Kreu Letërsi Bibliotekë Ali Aliu: Imazh-kredhje në përjetësi

Ali Aliu: Imazh-kredhje në përjetësi

Niko Kacalidha, “Heraldikët e borës”, (Onufri, 2023)

Poezia e Niko Kacalidha-s, kryesisht, flet me gjuhën e pamjeve; muza e tij krijuese është imazh ngarkuar kaltërsi deteqiell, hënë e diell e yje, gjelbërim ullinjsh e pjergulla, në oborrin e tij të lindjes, në Leshnicë, majamalesh borëzuar; të gjitha bashkë, në muzëkopshtin e tij, secili përbërës i kësaj poetike safi imazhiste, ngarkuar mision përcjellës që përmbushin hapësirën ndjesi mirësie dhe paqeje; poetikë që përtërihet dhe rilind me çdo stinë jetësore; gjithë mozaik me perfeksion harmonik dhe estetik që shtrihet shumëzëshmëri artikuluar art poetik; imazh që shpërfaq një ndriçim të brendshëm mirësie; është strehë mbrojtëse e zërit lirik edhe nga ditët e mrrolura, edhe kur, në të rrallë, zërit poetik i vjen në majë të hundës, shtrëngon dhëmbët dhe arrin ta frenojë stuhinë e brendshme mu në prag të shtëpisë; e mban në harmoni të qëndrueshme besimi i lindur, se, njerëzit lindin të mirë, dhe janë të mire; nën këtë strehë, imagjinata krijuese ngjiz embrionin e tërë poezisë së Nikos tek libri “Heralldikët e borës”, botim i “Onufri”, në kolanën e vlerësuar, “Poezi të përzgjedhura”, (Bejko, Lleshanaku…)

Këtyre shtigjeve përftojnë imazhet në këto vargje; misioni i tyre prandaj, natyrshëm kalon fashën e kujtimit fëmijëror, universalizohet përftuar Ballkanit dhe përtej; ia njeh këngën hapësirës ballkanase, të jetuar e përjetuar, ohet dhe ahet e tij, siç ndodh tek poezia antologjike e librit “Këngë ballkanase”.

Ka shumë poetë e poezi frymëzuar me Ballkan dhe ballkanizim; edhe jashtë gadishullit; kjo për të cilën flasim, qëndron mbi, si ajo biblikja; statujë rritjeje palë-palë vargjesh; secili imazh dritareje mëngjesor, sa shkëndijime sentence sa idioma lirike; gjithë përgjërim e mirësi; s’pengojnë cicërimat ndryshe të zogut nga zogu, të gjithë miqësorë; krenohet dhe i del zot Ballkanit të vet poeti; pa munguar edhe dritësime antike….

Po Kënga? Ngado që të nisesh, ajo është fanar; edhe në kuptimin e parë ajo spërndrit reflekse, nuanca jete dhe arti orfeik; edhe paragjykimi përqeshës- “këngevjetër”, “këngënjohur”…-; edhe si histori e lashtësi, ajo vjen si një nga të mundshmet, ballkanase; po të ironizonte nga statusi i jomiqësorit, jashtë gadishullit, do të ishte këngë simbol kakofonish, gërvërreve ballkanase…Pra përballë një titulli të këtillë në krye të një poezie, lexuesi, ai ballkanas sidomos, është kureshtar si i tillë, e para; e dyta edhe më shumë: Niko, lindur në Leshnicë të Sarandës, me kombësi greke dhe me dy shtetësi, poet që shkruan shqip dhe greqisht paralelisht, (njësoj, besohet, siç me të drejtë edhe dyshohet, – vetëm në njërën sonda e muzës shkon më thellë…);

Edhe një herë, për të thënë se imazhi është veçori e parë e ekspresionit poetik e librit heraldikave lirike të Nikos, po sjellim edhe poezinë që është dritare e hapjes së librit’ “Nga plepat doli hëna”;

Nga plepat doli hëna

Gjurmët le në rërë në ditët ujore të plazhit dhe ike.

Pylli i dendur i perëndimit mbylllte dritaret e fundit.

Ti ike. Të mori treni i fundit dhe nga plepat doli hëna.

Me një tren të tillë pas hënës ika dhe unë.

Në plazh të tjerët laheshin dhe dashuroheshin.

Nga maja e plepave pas nesh përsëri doli hëna.

Gjurmët le mbi rërë në ditët ujore të plazhit dhe ike…

Estetikja në art, veçmas në poezi, shfaqet që në prekjen e parë, (në shikim të parë…), para se të zgjohet dhe të ndërhyjë mendimi, të menduarit, dhe të kredh fluideve ndjesore; të kësaj sëre janë lirikat e Nikos; që në krye, libri Heraldikët e borës, hapet me poezinë shtatë vargëshe, me titull “Nga plepat doli hëna”; një fabul lirikë intime, dashurore, të heshtur, që rrëfehet me gjuhën e pamjeve, imazheve të natyrës përreth; me mall e pikëllim diskret, mbledh gjurmët e Asaj, që iku, lënë në rërë; bashkë me të sajat edhe ato të hënës; ajo ikën me trenin e fundit; zëri, gjithashtu me trenin e gjurmëve hënor…

Imazhi në këtë poezi është në mision që, përmes një ekspresion poetik, gjetje kreative, ta rrëfejë çastin shpirtëror të zërit, pas Ikjes; dhe na e përcjell këtë përmes asaj që dëgjohet dhe shihet në hapësirë: plazhe deti veror, zhurmë dashurore në të, lënë duke ikur, hëna që po shfaqet në muzg, pylli i dendur që mbyll dritaret e territ, plepa dhe re që fshehin dhe shfaqin hënën…. ; nën shtresën e muzës imazh, me këtë rast, vlon një storie dashurore që ndjehet muzikë pa zë, medaljon i përsosur estetik…

Antikiteti

F

rymëzimi poetik i Nikos mëkohet edhe nga tradita homerike e poezisë greke; qëndron pranë në mos i ulur në sofrën poetike të kësaj lashtësie antike, ballkanase, në kufi të prekshëm edhe mediterane; në këtë sofër ngjyejnë edhe poetë tjerë të gadishullit, por është poezia greke ajo që i prek drejtpërdrejt dhe të gjalla gjurmët, shtigjet, aromën e botës antike greke; janë tempuj dhe sheshe nën hijen e të cilëve ecin, prehen, bien në gjumë dhe zgjohen në mëngjes me këtë shkëlqim të gjeniut poetic grek; fqinjët e pare të tyre, mbase edhe ata me të drejtë ndjehen trashëgimtarë të këtij universi mitologjik dhe historik, edhe për arsye se kanë pasur edhe beteja, krushqi të përbashkëta; për të mos përmendur së largu trashëgiminë mediterane dhe evropiane të përbashkët…

Niko ka privilegjin të prekë shtigjet antike të poezisë, si trashëgimtar i drejtpërdrejtë i saj, por edhe me statusin e ballkanasit gjiton; lindur dhe qytetar në Shqipëri, ai, lirika e tij ka dritat edhe të gjuhës dhe traditës së poezisë shqipe; sfondit antik, prania e verbit lirik të shqipes, e intensifikon refleksionin, ndërtekstualitetin, ndërndjeshmërinë në hapësirën jetësore të poezisë së këtij autori; në librin përzgjedhës “Heralldikët e borrës”, ku përfshihet krejt opusi poetik i Nikos, në kapitullin e fundit të tij, që shtrihet brenda mbi njëqind faqesh, për herë të parë, botohet  libri më i ri i tij, me titull “Blatimet e borës”; vjen me veshje paksa të veçantë nga librat e deritanishëm të poetit; në mbështetje kreative edhe të idiomës shqipe, medaljonet lirike të këtij libri arrijnë përsosje estetike; e pranishme; tek sfondi antik, për mua, edhepse Niko ka idol Elitisin, lirika e tij është më pranë me atë të Kavafit; edhe si ndjeshmëri edhe si perceptim distancash; ka plot bëma, beteja, personazhe homerike, mitologjike dhe historike , si vatra ku “preken” të dy, si Troja, Itaka, Akili, Medea, Posejdoni, Odiseu, Kali…; Kavafit i shkon më natyrshëm zhbërja e distancave, e mureve, (që në poezinë me të njëjtin titull, Kavafit i ngrihen muret pa i ndjerë fare…), tek vargjet e ngjizura me Trojë;

Kavafi, në sfond të poezisë me titull “Pabesia”, vendos një fakt homerik: – (Platoni, Republika II,) sipas të cilit, në dasmën e Tetidës me Pileun, prindërit e Akilit, ka marrë pjese edhe Apoloni, që kishte bërë këtë profeci: “lastarin që do të lindte nga bashkimi i tyre, kurrë nuk do ta prekte sëmundje dhe do të jetonte gjatë”…kaq; poeti i madh, ne poezinë e vet antologjike, fikson çastin kur pleqtë e kthyer nga Troja i tregojnë gjëmën Titidës për vdekjen e birit, Akilit; ajo shqyen rrobat e purpurta nga trupi, shkul stoli e flokë dhe i përplas për toke duke ulëritur kuje perëndish dhe duke kërkuar përgjigjen e perëndisë tjetër, atë të profecive, Apollonit;..dhe në këtë skenë filmike, në frymën e koreve eskiliane, përsëri përgjigjen ia japin pleqtë: “ Apolloni, vetë ai zbriti në Trojë dhe me trojanët vrau Akilin”; pos plasticitetit estetik, perfekt, jehon edhe poentomi planetar i përjetshëm, pabesia…

Poeti Niko Kacalidha, në një nga medaljonet lirike, nga libri i ri në fund të “Haraldikët e borës” fikson çastin e vrasjes së Hektorit nga Akili; i thyer para vajit përmasash përmbysëse, të Prijamit, mbretit trojan, atit të Hektorit, për t’ia kthyer trupin e të birit, shpërthen edhe vetë në vaj dhe përulet para tij duke ia plotësuar lutjen, gjest me të cilin zbut, dhe u vjen mirë edhe perëndive…; e fuqishme pamja, detajet në funksion të gjallërimit të atmosferës që sjell në idiomën lirike poeti; edhe poentomi, natyrisht, jo aq diskret, sa Kavafi: Troja dhe beteja trojane, hapërim i përbashkët i njerëzimit…

Të ngjashëm në ndryshime, të dy poetit të një etnie, do të gjenden vatrave të shumta poetike, antikiteti dhe moderne dhe, secili në mënyrë te vet dhe me shkëlqimin e vet.

Dhe në fund: mbresa më e qëndrueshme nga leximi i librit me poezi të përzgjedhura të poetit Niko Kacalidha “Heraldikët e borës” është gjuha e imazhit, thurur mozaik nga krejt çka rrotull hapësira e vendlindjes së poetit mes tokës dhe qiellit; muza e tij poetike që ngjizet dhe merr krahë nga krejt çka kopshti, oborri përpara shtëpisë, realë dhe ëndërrorë; gjithë zogj e drurë dhe pemë, pyll dhe mal me dëborë mbi kokë, det e valë e thellësi, kaltërsi qiellore, hënë e yje, personazhe historike dhe mitologjike, me një sfond të begatë të antikitetit të etnisë së vet, sidomos; sekush nga këta përbërës së peizazhit i veti dhe për vete, puro paganë në ndjesinë e zërit dhe të hapur për ta ndjerë dhe ndjellë mirësie botën, për ta ndjellë lexuesin në kredhje që pa e ndjerë lëshohet në një udhëtim në përjetësi….

Exit mobile version