Kreu Forumi mbi përkthimin LLAMBO RUCI: Homeri dhe Himara: Hyrje në botën dhe rrugëtimet homerike

LLAMBO RUCI: Homeri dhe Himara: Hyrje në botën dhe rrugëtimet homerike

Kur isha fëmijë shkolle në Dhërmi të Himarës dhe belbëzoja vargje, kur bëja bé me betimet pagane himarjote për diellin, zjarrin, vatrën mes shtëpisë, kur strukesha i ngjethur nga rrufetë dhe bubullimat e pafundme dimrit përballë në Akrokeraunet shtrëngatore (“Shkëmbinjtë akrokeraunas/ shpesh të famshëm për shkatërrimin e anijeve”, si thoshte Horaci), ku Zeusi “ndëshkonte” mosmikpritësit dhe besëshkelësit, nuk mund të dija se, sipas legjendës, në këto brigje kishte shkelur në lashtësi Odisea i famshëm i Omirit (Homerit), stërgjyshit të poezisë europiane.

Më vonë, kur lexova dhe kuptova botën homerike, te mjegulla e përhershme në qafën dhe kthesat e Llogarasë, si tis i mbetur i shpërthimeve të dikurshme vullkanike, që ngjallet dhe përhumbet shpejt shkrepave të Çikës, gjeja nyjën që lidhte këto brigje të rrufeve me përfytyrimin poetik të Homerit tek “Odisea” (XI, 14-9) për kimerët (Κιμμέριοι, it. Cimmerii) dhe peizazhin e tyre:

“Atje ishte vendi dhe qyteti i kimerëve,

që i mbulonin re dhe një errësirë e trashë.

Kurrë me rrezet e tij nuk i ka parë dielli,

as kur në qiellin me dritë yjesh lind,

as kur prapa drejt tokës kthehet nga qiejt,

veç vdekatarët e mjerë i mbulon një natë kobzezë”.

Pikërisht këtu në vendin e himarjotëve, shkruan Spiro Rusha, përgjatë bregdetit jomikpritës keraunian, Pukëvilit i doli “… përballë Himara (Chimara), që i përkiste Chimera antike, emër i cili tashmë mbahej nga distrikti i himarjotëve të tmerrshëm… Akrokeraunet, ose më saktë malet Keraune janë emërtuar kështu që në lashtësi, nga termi grek keraunos, që do të thotë bubullimë, për arsye të lartësisë dhe veçanërisht për shkak të ekspozimit të tyre ndaj detit, të ndriçuar shpesh me dritën e vetëtimave. … Keraune (Ceraunia) është vendi i cili, sipas disa studiuesve, përmendet nga Circea në udhëzimet e saj drejtuar Uliksit… Nëse Homeri do të kishte zgjedhur malet e Himarës për skenën e veprimeve infernale, që zhvilloheshin mes mjegullës së dëmshme, me të cilën ato mbuloheshin asaj dite, gjërat duhet të kishin marrë rrjedhë krejt tjetër gjatë periudhës tri mijëvjeçare…”. Përballë “Fanos, Othonos i antikitetit, që mendohet të jetë rezidenca e Kalipsos, i njohur në Odisenë e Homerit dhe Telemakut të Fenelonit”…

Ja dhe përfytyrimi i Homerit për Himarën-Kimerë (Iliada, VI, v. 179-182):

… Kimera e frikshme…

pjellë njerëzore nuk ishte ajo, por soj hyjnor,

dragua nga prapa, luan përpara, në mes dhi.

Ishin të brendshmet zjarr dhe flakë fryma e saj.

Gavril Dara i Riu tek e famshmja “Kënga e sprapsme e Balës” e përshkruan mrekullisht stihinë-Himarë antiturke:

Kështu me vehte mendoja,                           55

Kur një krismë me përmendi…

– Do jetë era në ato të dushqe

A lugati endacak?

Por këtu s’qaset… as ujku,

Që i nginjur diku struket,                               60

As dhe dreri frikacak,

Që këcen i shqetësuar…

Këtu n’t’errët mos jan’ futur

Pararojet e armiqvet,

Që ditën gjithnjë kan’ frikë?                          65

Jo, jo kurr’, për ushtën time

N’t’errët Arbri s’do të bjerë,

Se dhe copëtuar e shtypur

Me drit’ botën do e mbulojë!

Ashtu si kulshedrat natën,[1]                                  70

Kthyer stihis’ së Himarës,

I vërtiten duke i shtënë

Shi me breshër e me gjëmë;

E ajo ngrihet e i qëllon

Me shkreptimë e bubullimë;                         75

E kur k’putur e plagosur

I vjen met’ fryma e fuqia,

Me syt’ keq të zgurdulluar,

E pëlcet me këmbë malin,

E derdh zjarrin, porsi lumë                            80

Dhe e ndezur plot shkëndija

E përpirë bie në ferr.

Kjo mbrujtje poetike me ndjesinë homerike të heronjve dhe fenomeneve, që shkreptinin tej në Akrokeraune, më shtynë fillimisht të merresha me Odisenë dhe më pas me Iliadën. Një ndërmarrje e vështirë që kërkonte vullnet, njohuri dhe përqasje me përvoja të tjera, që citohen në literaturën e botimit. Dhe e nisa kështu për dy arsye: se Odisea është një endje poetike nëpër pellgun mesdhetar me etjen e aventurës dhe zbulimit të botëve të reja, të panjohura të Perëndimit, ku u vërtitën heronjtë e lavdishëm të Trojës, pasi hyjnitë i mbuluan me lavdi e plaçkë, i ndëshkuan lloj-lloj për dobësitë e tyre njerëzore. Dhe legjendat e djepit mesdhetar këta heronj, por edhe fenomene të tjera para dhe pas Trojës, i përplaste nëpër Akrokeraune si përplasin dallgët një barkë në furtunë dhe mbetjet a të shpëtuarit dëshmojnë për tragjedinë.

Në botimin Himara në stuhitë e shekujve nga Spiro Rusha, ceken të dhëna të vyera të lidhjes së krahinës me mitologjinë dhe legjendat e lashta të Mesdheut. Kështu ai përmend se Apollodori thotë se “[Odhiseu] pasi bëri fli për nder të Hades, Persefonës dhe Theirezisë, duke kaluar më këmbë nëpër Epir, arriti te thesprotët dhe sipas orakullit të Theirezisë zbuti zemërimin e Poseidonit me flijime”.

Sipas Homerit Odisea u nis nga ishulli Ajaja ku banonte hyjnesha Circe dhe sipas porosive të saj lundruan që nga perëndimi drejt lindjes dhe arritën “aty ku është krahina dhe qyteti i burrave himarjotë” (“Odisea” botuar në Lipsia, 1860, f. 166); populli aty shton më poshtë, jeton pa i parë rrezet e diellit për shkak të reve të mjegullës, që e mbulon tërë krahinën. Homeri nuk e shpjegon shkakun e këtyre reve dhe mjegullës së vazhdueshme në qiellin e Himarës, por F.C.H. Pukëvili, i cili e ka vizituar tërë malësinë e Akrokeraunëve, kur kryente funksionet e konsullit të Francës në Janinë pranë Ali Pashë Tepelenës, na thotë se janë rezultat të vullkaneve të shumta. Fenomenet e tyre (vjellën e tymit të mjegullës dhe të llavës) ishin zhdukur sepse vullkanet kishin pushuar së vepruari, por Pukëvili e mbështet tezën e tij në ekzistencën e gjurmëve të tyre, të cilat ai i ka parë vetë gjatë vizitave që ka bërë në këtë krahinë (“Voyage dans la Grece”, f. 250-251).

Sipas Pukëvilit, Homeri ka dashur të përcaktojë Akrokeraunët kur hyjnesha Circe me selinë e saj në ishullin Ajaja, duke e udhëzuar për rrugën detare që duhej të ndiqte, i tregoi plazhin e zbarkimit, ku do të gjente hyrjen e Tartarit (Aornin), të cilin duhej ta vizitonte për të pyetur hijen e falltarit Tiresia, për t’i thënë nëse do të mund të arrinte në ishullin e Itakës apo jo. Atëherë kjo grykë e Tartarit (Aorn), nuk do të jetë ajo që Straboni e vendos në buzën e lumit Akeront të Thesprotise, por ajo që gjendej në Akrokeraunët. “Kur Plini tregon një qytet të Kimerasve të quajtur edhe në ditët e sotme Himarë, emër që do të jetë ruajtur qysh nga një antikitet shumë i largët. Pra, prioriteti i Aornit, probabilisht i përket Akrokeraunëve, ku princi i poetëve e bën të shkarkojë heroin e saj që u nis nga ishulli i Circes, para se të drejtohet për te mbreti paqësor i Feakëve” (Pukëvili, “Voyage dans la Grece”, f. 250). Prioriteti i Aornit të Akrokeraunëve mbështetet edhe nga dijetari i shquar athinas, Apollodori, i cili shkruan në veprën e tij “Biblioteca”, se Odisea pasi bëri fli për nder të Hadit, Persefonës dhe Theiresisë, duke kaluar më këmbë nëpër Epir, arriti te Thesprotët dhe sipas orakullit të Theirezisë, zbuti zemërimin e Poseidonit me flijime (sipas “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, f. 76). Nga citati i mësipërm del se në Thesproti ka shkuar pasi bëri flijimet, që do të thotë se ato i bëri jo në Thesproti, ku vendosi hyrjen e Tartarit (Aornin) Straboni, por në një tjetër vend përpara se të shkonte në Thesproti. Dhe kuptohet se ky vend ka qenë në Akrokeraunet, në Palestë, afër tempullit të Furieve, hyjneshave të mallkimit e të gjakmarrjes: “Hie furit et/ saepe palestinas jurat adess deus” (Ovid. Factorum 4, sipas Pukëvilit në “Voyage dans la Grece” f. 250).

… Kthimi i grekëve për në atdhe pas rënies së Trojës dhe dyndja e fiseve të dorëve në Peloponez, në Kretë dhe në ishujt e tjerë të Egjeut, janë dy ngjarjet, që krijuan një gjendje trazirash e përleshjesh të armatosura midis popujve të ndryshëm të Mesdheut Lindor. Një pjesë e forcave luftarake greke humbën drejtimin gjatë lundrimit, njësoj si Odisea, për shkak të stuhive, të cilat i shtynë drejt territoreve të huaja dhe i detyruan të ngulen në vendbanime të reja. Gjatë kësaj periudhe një grup pellazgësh (ose pulasta) të Palestinës, pas disfatës që pësuan nga izraelitët e Davidit, për t’i shpëtuar zgjedhës së pushtimit, zbarkuan në malet Akrokeraune, në plazhin e Palasës së sotme.

Ndjenjat e autonomisë së banorëve të Himarës u manifestuan në mënyrë të qartë edhe gjatë luftës civile midis Jul Qezarit dhe Pompeut, i cili ishte vendosur me forcat e tij në Iliri dhe në Epir, ndërsa me flotën e tij ishte bërë zotërues i detit Adriatik dhe detit Jon, por në krahinën e Himarës nuk kishte vënë dot këmbë. Edhe Jul Qezari nuk e bën zbarkimin me forcat e tij në Palestë të Himarës me anë të dhunës, por u mor vesh me drejtuesit e krahinës. (A. Baldacci, “Studi speciali albanesi”, vol. III, p. 225.)

Pa marrëveshjen me vendasit nuk vlente aspak gjenia e Qezarit, midis një kaosi malesh shkëmbore, që puqeshin me brigjet e detit të pabesë, si ato që shtrihen që nga Kepi i Gjuhëzës deri në Onhesm (Sarandë), e që karakterizon Himarën në shikimin e saj të llahtarshëm, sidomos në vjeshtë dhe në dimër. (A. Baldacci, vep. cit. f. 228.)

Kur Homeri flet për arritjen e Odisesë në Himarë, përmend arritjen e tij “në kufijtë e oqeanit, aty ku ndodhet krahina dhe qyteti i burrave kimeras”. Që këtej del se emri i Himarës si krahinë është parësor në krahasim me qytetin, i cili si krijesë më e vonshme nga vetë krahina ka marrë edhe emrin e saj. Mbas çështjes së emrit Himarë, si emër parësor i krahinës, i cili është bërë edhe emër i qytetit si qendër e të gjitha fiseve të himarjotëve, lind pyetja e etimologjisë së emrit Himarë (ose Kimerë).

Në “Dokumente për Historinë e Shqipërisë” – pjesa e dytë, 1499-1506, Himara përmendet me emrat: Zimara, f. 196; Zimarjoti, f. 281 dhe në veprën e Nilo Borgia-s “I monaci brasiliani in Albania…”, botim i vitit 1935, f. 162 emërtohet Chimara. Si shihet në këto emërtime, figuron togfjalëshi “mar”. Ndërkaq, sipas Max Myler-it, emri i perëndisë helene ARIS dhe i asaj latine MARS e kanë origjinën nga sanskritishtja MARU, perëndia e stuhive, ajo që shkatërron, që shpartallon. Në qoftë se e pranojmë këtë shpjegim etimologjik, atëherë mund të arrijmë në përfundimin se edhe etimologjia e emrit të Himarës e ka burimin në emrin sanskritisht të perëndisë së stuhive, të shkatërrimeve që janë pasojë e luftërave. Këtë përfundim e mbështesim në atë se në emrat e Himarës që kemi përmendur më sipër, është pjesë përbërëse rrënja e fjalës sanskritishte “mar”. Edhe rrënja e emrit “Hi”, e Himarës është sipas Stuart Manit, e trashëguar nga indoeuropanishtja, njësoj si fjalët: hënë, hije, hyj dhe hy etj. (S. Man, “Shqipja si gjuhë indoeuropiane” – Konferenca e parë e studimeve albanologjike, f. 135). Pra emri Himarë është identik me emrin e perëndisë pagane të luftës, ARIS në greqishten dhe MARS në latinishten. Për këtë shpjegim na vjen në ndihmë dhe fakti se emri i ditës së dytë të javës që në mbarë shqipen është e martë, në të folurën e fshatit Qeparo edhe të fshatrave të tjera të Himarës, deri në vitet ’40 të shekullit XX ka qenë e marë dhe nga shumë të moshuarit edhe sot vazhdon të thuhet e marë. Nga pikëpamja e lashtësisë Antonio Baldacci e çon përpara epokës homerike. Ai këmbëngul se emrat e njëjtë të Himarës dhe të Panormit të Akrokeronëve me ata të Sicilisë nuk janë rastësi, por u përket arkeologëve për të zgjidhur problemin nëse Himara ngjitet deri në epokën kreto-mikenase. (A. Baldacci, vep. cit. f. 234.)

Gjeto Kola ndër të tjera shkruan: “PALERMO – asht fjalë helenike qi d. m. th. shqip “Portë e vjetër”. Emni i vërtetë i ktij asht Kastri pse përmendet nëpër gojëdhana e kangë popullore të Shqiptarëvet t’Italis, e të Greqis’ e prej popullit të Himarës. Ky qytet pat kenë në za në kohë të vjetra si Himara, Onesmi, Oriko etj. të cillët u rrafshuen prej Luc Pal Emilit, pris i ushtrinavet romake vjetin 163 mbas Krishtit, i cilli zaptoj kto vende e kshtu u shqym qytetnimi e perparimi i pellazgve. Në ket rasë prishi ma se 70 qytete e mori ma se 300.000 vajza e djelm rob, e i dergoj n’ Itali per të shtuem mënderen e frigen neper vise t’ona. Banorët e Kastris u shperndan do në Greqi, Qerfoz (Korfuz), e tjerët morën malet e Shqipnis. Mbas pak kohet u rivendosen…

Ali Pasha Tepelena, si thame ma parë, ngrehi kështjellin në rrenime të Qytetit Kastrija.

Historija thotë edhe qi kur u ndez Troja mbasi hiku Enea me barkë, erdh e u ndal në ket lima(n). Pozita asht e shqelqyeshme; porti ka formen e nji patkonit kali.

Ktu qindruen himarjotët ne kohë të Turqis, por si i mujti u fut dhe rrenoj themelisht qytetin Kastri; luftarët i burgosi, e banorët i dboj malevet të cillët sajuen Qeparon, Borshin, Kuçin, Pilurin, Vuno, etj. Flota tregtare e luftare gjen në ket lima nji mprojtje të sigurët ndër dallga të mdha”.

Është e habitshme, por edhe në ballë të kalasë që Ali Pashë Tepelena ndërtoi në Panormo (Palermo) të Himarës për Vasiliqinë, sipas legjendës, në pllakën e mermertë të gdhendur në greqisht, ishte shkruar Himni i Aliut. Pavarësisht nga autori i kësaj poezie epigramatike, Vilaras apo Psalidhas, kuptimi është jashtëzakonisht domethënës. Autori i saj, një intelektual grek i përmasave të Zosimeas, lartëson figurën e pashait nga miti në histori, nga Faethonti, biri i Diellit te Shqiponja e Epirit, Pirroja, nga Athinaja, bijë e pamposhtur e Zeusit dhe hyjneshë e diturisë, tek Aresi hyu i luftës. Aliu, kjo figurë legjendare në sytë e popullit dhe të muzës së poetëve të Janinës, ndërlidhet bukur me kalanë e pathyer…

Ktheni ploret pa frikë, o detarë të huaj

në detin mes Panormos mërinë e erës shuaj,

dhe këtë që tani shihni në ballin tim si yll

është trofe fitoreje, kala që shkreptin,

më ngritën me zell nuse himarjote,

armike ndaj armiqve dhe ndaj miqve shoqe.

Më njohu Faetonti, më kishte Pirroja nakar,

më mban heroi Tepelenas Aliu i Parë.

Në vendet e Epirit i plotfuqishëm Zot

dhe me shpatë në dorë gjeneral i pashoq,

nën urdhër ushtarë ka pesëdhjetë mijë

pa gjumë dhe pa frikë kundër armikut të tij.

Në Janinë prehet luani i trimëruar,

pjellë e Athinasë, nga Aresi mëkuar.

Më 5 shkurt 1814

 Proverbiale dhe homerike është lidhja e himarjotit me vendlindjen, me atdheun, pikërisht ai nostos-i i famshëm (kthimi) i Odisesë, udhësit të paepur nëpër botën e lashtë të Mesdheut. Ja ç’thotë Pukëvili (Udhëtim në Greqi, Paris, 1820): “Këto vende për ditë kanë për himarjotët joshje të reja. Duan buçimën e ujëvarave, që bien mes maleve të tyre. Gëzohen duke dëgjuar gjëmimin e detit, që shpërthen në anëdetet e tyre. Me ngazëllim ndjekin fërshëllimën e erërave dhe të gjithë e dashurojnë dhe e bekojnë vendin e egër, që u qëlloi me gjithë varfërinë e tij. Kështu banori i këtyre maleve është më tepër patriot nga nisioti, adhuron me fanatizëm vendin, që e lindi. Qoftë në mërgon, qoftë në pëson fatkeqësi apo lumturon, nuk humb kurrë trajtën e ëmbël të krahinës së tij. Një instinkt i veçantë ia kujton kurdoherë. Dhe kurdoherë kujtimet e rinisë, e detyrojnë të kthehet pas në strehën e prindërve të vet”.

Marin Barleti, te vepra e tij monumentale “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut”, shkruan se Topiajt “… ishin të njohur si princër edhe për sundimin e Himerës së Uliksit. Ky është një vend malor kundrejt Korkyrës, ku banon një popull i pamposhtur dhe trim, që të mos them luftarak, të cilin ne e quajmë zakonisht himarjotë. Ata janë të siguruar vetëm me mbrojtjen natyrore të vendit, aty s’ka bërë gjë dora apo mjeshtëria e njeriut. Ata i kanë përbuzur gjithmonë me sukses turqit e harbuar pas nënshtrimit të Epirit me vdekjen e Skënderbeut dhe kanë jetuar gjer në këtë kohë pa e njohur sundimin e huaj, me njëfarë lirie të pashoqe të natyrës”.

Ndërsa Joan Kamilli, një misionar i Propagandës Fide të Romës, “nga Drimadesi (Dhërmiu), më 13 qershor 1668”, në një letër shkruan për vendasit: “Naturisht janë fisnikë (sojllinj), duanë luftënë dhe, më teprë se me nga çdo gjë tjatrë, zbavitenë me armë, e janë armiq, pothua, me gjithë botënë. Jan’ armiqë me Latinët, jan’ armiqë me Tyrqitë, janë dhe armiqë nërmiet tyre, kaqë sa një fshat vritetë me tjatrin, si të Krishterëtë që goditenë me Tyrqit fqinjë. Dhe s’ka anë tjatërë për t’i qetuarë veçse një shum’ e madhe të hollash a krahu i Perëndisë.

… Njerëzitë janë shumë fisnikë dhe fort të zotëritë për çdo punë. Në mos fare, janë mjaft të mirë; dhe sa për tani janë në barbari e në pagdhendësi të madhe se s’ kanë as të parë, as qeveri, as no njëfarë diturie dhe janë në varfëri të thellë. Në vetija janë më të tepërët pa dhelpëri, të besësë, dhe vetijat e pështira janë të paka nër ta, dhe imzot më ka thënë shumë herë që, në mes të një qint vetave q’u nxjerr fajetë (kur rrëfehen), mezi gjen dy a tre që të kenë bërë faj vdekjeje; nga ky shkak më tepërë pëlqen një shpirt të këtyre njerëzve, se një qint të nonjë kombi tjatërë” (Revista “Kalendari Kombiar” e Lumo Skëndos, f. 46-52, Sofje, 1901).

Ndërsa Bajroni në poemën e mirënjohur të Çajld Haroldit (Kënga e dytë), me penelata të ndezura portretizon malet e Himarës dhe himarjotët:

Të ngrysur çohen lart përpara syve,

Si amfiteatër vullkanik natyre,

Së majti djathtas, alpet e Himarës…

Të bijt’ e Himarës që s’falin as mikun,

Si mundet ta lënë të gjallë armikun?

Si s’markan dot gjak me pushkët besnike,

Ka shenj’ më të bukur se zemra armike?

Në “Gazetën Shqiptare” (Milosao), 13 dhjetor 2015, në shkrimin “Në Himarë bashkëjetoi greqishtja e shqipja… por ka gjurmë toponimesh edhe arabe etj.!”, studiuesi i njohur Dhori Q. Qirjazi, ndër të tjera sjell një fakt interesant:

“Rreth 2500 vjet më parë, në një mbishkrim, që i drejtohej Orakullit të famshëm të Dodonës, thuhej:

(Lidhur me vendosjen e banorëve të Himarës, [ata shtrojnë pyetjen] nëse duhet (apo munden) të vendosen këtu.)

Nga teksti i mbishkrimit nuk kuptojmë se ç’vend kanë zgjedhur këta himarjotë të stërlashtë për t’u ngulitur, as edhe arsyet pse kanë vendosur të shkojnë gjetkë. Për nevojat e punimit tonë, ka rëndësi fakti se ata shkojnë diku tjetër, rrahin udhët e detit a të sterésë, pra ngrenë ura të motmoçme, dhe se mbishkrimi është shkruar në dialektin dorik të greqishtes së vjetër”.

Ky tis homerik i Himarës dhe jehona e largët e fëmijërisë buzë Akrokerauneve me ndeshjet e hyjnive dhe përbindëshat e shkreptimave, ishin shtysë për të risjellë në shqip me një tingëllim dhe gurgullimë jonike në shqipen e sotme Iliadën e pavdekshme të Homerit…

***

Duke punuar me Iliadën, u përvijua një mënyrë përkthimi, që i afrohet origjinalit në vargje, emërtime dhe konstruktin figurativ të poemës, apo i fjalëpërfjalshëm brenda mundësisë së leximit, në mënyrë që të ruhet aroma e origjinalit, si dhe të përputhet fjalësi i emrave të përkthimit me atë homerik.

Ky përkthim ka disa risi.

Ndërsa te botimi shqip i mëhershëm (para gjysmëshekulli), numri i vargjeve nuk i korrespondon origjinalit (p.sh.: Kënga I, Homeri: 611, përkthimi i mëparshëm shqip: 770; Kënga XV, Homeri 745: përkthimi i mëparshëm shqip: 925 etj.), te përkthimi im vargjet përputhen me origjinalin homerik, duke bërë të mundur edhe krahasimin e tij me botime të përkthimit në gjuhët e mëdha të botës.

Në përkthimin e mësipërm është përdorur vargu i lirë, duke ruajtur trajtën dhe ekuivalentin, me sa është e mundur, të leksikut të origjinalit, pa i shtuar apo hequr fjalë dhe shprehje homerike, dhe kësisoj të shijohet në një mënyrë tjetër bota e famshme e antikitetit me heronjtë, ritet fetare, zakonet, fushëbetejat dhe dyluftimet mes heronjve etj., si dhe bota e perëndive të Olimpit, që ndërlidhet me veprimet dhe bëmat e njerëzve në tokë. Në të kam ndjekur shembullin e përkthimeve moderne, që synojnë qasjen besnike ndaj veprës së Homerit (në dallim nga punimet e kohëve të shkuara), duke përdorur si model përkthimet e Iliadës të viteve të fundit nga Kostas Dukas, Rosa Calzecchi Onesti dhe nga Giovane Cerri (shih literaturën).

Përkthimi shoqërohet nga një shtojcë, e cila bën të mundur që poema të kuptohet nga një rreth i gjerë lexuesish, jo vetëm nga studiuesit e letërsisë antike greke dhe romake: Nga disa studime shoqëruese personalitetesh të shquara të fushës; nga një aparat i hollësishëm me një numër shumë të madh prej rreth 1900 shënimesh, ku ka interpretime vargjesh, vendesh, por edhe të instituteve të drejtësisë, hakmarrjes, mikpritjes, dyluftimit etj., një botë homerike e interpretuar që nga komentuesit e lashtë gjer te studiuesit e sotëm, një enciklopedi e vërtetë; nga “Fjalori i emrave”, në tri gjuhë: shqip, greqisht, italisht, me referencat e këngëve dhe vargjeve përkatëse.

Pra, është një përkthim me varg të lirë, i shoqëruar nga një aparat shpjegues, për herë të parë në shqip, si një instrument për të lehtësuar leximin dhe për të kuptuar më mirë epokën, traditën, heronjtë, fenë e grekëve të lashtë, për lexuesin e thjeshtë dhe studiuesin e letërsisë së antikitetit.[2]

Fund nëntori, 2015


[1]  v. 70-82. Kupto: Përbindëshi (stihia) i Himarës (sipas autorit, një mal vullkanik në Shqipërinë Jugore) u qëndron i vendosur kulshedravet, që i vërviten duke i hedhur përsipër shi e breshër e gjëmë. Qëndrimi i vendosur i stihisë së Himarës kundër kulshedrave këtu krahasohet me qëndrimin e vendosur të Shqipërisë kundër armiqve turq. v. 77. I vjen metë = i vjen mangët, i pakësohet.

[2]  Literatura:

– Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, Tiranë 2002;

– Marin Barleti, Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, Tiranë 1967;

– Pukëvil, Në oborrin e Vezirit të Janinës, Tiranë, 1999;

– Gjeto Kola, Himara, (“Hylli i Dritës”, 1939 (Nr. 3-7, 8-10, 11-12)-1940 (1-2);

– Kostas Haxhiantoniu, Himara kështjella e pathyer…, Athinë, shkurt 2002;

– Gavril Dara (i Riu), Kënga e sprapsme e Balës. Kthyer në gjuhë të sotme dhe përgatitur nga Sh. Demiraj, Drejtoria e botimeve shkollore, Tiranë, 1965, f. 51.

Exit mobile version