Kreu Letërsi Bibliotekë Margaret Atwood: Në banak të një supermarketi kërcen Helena e trojës

Margaret Atwood: Në banak të një supermarketi kërcen Helena e trojës

përktheu: Roland Gjoza

NJË NGA FOTOGRAFITË E MIA

Është marrë disa kohë më parë
në fillim duket si një
njollë
printimi; vija të paqarta dhe blana gri
mbulojnë letrën
 
Dhe ndërsa bëni skanimin
ju mund të shihni diçka në të majtë
diçka që duket si një degë; pjesë e një peme
( balsami apo bredhi ) ndërsa
në të djathtë, në një si gjysmë rruge lart
duket një si shpat i butë
dhe pas saj korniza e një shtëpie
 
Në sfond është një liqen
dhe matanë disa kodra të ulëta.
 
( Fotografia është bërë
një ditë pasi u mbyta)
 
Unë jam në liqen
në qendër të fotografisë
aty nën sipërfaqe
 
Është e vështirë të më dalloni se ku
pikërisht, ose për të më shquar
sa e madhe apo sa e vogël jam;
efekti i ujit
në dritë është një shtrembërim
 
Por nëse përqendroheni
për një kohë
do të më shihni.


TI MË DO

Ti më do
si një grep në sy
 
një grep peshku
në syrin e hapur


ÇASTI

Është casti kur pas shumë vitesh
pune të rëndë dhe udhëtimesh të gjata
ndodhesh në mes të dhomës
në shtëpinë tënde, gjysmë hektar,
shumë milje katrorë ishulli, fshati,
duke menduar si ke arritur gjer këtu
dhe thua me vete, te gjitha me përkasin.
 
Është i njëjti çast kur largohen pemët
që të kishin rrethuar me krahët e tyre të butë
zogjtë, që rigjetën këngët e harruara
shkëmbinjtë që çahen dhe shemben
ajri që largohet prej teje si një valë
dhe ti mbetesh pa frymë
 
Jo, pëshpërisin ata, ti nuk ke asgjë
ti ishe një vizitore që herë pas here
ngjiteshe në kodër, ngulje flamurin dhe thërrisje në ekstazë.
Ne kurrë nuk të përkisnim
dhe ti kurrë nuk na gjete
por ishte e kundërta.


NË BANAK TË NJË SUPERMARKETI KËRCEN HELENA E TROJËS

1
 
Bota është plot me gra.
Kush më thotë se duhet të kesh turp nga vetja
nëse të del një shans i tillë? Mos kërceni!
Kini respekt për veten
dhe punën e nje dite.
Të drejtat? Një pagë minimale
këmbët me variçe, qiri në këmbë
tetë orë në të njëjtin vend
ne një banak supermarketi gjigant
me sende të paketuara deri në qafë, në vend
të nje pozimi lakuriq si një sanduiç mishi
shitja e dorezave, apo e sendeve të tjera
në vend të asaj që mund të shisnit.
Duhet të kesh talent
për të shitur diçka kaq të pakuptueshme
dhe pa formë materiale.
Të shfrytëzuara, do të thoni ju! Po, në të gjitha mënyrat e mundshme.
Do ta braktisnit, nëse do të gjenit një mënyrë tjetër
për të siguruar para.
 
 
2
 
Unë i vlerësoj gjërat
si predikuese shes vizione
reklama parfumesh, dëshirash
ose kopje të tyre. Shaka
ose luftë, gjithçka në kohën e duhur.
Unë u shes njerëzve dyshimet e tyre të tmerrshme;
se çdo gjë është në shitje
çdo gjë e mundshme. Ata më ngulin sytë se po shohin
një vrasje me sharrë zinxhiri para se të ndodhë
kur kofshët, vithet, njollat, çarjet, gjoksi dhe thithkat
janë ende të lidhura me njëra-tjetren.
Një urrejtje e çuditshme iu hedh thonjtë
nga adhuruesit e mi të birrës. Kjo është një shenjë
e një dashurie të pashpresë. Duke parë grumbullin e kokave
dhe sytë që ngrihen lart me përgjërim të çuditshëm
gati për të më prekur në kyçin e këmbës
ndjej përmbytjet dhe tërmetet dhe vrullin
për të me shkelur si një milingonë. Unë mbaj ritmin
dhe kërcej për ta, sepse
kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Muzika mban erë dhelpër
kërcet si metal i nxehtë.
Thahen vrimat e hundës
lagështia si në gusht, mjegull dhe përgjumje
si nje qytet i plaçkitur që, të nesërmen
pasi janë kryer të gjitha përdhunimet,
vrasësit
dhe të mbijetuarit do të enden si qen
në kërkim të plehrave
diçka për të ngrënë
dhe kjo është një rraskapitje e tmerrshme.
Duke i thënë këto, shtoj dhe buzëqeshjen
që më lodh më tepër.
sigurisht, dhe shtirjen
se nuk i dëgjoj dot.
Nuk mund ta bëj këtë, se tek e fundit
unë jam nje e huaj për ta.
Ajo që po them është ulëritëse
e qartë si një fileto proshute.
Unë vij nga vendi i perëndive
ku fjalët kanë nënkuptime
dhe këtë nuk ua them të gjithëve
afrohuni dhe dëgjoni kur t’iu pëshpëris;
nëna ime u përdhunua nga një mjellmë e shenjtë.
Nuk e besoni?
Mund të më ftoni per darkë
por kujdes, përreth ka shumë mjellma të rrezikshme.


VARIACIONE MBI FJALËN DASHURI

Kjo është një fjalë sa për të mbyllur
vrimat. Është madhësia e duhur për ata me boshllëqe
të përzemërta në të folur, për ato zemra të kuqe-
që pushojnë nëpër vakancat e fletëve ku nuk duken kurrfarë
si zemra të vërteta. Shtojini dantella e lule lajle të tjera
dhe ju mund t’i shisni ato. Gjithashtu futini në hapesirat boshe
të formularëve të printuar që vijnë pa udhëzime. Ka revista të tëra
me pak zemra ku fjala dashuri mund të marinohet
në krejt trupin tuaj dhe ju mund të gatuheni
bashkë me të gjithashtu. A mund ta quajmë të ngjashme dhe atë që ndodh
në orgjitë e qeta të kërmijve të lagësht poshtë
copave të kartonit të ambalazhit? Dhe atë që ndodh me barërat e këqija
që ngrenë fuqishëm hundën gjëmbaçe 
midis sallatës së gjelbër delikate dhe lëshojnë britma afshesh?
Love! Love! këndojnë ushtarët dhe 
bashkë me përshëndetjet entuziaste
ngrenë lart armët me shkëlqime vrasëse.
  
Pastaj janë dy
prej nesh. Love 
është shumë e shkurtër për secilin, ajo ka
vetëm katër fjalë, shumë të rralla
për të mbushur atë boshllëk
midis yjeve
që na vrasin me shurdhërinë e tyre.
Nuk eshte dashuria që s’duam
të dashurojmë, po frika.
Kjo fjalë nuk mjafton, por
do ta shqiptojmë. Është një zanore
fillikate në një heshtje 
të akullt. Një gojë që thotë;
O, përsëri dhe përsëri në ekstazë
përzierë me dhembje. Një frymë, një gisht
që kapet në theqafje. Po munde, 
mbahu ose bjer!


NJË VIZITË

Shkuan dhe ditët
kur mund të ecje mbi ujë
ikën ato ditë mbi ujë
ka mbetur vetëm një
ajo ku ndodhesh 
kujtimi nuk është mik
mund të tregojë vetëm
çfarë nuk ke
një dorë të majtë që mund të përdoret
dy këmbë që mund të ecin
dhe gjithë ç’përmban një mendje.
Hej, përshëndetje, përshëndetje!
Një dorë që ende punon
që shtrëngohet, nuk të lë
nuk është tren
as kriket nuk është.
Pa panik!
Le te flasim per sëpata
cilat lloje janë më të mira
dhe cilët drurë të pyllit
duhet të priten.
Kështu ndërtohet 
një shtëpi, një varkë, një tendë.
Nuk përdoret asgjë; kutia e veglave
nuk do të zbulojë fjalët e tyre.
limë, avion, bizë
shndërrohuni në metal të zymtë.
A njihni ndonjë gjë? i thashë
Diçka familjare?
Po, the ti, shtratin.
Më mirë shiko pasqyrimin
që shtrihet në dysheme
krijuar prej rrezeve të diellit
pyllin me hije shiko
krijuar prej drurëve
më mirë shiko oxhakun
që tani është plazhi


ËSHTË/JO

Dashuria nuk është profesion
diçka e dashur ose ndryshe
seksi nuk është stomatologji
mbushja e zgavrave me butësi, pa dhembje
ti nuk je mjeku im
ti nuk je kura ime
askush nuk e ka atë
pushtet, ti je thjeshtë një shok/udhëtar
hiq dorë nga ky intersim mjekësor
me kopsa që shkopsiten, kujdes të vëmendshëm
lejoi vetes zemërimin
lejo dhe timin
i cili nuk ka nevojë për asnjërën;
miratimin tënd, apo habinë
që nuk ka nevojë të pranohet
që nuk është kundër një sëmundjeje 
po kundër teje
që nuk ka nevojë të kuptohet 
të lahet apo të pastrohet kundër infeksionit
por në vend të ketyre ka nevojë të ngutshme
të përsëritet dhe të përsëritet;
më lejo të tashmen time!


TI MË MERR DORËN  

Ti më merr dorën
dhe unë befas jam në një film të keq.
Kjo vazhdon dhe s’mbaron
edhe pse jam e mahnitur
është një vals me lëvizje të ngadalta
nëpër një ajër të ndenjur mbushur me parfum afërditash 
prekemi pafundësisht me pëllëmbë
ti ngjitesh në dritare të gabuara
të tjerë njerëz po ikin
unë qëndroj gjithmonë gjer në fund
kam paguar paratë e mia, dua
të shoh se çfarë ndodh.
Një vaskë e rastësishme më duhet
të më qëroj 
në formë tymi dhe celuloidi të shkrirë.
Ishte një përballje
më në fund një abuzues ishte
erë e kokoshkave dhe e pellushit të përdorur
do të zgjasë me javë


VENDBANIM   

Nga prapa, aty ku jemi ulur,
jashtë, duke ngrënë kokoshka.
 
Cepi i akullnajës po largohet
 
Me dhembje dhe çudi
ende duke mbijetuar
gjer tani,
 
po mësojmë të ndezim zjarr.


KËNGA E SIRENËS

Kjo është e vetmja këngë për të gjithë
kënga që duhet mësuar; kënga
më e parezistueshme
kënga që i detyron burrat 
të kapërcejnë detet në skuadrone
edhe pse kafkat në plazhe janë prova.
Këtë këngë askush nuk e di
sepse kushdo që e ka dëgjuar
ka vdekur dhe të tjerët nuk e mbajnë mend.
Do të tregoj sekretin
nëse ta them, a do ma heqësh
këtë kostum zogu?
Nuk më pëlqen të rrimë
ulur në këtë ishull
kaq piktoresk dhe mitik
si dy maniakë me pupla
nuk më pëlqen të këndojmë 
treshe, është fatale, ndonëse e bukur. 
Unë do të tregoj sekretin
ty, vetëm ty.
Eja pranë meje. Kjo këngë
është një thirrje; Ndihmë!
Ndihmë! Vetëm ti, vetëm ti mundesh
sepse ti je unik
tek e fundit. Mjerisht
është një këngë e mërzitshme,
që këndohet përjetësisht.


DUA TË FLE ME TY

Dua të shoh kur fle
dhe nëse kjo është e pamundur.
Dua të shoh kur
fle. Vdes të fle
me ty. Si valë e qetë e errët
gjumi yt
të ledhatohet rreth kokës sime
dhe të hyjë tek unë.
 
Të ecim bashkë në pyllin e shndritshëm
plot me gjethe jeshilblu që drithërojnë
me diellin e ujit bashkë me tri hëna
drejt guvës ku ma ndien zemra se do shkojmë
drejt frikës dhe misterit
 
Do të doja të dhuroja degën e argjendtë
dhe lulen e vogël të bardhë dhe fjalën
që do të mbronte ëndrrën tënde
nga trishtimi i madh
dhe nga të gjitha trishtimet. Do të ndiqja
kur të ngjisje shkallët e pafundme;
Përsëri & Bëhet!
Varkën që vozit ngadalë dhe kthehet
me kujdesin më të madh, flakën
në dy kupat e duarve
ku shtrihet trupi yt
ngjitur me timin dhe ti hyn tek unë
aq lehtë, si të marrësh frymë.
 
Do të doja të isha ajër
ku ti banon për një çast
fillikat. Do të doja të isha e padukshme
& e domosdoshme.
 

Exit mobile version