Me kohë më është përforcuar bindja se një lexues i mirë është për tekstin letrar pothuaj aq i rëndësishëm dhe i domosdoshëm sa edhe autori. Autori e nxjerr tekstin në dritë në një formë të dukshme, të përcaktuar, të fiksuar e zeza mbi të bardhë, por gjithnjë të paplotë. Ndërkohë që një lexues i mirë, përmes aktit të leximit, nuk mjaftohet vetëm me kënaqësinë që i jep leximi, por vijon më tej. Një lexues, që duket se e merr stafetën nga duart e autorit, mëton të njohë punishten e autorit, të prekë zejen e tij, të njohë vegloret e endjes së atyre realiteteve të tekstit që aq shumë i ngjajnë realitetit “objektiv”, por që s’janë ai realitet, janë shumë më tepër; shpesh ai kërkon të rrokë kuptimisht fillesën, idenë zanafillore, ëndrrën, ndjesinë, aromën ngjizëse të lëndës parake dhe thelbësore të realiteteve të tekstit, duke synuar që të mbushë hapësirat e zbrazëta. Falë kësaj prirjeje të lexuesit të mirë, teksti përfton një jetë tjetër nga ajo që pati brenda ndërgjegjes dhe vetëdijes së kufizuar të autorit, duke u pasuruar sipas një larushie formash dhe kohësh. Pikërisht ky lloj lexuesi është ai që kish ndër mend Borges-i kur shprehej se çdo lexim i thellë është një rishkrim i tekstit; pikërisht ky lexues është ai që kishte ndër mend Walter Benjamin-i kur shprehej se lexuesi është mbartësi dhe përçuesi i dialektikës së tekstit, i jetës së tij të mëpasshme, jashtë punishtes dhe ndërgjegjes së autorit. Pikërisht një lexues i tillë është “audienca” që çdo shkrimtar ëndërron dhe synon që t’i drejtohet dhe t’i besohet. Krahas një akti krijimtarie, teksti është një akt i qashtër besimi.
Shumëkush beson se realitetet e tekstit janë kryekëput trillime, thjesht lëndë e imagjinatës së autorit, teknika të alkimisë së tij fantazuese, arsye për të cilën nuk dhurojnë njohje, veç emocion, një argëtim apo kënaqësi “të kulturuar” a “kulturore”. Të vetmet përjashtime nga kjo bindje – shpesh mbisunduese – janë autori dhe lexuesi i mirë, për të cilët teksti letrar dhuron edhe njohje, porse përmes një procesi të tjetërllojtë. Ndryshe nga tekstet shkencore, teksti letrar dhuron dhe e përcjell njohjen përmes shfrytëzimit të kënaqësisë që krijojnë mjetet estetike dhe stilistike.
Në emër të kësaj njohjeje, jo pak herë jam shprehur se në veprën time nuk ka trillim të pastër. Rrëfimet në librat e mi janë përjetimet e mia apo të të tjerëve; madje, edhe kur ka elemente fantastike, ato nuk janë të shpikura thjesht nga imagjinata ime: janë elemente fantastike që lindin nga realitete paralele përkundër realitetit që perceptojmë me anë të shqisave dhe që e shfaqin ekzistencën e tyre nëpërmjet sinjaleve dhe shenjave të herëpashershme.
Sa për fillesën e një rrëfimi, ajo është në të vërtetë thelbi i procesit krijues dhe njëkohësisht, është edhe misteri që bart krijimi: çasti i lindjes së kësaj fillese është thuajse i pakapshëm, i paidentifikueshëm… Në themel të ngrehinës së rrëfimit të E kuqja e demave qëndrojnë disa përjetime, kujtime fëmijërie dhe ndjesi të lindura prej tyre, por edhe njohje, ide: është kujtimi i një ikone sa një libër i mbyllur, fshehur në fundin e baules së gjyshes sime, viteve të fëmijërisë; pamja e kuqëlimit të hatashëm, drithërues e verbues, të gjakut të demave në një arenë të Soria-s në Spanjë; Kastroja e Beratit me Muzeun e Onufrit; imazhi i vetë vdekjes si një grua e bukur, e ngjashme me një perëndi dashurie dhe përjetimi i pushtimit të trupit prej saj. Nga të gjitha këto lindën në punishten e krijimit dy universet e mia, të cilat duhet të ushqeheshin, që të mund të zhvilloheshin në libër një ditë: universi i ndeshjeve me dema dhe ai i ikonave.
Ndonëse ngjajnë sikur jetojnë të pavarur nga njëri-tjetri, këto dy universe janë të lidhura fort nga një realitet i përbashkët gjaku. Nuk është një realitet gjaku çfarëdo, është gjaku i derdhur në fushëbetejë. Universi i korridave[1], arti i atij spektakli të magjishëm dhe llahtarisës njëkohësisht, doli të ishte shumë më i vështirë nga sa e kisha menduar për t’u njohur, për t’u pranuar dhe më vonë për t’u përshkruar; mësova të shkoja në korrida dhe ta mbaja shpirtin të lirë në lidhje me të, që të arrija realisht dhe pa asnjë paragjykim moral ta shijoja spektaklin. Më pas hyra gjer në detajet e shumëkoklavitura të tauromakisë, artit të korridës. Aty luhej realisht vdekja e dhunshme. Dhe vdekja, në shumëformat e saj, por sidomos ajo e dhunshme dhe sensuale, mbush pothuajse tërë hapësirën e rrëfimit të romanit. Por, që të mund të shkruaja për të, që të mund ta përshkruaja vdekjen qartësisht dhe pa mjegullina, lipsej që të shkoja në korrida dhe të mos i mbyllja sytë e ballit apo ata të mendjes. Njëlloj siç kisha marrë prej Hemingway-it udhëzimet për të hyrë në korrida me shpirt të lirë, po ashtu, sipas mësimeve të tij tek i njëjti libër, Vdekje në mbrëmje (Death in the Afternoon), më 1990, nisa njohjen e thellë të korridave në Pamplona të Spanjës gjatë kohës së sanfermines[2]-ve dhe nga korrida në korridë, më pas edhe në Tarazona dhe Madrid, arrita jo vetëm të mos i mbyllja sytë (as fizikisht dhe as mendërisht) përpara vdekjes së dhunshme, por edhe ia dola të largohesha prej tyre, vërtet me zemër të copëtuar dhe plot trishtim, por duke u ndier mirë. Pa e vështruar vdekjen e dhunshme në sy s’do të mund ta kisha parë kuqëlimin e hatashëm të gjakut në arenë, gjakut të demit dhe pa dyshim, s’do të kisha mundur ta përshkruaja: “…në tercio-n[3] e tretë, kur toreadori im nguli shpatën në zverk të demit, gjer në mill, një curril i fuqishëm gjaku shpërtheu shumë lart përmbi shpinën e demit dhe duke u përplasur me disa rreze dielli të fundditës, u përshkëndit si një kometë e përflakur. Nuk më kishin zënë sytë kurrë një kuqëlim të atillë, aq verbues dhe të fuqishëm, zjarrminë e të cilit e ndjeva përnjëherë të më rrëshqiste dejeve si një llavë e nxehtë; ishte njëlloj sikur shumë perëndime të përvëluara dielli të bëheshin bashkë dhe të të merrnin në gjirin e tyre…”
Sa për formën e vdekjes, gruan me mantilla[4] të zezë të qëmoçme mbi flokë, që më shërbeu si model për doña María Victoria-n, e pashë në një lozhë, po në arenën e Pamplona-s, në korrik të vitit 1990. Dukej si e ardhur nga një tjetër kohë, ishte shumë e hijshme dhe ngjante sikur e mbante të mbërthyer tërë arenën dhe korridën me anë të një pushteti që i buronte hem nga bukuria e saj dhe hem nga një mistikë e lashtë… “Kjo s’mund të jetë veçse vdekja”, – thashë asokohe vetë me vete. – “Vdekja e toreadorit që ka ardhur të vigjilojë… Dhe ndodhet këtu që në fillim të kohërave!”
Universi tjetër, ai i ikonës, është më i madh, më i gjerë dhe më i thellë; mbart realitete të dukshme dhe të padukshme, është si engjëll në jetën e njeriut, lidhet me lartimin e shpirtit të tij, puqjen me hyjnoren, shërben si shkollë vështrimi, rrezikon të zhduket në përleshjen mes ikonografëve[5] dhe ikonoklastëve[6] dhe pa dyshim, është shumë i vështirë për t’u njohur dhe për t’u kuptuar në thellësi – lipsej një rishtim sa erudit, aq edhe mistik: me leximet e mia të shumta dhe mbi të gjitha, me soditjen kohëgjatë dhe të ngulët të ikonës, arrita të gjallëroja me vështrimin tim energjinë kozmike që përmban ikona dhe të shihja gjëra që nuk i zbulohen rëndom syrit të njeriut. Kjo ishte feja ime. E kuqja e këtij universi është më e koklavitur dhe më dinamike në simbolikën e vet: është e kuqja e gjakut të Qengjit të Pashkës, e gjakut që mban larg vdekjen, e gjakut të Krishtit më pas, e gjakut që sfidoi vdekjen dhe së fundmi, çka shfaqej thelbësore për mua, në disa prej ikonave të Onufrit, siç ishte Paraqitja e Krishtit kërthi në Tempull, është e kuqja e profecisë, e zbulesës, e gatuar me gjak luftëtari të derdhur në betejë për liri…
Këto dy universe dhe realitetet e tyre ishin realiteti im viteve që u shkrua ky roman, tek i cili besoja si te një religjion; rrëfimi këtu, duke qenë një rrëfim i fshehtë dhe konfidencial, si një rrëfim zemre, bëhet në vetë të parë, duke e konsideruar lexuesin si mik të afërt, apo si priftin e rrëfyestores – në fund të fundit, çdolloj krijimi letrar është, në njëfarë mënyre, autobiografik.
Por le t’i kthehemi lexuesit dhe rolit të tij në gjallimin dhe jetën e tekstit letrar: nën vështrimin e tij (të ideve, opinioneve, perspektivave, fantazisë, besimit, gjendjes shpirtërore dhe humorit të tij) teksti merr shkëlqimin e shumëfaqëshit diamantin. Të shohim konkretisht disa çaste jete të tekstit të romanit E kuqja e demave.
Ndodhi që, rreth një muaj e gjysmë pas botimit të tij, një studiues shkencor i dha tekstit të romanit një ekzistencë që barabitej me vetë tekstet shkencore. Për ata që nuk e kanë lexuar romanin, ai trajton, veç të tjerash, enigmën dhe misterin pothuaj tragjik të “së kuqes së Onufrit”, ngjyrës së kuqe të ikonave të tij, e cila në fund zbulohet të jetë me përbërje gjaku njerëzor. Në suplementin letrar “Milosao” u botua një shkrim i studiuesit Stamati, që zbulonte, më në fund, “prej vërteti”, misterin e “së kuqes së Onufrit” dhe “hidhte poshtë”, me fakte të rrepta shkencore, “zbulimin” e romanit:
…është përdorur termi “e kuqja e Onufrit” për të dalluar të kuqen e tij të ndezur e të ndritshme, e famshme për një tonalitet brilant. A ishte teknologjik sekreti i bukurisë impresionuese? Sa do të çuditeni po të mësoni se e gjitha kjo ishte një truk, një ndjesi e ngjyrave, të koordinuara njëra me tjetrën, e që i jepnin forcën e së kuqes! Analizat e shumta, të bëra me aparatura nga më të sofistikuarat, treguan se e kuqja e Onufrit është nga pikëpamja kimike sulfuri i zhivës, i përdorur nga të gjithë piktorët europianë të asaj kohe. Asgjë e veçantë, pak e bardhë plumbi, në një pështjellim disi të bardhë piktoresk, që ndez të kuqen. Ja, pra, se çfarë është e kuqja e Onufrit. Kujdes ju piktorët e restaurimit, se është helm! Vetë pigmenti nuk do të pësonte gjë, por lidhësi, pra lënda që mban të bashkuar në tërësi pigmentin, është prej së bardhës së vezës, pra proteinike, që shkatërrohet nga përdorimi i disa pastruesve bazikë, të cilët duhen shmangur. Ja, pra, se si analizat, jo vetëm që ndriçuan një mister, por na treguan se si duhet të punojmë…
Një ditë pranvere të vitit 2010, rreth gjashtë muaj pas botimit, E kuqja e demave pati ekzistencën e murgjve të bardhë të Manastirit të Veruelës, “luftëtarët kundër harresës së ikonës” në roman; kur në Bibliotekën e Beratit, ku po zhvilloja një takim me lexuesit, njëri prej tyre më pyeti nëse ishte e vërtetë që murgjit e Spanjës ishin interesuar dhe kishin punuar për të deshifruar të kuqen e ikonave të Onufrit të tyre. Lexuesi e kishte besuar këtë, por pyeste për të sqaruar një dyshim të fundmë; edhe unë e pata besuar, përndryshe nuk mund ta kisha dhënë aq të vërtetë atë fakt. Fati i jetës së romanit paskëtaj varej nga përgjigjja ime, ndërkohë që gjithë hapësira e bibliotekës ishte mbushur nga prania e murgjve të bardhë: pohova me kokë.
Nuk guxoj të them se, në dijeninë time, E kuqja e demave ka pasur edhe një ekzistencë të vetë vdekjes; porse pohoj se, gjatë një interviste për një të përditshme, njëlloj sikur të isha protagoniste e atyre filmave dokumentarë me misteret e kësaj bote, një gazetare, pasi kish mësuar se unë dikur kisha kaluar një sëmundje të rëndë, më pyeti (sa për të thënë, sepse dukej e bindur) nëse vdekja më ishte shfaqur vërtet si një grua shumë e bukur, një lloj portretizimi i doña María Victoria-s së romanit tim. “A është e vërtetë, – më tha pastaj, – që ju e dashuroni vdekjen?” Më tej shtoi: “Këtë, sigurisht, nuk kam për ta shkruar në gazetë.”
Gjithsesi, një gjë është e sigurt: miqtë e mi, lexues të romanit në fjalë, u bë kohë tanimë që për vdekjen përdorin eufemizmin e këndshëm “Doña María Victoria”.
[1] Korrida – ndeshje me dema.
[2] Sanfermines – festat e Shën Fermit.
[3] Tercio (term korridash) – fazat e ndeshjes gjatë korridës.
[4] Mantilla (spanjisht) – vello e hollë tradicionale spanjolle që gratë e vendosin mbi flokë me anë të një krehri në raste festash fetare apo civile.
[5] Ikonograf – piktor ikonash, ose studiues i artit të ikonave.
[6] Ikonoklast – person që shkatërron ikonat, imazhet e shenjta.



