Kreu Letërsi Bibliotekë “Lëvozhga e fjalës pas një banketi shik”, cikël poetik nga Flurans Ilia

“Lëvozhga e fjalës pas një banketi shik”, cikël poetik nga Flurans Ilia

Anija prej letre

Zëri yt pret përgjatë dimërimit
Mbledh brigjet e brinjëve
Pranverën e anijes prej letre
Bulbëzon ylli i mëngjesit lundrimit
Një albatros a tejqyrë prej kthetre?
Kërkon të rimarrë anijen e ritmit
Sythin e parë, hartën, stolisur
Me degë bajamesh e lule përbri
Rrugëtim i venave në oqean
Shtrirë mbi një pentagram
Savanë e fjalëve ku qiellza reket
Flokënajë foljesh bora e parë
Zëri yt ëndërron brigjet
Anijen prej Letre
Në qiellzë të ritmit batica rreshket
Albatros ëndrra a tejqyrë prej kthetre?
Në qindra fjalë qysh nga bora e parë
Në buzët e tua sythet çelen
Ëndërrtarë, ëndërrtarë, ëndërrtarë !
Mëshojini rremave se tirania e gjuhës
Urdhëron tendosje
Spiranca e ligjërimit po ngrihet
Lëvizja është zgjedhim në zhvendosje


Pëlhurë

Buka e thekur si zgjimi i blirit
Bulkthat në jug zbusin kthetrën
Lugat i ngujuar në muzg
Gjer në zverk zvarrit zefirin
Imazh zafir prej kafeje të fortë
Në xhezve të bronxtë
Gjurmët mbi rërën e shkrifët
Lëçisin filxhanin …
Bunaca e Gushtit ç’vesh
Gjuhën e vdekur të kostelacionit
Gjumi i gjallë i galaktikave
Gllabëruar si një ballamar
Kruajtur me dhëmbë nga Ballabani

Kështu mëtohet nisja, këmbëzbathur
Ball këtij muri të vjetër përpirë detit
Përgjumet Kepi i Rodonit
Prania e zefirit mbi trup të hyjnisë
(Kënga e sirenave të policisë)
Aty ku busulla kapton kuptimin
Te kjo liburnë e mbytur në det
Humbet me fushqet
Duke kërkuar 8-këmbëshin e fjalës
Që duhet plandosur 40 herë mbi gurë
Duke i lëshuar tendinat, varur jargët
Si një kërmill ndënë hënëz
Nën dritën e gushtit
Ku nata nis e bëhet pëlhurë


Në Pashaliman

Kur Ylli i Mëngjesit feks i paanë
Një palë shkallë mbështetur në mur
Mblodha «më the të thashë e vijnë e vanë»
Kornizë bëra konturet trupin pikturë

Në at’ botë ngjyrë ndryshku
Përplaset pëlcet «syri i keq»
Dikush atje lart sheh pasyrën
Deti na shtynë deti tërheq

I kapur ç’ka mbet te ky breg
Brenda gjirit fanepset qyteti
Këngë me iso gadishull me këngë
Shpinën nga mali zemra te deti

Antikitet i zërave përunjë-përunjë
Polifoninë e latuar të gjirit këndon
Ja nis odiseja e hithrave n’gjunjë
Isoja e valëve fjalët m’i mbulon


Lëvozhga e fjalës pas një banketi shik

Pasi shishet e shtrenjta të verërave u pinë
U pinë të shtrenjtat shishe të verërave pasi
U grisën fjalitë e stërzgjatura
Kapota e vjetër zhele u bë ndërkaq
U mblodhën gotat e boshatisura
Gotat këmbëholla si balerina
Balerinat si gota këmbëholla
U vendosën për t›u shpëlarë në lavapjatë

Fjalët si Hëna mbi të ftohtin Posedon
Çarçaf mbi krater shikimesh opake
Fatëzuar në faqet e Perandorisë Romake
Mangall vetullbronxët ku Vezuvë të tredhur
Ndjekin Kadmosin sypërndjekur
Që i shkuli dhëmbët shkronjat i mbolli
I bëri nëndetëse për peshq të ngordhur

Sërish Guernika me sytë e përndjekur
Të një nate më parë
Shtreson hirin e portreteve tona
Materializuar mbi çdo fjalë
Copëza yjesh si fishek në armë
Mbi buzën e mbetur pa gjak

Vazhdojnë të jehojnë si krisma fjalët
Artileri bisedat nga fronti i pendimit
Si gurë kështjellash të rënuara
Mëngjesi i ditës tjetër përmes zgjimit

Fjalitë tona grisen bën sërish ftohtë
Rozafa servir kafe të kredhur në dhimbje
Ndër sytë e saj të ngrohtë
Vështron gishtat e mi qerosë
Si murgj budistë paqësorë e barkfryrë
Sinorin e porcelanit prekin butësisht
Cicën e bardhë të gojëdhânës
Mollëza si rrathë në trung të legjendës

Kur shtypet me gurë lëvozhga e fjalës
Kullon drejt kujtesës një lëng i zi
Derdhur e mbathur në porcelan të bardhë
Mëma e dhéut çdo mëngjes si murim
(shfaqet vetëm me njërin gjoks përjashta)
Si qumështi që zbardh e zbut kafenë
Tridhjetë vitet e ikura prej vendit tim


Figurina prej fati

Te muri i krisur i këtij pesëkatëshi
u shkruajt rrashta ku ra shejza
zemra zbulesë e kartave
suva që djersin bie peta peta
për vitet e ikura shkallare me djejza
kullonin ditët si membranë e lotit
dritares përvidheshin orët
e statujës së mendimtarit
nga ditët e ditarit
përditë rriteshin cicat e sirenave
në pjekurinë seksuale tendosur
te hyrja e pallatit
“Çuna po vjen Izaura!”
makina e policisë Ofelia e fatit

Kriste vështrimi mbi letrat e bixhozit
pa figura heroike me figurina erotike
mustaqe padirsur si fanti spathi
kur iknin dritat dritës së qiririt
nuk kishim çmim por kishim llastiqe
çmimin e zarave të mbushur me hile
ishim mu si gurë që rrokullisen
çmendur pas çupës kupë
shkallare në zbritje
zemra e një harabeli në përpëlitje
aorta e zemrave tona
ikonë e atyre viteve
Diego Maradona
shpirt blasfem i projektuar
me dorë shënuar
si gol i ndaluar
si puthja e parë
te shkallët, pas MURI
me bukë me vaj me sheqer
Shekspiri shtegëtonte përher’
Udhës, mbi një qerre prej druri


Xhamlliku

vetratë xhami shqipërim i smogut
rreth unazës avitet xhamlliku
në teatrin e shpirtërave automat
putërshpërfillur e qiellgërvishtur
shpërfolur si një kësulëkuqe në bankomat
puthja me xhamin e godinës tjetër
sërish takon në rrugë dy imazhe
marionetën tënde
nën uniformën e gabit
si ushtar i luftës së parë, të dytë
një dokumentari të tretë
mbi kryeqytetin si konfigurim gjeografik
dhe të tjera bluxhinse dashurie
në faqe të pashkruara periferie
ndriçojnë pullazet e çative
antenat e dukshme të Dajtit
kabllorët e padukshëm të qytetit
si xixëllonja fshehur rrëzë malit
dritaret e ekraneve dhe celulari
çdo ditë përgjon foshnjën që lind
me Wi-Fi kontakti …
… pleqtë e kryeqytetit
ca qenie të moçme flatscreen
si bibliotekat e shtëpive
si frigoriferët obotin
as një letër në kutinë postare!
TV-ja e mbushur ding
me lajme të ngrira që nuk shkrijnë
te gjysmëhënëzat e bukura të Tiranës
netëve pihet hashash me vështrim të çlirë
poezia është e dalë boje me sy të lirë
grafiti i fjalëve përditë betonohet
krahina e të ardhurve dhe të ikurve
ngujohet
te karuseli i kryeqytetit
te kryeqyteti i dialektit
me vështrim ndaj porte
atavik, shtriqet xhamlliku
ky muskul i tendosur
kjo gjymtyrë e shqisave përmidis

Exit mobile version