Kreu Letërsi Shënime mbi libra Alma Dema: Unë dhe Xheladin Beu si pacientë të Frojdit

Alma Dema: Unë dhe Xheladin Beu si pacientë të Frojdit

A është Xheladin Beu, personazh i Kutelit, pacient i Frojdit? Si do ta kishte kuruar ai, nëse Kuteli, do ta kishte dërguar në klinikën e tij?

Pyetjeve të tilla duhet të dish t’i përgjigjesh me shumë kujdes, sepse “Artet e ndryshme[…] evoluojnë gjithsecili në mënyrë të veçantë[…]. Padyshim, ata kanë lidhje të qëndrueshme mes njëri-tjetrit, por këto raporte nuk janë ndikime, që nisen nga një pikë me qëllimin për të përfunduar evoluimin e arteve të tjera. Kjo duhet konceptuar si një skemë komplekse raportesh dialektike që veprojnë në dy kuptime, nga një art në tjetrin dhe anasjelltas, e që mund të transformohen nga arti që do t’i përdorë. Nuk është fakt i thjeshtë i “shpirtit të kohës”, por ai përkufizon dhe përshkon çdo art; do të thoshim, madje, të gjithë artin, e për këtë duhet të mendojmë shumën totale të aktiviteteve kulturore të njeriut si një sistem i tërë, që zhvillohen në mënyrë të mëvetësishme. Secila prej tyre ka një raport normash që nuk duhet të jetë patjetër identik si seritë e tjera ”.

Kështu që filozofia dhe psikanaliza e Frojdit, herë pas herë “kanë thirrur” në klinikën e tij, personazhe të ndryshme të jetës së përditshme, por edhe të fiction-it artistiko-letrar, gjë të cilën, unë do të mundohem ta bëj në diskutimin në vazhdim. Më shkoqur, do të “dërgoj” në klinikë të tij një personazh të Kutelit.

Jam e sigurt, se kushdo që ka dëgjuar diçka si për njërin apo për tjetrin, nuk do ta ketë aspak ta vështirë të ndjekë fillin e asaj që do të parashtrohet.

Kuteli, personazh i letërsisë, që për ta kuptuar lipset ta lexosh në shumë lloje rrafshesh, në prozën e tij, vendosi pranë e pranë thënien, artin, estetikën, të bukurën, të çuditshmen, të zakontën, të jashtëzakontën, stilin e rafinuar e lakonik, ndjenjën e qytetarit të botës, por edhe të stëmundimshmen e të qenit banor i botës (të qenit njeri me të gjithë kompleksitetin e tij).

Pikërisht në këtë pikë, ushqejmë të drejtën tonë për t’i “vizituar” personazhet e tij tek Frojdi. Do të ndalem, së pari tek Xheladin Beu.

******************************************************************

Thuajse një shekull më parë, Frojdi do të përcaktonte teoritë e personalitetit, teori të cilat ai do t’i paraprinte me përkufizimin “…Aftësia për t’u kënaqur me këto përafrime në vend të sigurisë dhe aftësia për të vazhduar punën konstruktive pavarësisht nga mungesa e konfirmimeve të fundme, janë, në fakt tipare të prirjes shkencore të mendjes”.

Ishte pikërisht mendja ajo që i bëri personazhet e Kutelit (Meroa i Cutës, Ago Hajro, Komi, Tanushi, Xheladini e ndonjë tjetër), të bëheshin aq të lexueshëm nga të gjithë, por edhe t’i rezervonin “babit” të tyre një vend piedestal në rrafshet letrare, artistike, kulturore, sociologjike, psikologjike, folklorike e simboliste.

Xheladin Beu, e nis rënien e tij mendore (nga ku unë gjej të drejtën për ta vizituar) nga ajo pikë që Frojdi e quan paravetëdije ose kujtesa e përdorshme, ku në të, çdo gjë mund të kthehej lehtësisht në vetëdije, kujtime që nuk i sjell në mend për momentin, por që mund t’i sjellësh lehtësisht në kujtesë, faktor ky që derivon në pavetëdijen, aty ku përfshihen të gjitha ato gjëra që nuk sillen lehtësisht në ndërgjegje, sidomos kur kanë të bëjnë me motivet apo instinktet njerëzore.

… dhe tani pas një ahengu të vogël fort që mënt e harronte, ndjente një bosh në zemër…

… jevga priti pakëz donjë shenja e donjë urdhër dhe si nuk u dha u largua si hije. Xheladin Beu, sikur s’ish, aty…

Por shfrenimin e Xheladinit, duket sikur Frojdi e merr në mbrojtje kur shprehet se sistemi nervor (i cituar në footnote) si një id, i shndërron nevojat e organizmit në forca motivuese të quajtura instinkte ose impulse, ose ndryshe dëshira, ku sipas kësaj, idi, vepron për t’iu përshtatur parimit të kënaqësisë, i cili mund të kuptohet si kërkesë për t’u kujdesur menjëherë për nevojat.

…kish bërë vërtet një aheng të vogël të asaj nate, me raki shumë të fortë, me meze boll (plotësimi i etjes dhe urisë), më the të thashë – një jevgë me dajire, dy të tjera me këngë në gojë që tuntnin vithet aman-aman, një dylber faqe-tabak, qeleshe mi-vetull e zë të hollë si zë goce… – por kjo s’ish punë e re. Se Beu kish qenë i qejfit dhe i ahengut që në të ri dhe jo njëherë e kish zënë djelli në përdheskat e jevgave, tebabinj brez pas brezi. Atje konak më konak. Beu kish edhe odat e tija. Kur i shkrepej e kur lodhej nga haremllëku ngrihet e vinte ku desh vetë e me atë që desh vetë edhe dajireja binte ne dera pa pushuar gjer sa beu mbaronte punë (plotësimi i nevojës seksuale).

…këto ia dinin të gjithë e më fort ia dinin e ia druanin ata që kishin donjë çupë të bukur në shtëpi. Po sikur edhe në bri të buallit të hynin këto çupat e bukura Xheladin Beut gjith i vinte era e ftoit. Edhe si i vinte…akrosej e xhindosej si kali kur ka hëngër elb, gjersa e bënte të tijnë- ja me të mirë, ja me të keq. Se jo më kot i thoshin Xheladin Beu i Xheladin Pashës. E jo më kot mbante kaqe trima me bukë! (një formë e shmangies së dhimbjes).

Kjo formë e shmangies së dhimbjes nga Frojdi është quajtur edhe dorëzim altruist, e cila ka të bëjë me projeksionin që në pamje të parë duket si e kundërta, d.m.th, personi (Xheladin Beu) përpiqet të plotësojë nevojat e tij, dukshëm, nëpërmjet njerëzve të tjerë. Ai nuk është në gjendje të bëjë asgjë vetë, sepse tek e fundit kështu është edukuar.

Dorëzimi altruist i Xheladin Beut, nuk paraqitet kaq i prekshëm në tregimin-rrëfenjë, sepse vetë ai do të shprehet (sigurisht kur i shkon në mend kjo gjë): kam bukën edhe shkopin.

D.m.th e ilustruar edhe me përmbajtje, Frojdi, të cilit, ne i kërkuam të ekzaminonte Xheladin Beun, do të na linte të nënkuptonim se ky i fundit deri në këtë pikë, nuk ka bërë asgjë tjetër, veçse i është bindur instinkteve, impulseve dhe parimit të kënaqësisë, që do të bënte çdo njeri tjetër normal me një sistem nervor të shëndoshë.

“Pacienti ynë” Xheladin, nuk e ka aspak problem që me egon të tij, të bëjë të lumtur idin, sepse ai gëzon një status, status ky i cili qëndron tek ndajshtimi-titull. Ai është be, ofiq i cili do ta përfshijë në një kategori tjetër njerëzish e sigurisht do t’i japë të drejtën të trajtohet ndryshe (si tek e fundit ndodh edhe sot e kësaj dite). Xheladini është totalisht i vetëdijshëm për këtë e i gëzohet maksimalisht këtij fakti:- se të gjitha ishin pemë në drut e tija; sgjat dorën e mërr!

… çdo gjë e gjallë, që pillet, rritet e kullot në dhenë tënd është jotja. Merre e bëj ç’të duash. Mbaje e shtoje atë që ke; preja kokën atij që mundohet ta ngerë lart; mos lër të dalin në kasabanë tënde e në çifligjet e tua njerëz më të mënçur; mos u prish me të madhin, ki mendjen të shikosh nga fryn era e nga ngroh djelli. Për punët e tjera bëj ç’të duash, si zot malli…

Ajo që sollëm më lart, d.m.th veprimet e paskaja të Xheladinit, kanë të bëjnë, gjithmonë sipas Frojdit, me ndërgjegjen, e cila si aspekt i superegos është quajtur brendësim i shpërblimeve dhe paralajmërimeve. A nuk janë të gjithë të mirat që Xheladin Pasha i lë Xheladin Beut, një lloj shpërblimi që ai po trashëgon llojin e tij dhe a nuk janë të gjithë këshillat që ai i jep (si me ngulm) si paralajmërime që ai duhet t’i ketë medoemos parasysh që të ruajë ato që posedon? Por a quhen të gjitha veprimet e tij të ndërgjegjshme, nëse do ta bënim pyetjen duke u nisur nga rrënja e fjalës ndërgjegje? Sipas Frojdit, duket se po.

E Xheladin Beu, sikur të ketë lexuar Frojdin në atë kohë e të ishte një frojdist i çmendur, do të rendë pashmangshmërisht pas dëshirave të tij, duke iu bindur lepe-peqe libidos së tij, duke i motivuar veprimet e tij jo thjesht si instinkte apo impulse por më shumë sesa kaq, duke i shndërruar ata në parimin e kënaqësisë, e cila sipas Frojdit (që duket sikur vazhdon ta justifikojë pacientin e tij) na mban në lëvizje të vazhdueshme, ku qëllimi i kësaj lëvizje është të vazhdojmë të jemi (Mbaje e shtoje atë që ke), të kënaqemi (çdo gjë e gjallë, që pillet, rritet e kullot në dhenë tënd është jotja), të jetojmë në paqe (preja kokën atij që mundohet ta ngerë lart; mos lër të dalin në kasabanë tënde e në çifligjet e tua njerëz më të mençur; mos u prish me të madhin, ki mendjen të shikosh nga fryn era e nga ngroh djelli), të mos kemi më nevoja (Për punët e tjera bëj ç’të duash, si zot malli…). Vetëm se në këtë pikë, Frojdi duket se po e tradhton pacientin e tij, kur thotë se qëllimi në jetë, ndoshta do të thoshim se është vdekja, sepse nën ose në krah të instinkteve, impulseve dhe dëshirave të jetës, qëndron instinkti i vdekjes. Ai thotë se çdo njeri ka një dëshirë të pavetëdijshme për të vdekur, gjë e cila as që i shkon ndërmend beut tonë; ai donte të jetonte e të gëzonte gjithçka i kishin lënë e kishte shtuar.

– U mplake, Xheladin be…

– Kush foli kështu?

Askush. Askush përveç vetë Xheladin Beut.

Ndiente dridhje në shpirt se i afrohet pleqërija. Pas pleqërije ndofta edhe vdekja.

Në këtë prag të ri i vinte keq jo për kohën e kaluar, po për të arthmen. Ja, kudo zunë e po rriten çupa të tjera si në jevgë e në harbutë. Aty e pak kohë lonin në pluhurin e rrugës si pjeshka, tamam të zgjatësh dorën e t’i këputësh. Kujt do t’i mbeten këto?

Hë, kujt do t’i mbeten këto?- pyes edhe unë, që me dashje e dërgova Xheladinin tek Frojdi, por ky i fundit, duket se po më bën mua si të sëmurë.

Por Frojdi, si psikanalist i mirëfilltë dhe i vetmi në llojin e tij, parimin e nirvanës, duket se po e aplikon tek të dy neve: mua, lexuese të Xheladinit dhe Xheladinit, lexues timin. Ky parim, si një impakt budist i cili ka mbërritur në ditët tona si shëmbëlltyrë e parajsës, i mëshon idesë së vdekjes së një dite dhe lënies pas asgjënë, boshllëkun, tërheqjen dhe harrimin. D.m.th fara e Xheladinit apo e kujtdo tjetër, ashtu si lindi, u shumua, abuzoi, po ashtu do të përjetojë parimin e nirvanës, do të fiket, por në ç’ mënyrë do të fiket, së pari, vetë ai?

Fikja e tij nis që në agun e asaj dite vjeshte te dytë, kur Xheladin beu, për herë të parë në jetën e tij, njihet me ankthin moral, i cili formësohet atëherë kur ndjejmë se po na afrohet një kërcënim jo nga bota fizike, por nga bota e brendësuar shoqërore e superegos.

… ndjente një bosh në zembër. Sikur mëndja e oda i vinin rrotull. Vajti e u shtrua në divan-havanë, me cigare në dorë, po s’mundi të qëndrojë shumë…

Më pas vjen zhbërja e cila, në përgjithësi, ka të bëjë me veprime që bëhen për të fshirë mendime apo ndjenja të pakëndshme që kanë ndodhur. Xheladini pasi lodhet duke ndërmendur gjithçka kishte e gjithçka ishte e duke mos dashur të mendojë atë që i vjen natyrshëm i kërkon Rizait, të shalojë pelën se ai ishte mërzitur e donte të dilte për gjah.

Pas zhbërjes, do të vijë sublimimi i cili është transformimi i impulseve të paparanueshme (kërkimi i plotësimit të epsheve të tij) në një formë më të pranueshme shoqërisht, madje produktive të ligjërueshme. Kjo shkallë e fikjes, do të realizohet tek kroi i fshatit, kur ai nuk e njeh (ç’flet more, ç’flet moj e marrë? Ku kish bijë Xheladin Beu?) vajzën e tij e si pasojë ai, duke e quajtur shumë të drejtë dëshiron ta zotërojë atë. …se të gjitha ishin pemë në drutë e tija: zgjat dorë e merr. Me këtë frazë, ai justifikon transformimin e impulseve të papranueshme në të pranueshme, madje edhe shoqërisht. Cili ishte ai burrë nëne, që i dilte kundër beut në këtë pikë?

E pas tij, do të vijë racionalizmi, pra shndërrimi mendor i “fakteve” për ta bërë ngjarjen – në rastin konkret impulsin- më pak kërcënues për mirëqenin e tij, sepse më në fund, duket se Xheladin Beu, ka zënë të bëhet i vetëdijshëm e ta shfaqësojë veten.

Pasi do të përballet me të ëmën e vajzës, Maron, ai përjeton regresionin, kthimin pas në kohë psikologjike, duke u përballur me stresin e si pasojë, zë e mbrohet.

E në këtë vorbull të veprimit të tij, me Maron, do të na japë të kuptojmë se ai ndërton një zhvendosje të jashtme, që me fjalë të tjera do të etiketohej si projeksion ose e kundërta e kthimit kundër vetes. Le të jemi më të qartë:

Xheladin Beu e dashuroi me të vërtet Maron disa kohë. Dhe ajo uli kryet dhe bëri si desh Beu. Se edhe asaj i ziente gjaku i ri, në damarë. Kjo mbajti gjersa e ndjeu veten të rëndë kur Xheladin Beu e këputi fillin. I dërgoi fjalë një katundari – emrin nuk ia dinte tani – ta marrë për grua. Bile u tregua zemër-gjërë dhe i foli një pendë qe e s’di ç’sende të tjera. Katundari desh s’desh e mori…

Me fjalë të tjera projeksioni ka të bëjë me prirjen për të parë dëshirat e papërshtatshme të vetes tek njerëz të tjerë, pra dëshirat janë aty, po nuk janë më dëshirat e tua. Maroja ishte aty, kishte qenë gjatë gjithë kohës, por nuk ishte më dëshirë e Xheladinit. Ajo kishte pushuar së qeni, tek e fundit siç kishte ndodhur me të gjitha të tjerat, por ky rast, është pak i veçantë, jo sepse përligj projeksionin, por sepse lidhja me dëshirën kishte ekzistuar gjatë gjithë jetës. Kishte ekzistuar një vajzë e tij, ndoshta edhe dhjetëra të tjera, por vetëm ajo iu ballafaqua atij, ai e pa, madje e pëlqeu shumë.

E pas projeksionit, do të vijë mohimi, si element tjetër i teorisë së personalitetit, i cili ka të bëjë me bllokimin e ngjarjeve të jashtme nga përvetësimi në vetëdije – Xheladini fillon të bëhet i vetëdijshëm, a thua se ka filluar të shërohet? – , ku një situatë kur është e tepërt për t’u përballuar, refuzohet përjetimi i saj, përkufizim i cili do të shërbejë si pikë lidhje e krisjes së mëtejshme të ndërgjegjes së Xheladinit. Krisja do t’i përngjajë “pastrimit të oxhakut”, veprim apo përjetim i cili thirret në ndihmë për t’i dhënë kuptim një simpome të veçantë. Ballafaqimi me Maron dhe njohja me të bijën zë dalëngadalë të ushtrojë te Beu funksionin e katharsis-it.

Katharsisi, pashmangshmërisht, do ta çojë Beun drejt represionit, apo harresës së motivuar, kur ai do të monologojë në këtë mënyrë:

– Mirë, po cili është Rizaj?

– Çun katundi.

– Çun katundi, pa fjalë, po i kujt?

– Çun i asaj si i thonë bre? i Xhemiles!

E bukur pat qenë e ëma, i bukur ish edhe vetë Rizaj. Prandaj e mori Beu në shtëpi. Më parë… ndryshe si dylber hesapi pastaj, qajha, se ay tjetri u mplak. I ati i Rizajt (që s’ish tamam i ati) ish plak, me të vërtetë jo që tani, po që kur Beu i dha Xhemilen për grua…

E nuk është se është fort në gjendje të kujtojë një situatë, një person apo një ngjarje kërcënuese. Kjo, si pjesë e mbrojtjeve të tjera, që Frojdi dhe teoritë e tij i bënë, deri në këtë moment, është shumë e rrezikshme.

Është shumë e rrezikshme, sepse Xheladin Beu, si njeri i gjakut dhe i qejfit, do të identifikohet me agresorin duke u fokusuar në përshtatjen e tipareve negative dhe të frikshme, duke u identifikuar me të gjithë veprimet, ligësitë e tij, sepse ai kishte humbur mendjen dhe ikte nëpër fushë natën…

Unë, do të thoja, se ai e gjeti mendjen!

Exit mobile version