Dhurata Xoxa: Jeta ime me Jakovin (Kujtime), botoi Ndërmarrja Botuese “GJON BUZUKU”, Prishtinë 2025.
Kujtimet janë pjesë e jetës sonë. Shpesh mendojmë për momentet e bukura ashtu edhe për ato të trishtuara. Kujtimi është një proces i kujtesës, ku mbartim imazhe nga e kaluara e largët ose e afërt. Përmes tyre krijohet një lidhje midis fëmijërisë së hershme dhe pleqërisë së një personi. Kujtimet janë një kujtesë, kujtesa është gjurmë e një ngjarje ose përvoje apo e një kompleksi ngjarjesh dhe përvojash të së kaluarës, të ruajtura në vetëdije.
Libri me kujtime i Dhurata Xoxës i botuar para dy viteve, ngërthen në vete kujtime nga jeta e përbashkët e autores, Dhurata Xoxa, me shkrimtarin e shquar të letërsisë sonë, i cili ka lënë një veprimtari voluminoze si romanin “Lumi i vdekur”, “Juga e bardhë”, “Lulja e kripës” etj.
Ky libër me kujtime është shkruar në momente të vështira psikologjike e shpirtërore të Dhurata Xoxës, mbas vdekjes së bashkudhëtarit, Jakov Xoxës, në moshë relativisht të re.
Libri është i ndarë në tri pjesë: Pjesa e parë: Beogradi; Pjesa e dytë: Sofja; Pjesa tretë: Tirana, që përbëjnë një tërësi konceptuale.
Natasha Lako: Kujtimet janë thellës, do të thotë edhe befasi sublime
Shkrimtarja, Natasha Lako, duke i përmendur disa nga vlerat e këtij libri shkruan “Dhe vjen dita, që Dhurata Xoxa, nëpërmjet këtyre kujtimeve, që me leximin e parë të tyre, na bën të mendojmë se jemi të rrethuar çdo çast nga dimensionet e një jete të padukshme, që qëndron si vlerë dhe si pasuri njerëzore, gjithnjë gati e prodhuar si në qiell, ashtu edhe në tokë, si në dhimbje, edhe në hezitim, ashtu siç shfaqen në rrjedhën e jetës së përbashkët të Dhuratës dhe Jakovit”. Në vijim Natasha Lako thekson: “ Dhurata Xoxa më tepër se për të treguar një rrugëtim letrar, ka marrë përsipër të përshkruajë jetën e saj, për të lidhur së bashku enigmat e rrugëtimit të dyve të mëdhenj dhe të butë të shkrimtarit që në rrjedhën e viteve bëhen herë të zbrazët dhe herë të përmbushur, herë të mbushur vetëm me një pikë lot, e herë të dashur, ku lodron me fjalëzën “qysh”…
Shkrimtarja Dhurata Xoxa në këtë libër me kujtime përshkruan momente qysh nga njohja e saj me Jakovin, ditët e studimeve në Beograd e Bullgari, kryerjen e studimeve në afat të caktuar, jetën e tyre familjare dhe zotimin e tyre profesionale në Tiranë e deri në momentet e fundit të ndarjes së Jakovit nga jeta.
Njohja gjatë udhëtimit me traget nëpër dallgët e Adriatikut
Autorja në mënyrë mjeshtërore përshkruan qysh takimin e parë me Jakovin, në funddhjetorin e vitit 1947 në një anije mallrash, e cila, ngjitej në një ditë me mot të trazuar, nga Durrësi drejt ish-Jugosllavisë, përmes Adriatikut, për të çuar një grup studentësh shqiptarë nëpër Universitetet e vendeve ish-komuniste, menjëherë pas Luftës së dytë botërore. Rrugëtimi i tyre i shpinte për në Beograd për të studiuar në njërin nga fakultetet e këtij kryeqyteti të ish- Jugosllavisë.
Sipas autores së librit Jakovi (Xoxa) edhe ajo (Dhurata Tako), hipën në atë traget për të shkuar për studimet e larta, por secili, me një brengë; askush prej tyre (e ndoshta edhe të shumë të tjerësh, atë vit), nuk do fillonte universitetin në degën e dëshiruar e të kërkuar: Letërsinë! Në fakt Jakovit i kish dalë e drejta e studimit (dhe bursë) për drejtësi (!), ndërsa Dhuratës, për arkitekturë, një degë të cilën ajo e kish frikë dhe nuk e afroi kurrë tek vetja, për arsye që lexuesi, do t’i njohë kur të shfletojë librin dhe kujtimet e saj!
Jakovi dhe Dhurata i filluan studimet në vitin e parë dhe ta përfundonin në kohë rekord dhe me rezultate shumë të mira (viti i parë në Beograd, filloi në funddhjetori të vitit 1947, pra në përfundim të semestrit të parë), ndërkohë që atyre, përveçse mësimit të jugosllavishtes dhe leksioneve të semestrit të dytë, u duhej të përmbuhnin edhe leksionet e semestrit të parë, ndërkohë që studentët jugosllavë, në gjuhën e tyre amtare, i kishin filluar që më 1 shtator. Jakovi disi mbahej në degën e tij, ndërsa Dhurata e kish tepër të vështirë dhe ankohej dhe kishte shqetësime serioze, siç ndodhi në vitin e dytë (në Sofje), për pamundësinë e adaptimit të saj, për të vijuar në atë degë, e për t’u bërë arkitekte! Megjithatë, ata arritën të kryenin me sukses atë vit, bashkë me shumë shokë e shoqe të tyre, e që më pas i patën të tillë, për gjithë jetën.
Shkrimtarja i përshkruan me emocione momentet e asaj kohe, ndërsa studionin në Beograd, ditë e bukura, por edhe vështirësitë që i përcillnin gjatë studimeve, shëtitjet që i bënin nëpër disa vende të bukura dhe atraktive të Beogradit, bregut të lumit Danub, të lumit Sava, në vendin e quajtur dhe tepër joshës për ta vizituar në “Kalemegdan”, ku patën fatin dhe i ndërruan dhe unazat.
Kthimi në atdhe dhe vazhdimi i studimeve në Sofje të Bullgarisë
Kthimi i tyre atë vit në atdhe qëlloi jo i mbarë për arsye se ndërkohë marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë ishin ndërprerë (prill 1948), sa të gjithë studentëve që mbaruan atë vit, iu komunikua se nuk do vijonin studimet në Beograd. Siç u erdhi njoftimi atë verë, ata do t’i vijonin studimet në Sofje (Bullgari), në kohën kur Dhurata dhe Jakovi tashmë ishin të martuar!
Jakovi filloi vitin e dytë të studimeve në Sofje për letërsi e gjuhë frënge. Ndryshimin e degës, ai e kërkoi në Ministrinë e arsimit në Tiranë, po atë verë (1948), dhe ia arriti, por jo pa kokëçarje.
Dhuratës iu desh edhe një semestër tjetër torturë, e që, në fund të durimit, rreth përfundimit të semestrit të parë, ajo shkoi (pa e biseduar më parë me Jakovin) dhe takoi ambasadorin shqiptar ne Bullgari, i cili si njeri i mirë e dashamirës ndaj studentëve, e dëgjoi me kujdes ankesën e saj dhe kërkesën e prerë: ose të ndërronte degë (për letërsi), ose t’i ndërpriste studimet e do të kthehej në shtëpi!
Dhe ashtu u bë, d.m.th. ambasadori, me këmbënguljen e madhe dhe vendosmërinë e Dhuratës, arriti t’u imponohej autoriteteve bullgare të arsimit, që t’i jepej e drejtë studimi për letërsi e gjuhë ruse! Kjo nuk ish e tëra që dëshironte ajo, por ish më e mira, mjaft që të studionte letërsinë që adhuronte, ku së bashku me Jakovin mbaruan studimet për letërsi klasike e moderne frënge, ndërsa Dhurata për letërsi e gjuhë ruse.
Ndërsa Jakovi dhe Dhurata studionin në Sofje, u lindi një vajzë. Për fat të keq, nuk jetoi gjatë. Vdekja e vajzës së sapolindur u shkaktoi plagë të rëndë në jetë. Ishin momente shumë të vështirë për shuarjen e filizes tepër të njomë.
Pas disa kohësh, pasi Jakovi dhe Dhurata kishin kryer studimet, u kthyen në Tiranë.
Përshkrimi i jetës dhe i zotimeve profesionale të Jakovit dhe Dhuratës në atdhe
Vitet e para të punësimit në atdhe për të dy s’kanë qenë aspak të lehta! Vështirësitë ekonomike të vendit, të Shqipërisë, e rëndonin së tepërmi gjendjen dhe mbarëvajtjen e jetës, me gjithë energjitë e mëdha dhe vullnetin dhe këmbëngulësinë.
Jakovi filloi te punonte në Institutin e studimeve të gjuhësisë, i sapokrijuar, ndërsa Dhurata, siç e përmenda më sipër, me një ndërprerje disamujore të paslindjes, filloi si mësuese letërsie në shkollën e mesme pedagogjike, aty dhe ku kish qenë nxënëse e adhuruar.
Jakovi kish filluar si student të shkruante. Si student në Sofje botoi vëllimin e parë “Tregime e novela” (1948), i cili nuk u prit shumë mirë nga një pjesë e kritikë së kohës.
Në një artikull kritik, në fillim të vitit 1949 (kur ishin në Sofje), nga një kritik i njohur asokohe, gati-gati kërkonte rrëzimin e plotë të atij vëllimi dhe kjo e dëshpëroi kaq shumë Jakovin, saqë, gati sa s’e detyroi të braktiste krijimtarinë letrare!
Mirëpo, pas disa muajve nuk u pengua më,prandaj rifitoi edhe më me pasion krijimtarinë e lënë për një kohë të caktuar.
Të gjitha këto ngjarje dhe rrethana janë shkruar me mjaft çiltërsi e vërtetësi në këtë libër. Në ato momente të vështira, Dhurata dëshmoi se ishte një grua me përkushtim dhe kujdes të veçantë, ndaj jetës dhe krijimtarisë së Jakovit!
Pas disa vitesh, Jakovi filloi të shkonte në Apolloni, ku nxitet – frymëzohet të shkruante romanin e parë “Lumi i Vdekur”, po dhe vepra të tjera.
E vërteta që njihet gjatë qëndrimit të Jakovit në Apolloni, është e pjesshme! Ajo që ende nuk dihet, për vitet e para të kthimit nga Sofja, është se Jakovi nuk e gjeti veten e tij tek puna që bënte në Institut, ku ishte ekskluzivisht punë zyre, studimore, shkencore etj.
Në vitin 1955, Jakovin po kërkonte për një takim pune vetë ministri i arsimit i asaj kohe, i cili e priti shumë ngrohtë, me dashamirësi e kujdes, duke i propozuar gojarisht, se nga ajo ditë, ai mund të fillonte punë si pedagog, në Fakulteti histori-gjuhësi, i cili sapo ishte hapur.
Në fakt, Jakovi e pati të thjeshtë periudhat e transferimeve të përkohshme të tij në Apolloni, ku me të drejtë është thënë që pjesa dërrmuese e krijimtarisë së tij, u shkrua atje!
Është e vërtetë se romani i tretë (dhe i fundit që arriti ta shkruajë, “Lulja e Kripes”), u shkrua në Ballsh, ku ai kishte të rezervuar një dhome të thjeshtë tek ish-hoteli i beqareve, siç quhej, dhe ku ai shkroi dhe përfundoi (1975-1978), “Lulen e Kripës” dhe ndërkohë po shkruante dhe grumbullonte materialin, për romanin pasues “Ari zi”, i cili do të përshkruante hapësirën e punës dhe jetën e vështirë për nxjerrjen dhe përpunimit të naftës, një nga pasuritë e mëdha të Shqipërisë.
Veprat që tejjetojnë kohët
Edhe historia e grumbullimit të materialeve për “Lumin e vdekur” është paksa ndryshe nga ajo që njihet. Megjithatë, përpjekjet e tij u realizuan në vitet 1960-1961, kur ai nxori fragmentet e para të romanit “Lumi i vdekur” tek revista “Nëntori” (1961) dhe suksesit të menjëhershëm. Ndërkohë, lindur e rritur ne Sop (afër Pojanit, fshat në këmbët e Apollonisë), kur ai u kthye nga studimet dhe pak kohë më pas (1953-54), kur ai u rikthye në vendlindje me një mendim fiks, për të rimarrë kujtimet e tij mbi ndodhitë e përditshme të fshatarëve, si dhe ngjarjeve dhe historisë së asaj zone, e vërteta ishte se aty s’kishte mbetur më asgjë nga shtëpia tyre (e shitur), por as dhe të afërm të familjes Xoxa, ku ai mund të fuste kokën si fillim e të ulej të grumbullonte material shkrimi, që më pas ta gjente një mënyrë tjetër strehimi ku edhe do të punonte, siç dhe ndodhi. Vendi i parë i rikthimit, nuk qe aspak Apollonia, as Sopi, fshati i lindjes dhe i rritjes, por i tillë u bë një fshat disi më larg Sopit dhe Apollonisë, Pishporo, që zë vend të rëndësishëm tek “Lumi i vdekur”, fshat afër rrjedhjes së lumit Vjosa, rreth 15 km më larg nga Apollonia. Në atë shtëpi të thjeshtë myzeqare, filloi shtegtimin e parë krijimtaria e Jakovit, jo vetëm për “Lumin e vdekur”, por edhe për gjithë krijimtarinë e tij. Ajo shtëpi e thjeshtë, u bë si shtëpia e tij, ku ai mori pjesë në çdo gëzim e hidhërim të kësaj familjeje, që ditën që shkeli në të e deri sa vdiq!
Periudha 1960-1979, pasurohet dhe arrin kulmin e krijimtarisë së Jakovit, me tre romanet: “Lumi i vdekur”, “Juga e bardhë” dhe “Lulja e kripës”.
Pra, në rrëfimin e Dhuratës, mungojnë shumë nga ngjarjet e rëndësishme të krijimtarisë dhe jetës së Jakovit; sukseset e mëdha, por dhe kritikat dhe goditjet e forta, të cilat sigurisht që ndikuan në shumë anë tek ai. Në libër shpalosët e vërteta se Jakovi ka pasur armiq dhe në nivel personalitetesh të mëdhenj, por edhe të kategorive të tjera, servilë të kohës, të bashkëpunëtorëve të sigurimit, të komiteteve etj. .
Edhe dy pjesët e fundit të librit, shkrimi i Valentina Leskajt, me temën bosht: Si e kam njohur Dhurata Xoxën, e cili në esencë flet për njohjen e saj me autoren e këtij libri, Dhurata Xoxën, profilin e saj si një shkrimtare e shquar, por edhe me vlerat më kulmore njerëzore, që karakterizojnë virtytet e saj. `
Në këtë pjesë, edhe i biri i shkrimtarëve bashkudhëtarë të jetës, çiftit Dhurata dhe Jakov Xoxa, Agron Xoxa, për vlerat dhe shëmbëlltyrën e prindërve të tij flet me plot admirimin.
Libri, “Jeta ime me Jakovin” është një libër me vlera dhe me interes të madh. Ai ka rëndësi të pamohueshem, sepse janë treguar, me shumë sinqeritet e dashuri, episode të jetës personale të dhe bota e brendshme e këtyre dy personaliteteve të letërsisë dhe kulturës sonë.
Klinë, korrik 2025