet,

Do ta njohësh edhe ti botën, një ditë, e di

Do ta njohësh Iranin, Japoninë, gëzimin, plotninë.

Do të ecësh pa mua, pa të mbajtur, pa të shtyrë nga prapa,

Këmbët tua do të bëjnë vetë hapa,

Pa inatet e mia, pa mërzitë e mia, pa kilogramët e mi të psikozës

Se unë peshoj më rëndë se ti, unë peshoj vetmi, unë peshoj një motër gri

E ti peshon shumë forcë e fuqi, në karrocën kaltër e zi.

Exit mobile version