Në 70-vjetorin e lindjes së poetit
Nëse do të ishte gjallë Hamiti ynë, do të na kishte thirrë e do të na kishte mbledhë me siguri në Kasaj të Malësisë së Gjakovës, e do të festonim bashkë 70-vjetorin e lindjes së tij.
Do të pinim e do të ngrinim dolli. Pa edhe do të këndonim, do të recitonim poezi me siguri. Edhe pse poeti Hamit Aliaj nuk i donte lëvdatat, shumë prej të ftuarve do të merrnin fjalën e do flisnin për të, kinse edhe për veten…
Mirëpo ai iku pa prit me i mbush 70 vjet.
Iku e iu fal përjetësisë, me emrin që ia nalton vepra prej poeti patriot dhe jeta prej shqiptari atdhetarë.
Jeta e Hamit Alisë qe një udhëtim përmes rrebeshesh.
Zgjodhi vetë të ecte në atë udhë. Jo se nuk kishte zgjedhje tjetër. Madje edhe ia ofruan. Por ai eci udhës së vet. Malet nuk zgjedhin. Ata janë aty, përballë rrebesheve e furtunave.
Vepra poetike e Hamit Alisë është një shumësi vlerash dedikuar njeriut shqiptar, dheut e qiellit të atdheut në të dy anët e kufirit që ndau jetët, ëndërrat, dasmat e varret. Ai edhe kur flet për malet e rudinat, edhe kur u këndon lisave të bjeshkëve a Valbonës, edhe kur personazh ka ujkun e ariun dedikimi është për njeriun. Kulti i njeriut e “urdhëron” poezinë e tij.
Unë e kam njohur më sëpari prej poezisë së vet. Më vonë, rasti e solli që shoku im i fakultetit Jaho Margjekaj të më takonte me të në Shkodër në vjeshtën e vitit 1988.
Ishte tetor. Muaji i letërsisë. Folëm edhe për poezinë natyrisht. Kishte pak kohë që kishte botuar librin e dytë me poezi, “E ruaj një fjalë për ty” (1986). Nuk qe ngjarje vetëm për të. Vinte ndër ne ai libër 12 vjet pas librit të parë “Bjeshkët janë mbiemri im” (1974), e dëshmonte rritje dhe pjekuri të poetit. Edhe shumë autoritet.
Nuk qe e lehtë në atë kohë të zije vend me autoritet në sofrën e poezisë. Në një farë mënyre, në sofrën e poezisë funksiononin “ligjet” e kuvendit si në odat apo sofrat e burrave ku rendi përcaktohej prej peshës së fjalës.
Hamit Aliaj zuri vend bash mu aty ku i bëhej nder jo vetëm emrit të tij e as vetëm Tropojës, por edhe poezisë moderne të shkruar në shqip. Shkolla poetike e Tropojës e përfaqësuar prej lartësisë së veprës së një grupi poetësh të përveçuar të asaj treve, e kishte Hamitin në krye të vendit.
Koha e lirisë i dha një përmasë tjetër krijimtarisë se poetit nga Kasaj i Malësisë së Gjakovës. Ai nuk iu iku bjeshkëve e as iu shmang rrebesheve të tyre për t’u shfaqur “modern”. Mençurisht diti ta sjellë atë realitet në modernitetin e kohës pa ia prekë asnjë grimë ngjyrat, përmasat, vlerën.
Fati më ndihi ta takoj në një kohë të rëndë për të. E gjeta pothuaj të rrënuar. Por jo të dorëzuar. Dëshpërimisht i vrarë e pothuaj të pa shpresë.
Mehmet Elezi ka shkruar gjatë për ato rrethana e shkaqet e atij rrënimi, që më së shumti, ( por jo vetëm!) lidheshin më një sëmundje të rëndë që kish gjetur shtrat në trupin e vajzës së tij, Kidës, siç e thërriste ai gjithë dashuri, mirësi e përkëdheli bashkë.
Ja që gjendet njeriu ngushtë në jetë prej shkaqesh apo rrethanash që nuk i ka në dorë. Edhe poetët po ashtu. Nuk bëjnë përjashtim.
Në atë kohë kisha mundësi ta ndihmoj. Nuk qenë bërë as dy javë që më qe besuar detyra për të shërbyer si Ministër i Kulturës, Rinisë e Sporteve, dhe e ftova që të bëhej pjesë e kabinetit tim si këshilltar i ministrit.
U habit e me shikoi me mosbesim. Sepse i kishte ndodhë që të zhgënjehej nga të tjerë miq të tij e shumë më të dashur për të se sa unë. Për të cilët edhe qe investuar me shpirt e zemër siç dinte Hamiti të të jepej.
Edhe u gëzua. U gëzua shumë. U gjallërua aq sa ende ia kam në sy ngazëllimin si prej fëmije qe ia shfaqte e gjithë fytyra.
Kishte vite pa punë, e ja, krejt papritur u gjend përballë ftesës për të qenë këshilltar i Ministrit të Kulturës. (Sa mirë do të ishte sikur çdo ministër të kishtë nga një poet këshilltar!).
Hallin e sëmundjes së vajzës filluam ta zgjidhim bashkë e padyshim, një meritë të madhe ka në gjithë sa u arrit poeti Ilirian Zhupa, që në atë kohë shërbente Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Janinë.
Kida sot është endërra e gjallë e Hamitit.
Por, nuk qe e thënë që Hamiti të vazhdonte e të punonte gjatë. Paradoksalisht, pasi vitit 2005, mu atëherë kur erdhi në pushtet Partia Demokratike ndaj së cilës ai qe jo vetëm dashamirë por edhe kontributor, u gjend përsëri pa punë!
Zhgënjimi prej mosmirënjohjes e harresës sa e lëndoi Hamitin njeri, mbase aq edhe e ndihmoi Hamitin poet.
Ai iu dha edhe me më shumë shpirt e përkushtim poezisë. Edhe me zemërim, pse jo. Dritëroi thoshte shpesh se prej zemërimit e revoltës, edhe prej inatit, lind poezia e vërtetë.
Mitik e po aq tokësor, sfindant dhe i sfiduar prej saj u bë një me poezinë e vet, aq sa sot mund të themi pa drojë se Hamit Aliaj u bë njëri prej poetëve që ia mbrojti nderin poezisë.
Me poetin Hamit Aliaj, letërsia e shkruar në shqip ka sot një lartësi antologjike, një lartësi që përherë do të shërbejë si referencë unike vlerash të qenësishme për raportin e krijuesit me veprën e tij, të veprës me kohën dhe universin poetik, të qytetarit me bashkëkohësit dhe të poetit me ardhmërinë, të cilës ai do t’i flasë përherë nga lartësitë e emrit të tij.
Në fakt unë prisja që sot në 70-vjetorin e lindjes së poetit Hamit Aliaj, dikush, “ndonjë ministër a deputet”, të kujtohej se nderimi për poetët, nderimi për shkrimtarët e artistët, është më shumë se nderimi vetëm për emrin e tyre.
Por, me sa duket, ata, “deputetët e ministrat”, nuk kanë kohë për poetët.
Mirë e ka thënë Lagushi i madh një herë kur gjendej në Pogradecin e tij e kur një punonjës i Komitetit të Partisë u dërgua tek poeti me porosi të Sekretarit të Parë, që ta thërriste për një kafe, pasi një ambasador i Shqipërisë në një nga vendet fqinje qe gjendej me pushime në Pogradec donte ta takonte.
Dhe Lasgushi pasi e dëgjoi të dërguarin e partisë, i cili i tha se të pret Sekretari i Parë iu përgjigj:
– Faleminderit more djalë, por sekretarët vijnë e venë, ne poetët bëjmë atdhenë!
Kaq tha poeti i madh. Dhe sekretari me ambasadorin u ngjitën atje ku ishte poeti, nuk zbriti poeti tek ata.
Mbase në Tropojë e veçanërisht ndër tropojanët do të gjendet dikush që të inicojë nismën fisnike që në qytetin e Bajram Currit të gjendet një shesh për një bust të poetit Hamit Aliaj. Pse jo, edhe një rrugë apo shkollë të mbajë emrin e tij.
Tropoja duhet të dijë ta nderojë veten edhe me emrin e birit të vet Hamit Aliaj. Dhe jo vetëm. Ka plot emra të mëdhenj ajo trevë me të cilët mund e duhet të dijë ta nderojë veten duke i patur në sytë e banorëve të saj siç ata në fakt i kanë në zemra. Edhe Fatime Sokoli mund të ketë një bust me çiftelinë e saj gdhendur me dru mali.
Hamit Alija nuk është vetëm i Tropojës. Ai është poet i botës shqiptare, ani pse më së pari ia ka fal emrin e jetën e shtatin Tropojës e Malësisë së Gjakovës.
Ai ia ka ngritur përmendoren vetes me gjithë sa krijoi dhe e la pas si pasuri të paçmim.
– Si të kam or Hamit Aliaj?
– “Unë gjallë jam,
Gjallë, larg detit e mbretit.
Lëvduar qofshin largësitë,
Gjallë, i dashuri im,
mes burrash prej guri
mes burrash prej bore… “
Po, mirë e ka thënë Hamiti ynë.
Ai është gjallë.