Kreu Letërsi Bibliotekë Katër tregime nga Esmeralda Shpata

Katër tregime nga Esmeralda Shpata

GËRSHËRËZA

Gërshërëza nxori kokën e saj të vogël nga shega ku ishte futur dhe rrëshqiti duke tundur trupin mbi dysheme.  Nuk e di sa milimetra i zgjaste shikimi, por sapo hipte mbi dicka të lartë bënte një rrotullim njëqind e tetëdhjetë gradë dhe ndryshonte drejtim. Çuditem si u gjenda i përfshirë nga lëvizjet e saj të çoroditura. Më hutoi ajo gjallese myku e lagështire.

Për habinë time e pagëzova menjëherë  me emrin Lara. Ky emër më doli tak-fak nga mendja. Sikur kishte pritur të shfaqej sapo të më dilte para një gërshërëz. E  nxora nga ajo ditë që e pashë të shtrirë e të vdekur, të zverdhur e të rrethuar me një amzë dylli të sapo shkrirë.

Lara gërshërëz sikur i ndjeu sytë e mi mbi veten dhe i shpejtoi lëvizjet. Herë-herë rrokullisej nga nxitimi dhe i shihja një barkth pak të rrumbullakosur e me ngjyrë më të çelur se pjesa e sipërme e trupit të saj.  Nuk e mora vesh as vetë si u gjenda në gjunjë , i përfshirë i gjithi nga ato  lëvizje të trembura. I dhashë pak trupit dhe lashë t’i binte një fashë drite dyshemesë ku lëvizte si në skenë Lara. Për një çast më dukej e sëmurë dhe e lajthitur, sikur trupi i  kërkonte të çlirohej nga demonët dhe përplaste bishtin e ndarë në mënyrë të njejtë, në dy tehe gërshërësh, nga të cilat ka marrë dhe emrin. Herë tjetër më dukej sikur brenda i vlonte pezmi për llojin e gjallesës që i kishte rënë për pjesë të ishte. Drejtonte dy antenat që kishte majë asaj grimce që mund të quhej kokë dhe gjuante ajrin e rraskapitur, sepse ato  veprime të dëshpëruara as nuk mund të shquheshin.

Lara ma shtrëngonte dorën gjithmonë që ndiente se këmbët i bëheshin të ngurta, më shikonte në dritë të syrit dhe shquante brenda vështrimit tim.  Zvarritej mes retinës  duke rënkuar e me zor, aq sa në fund u dorëzua e shtrirë në një dërrasë, nga e cila  buisën një re gërshërëzash pothuajse të  gjitha njëlloj.

Më mbytën këto kujtime dhe iu vura pas me gishtin tregues  gërshërëzës. Goja m’u mbush me lëng dhe rrahjet e zemrës m’u shtuan. Më hipi gjaku në kokë dhe i rashë me grusht dyshemesë aq fort, saqë dërrasa lëvizi nga vendi dhe krijoi një të çarë të errët. Gërshërëza shpëtoi nga grushti im dhe rrëshqiti në errësirën mes dërrasave.  M’u ligështua aq shumë vështrimi, saqë rashë pa asnjë shpresë në dysheme.  U lëshova si një thes i zbrazur, gjerba lotet që më dilnin nga sytë dhe hundët dhe iu dorëzova dhimbjes. U ndjeva i humbur e i dërrmuar, që atëherë kur e humba për së dyti Larën e di mirë se ç’është pikëllimi.

Për shumë kohë nuk ua hodha sytë shegëve, sepse nga to më binin për pjesë gërshërëzat. Por edhe tani që kanë kaluar aq vite dhe kujtimet pothuajse më janë shuar, më hipën gjaku sapo shoh një gërshërëz. I qepem pas në çdo cep që futet, e shkel me këmbë ose e shtyp me gishta, aq sa bindem se kalbësia e saj nuk do ta qelbë më shumë botën. Për ta hequr nga çdo forme jete atë, e hedh në qypin e banjës, i urinoj sipër dhe e shkarkoj ujin disa herë rresht.


NJËRI NGA NE KA FRIKË

Kam gjetur një të dashur, zonjushë Anjën. Buzëqeshja e saj është si diell dhe më zotëron shqisat. Natyrisht,  nisur nga logjika, pamja ime e shqetësuar nuk mund ta shmangë dot dashurinë e  shfaqur hapur për të.

Është shumë e shkathët, humbet për ditë të tëra në botën e saj të fshehtë. E kërkoj gjithmonë, më është bërë shtysë. Ndonjëherë lodhem shumë ta gjej. Ka raste që dhe tërhiqem, veçse, kur e ndërmend ç’vajzë e gjendur është, e gjej forcën sërish.

E kam ende ne mendje herën  e pare që e ndoqa. Padashur, mendja më shkoi te sikleti që ndjeva kur u pamë në sy. Prania e saj më pengonte ta shihja më qartë, ula syte në tokë dhe një sëmbim në zemër gati më paralizoi.

Anja nuk më ka dashur ndonjëherë aq sa e dua unë. Këtë e ndiej, jo vetëm kaq, e ndiej dhe e di sepse e ndoqa një ditë kur doli nga puna.

Ajo ecte shkujdesur, unë i përvidhesha dhjetë metra pas me majë të gishtave.

Dyshimet e mia qenë kaq të forta, saqë kisha kohë që e planifikoja ta ndiqja. E ndoqa pra, pa e bërë fjalë me asnjeri tjetër.

M’u ftohën duart dhe ngriva në këmbë kur e pashë që trokiti në një derë të vjetër.

Trokiti tri herë dhe dera kërciti dhe e përthithi brenda. Më erdhi një mendim i ndyrë dhe volla.

Tani që e risjell në mendje atë rast e quaj veten me shumë fat që u ndjeva më mirë pas të vjellave. Instinkti im mashkullor i ra në të, e kuptoi menjëherë sesa e vështirë ishte lidhja me Anjën.

Nuk kam kujt t’i ankohem, mbase do të lehtësohesha disi në qoftë se do të kisha dikë t’i hapja zemrën.

Jam një burrë frikacak, e kam më të lehtë t’ia mbath gjetkë, nëpër përfytyrime, sesa t’i dal para dhe t’i flas çfarë ndiej së dashurës sime. Tani që e gjeta , mundem ta quaj kështu, e dashura ime. Më vonë do mundohem  t’i shoh gjërat më qartë, por mbase deri atëherë do ta quaj të dashur.

I hapa derën e shtëpisë, i janë ndryshkur menteshat dhe kërcet kur e hap. E kemi lënë me fjalë, pas tri trokitjeve ia hapim derën njëri-tjetrit. Megjithëse në lagjen tonë nuk ka shumë lëvizje, vetëm disa çifte të moshuara që mbyllen brenda herët, nga frika se mos dikush i përndjek për t’i vjedhur.

Një dyshim i sëmurë, ca spazma të tmerrshme ankthi ma morën frymën në mënyrën më të keqe kur e pashë Anjën  të tmerruar  nga prania ime në rrugë. Ashtu në hall siç isha ia vura duart mbi fytyrë, ia zura hundët dhe ia shtrëngova aq fort sa më nëpërmendën përpëlitjet e fundit të këmbëve të saj.

Anjën  e lëndova sepse e dua. Instinkti im  i panginjur nuk i përket më së ardhmes sime, unë këtë e di, ama ajo tani është e qetë. Nuk e ndjek më askush, ajo është bërë imja me të gjitha, pa asnjë përjashtim.  Sipas rastit, ajo nuk vjen në shtëpi për ditë të tëra. Ndërkaq unë jam përndjekësi  i saj i betuar, është e kotë të shtirem, më i lënduari në të gjithë këtë unë jam. Nuk e di si nuk u morëm vesh e na humbi filli fare, nuk patëm asnjë parandjenjë për t’u kapur e për të mos humbur shpresat. Në fakt shtëpinë e blemë të dy, do të ishte e tepërt të thosha se unë kam kontribuar më shumë për të.

Veçse për derën nuk u morëm vesh ta ndërronim, ajo ma besoi mua, unë ia pata me hile, plus që u druajta për  jehonën e tri të trokiturave.


TË KAM, TË GJETA

U mor vesh se e gjetën mënyrën për të të ngarkuar rëndë. Në mes të rrugës, aty ku ndahen drejtimet për nga do të mbash  për gjithë jetën,  kalon një mace pak më pak e zezë se e zeza.  Dielli të bie mbi kokë, djersët përzihen me pluhur, por ty aq të bën. Megjithëse është vapë e tmerrshme ti nuk rri në një vend dhe as me mendje nuk e kërkon një hije apo pak ujë për t’u freskuar.

Më vjen keq djalosh, pak më tej është një bordurë ku mund  të mbështetesh e të shpëtosh sado pak nga pesha mbi supe. Para teje është një hije e sajuar nga kalimtarë të lodhur nga vapa, para teje ka mundësi plot për ta lehtësuar ngarkesën mbi shpinë, por ky  duket sikur nuk është  halli yt. Nëse do ma besoje mua peshën e madhe mbi kokë unë do të ndihmoja, do të kërkoja të gjitha mundësitë për të shpëtuar ty. Dhe mos mendo se njerëzit nuk kanë shpikur e sajuar rrugë të dukshme e shtigje të fshehta për ta shpëtuar veten dhe rrethin e tyre të ngushtë. Nuk kam ç’të të them më, ti i di të gjitha. Klithmat e mia të inatit nuk e shpëtojnë dot dëshirën tënde të lëndët, as duke e kapërdirë masën e madhe të neverisë që ndien për mua e shqetësimin tim të vërtetë, as për historinë time njerëzore, atë që e ngjiza me kujdes për të mbijetuar.

Ti nga mesi i rrugës, aty ku takohen të gjitha shpikjet e botës mban në supe dhe kundron i ngazëllyer  të vërtetën time, atë që mua më shëmbëllen me një mace apokaliptike.  Nga ana tjetër të dhimbsem e kërkon të më shpëtosh. Rruga nuk është më as me pluhur, as me diell e mace, as me bordura e të vërteta që fshihen dhe veshin thelbet me shkëlqim të rremë.

Rruga që më shtrove është një kthinë, një rreng a lojë që e kanë shpikur të tjerë para nesh për një arsye të vetme, të dridhshme e mbase të rëndomtë për ta munduar aq shumë veten.

Përunjem para teje o miku im i vjetër, për ta lehtësuar këtë peshë të jetës, për t’u ndier i lirë me mua jashtë rregullave tona duke i shtrirë duart me përgjërimë natyrore.

M’i zgjat krahët të mbështetem e të vdes mbi gjoksin tënd e për herë të parë ta gjej mënyrën për ta hequr peshën e mirësjelljes.

Paturpësisht të dua!


Tablo e hapur

Në mes te njerëzve  ia mban së qarës, një ligjërate të vjetër, nga ato që të krijojnë  një trazim të ligë në stomak.

Lypset ta themi se dikush, një burrë i gjatë, me xhaketë të re e supe të rëna, i afrohet dhe po i thotë  me zë të lartë:

“Pusho!”

Një pushim i shkurtër…  Por një tjetër, dikush nga turma, me supe të rëna dhe ky, merret me rastin dhe po e tërheq me takt ndërprerësin e dialektikës së brishtë.

Lajmëtari i rrugës dredh zërin dhe i duket  me vend ta përgëzojë  me vështrim të riun, atë që po ndihmon  të mos e ndërpresë vajin.

Çështja merr hov dhe e qara e e të urtit, shtrin kujen në shesh, aq sa valët e saj përmbytin rrugët  me një frikë të madhe  e të pacipë.

Po kush e njeh   në këtë çast  atë që flet?!

Atë nuk e njeh askush, as zërin e tij.

E sigurt është   se në vjeshtën e tretë, ku  vagullt  del dielli, një zë i pagdhendur tendos kordat dhe del në shesh e  inspekton njerëzit. E keqja dhe e liga do  këngë dhe nota.

Kështu, që të mos lindin keqkuptime të tjera, njerëzit përreth dëgjojnë  dhe  dënesin njëherazi  thagmën e tyre të vjetër.

Ka të ngjarë, që mes zërave ka  ndonjë rastësi , regëtin ndonjë frymë e dëlirë që krijon  portret zëri me dromca fati të mbarë.

Aty në kapërcyell të zverkut, ku lëshohen mornicat e ftohta  ngjizet një zë,  ndërplekset me këngën dhe buçet  sa shemben skutat.  Gjërat e liga e të këqija renditen. Nuk bishtnon asnjëra prej tyre, për  të bindur veten më shumë se s’ka fund. Asgjë nuk ka lidhje të ngushtë me epërsinë, ajo është  një shtjellë e ndritshme entuziazmi që ta ha kokën.

Në këtë jetë i lumtë atij që di të qajë e të krijojë një respekt të sikletshëm te ngushëlluesit e rastit.

Rehatohet e qan  i qetë  në një fron të thurur me shqopë të njomë.  Qan  në vetmi, larg syve, qan për fatin e tij të shkruar.

Exit mobile version