Kreu Letërsi Shënime mbi libra Emin Azemi: Një libër që çliron dhe shpërndan fjalën e zënë peng...

Emin Azemi: Një libër që çliron dhe shpërndan fjalën e zënë peng nga robëria

Kur e lexon Gani Bytyçin, e ke para vetes një kronikan që artin e të shkruarit e bën përmes meditimit dhe rrëfimit. Në librin e tij “FLETËZA DHEMBJEJE“, të cilin lexuesi tashmë e ka në dorë, është përmbledhur një cikël fletëzash publicistike-letrare, të shkruara në një hark kohor mbi dy dekada. Ato, si të tilla e kanë ruajtur të plotë freskinë e ideve, por edhe koherencën dhe vijueshmërinë tematike e problemore.

Plagët e vendlindjes udhëtojnë bashkë me autorin

Gani Bytyçi është krijues nga Kosova, i ardhur në mërgim dhe ky fakt na bën të kuptojmë se ky autor nuk ka udhëtuar i vetëm. Bashkë me të, kanë udhëtuar edhe plagët e vendlindjes dhe personazhet e dramës që zhvillohej në atdheun e tij. Ato plagë ai do t’i trajtojë artistikisht edhe pas shkuarjes në ekzil. Ndaj, gjithë krijimtaria e Gani Bytyçit është e motivuar nga plagët e pambyllura të atdheut të tij. Ndërkaq, pena që përdor ai është treguar një kuruese e sprovuar e këtyre plagëve. Nga pena e tij rrjedh drita që ndriçon pyllin e errët të kohës së pakohë.

Si në dedikim për prindërit, po ashtu dhe në kujtim të publicistit dhe eseistit të veçantë të letrave shqipe, Ali Sutaj, ky libër vjen dhe bëhet kurorë mbi një pllakë të madhe në të cilën autori ka gdhendur memorien kolektive të brezit, që po ballafaqohej me mungesën e lirisë së atdheut. Duke qenë se edhe vetë autori i takonte atij brezi, edhe ai do të bëhet zë i atyre që nuk mund të flisnin e të shkruanin lirshëm në atdhe. Në mërgim, autori do të bëhet zë i dhembjes së nënave të zhuritura, që detyroheshin të ndaheshin nga fëmijët e tyre. Zë i fëmijëve, që kishin lindur në robëri dhe me dekada nuk i kishin parë etërit e tyre. Zë i dhembjes e rënkimit të atdheut dhe kombit të tij.

Është kjo kronika e gjallë e vuajtjeve të një populli, apo transmetuesi fibrik i dridhjeve, shqetësimeve e tronditjes që përjeton shpirti i trazuar i Arbrit. Një fibër të tillë mund të disponojnë e ta shprehin vetëm shpirtrat e trazuar, ata të cilët muzën e krijimit e mpleksin në skutat më të padukshme të dhembjes njerëzore. Shkrimtari-njeriu, Gani Bytyçi, në thelb të materies shkrimore e ka dhembjen dhe me të ai na shoqëron nga rrëfimi në rrëfim, nga udhëtimi në udhëtim, nga një dhembje tek tjetra. Rrugëtimi i tij, metropoleve të Evropës është i gjatë e i pafund. Edhe i dhembshëm. Teksa ndërronte trenat e linjës për të arritur në destinacionin e radhës, autorit i shfaqen ato skenat tragjike të dramës së atdheut të tij, ku do të shprehet gjithë dhembje: “…duke e këputur mes për mes Evropën me trenin, që shkliste disi rëndë mbi trupin e saj, ashtu siç ajo dikur pati shkelur tepër rëndë mbi trupin e Atdheut tim, duke i shkaktuar atij gjymtime aq të rënda, të cilat ai nuk po ia del t’i shërojë as sot e kësaj dite, m’u bë sikur ndjeva gjithë dhembjen që ndien trupi…”. Çdo udhëtim i tij, është histori më vete. Ai është histori e dhembje e njeriut, që pas shumë vjetësh, gjithë mall takon të birin në mërgim. Është bredhje e histori, që krijon takime me njerëz të shumtë, kurbetçinj e azilantë, hallexhinj e të përndjekur, ku, siç e thotë edhe vetë autori, “edhe bisedat më të rëndomta me ta, ato që duhet të jenë të hareshme e të këndshme, janë prekëse, të dhembshme e plot mallëngjim”. Këto udhëtime e takime janë edhe pasqyrë për të kuptuar se “si na shohin të tjerët dhe çfarë jemi në të vërtetë”. Nga këtu autorit i shfaqet edhe ajo pyetja-dilemë, që e shqetëson (dhembshëm) vazhdimisht: “ku tret gjaku ynë, ku i lëmë eshtrat tanë?” Është madje edhe një evokim, një (si)thirrje ndërgjegjeje për ata që atë e kishin humbur, por që në mesin e tyre (ndonjëherë) shfaqej edhe ndonjë zë (i vetmuar) disident, siç ishte shkrimtari progresist Mirko Kovaç, i cili, siç na shpjegon autori, teksa largohej me dëshpërim përgjithmonë nga Serbia, pati thënë: “Shkova, sepse jam neveritur me sasinë e absurdit, që është i pranishëm në këtë popull. Me neveritje dhe pikëllim kam ndjekur se si një popull (ai serb) po çmendet, se si po kënaqet me vetëmashtrime, se si po zymtohet para syve të botës”.

Kronologjia rrëfimore

Kështu, historia e kronologjisë rrëfimore të Bytyçit do të na nxjerrë tek “Lufta në Jugosllavi, e cila nisi në Kosovë, e që, siç na e thotë në formë profecie autori, ajo po atje edhe do të përfundojë”, duke na e kujtuar se “Kosova, aktualisht po e përjetonte aktin më tragjik të dramës së saj historike të fundvjeshtës së këtij shekulli. Aktori-viktimë i këtij akti tragjik, një popull i tërë – shqiptarët ”.

Evropa është plot me krijues emigrantë. Parisi, Londra, Roma, Berlini, Gjeneva, për shkrimtarët dhe piktorët e ardhur nga Lindja, sidomos pas triumfit të Revolucionit të Tetorit (1917), ishin shndërruar në fole të ngrohta, ku shtegtarët e rinj do të mund të projektonin dhe zhvillonin ëndrrat e tyre krijuese. Disa prej tyre u zhvendosën edhe përtej Atlantikut dhe sot kemi një plejadë të tërë shkrimtarësh e piktorësh, që kishin krijuar shkollat e tyre estetike, në mungesë të lirisë së shprehjes në atdhetë e tyre.

Ekzili ishte bërë porta triumfale për krijuesit, që nuk donin t’u dergjej në robëri talenti i tyre, me të cilin në botën e lirë do të mund të avanconin fjalën e papenguar në shërbim të kauzave të lirisë e atdhedashurisë.

Njëri prej tyre është edhe Gani Bytyçi, shkrimtar dhe piktor, tashmë i njohur me profilin e tij krijues, kompleks për nga natyra e shprehjes artistike dhe dinamik për nga botëvështrimi i gjërave e fenomeneve. Me ekzilin si (fat)keqësi, në fillim të viteve nëntëdhjetë, Bytyçi në valixhen e tij do të marrë shumë pak gjësende, që do t’i hynin në punë gjatë udhëtimit. Ai s’kishte dashur ta ngarkonte veten me pakuptimësinë e gjërave, ngase, teksa po kapërcente kufijtë (i ngrirë deri në kockë), nuk mund ta imagjinonte veten të futur në lëkurën e ndrojtur të një mërgimtari, i cili në çdo sezonë të vitit do të kthehej në vendlindje për të ndjekur ritmin e ndryshimit të natyrës. Përkundrazi, Bytyçi po bëhej gati për një ritëm krejt tjetër dhe po largohej nga Atdheu për të ngritur një fole të re, prej nga do të shpërndante dhe do të çlironte fjalën e zënë peng nga robëria. Gjatë gjithë kohës ai po e mbartte me vete një ngarkesë emocionale tepër të rëndë, të cilën më vonë atë, ai do ta derdhte me vrull të tërën në krijimtarinë e tij letrare e artistike. Gjatë gjithë këtij lundrimi në qiellin e trazuar të kohës, Bytyçi do të shoqërohet përherë nga ajo pjesë e shpirtit, që e kishte lënë prapa vetes, ndonëse ai me dhembjen që shkakton shtrëngimi i nofullave, do të porositë që “të marrim çdonjëri pjesën e vet të kësaj dhembjeje (mallkimi) të tokës sonë për këtë ikje ”. “Në botë i kemi me qindra mijëra të rinj, të cilët e lëshuan Kosovën në këto vitet e fundit (kush me dhembje e kush edhe pa të)”, thotë shkrimtari nga ekzili, duke e pikturuar peizazhin tragjik (edhe shpirtëror) të atdheut të tij dhe duke na e dhënë atë me një tablo të dyzuar, ku jeta është shndërruar në protestë, dhunë e brutalitet, braktisje, ikje e arratisje, kur rruga e vetme e shpëtimit, ka ngelur ekzili. Në të vërtetë, kjo ishte tabloja tragjike (reale) e aktualitetit në Kosovë. Para një gjendjeje të këtillë nuk mund të heshtte në asnjë mënyrë ndërgjegjja krijuese e shkrimtarit dhe artistit Gani Bytyçi.

Mbi cipën e mimesisit narrativ

Është e kuptueshme që një shkrimtar e ka shumë të vështirë që ta shohë robërinë e popullit të tij teksa thurte pëlhurën e rëndë të zymtësisë. Këtë peshë, këtë gurë në zemër e kishte mbartur përherë edhe Gani Bytyçi. Po, ai asnjëherë nuk shfaqi shenja mërzie apo lodhje. Bytyçi, si fëmijë i rritur odave, në prani të pleqve të urtë e të mençur, ishte i bindur se “tirania mund ta vrasë njeriun, por assesi ta shfarosë një popull të tërë, assesi ta vrasë lirinë përgjithmonë”. Dhe, këtë ndjenjë autori e shpreh shumë qartë kur thotë: “jemi të vendosur në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Jemi të gatshëm për flijim”. Këtë gatishmëri, autori do ta shoqërojë edhe me disa tone kritike në adresë të individëve e grupeve, të cilët aty-këtu shfaqin edhe krekosje individuale, duke u shprehur: “jo rrallë shesim edhe politikë banale e komercializëm për patriotizëm”. Por, gjithsesi, për të mos i ngelur borxh pjesës së shëndoshë të kombit, po edhe një publiku më të gjerë, këtë qortim autori na e jep në një mënyrë krejt metaforike e proverbiale, “në det ka edhe mbeturina, por valët i nxjerrin përjashta”.

Teksa po meditonte për temat dhe motivet e radhës buzë liqenit të Gjenevës, aty pranë shkëmbinjve të brigjeve, të cilët sikur puthen amshueshëm me shikime, autori do të depërtojë në botën më subtile të artistit, që po derdhte në pëlhurë fytyrën e një fëmije të përlotur, sepse “pamja tërheqëse e fytyrës së këndshme, të njomë e të bukur të vashëzës nga portreti, janë pjesë e humorit të ditës. Loti në syrin e saj e përmbys atë humorin të tërin. Ai kthehet në tragjikë të bukurisë”. Dhe, loti nga portreti shpreh gjithë shqetësimin, brengosjen e dhembjen e kohës sonë.

Gani Bytyçi, me këtë libër, vjen si një vëzhgues i vëmendshëm e aktiv, të cilit nuk ikin as detajet, që ai i ridiemsnionon në një botë të veçantë, ku rrëfimi ngjizet dhe bëhet i pandashëm nga meditimi. Atyre, që e lexojnë tani këtë libër, do t’u kujtohen historitë që kanë përjetuar. Ndërkaq, ata që nuk i kanë përjetuar këto histori (të lindur pas viteve nëntëdhjetë), do të mund të ecin majë gishtave mbi cipën e mimesisit narrativ, që na e ofron ky libër, ngjashëm siç mund të na shërbejë një trap teksa kalojmë një lumë të rrëmbyeshëm. Mbi lumin e rrëmbyeshëm të kohës, autori Gani Bytyçi ka shtrirë gjithë historinë e rrëfimit të tij, atje ku dhembja për njeriun e dheun e të parëve shkrihen në një morfologji ngjyrash e hijesh.

Ky libër është drita që bie mbi trupat e errët të përtacisë sonë njerëzore e intelektuale për të veçuar të rëndomtën humane nga e madhërishmja patetike, për të veçuar njeriun nga turma dhe idenë sublime nga zhurma e gjoja barazisë sociale. Është, pra, kjo vepër e konceptuar me syrin e mprehtë të piktorit dhe e shkruar me penën e sprovuar të shkrimtarit. 

Exit mobile version