Kreu Letërsi Bibliotekë Mark Simoni: Deti të zë në rrjetën e vet të mrekullisë

Mark Simoni: Deti të zë në rrjetën e vet të mrekullisë

Vëllimi “Deti, livadh i trillimit” të autorit Sotiraq Spirollari (Muzgu, 2024)

Megjithëse letërsia botërore ka një “det” të pafund faqesh me detra, histori lundërtarësh, subjektesh me udhëtime nëpër oqeanet e pafund, ngjarje tronditëse me luftë gjigandësh të detit, heronjësh misteriozë dhe piratësh të çuditshëm,kapitenësh dhe eksploratorësh, unë këtë libër që ju sapo e morët në dorë, (shkruar nga poeti i talentuar, i veçantë dhe interesant Sotiraq Spirollari), e kam shijuar shumë, e kam ndjerë tepër artin e tij të ndjesive, impresioneve, magjive, peisazheve të pasura.

Në studion time të leximit, në sfond, pata vënë Fadu, këngë melankolike fataliste portugeze, plot ndjenja kur je para detrash, këngë detarësh, marinarësh dhe peshkatarësh, me destinin e udhëtimeve të tyre të pa fund. Jonet e muzikës dhe vargjet e këtij libri e përfshinë atmosferën rreth meje, e përndritën me atë lloj vezullimi që kanë detrat mbi sipërfaqe, si luspa shkëlqyese.

Ky është një libër pa përmasë, pa cak, i thellë, fin dhe i pa anë, i ndritshëm dhe i errët, që më kujton thënien e Pier Paolo Pasolinit “Deti është metafora jonë e pafundsisë”. Një libër që luan uvërturën e ndjesive mbi gjeografinë e ujrave, gjithë lëvizje, dinamikë, energji, plastikë, imazh, dimension, mistikë, transhedencë dhe spiritualitet. Mendja e Autorit i bie kryq e tërthor dhe vallon në të gjitha përmasat ndjesore të detrave, thellësive të errta, grackave dhe bukurive magjepse. Frymëzimi dhe arti i të shkruarit të Sotiraq Spirollarit është po e njëjta kurbë që ndjek eksploratori më i guximshëm, fatlumi dhe i kujdesshmi, që e don detin si veten e vet, që është pjesë e tij përmbajtësore. Poeti Azem Shkreli thotë: “Deti është poezia e natyrës, e shkruar me ujë dhe erë”. I till është ky libër.

Të shkruash një kolanë të plotë, me rreth 100 poezi me të njëjtin argument për detin, patjetër që ekziston frika dhe gracka e mundshme e ndonjë përsëritje, mbivendosje, palimpsesti. Vetëdija dhe kontrolli i Autorit është krejt racionale, i saktë, i thuktë, gati gati matematik. Të gjithë këto tekste nuk kanë as më të voglin përngjasim, laksik të njëllojtë, imazh të përsëritur, temë të përafërt. Secila poezi është e veçantë, me përsonalitetin e vet, e ndryshme prej simotrave, e bukur si ajo vetë, tjetërsoji. Ndaj, e them pa mëdyshje, që ky libër, më shumë se sa një vëllim poetik për detin është një poemë magjike me 100 puntata, me refliktime të thella për ujrat e pa fund, për gjërësitë e pa mata, për egërsinë fantastike, për dritat dhe terret misterioze të detrave, për kënaqësitë dhe joshjet që të japin këto basene kaq dashuronjës.

Ja çfarë penelatash mrekullore ka hedhur në telajon e madhe të librit Autori: Përtej bregut, si oborr i vajtueshëm dukej deti; Dallgët, kope perëndishë të vogla; Rëra si një kukull dylli në zjarr; Historia e çdo peshkatari të çon te një shkrimtar; Guackat si gjethe të rëna nga degët e detit; Retë mbi det, që lajmërojnë meshën e agimeve detare; Deti një Zot që nuk mund të betohet; Deti, shtëpia e ujit; Lumenjtë, deti në udhëtim; Dhe deti të duket si rum piratësh.

Bashkëpatrioti pogradecar i Sotiraq Spirollarit është Lasgushi i Poradecit. E unë mendoj se pikërisht ai liqeni i atjeshëm i këtyre dy poetëve, ka qenë foshnjëria zanafillore e frymëzimit të poezive edhe të këtij libri, nukli i letërsisë poetike të Spirollarit, që pastaj ka marrë përmasat e detrave dhe oqeaneve, mbi të cilët kanë kaluar më vonë  udhëtimet e Autorit për të mbërritur Kanadanë. Pogradeci ka qenë Itaka ujore e këtij Autori, ndaj dhe ngado që të sillesh mbi sipërfaqet ujore të këtij libri, tej në horizont shquhet vërtetë një Itakë përsonale e tij. Dhe nuk ka emër më të shenjtë letërsia e udhëtimeve detare se sa emrin e ishullit të Itakës.

Lasgushi, patrioti i Spirollarit thotë: “Në breg të detit shoh një yll që dridhet, dhe zemra ime ndjenë një mall të pa shpjegueshëm.”. Ndërsa Spirollari shkruan: Ia laj këmbët detit, që toka të dalë nga hijet; Deti u bë atëherë kur Toka ra nga sytë e qiellit; Valët vijnë me durim dhe përtesë, nga një udhëtim i gjatë; Deti, feja më neutrale, ku mesha e çlodhjes planetare këndon psalmin e gëzimit; Pa det, toka ngjan si një kafaz; Deti më zgjon një oreks hyjnor; Një bolero e vetmisë më lyen plagët; Sikur deti të ishte shkrimtar, të shkruante romane; etj, etj.

Sotiraq Spirollari është në të njëjtën kohë, edhe Odiseu i famshëm i rrugëve të rrezikshme detare që kalon nëpër peripecitë dhe aventurat për ta mbërritur Itakën e tij, sa çështë po aq edhe mundimi i Penelopës që thur me durim, me dashuri dhe frymëzim në evlemendin krijues rrobën magjike të këtij libri të jashtëzakonshëm.

Vetëm një poet ekstravagant, rebel, që prish ligjësitë dhe format tradicionale, që guxon të dalë nga rregullat e letërsive drejtvizore, të impresionon pa masë. Kjo ndjesi të përfshin në librin e Spirollarit, këtij Poeti alternativ dhe eksperimentues. Ja disa detaje që shkruan ai: Nata mbështjell qilimat e saj nëpër qiell; Foshnja e braktisur e një ylli; Retë fryrë si lulelakër; Qershi e murrme; Ardhja e agimit më çliroi, si shampanja e liruar nga tapa; Deti përkulet në paterica; Fryma e qiellit si shajak i zi; Jeta, është përpjekje për  të mbajtur distancë nga vdekja; Si një Iliadë e mbushur me mirënjohje; Mendimet janë hijet e ndjenjave, që kërkojnë të bëhen zëra; Pushuesit të shtrirë në plazhe, si lugët mbi tavolinë; Ditët rrudhen si gjethet e duhanit; etj. etj.

Dimensioni hyjnor, me fjalor religjioz na sjell një shije leximi shpirtëror, nga kjo vepër. Ky libër, që është Poemë hymn e detit, ka dimensionin e saj mistik, ka ekuilibrin e aksit qiell tokë, ka providencën e shenjtë. Nëpër libër tingëllojnë detaje të këndshëm si melodi këmbanash, që bien meshave të të gjitha ditëve. Ja çfarë ka fjalori i shenjtë i këtij libri, si një bibël e vogël doracake: Nëse lutja do të kish një zë, deti do ish katedralja e heshtur, ku çdo erë e shtrëngatë këndon psalmet e kripura; Providenca e Zotit s’është e verbër, por plot sy e buzëqeshje të shenjtë; Kur Toka ra nga sytë e qiellit; Ti shtrat i perëndive të çmendura; Retë si këmbanat që njoftojnë meshën e agimeve detare; Homazhi i shpirtit me perënditë e saj të vogla; Mesha e çlodhjes planetare këndon psalmin e gëzimit; Shpirtra yjesh, mite të lashta; Si ankthe nga botë e mëkatit; Katedrale e kohrave; Të vjedhësh dritën e ta fshehësh në një lutje agimi; Si përbindësh që klith në kryq, etj.

Syri i Autorit vëzhgon mbi gjeografinë e ujrave herë si një sy zgalemi, biri i furtunave, duke na sjellë ne lexuesve energjinë dhe kreshpërinë e ashpër të detrave, dhe herë të tjera si syri i pulëbardhës ëndërrimtare me atë delikatesën dhe atmosferën fine e të përkorë që deti merr stinësh të buta. Sotiraq Spirollari është një detaist elegant, që dallon nuanca dhe detaje filigramash të çuditshme duke u ngritur me imagjinatë poetike, me kërkime të ndërlikuara, emocione të forta, udhëtime lartësish shpirtërore, që vetëm ai dhe detarët me eksperienca dhe aventura të shumta mundin t’i kapin e shquajnë. “Deti është diçka që lëviz gjithmonë, dhe që na mëson ne që kurrë të mos kemi paqe”- thotë Italo Calvino.

Dhe shpirti i trazuar i detit dhe i Autorit janë në po të njëjtën gjatësi vale, janë si lumenjtë komunikues të nëntokës. Ka aq det në qenien poetike të autorit, sa çka ujra në globin e madh të Tokës. Spirollari duket si misionar i perëndisë së detrave, që tregon deri në detaj magjitë e ujrave, aq sa më kujton John Steinbekun me thënien e tij “Deti një herë që përshpërinë mallkimin e tij, të zë në rrjetën e vet të mrekullisë.”

Biografia botërore e krijimit na mëson se disa nga veprat më të mëdha janë bërë prej autorësh të guximshëm, që e kanë hapur skenën e frymëzimit dhe kuintat e subjekteve në përmasa universale.

Vangelis me “Conquest of Paradise” (“Pushtimi i Parajsës”, kolona zanore e filmit madhështor me Gerard Depardieu), Homeri me udhtimin e pafund të Odiseut, Dantja me 13 rrathët  e Ferrit, Verdi me Aidën e Nabukon dhe udhëtimin biblik të çifutëve brigjeve të Nilit,  Akiro Kurusava me filmat e tij me skena masive, Kadareja ynë me subjekte nga Kanuni, udhëtimi i Kostandinit për besën, temat me perandorinë e madhe turke, etj. Madje ne duhet të na kujtohet se nuk ka betim më solemn, më të thellë dhe më tronditës tek malësorët tanë se sa “Për tokë e Qiell!”, (pikërisht i thellë dhe tronditës se luan me dy realitetet më të mëdha të njeriut).

Këto janë vepra volumesh dhe godinash të mëdha që shkruhen rrallë dhe me vullnet biblik dhe guxim, godina të cilat po nuk i ndërtove mirë bien, duke zënë të parin vetë autorin nën rrënojat e tyre.

Parë nga ky kontekst, sapo merr në dorë letërsinë e Sotiraq Spirollarit, menjëherë e dallon se ky autor e ka stofin e krijimeve të kësaj tendence, duke luajtur me skena voluminoze, (pa neglizhuar aspak detajet), dhe duke i dhënë lexuesit me mijra vargje për detin, tokën dhe diellin, tre volume të shkruara gati në mënyrë magjike. Dhe patjetër që me këtë frymëzim opusesh kaq të gjërë, e them pa frikë se ky Autor është modeli i pinjollit dinjitoz i kësaj tendence që përmenda më lart.

Udhëtimi i autorit nëpër detrat e frymëzimit nuk është as më pak dhe as më shumë, por një dëshirë dhe vokacion autentik me shumë energji, grintë dhe protagonizëm, të njëllojta këto pothuajse si udhëtimi i pafund i Herman Mellville, me ngjarjet e tij të mrekullueshme, duke kërkuar nëpër detra Moby-Dickun. Heroi i Mellvillit don që të gjejë Balenën e Bardhë, Spirollari don të gjejë dhe pikën e fundit të frymëzimit që i vjen nga botë e pafund detesh me një harmoni të përkryer. Dhe ashtu si Mellvill që shkroi më bukur se tërë eksploratorët dhe lundërtarët, po ashtu dhe Autori i librit tonë është më shumë se një kapiten, më tepër se një eksplorator, më lart se një udhëtarë detrash.

Sotiraq Spirollari, mund të quhet pa frikë, se është bash vetë Biri i Detit. Mbasi me këtë libër, ai i sjell lexuesit një nga sagat më të veçanta dhe autentike të shkruara ndonjëherë për detin.

Exit mobile version