Kreu Letërsi Bibliotekë “Kopshti i parajsës”, tregim nga Besa Kalaja

“Kopshti i parajsës”, tregim nga Besa Kalaja

Një të përkryer malit ia dha në vizatimin e saj. Ishte në ankth prej ditësh, asi ankthi që ta zë frymën. Nuk e dinte se mos kjo i ndodhi për shkak të fjalëve që tha në atë takim apo mbase thjesht kishe ardhur koha t’ i përsëritej gjendja. Ka më shumë se katër vjet që herë pas here i zihet fryma, i ngërdheshet fytyra dhe angështia që ndien në trup e dërgon në një dimension tjetër. Aty ku më së shumti ka nevojë të qëndrojë, e nga ku s’mund të bëjë asgjë. Se ishte në rrugë për tu çmendur, ishin kujdesur që t’ia bënin me dije prej kohësh. Kjo nuk e mërziste. E mërziste fakti që po i shthurej e tërë jeta, derisa brenda vetes një dëshirë e madhe, e padefinuar, e mbante pezull.

***

Takimi do të duhej të ishte i zakonshëm. Nuk ishin parë për një kohë të gjatë. U ulën në tavolinë. Ai mori kafen e zakonshme. Të shkurtë, tha. Kamarierja sikur u shpërqendrua nga shikimet e tij pa takt sa gati harroi ta merrte porosinë e gruas. Një verë të kuqe i tha kjo, ose jo, ma sill të bardhë. Deshi të marrë vëmendjen që besonte se i takonte në ato momente. Ajo i mori porosinë me shpinën tashmë të kthyer. Porosia erdhi. Gjendja u përkeqësua kur burri mori trup nga kamarierja, gati t’i thoshte sa e bukur qenke, nuk ia tha. I preku fustanin si me pahir. Ëmmm, me lule- i tha krejt natyrshëm. 

Një heshtje jo fort e gjatë pasoi. Ai mbante filxhanin në duar, nuk e piu, vetëm e sillte herë në njërën e herë në tjetrën dorë. Me një prerje tejet arbitrare, heshtjen e theu me interesimin e tij për gruan në tavolinë duke e pyetur se mos ishte në planet e saj për të ardhmen.  U mundua që bisedës t’i jepte drejtim duke i treguar që kishte një ofertë pune jashtë shtetit, të cilën i tha që nuk dinte ta pranonte apo jo dhe se interesimet e tij përkonin me të sajat.

Në planet e mija për të ardhmen? Shpërfaqesh mjaftueshëm në të tashmen dhe kjo përveç që nuk më pëlqen, më fshin çfarëdo të ardhme, mendoi me vete.

– Jo, as unë nuk jam në planet e mija për të ardhmen, i tha. Mori verën në duar, me shumë përkushtim iu dedikua asaj, derisa faqet iu skuqen.

Kjo nuk i pëlqeu aspak burrit.

Gruaja piu verën e fundit mbetur në gotë dhe deshi ta thërriste kamerieren për gotën e dytë. Në çast pa orën dhe u ngrit në këmbë duke lënë pagesën dhe një bakshish për të mbi tavolinë.

***

Mali ishte i bukur këtë pranverë. Kishte vënë një shall rreth vetes, ashtu siç rëndom bëjnë piktorët. Po shikonte diellin në të perënduar. Edhe një ditë e çuar huq. Dielli e natyra nuk e ndihmuan shumë. E përhumbur hodhi sytë në pëlhurë. Mali kishte marrë anë, dukej i çoroditur si flokët e saj. Një mendje i tha, se ndoshta nuk e kishte vizatuar malin, por hijen e vet. Kjo e trembi për një çast. Përkundër kësaj, vizatimi doli të jetë i punuar në mënyrën më të mirë.

E shtrirë mbi bar, po e shikonte diellin në dritë të syrit. Si kujtohej në kishte bërë kështu edhe ndonjëherë tjetër. Të nxehtin përvëlues s’po e ndjente. Nga matanë gardhit një burrë i tërhoqi vëmendjen. Zonjë, zonjë, – i tha gati në të bërtitur,- ua dogji dielli fytyrën. Shikoi duke i picërruar sytë, ama s’dalloi njeri të gjallë. Kjo e magjepsi edhe më shumë, nuk ia ndau sytë diellit sikur të bënte garë me të. Barin e rritur përreth e ndukte me duar dhe mbulonte veten. Kështu e përfytyronte varrimin e vet, jo të mbuluar me dhe, por me bar, përkujtimi i mbramë i dashurisë së saj për natyrën. Ashtu e shtrirë iu soll ndërmend ballkoni në shtëpinë e saj, të cilin e kishte zbukuruar me lloj- lloj lulesh, disa prej tyre i kishin zënë murin e ballinës dhe kishin ngjyra të ndryshme. U përhumb në kohën kur merrej me rregullimin e tyre, disa të qeshura ia përshkonin fytyrën. Ndjenjë të tilla gëzimi nuk kishte përjetuar moti, edhe pse fytyra dhe sytë po i digjnin. Ajo vazhdoi të qëndronte shtrirë me kryeneçësi deri në momentin kur mbi kokën e saj e pa infermieren. Kostumi i saj i bardhë i bëri përshtypje, ashtu siç i bënë edhe fytyra dhe gërshetat e bardha, të cilat i kishte lidhur në një anë. Nga ç’dreq parajse ka ardhur kjo?, pyeti veten.

Porsa bëri ta pyeste, e kuptoi që s’po mundte të hapte gojën, fytyra i ishte shtrënguar, vende- vende i rridhte gjak. Infermierja i dhuroi një buzëqeshje dhe nga mimika e fytyrës e kuptoi se çfarë donte. Ia lëmoi flokët me lehtësi, dhe e pyeti përsëri veten se nga ç’dreq parajse po vinte. Mendja i pështjellohej e të lëvizte as që bëhej fjalë. Bashkë me fytyrën i ishte djegur edhe gjoksi, duart dhe një pjesë e këmbëve.

-Ke qëndruar prej orësh në diell- i tha infermierja.-Ku?- e pyeti krejtësisht e përhumbur..-Ja atje, te pjesa e gjelbëruar- i tha ajo dhe po ia tregonte vendin me dorë. Kopshtari, ai që të bart pëlhurën e penelat, të solli brenda. Infermierja nuk e zgjati bisedën, e kuptoi se edhe ashtu do i shkonte huq, ajo nuk e kishte idenë pse ndodhej në këtë objekt, në këtë hapësirë të rrethuar nga të gjitha anët me kopsht.

Exit mobile version