Kreu Letërsi Bibliotekë “Lufta për frymë”, cikël poetik nga Erina Çoku

“Lufta për frymë”, cikël poetik nga Erina Çoku

JEMI GJALLË GJER
NË MBRËMJE

Jemi gjallë gjer në mbrëmje
dhe të gjallë endim një litar gjer në qiell
mbahemi, kalamendemi lehtë
mbahemi, shpirtin thurim me diçka
pastaj në mbrëmje shtrihemi në shtrat
me kujtesën e qiellit si brengë të pambaruar.

Mandej flemë e shohim një ëndërr
sikur jemi gjallë gjer në mëngjes.

Aty në ag zgjohemi, e kujtojmë dashurinë.
Se jemi gjallë. Prandaj jemi gjallë.
Gjer në mbrëmje, sërish.


SHI I VJETËR

Bie shi, pluhuri i vjetër bëhet baltë e re
Bie, mbi kujtesën e vjetër që shkrihet me kujtesën e re
Dhe, kurrë pa qenë të vjetër nuk bëhemi të rinj
Dhe, kurrë pa qenë të rinj nuk bëhemi të vjetër.

Bie shi, po ne s’na tret as dheu.


SHENJË

Asnjë shenjë s’mbajnë këto rrugë,
hapin dje,
hapin sot,
hapin nesër,
as pikën e ndryshimit, o Zot.

Asnjë shenjë s’ruajnë këto rrugë,
kohën dje,
kohën sot,
kohën nesër,
as pikën e nisjes, o Zot.

Asnjë shenjë s’bëjnë këto rrugë,
jetën dje,
jetën sot,
jetën nesër,
as ahtin prej trupi, o Zot.

Për dashurinë e frymën, jepna një gjurmë, o Zot!


ZEMRA BRINJËSH

Me zemër mbushen plasaritjet.
Tinguj e ashte ndijohen
si një betejë e vogël për frymë.

Shtrëngim.

Dhe muskuli ka zaptuar qelën e vet,
teh më teh.
Dhe kockat kanë pushtuar prenë e tyre,
rreth e rreth.

Shtrëngim.

Dhe koha e ha lirinë e trupit.
Dhe trupi e ha fuqinë e shpirtit.
Dhe shpirti e ha palcën e kohës.

Si një betejë e madhe për frymë.


BRINJA

Në mesnatë ndodh, në mesnatë,
kruspullohem e shndërrohem në brinjë
në brinjën tënde të munguar,
atë që humbe
në marrëveshjen hyjnore kundër vetmisë.

Ngadalë hyj turjelë në kurmin tënd,
dhembje dëshire pa asgjë mangut
me kujtesën e mishit tim në mishin tënd
me harresën e shpirtit tim në shpirtin tënd
frymë e shndërruar në kockë të patretshme
që filloi botën.

Ngadalë puthitem në fillesë me ty,
dhe lëkura jote më njeh e para
dhe mishi yt përlotet sa më ndjen ende të ngrohtë
dhe kockat e tua më puthin me mall
dhe shpirti yt mallëngjehet sërish
puthje e plagë në kraharor.

Në mesnatë ndodh, në mesnatë,
jam një brinjë e jotja e pashmangshme
thellë në kujtesën e trupit tënd të valë,
jam shpëtimi yt i parë,
jam njësh me ty,
jam brenda teje.


CILËN JETË?

Çdo ditë jetojmë jetën tonë të vogël,
duke u pyetur për jetën tonë të madhe
ndonjëherë ndalemi:
shohim majtas, shohim djathtas
ngremë kryet lart, ulim kryet poshtë.
Jeta jonë e madhe fragmentohet në jetën tonë të vogël.

Çdo ditë diçka pa njësi matëse na ndodh
dhe nuk dimë cilën jetë jetojmë vërtet,
dhe nuk kuptojmë:
përgjigjet janë të vogla, apo pyetjet të mëdha?
Jeta jonë e vogël nuk na lë të shohim jetën tonë të madhe.

Çdo ditë, çdo natë, jetën
me trupin e frymën tonë e ushqejmë.
JETË SA NJË PUTHJE
E gjithë jeta brenda trupit tënd shkon
E gjithë jeta, një aht në fund.

Në fyt rritet baticë deti yt
Prej fyti botën ujë ndërton sërish.

E gjithë dashuria në trupin tënd mblidhet
Që shpirti prej goje botën të ushqejë.

Nëse të puth, jetën me jetë të kam puthur
Nëse të puth jam fillimi e mbarimi yt.

E gjithë jeta një aht.
E gjithë jeta një aht.


MESNATË

Çdo natë jeta ime mbaron
e heshtja shtrohet mbi botë
mbulojë që ndan kufijtë
lart atje – poshtë këtu.

Çdo natë jeta ime
mblidhet në kukule
e s’di në gjallë del
fluturim me frymë.

Çdo natë
sytë mbyll në kutinë e kohës
e nuk e di mbarimin
e nuk e di zgjimin.


METRONOM

Ty që zgjimin lajmon, lajmon
Ty të urrejmë a të duam më fort?

Thirrja valë-valë na preket në trup
Zgjohu-zgjohu! Eja me ngut!

E çka më fort nervin e ther?
Kur zgjimi prej trupi çahet e del?

Zgjohu! Zgjohu! Përse? Përse?
Ajo që është sot prapë do bëhet dje.

Luhatem ndërmjet, kohën e mas
Jeta bën tik, vdekja bën tak.

E mbahem fort në një kuti
Zgjues, armiku im je ti.

Të dua me dritë se drita s’më dhemb
Por po jetova, e sigurt do vdes.

E nëse vdes do zgjohem sërish
Se vdekja bën tak e jeta bën tik.


ZEMRA FORT

Hesht.
Dëgjo si shpërbëhesh nën lëkurë.
Fjalët nuk ndërtojnë asgjë.
Zemra fort.

Ndiej.
Valë rrethore mes dy lëkurëve.
Grimca japim, grimca marrim.
Zemra fort.

Prek.
Jeta shket mbi lëkurë.
Koha e mbledh.
Zemra fort.

Zemra,
mbi dashurinë do plasë,
e kuqe dhe e ngrohtë.
Fort.

Exit mobile version