“Një himn i rrallë për gruan”
Ismail Kadare
Ardhja e katërt e këtij libri në vitin 2025, ka një përkim jo të qëllimshëm, ndoshta edhe po, por mendoj se edhe rastësitë plotësojnë qëllime dhe përkujtime. Ishte 23 maj 1935, ditë ejte, do të thotë 90 vite më parë, kur çifti i bukur i Tiranës së asaj kohe, të martuar në shtatorin e vitit 1933, inxhinieri i ri por që kishte bërë emër, Gjovalin Gjadri dhe nusja e tij, Zejnep Abdi Toptani, njëra nga vajzat më të bukura të kryeqytetit, u shënduan nga lindja e djalit të tyre, Egon e pagëzuan, një emër djali me origjinë gjermane të vjetër, që do të thotë “teh shpate” ose “i fortë me shpatë”, i bukur boll, bash nga më të mirat që gëzonin dy prindërit e tij.
Jeta e solli, që ky djalë i dëlirtë, të bëhet shpejt personazh i librit për të cilin po shkruajmë disa mendime, për ardhjen e tashme në duart e lexuesit të sivjetëm, libri tronditës “Letra grues seme të vdekun”.
Libri nuk është thjeshtë autobiografi , por një “tubë me letra” që zënë fill me 3 shtator 1941, shtatë vite pasi ishin martuar, por Zejnepi e bukur, nuk jetonte má, dhe djali Egon, ai “teh shpate”, tash mbetë jetim pa nënë, vetëm më të atin, në moshën 6 vjeçare, ashtu sikundër edhe i ati, po në atë moshë – 6 vjeç, mbeti jetim veç me nënën e tij dhe një motër “farishte të vogël”, e pra, jetim Gjovalini e jetim fati i tij, Egoni, “due prap me besue, si në kohën e fëmijnisë, se ka nji jetë edhe mbas vdekjes”(fq.29), do të shkruente Gjovalini në librin e tij me letrat e grues së vdekun.
Ardhjes së katërt të “Letra grues seme të vdekun”, i parapriu libri tjetër i Gjadrit, i panjohur më parë “B2-Dramë në pesë akte”, – nji vepër teatrale moderne dhe interesante që e nxjerrë në pah Gjovalin Gjadrin si nji shkrimtar të mirëfilltë e jo thjesht si nji bashkëshort që mori shtysën me shkrue librin e tij të mirënjohun Letra grues seme të vdekun – shkruan në parathënje, i njëjti përkthyes i dy librave nga gjermanishtja, Prof.Ardian Ndreca.
Lexuesi i tashëm i 2025-s, duhet ti “përpijë” këto dy libra me vemendje për të kuptuar më mirë Gjadrin dhe letërsinë e tij, përtej profesionit si njëri nga inxhinierët e ndertimit, më të zot që pat vendi ynë në të gjitha kohët deri në ditët e sotme, por ndoshta, afrohet në të ngjarë, biri i tij -Egoni- duke lënë mangut vetëm letërsinë e të atit.
Por a duhet të mendojmë se në një mjedis shkodranë, kur Gjadri po hidhte shtat në adoleshencën e tij jezuite, në Kolegjën Saveriane, të ketë ndikuar që ai të shkruaj letërsi sado “foshnjore” të ishte ajo?!.
Ja diçka nga Shkodra e tij e asaj kohe.
Arra e Madhe, është një lagje e vjetër e Shkodrës ku lindi Gjovalin Gjadri(Giardi) dhe në rregjistrat e vjetër të Shkodrës rreth vitit 1740, gjendet edhe familja Giardi, (K.Shtjefni, “Shkodra në shënimet e mia”, fq.58), në atë lagje gjendet edhe Kuvendi Françeskan, dhe në rrugicat e ngushta nga do kalonte çdo ditë djaloshi i bukur Gjovalin për me ndjek mësimet e para shkollore në Kolegjën Saveriane (nga viti 1905 deri në fund të 1913-s), ai parakalonte bri shtëpisë së patriotit Pashko Vasë Shkodrani dhe asaj të poetit të rilindjes Filip Shiroka, e madej fill në kolegjën e jezuitëve.
Për një jetim pa babë, në moshen 6 vjeçare, shembujt në jetë janë të domosdoshëm, udhërrëfyesit janë modele. Në Kolegjen Saveriane, u gjend Át Pashko Gjadri SJ, nga Gjadri i Zadrimës, pedagog te Jezuitët dhe më vonë qe famullitar ndihmës, në famullinë eTiranës, ndërtoi një kishë të re, dhe përveç kësaj shpëtoi jo pak përsona nga trekëmbëshi dhe nga plumbat e Zogut. (fq.416, Markus W.E. Peters; ”Shtëpia botuese më vjetër e Shqipërisë….”Tipografia e Zojës së Papërlyeme” në Shkodër (1870-1945). Edhepse nxënës dhe adoleshent, Gjovalini si të gjithë shokët e tij, ka ndjekur shfaqjet në Salonin e Kolegjës, që ishte Teatri i famshëm i jezuitëve me 450 vende, shfaqjet e të cilit zënë fill që nga viti 1890. Në librin”SHKODRA-Kontributet në traditat kulturore e artistike” të M.Z.Shestani, ku evidentohen një numër aktorësh amator të grupeve teatrore, krahas shumë përsonash, del edhe emri Gjovalin Gjadri( fq.423).
E gjithë kjo tabllo e parashtruar, tregon se Gjadri rritet e formohet që te Jezuitët me një kulturë letrare, kulturore dhe teatrore, të cilat, me sa duket nga librat e tij që kemi në duar, kanë formuar te ai “laboratorin” ku vite më vonë, që me Dramën B2, shkruar në harkun kohor 1930 -‘31, kur ishte në ish Bashkimin Sovjetik.
Por Jezuitët e nderojnë inxhinier Gjadrin, në 50 vjetorin e Kolegjës Saveriane (1877-78 – 1927-28) duke rënditur emrin e tij si ish kolegjial saverian i përmendur në jetën publike, në rubrikën “Profesionisti” si Giovanni Giadri – ingegnere (fq.79).
Duke e vështruar jetën e Gjadrit deri kur ai fillon të shkruaj librat e tij, të përmenduar këtu më sipër, bindemi si inxhinieri i ardhshëm nuk e kishte të vështirë që botën dhe jetën e tij të vuajtun ta shkruaj se,“Kujtesa asht nji mikluese e së kaluemes e kur njeriu sjell ndër mend momentet e jetueme në të kaluemen, ai i paraqet ma bukur sesa kanë qenë në të vërtetë”.
Shkodra, e birit te vet Gjovalin Gjadrin, ka ndigjuar së pari, librin “Letra grues seme të vdekun”, herët, që në botimin e parë përkthyer nga arkitekti Petraq Kolevica, aty nga viti, dikund 1995-96 dhe, në valët e Radio Shkodra, në një emision të përjavshëm radiofonik, quhej “ Semafor” dhe drejtohej nga gazetari-shkrimtar Xhahid Bushati, flitej për librin por gazetari duke e menduar me të drejtë librin si mesazhe dashurie, vendos që të gjithë librin, ta lexoj në disa javë, një gazetare me zë të bukur dhe të përmallshëm, në mënyrë që mesazhet e letrave, të depërtojnë thellë në shpirtrat njerzor, kjo ishte një gjetje e bukur, në kushtet kur libri kishte tirazh të vogël. Aty kam ngelur edhe unë, me veshë afër altoperlantit të Radio “ ILIRIA” për të shijuar jo thjeshtë letërsi, por kënaqësi se, siç shkruan një shkrimtar i madh i yni, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” (Zija Çela).
Kaluan vite, dhe librin e mora në duar në Panairin e Librit “Tiranë 2017”, në 15 nëntor dhe shënova në faqen në fund të librit (124), pasi kisha nënvizuar mesazhe dashurie pafund, – Për pak orë, e premte deri të shtunen, lexim me kokën pas e mendjen përpara. (17-18 nëntor 2017).
Ja disa mesazhe nga libri, që zënë vend në “tubën me letra” që Gjovalini ( Padër Justin Rrota, emrin e tij, pra Gjovalin, Gjin, Jovan, Ivo, e mendon nga hebraishtja ”Dhunti e Tënzot”, i shkruan gruas së tij Zejnepit ( ka kuptim – Bujare -, emri i njëres prej bijave të Profetit Muhamet) , ja pra sesi Zoti bashkon në martesën civile me 24 nëntor 1934, në Shkodër, një katolik dhe një muslimane, “ne ishim gjithmonë të sinqertë me njeni-tjetrin, e kjo ndershmëni m’duket se ishte themeli i lumtunisë sonë bashkëshortore”(fq.28) dhe vijon “të afërmit tanë, që u anmiqsuen me ne, pse un isha katolik e ti muhamedane, u detyruen me e pranue ma vonë se ishin gabue.Tash që ti ke vdekë ata qajnë, por askënd vdekja yte nuk ka prekë kaq afër sa mue”.
Mandej shfren nga halli, “….në jetën teme nuk ia kam urue kujt të keqen e as tash nuk ia due kujt, por me m’thanë kush se po e han dreqi tanë botën s’e kisha ça kryet aspak, aq të padrejtë e ndiej plagën që vdekja jote ka çilë tek un”.
Ndonse në faqet e librit ka shumë kohë me përjetimet e një jetë nëpër spitale, me frigë dhe pasiguri edhe nga mjekët që kuronin Zejnepin në Itali, përsëri Gjovalini ka shpresë kur shkruan – “Ia kam urue vetes me kalue shumë vite me njeni-tjetrin si mollë e pandame, deri kur djali të rritej e të kishte fëmijët e vet,.”.
Gjadri, dashuninë me gruan e tij e ka me shpirt jo me prikë, ai te prindët e Zejnepit shikonte moralin dhe virtytin, atdhedashuninë e tyre dhe kontributet në politikën e kohës së trazuar që kalonte vendi,“Ti rrjedh në të vertetë prej nji prej familjeve ma të vjetra e fisnike të Shqipnisë…Të kam dashtë e çmue shumë për cilsinat e tua të mira, ma s’parit për ndershmëninë tande”, dhe shton: “Sapo u martuem filloi me na shkue mbarë e mirë gjithçka.Ora e mirë punonte për ne. Nana jote u pajtue me ty. Baba ta dha trashëgiminë tande, ti më dhurove nji fëmijë, ndërtuem shtëpinë në fshat dhe në çdo kandvështrim po na ecte mbarë”….ti m’a çilje zemrën e un isha vullnetmirë që besimin tand me e shpërblye me miqsi të kulluet…”.
Teatri dhe letërsia saveriane e Shkodrës, inxhinieria e marrun në Politeknikumin e Lartë të Vienës, shpirti i tij i butë por edhe karakteri i fortë, e bëjnë Gjadrin, që në të dy librat e tij, të cilët i kemi tashmë në duar, të duken nëpër rreshtat dhe strukturën e shkrimtarisë së tij.
Ja, te “tuba me letra”!
“…e kam ndërtuar vorrin shí pranë shtëpisë, pak hapa larg, aty pranë shelgut ku un pushoja gjithnji paraditeve në shezlong…Ideja jeme ishte që banesën tonë të fundit ta realizoja kështu, që ajo t’i përshtatej mjedisit dhe të zhytej në nji mori lulesh. Dhe kështu u sendërtue e dashun! Nji tandë me shufra të forta hekurit harkohet nalt dhe rrethon e ngarkueme me lule bllokun e thjeshtë të vorrit që shtrihet poshtë, nji me tokën…Vorri monumental asht në harmoni me peisazhin.Ai don me nderue dashuninë tonë, në dalzotje të shtëpisë që shtrihet në mes blerimit. Ai do të mbijetojë në paqen e kohnave dhe vdekjen do ta shohë trimnisht në sy, si nji ligj të vijimsisë së jetës….Për mue vdekja s’ka ma kurrgja të tmerrshme, përposë frigës së dyshimt se ndoshta s’kam me të takue ma”.(fq.76)
Ja, të B2. Drama në pesë akte!
“ Zemra e arësyeja janë dy shtylla të ndryshme, të ndame nga raca dhe nga formimi.Shtyllat duhet të jenë të forta, distanca jo e vogël. Shendi, si i përzgjidhun, do të kishte mbushë çdo hendek mes nesh.(fq.100)
“Për këto e shumë të tjera duhet të mendoj,
Tash që kam me ia ba dhanti jetën teme vdekjes”.(fq.105)
Ne, vendi ynë dhe populli shqiptar, njeh me nderimin më të madh Gjovalin Gjadrin si inxhinierin më të madh në fushën e ndërtimev në vendin tonë, veçanarisht në projektimin dhe ndërtimin e pothuaj, të gjitha urave të mëdha që kemi ende në këmbë dhe të sigurta, janë të shumta, mbi to kanë kaluar tanke dhe trena.
Fati ynë, është edhe djali i vetëm i tij, Egoni. Ndryshe nga i ati, ai është projektuesi i pothuaj, të gjithë tuneleve të Hidrocentraleve të vendit tonë, por edhe i tuneleve hekurudhore.
E, tash për fund.
Jeta duhet ti kishte “të prera” ligjësitë e saj, të kishte një rradhë, ashtu si vimë ashtu duhet edhe të largohemi, gruaja duhet t’i “mbyllë sytë” burrit të saj.
Kemi shembuj.
Një grua i shkruan burrit kompozitor “Vikama e Tingullit”, një tjetër, Anni Filip, burrit artist i kinemasë franceze:“Po çfarë përfaqëson një jetë njerzore në krahasim me përjetësinë? Kohën e një psheretime….E di ç’do të thotë kur vdekja troket te porta një çifti, kur ajo rrëmben njërin nga të dy në lulen e moshës, duke lënë tjetrin në zbrazëtinë e shtëpisë“!
Dhe shton…vdekja s’është asgjë, mjerë ai që mbetët!
E mbyll si epilog, ai, i bukuri Prof. Gjovalin Gjadri.
“…. të vdekurit kanë nji ndikim të madh tek ne. E gjithë kultura e ka zanafillën tek ata. Toka asht djepi i të vdekunve…Të vdekunit jetojnë nëpërmjet mbasardhësve dhe veprave që kanë lanë, ne s’mund të mos e përfillim egzistencën e tyne e duhet t’u ngrehim përmendore “.
Fund.
Shkodër më, 15 Qershor 2025.a