Kreu In memoriam Roland Gjoza: I love you, Vaçe

Roland Gjoza: I love you, Vaçe

Ishte një orë në shi. Me këtë orë filloi dhe mbaroi. E mora në duar, ende punonte, me një tik-tak që të kujtonte zemrën në një çast dashurie të krisur. Ishte koha kur dëgjonim O cuore matto, të Litlle Tony-t, dhe mbaj mënd që e këndova gati pa zë në shi. Isha bërë qullë. Kaçurrelat e mëdha më kishin rënë mbi sy. Shiu më kishte zënë te Pallati i madh i Kulturës, ashtu kuturueshëm, hapa derën dhe ngjita një palë shkallë, pa e ditur se ç’po bëja. Kohë e rinisë së shkujdesur, thjesht doja t’i shpëtoja shiut dhe po ngjisja një palë shkallë. Aty më dolën me vrap vajzat e baletit vetëm me geta dhe sutjena. Një grup vajzash të bukura, që kishin bërë grim të rëndë, të djersitura, rimeli në qerpikë po ju shkrinte dhe buzët e ngarkuara me të kuq ju dukeshin si plagë të pambyllura. Kurme gati të punuara me dorë, aq fine dhe të zhdërvjellëta dukeshin, ndërsa ngjitnin shkallët. I shikoja nga afër dhe po më merrej fryma prej një tundimi të fortë. Po ky?–sikur thoshin sytë e tyre me një thërrime trembjeje. Te klubi poshtë, në bimsa, fishkëllente ekspresi. Dikush u ngjit me vrap, ishte roja, me kapi nga krahët dhe, si një këlysh qeni, më flaku jashtë. Hyrë dhe njëherë, po ta mbajti! – thirri dhe më mbylli derën në hundë. E nxora nga xhepi dhe pashë orën, e fshiva sërish me mëngë dhe e vura te veshi të dëgjoja picikatat e Paganinit. Dukej që ishte markë e shtrenjtë, përplot lajle lule, po veç ishte orë grash, dreqi. Kjo më pikëlloi, se s’doja t’ia dhuroja dashnores së fundit që më kishte mbetur, e cila ishte gati duke më lënë pendët. Më linin dashnoret për shkak të kaçurrelave, se atëherë qe moda e flokëve karé, si të ushtarëve. Para meje u shfaq Vaçe Zela me atë buzëqeshjen e saj si aureolë. More djalosh, mos ke parë ndonjë orë këtej rrotull? Orë? Një orë… po ti qenke bërë qullë, more djalë… pse rri jashtë?… Më tërhoqi për dore dhe më futi brenda. Ku të kam parë unë ty? Në Radio, jam një nga shkruesit e teksteve të festivalit. Roja s’bëri zë, u mat njëherë të fliste, po ndërroi mëndje. Ajo ishte Vaçe Zela… I flitej asaj? Atëherë i kisha a s’i kisha 21 vjeç. Mund t’i prek? Më lejon? – më qeshi në fytyrë dhe më kapi nga kaçurrelat. Ujë të janë bërë, more i zi… Po ai avaz, një e dy e merreshin me kaçurrelat e mia bionde. Kjo më mërziste, se më dukej vetja fëmijë. Vaçe, Vaçe, u dëgjua një zë autoritar, të erdhi radha! Shpejt, të lutem!… Pyeste Vaçja? Atë orën e kam gjetur unë, i thashë dhe e nxora nga xhepi i vogël i xhaketës. Të pëlqen? – më tha. Jo, i thashë. Pse? Nuk kam dashnore. Ajo qeshi sa i dolën lot nga sytë. Ma la orën në dorë dhe iku. Pastaj kisha punë me rojën që shfryu me pezm: Marrsh!

Pastaj në fushën e orës shikoja Vaçen…

21 vjeç, siç ju thashë, i braktisur dhe prej dashnores së fundit, më fort për shkak të kaçurrelave demode, aspak në modë për atë kohë, provoja iluzionin se kisha një dashnore të përjetshme, që më kishte dhuruar një orë, orën e saj.

Kjo s’mund të ndodhte, ishte një nonsens i shpikur, se orët rëndom i dhurojnë meshkujt. Këtë ndjesi e kam dhe sot. Sa më e famshme bëhej ajo, aq më besnik i qëndroja unë. Isha një dashnor hije i një dive. Ora ecte përpara, unë shkoja prapa, gjithmonë shkoja prapa. Shtëpinë e fëmijërisë e kam pasur pas hotel Internacionalit, pas Lidhjes së Shkrimtarëve, sot Ministria e Kulturës, atëherë Shtëpia e Oficerëve. Pastiçio janë bërë gjërat. Ngatërruar, katrahurë, si për të mos marrë më sysh kujtimet. Vjen një burrë i gjatë me takije dhe shallvare myzeqari, ulet në oborr dhe pyet për shtëpinë. E shet? Sa? Kaq. Jo. Aman. S’ka aman, as derman… unë dua flloshkat… E di kush jam? Babai i Vaçes, asaj vajzës që fitoi çmimin e parë në festival; Djaloshi dhe shiu, dhe bie shiu bie pa pushim, pik pik bie shiu… As më duhet… Flloshkat në dorë dhe e mbyllim. More i zi, iu hodh nëna babait, po ne në rrugë do të na hedhësh? Sa të kujtojnë paratë ty, bëhesh i dytë. Jo, more i dashur, baba i Vaçe Zelës, nuk kemi ne shtëpi për të shitur… E di pse e dua, tha babai i Vaçes, se këtu dy hapa më tej, ajo këndon çdo natë dhe merret me prova në estradë, ja një pëllëmbë më tej… Po pse zgjodhe shtëpinë tonë? Po sepse ka ballkon mbi portë. La scala, del Vaçja me kitarë dhe mblidhet mëhalla… Dhe qeshi me bubullimë. Nëna i bëri kafe, i dha një gotë ujë të ftohtë dhe e përcolli. S’kemi ne shtëpi për të shitur, shiko ku të mundesh po jo këtu tek ne… Babai pëshpëriste: Po s’i thashë gjë, moj, mua më kanë vënë dyllin e sekuestros në dyqan, kushedi ç’tatim do të më këpusin, kjo as mendon po hidhet përpjetë; s’kemi ne shtëpi për të shitur… e di moj e nxirë, e di, po kaq ta bësh dhëmbin, kjo shtëpi do shitet që do shitet, se këta të vënë hekurat… po ky i Vaçes sikur e donte badiava, medemek, më bëj zbritje ti mua se unë jam babai i Vaçes, asaj që fitoi çmimin e parë në festival, që unë as që e dëgjova…

Ora është 8 e 38 e mbrëmjes dhe Vaçja më qesh nga fusha e orës, 159 ESE

kështu më duket, më qesh sepse shtëpia ime nuk u bë e saja, po ama ora e saj u bë e imja. A harrohet ky episod?

Vinte mbrëmja dhe ne kapërcenim murin që na ndante nga shtëpia e oficerëve. Asaj nate do të këndonte Nikolin Gjergji dhe Anita Take, kitarës i binte i shoqi i saj, Agim Prodani, kompozitori më i madh i muzikës së lehtë, që nuk e donin dhe e linin si mënjanë, sikur të kishte gërbulën. Andej nga mesnata, një oficer i dehur tapë, doli te pista e vallëzimit dhe tha: Të më falni që e kam tepruar pak, po nga entuziazmi… kam zbuluar një talent të jashtëzakonshëm, ja, do ta shikoni vetë… Pamë një vajzë me kitare, një vajzë të hajthët, me fustan basme kombinati, e ndrojtur, që kërkoi një karrige. U ul, akordoi kitarën dhe bëri një pushim të vogël. Oficeri i dehur u pengua dhe ra, askush nuk lëvizi për ta ngritur se atë ndërkaq e kishte zënë gjumi. Qeshi njerëzia dhe s’e kishin mendjen tek ajo vajza me kitarë, po u kujtuan që ishte mesnatë dhe po bëheshin gati të largoheshin. Atëherë në rrugicën tonë prisnin në një radhë të gjatë dhjetë a dymbëdhjetë karroca me kuaj që bënin shërbime të ndryshme, në atë orë pothuaj të dymbëdhjetë karrocierët varnin kryet dhe flinin. Pas pak, siç ndodhte zakonisht, ato do të mbusheshin me oficerët, gratë dhe të dashurat e tyre dhe do të trokëllinin në rrugët e zbrazëta të Tiranës. I mbaj mënd si tani ato karroca me zilka dhe këmborë që kërkëllitnin dhe atë trokun monoton të kuajve, që vinte deri në dhomat tona bashkë me erën shpuese të bajgës dhe urinës. Vajza me kitarë filloi të këndojë dhe unë ndjeva si më kaluan mornica, një drithërimë më përshkoi peshkun e kurrizit deri te maja e gishtërinjve, pashë si u ulën njerëzia dhe s’donin më të ngriheshin. Duartrokitje, urra, biz, dikush shkrehu armën… Kush është? Si e quajnë? Vaçe Zela. Këndoi pesë tango argjentinase dhe herë pas here, thërriste, që atje nga mikrofoni: E kanë fuqinë damat! Ose: e kanë fuqinë meshkujt! Të gjithë i bindeshin, sikur ajo të ishte ministrja e mbrojtjes. Unë asokohe mbaja pantallona të shkurtra me tiranda, skuqesha menjëherë, ndrojtjen më të madhe e kisha prej femrave të bukura. Ishte një zakon: sa fillonte kërcimi në pistë, shuheshin dritat. Në atë errësirë aq magjepsëse, sepse fshihte mjaft intimitete si të zëna në faj, putheshin, ndukeshin e kafshoheshin. O Zot, qafsha nënën që i pashë… nuk gënjej… Po atë fustanin e kuq të asaj bukuroshkës brune që ia këputi me shpullë atij gjatoshit verdhacuk, e patë? Ai ia kishte bërë pis fustanin, ajo e shkretë s’kish si t’i mbulonte njollat, vrapoi e shkoi… Shokët më qeshnin e unë betohesha: më vdektë nëna, nuk ju gënjej… Ja, kjo ndodhte në atë rrugicën time që quhej Kajo Karafili. Atyre netëve të majit a qershorit. U këputën krejt trëndafilat e kopshtit të shtëpisë së oficerëve, aq shumë zhurmë u bë, sa u mblodh i madh e i vogël, lagjja e tërë, gjindja hipte nëpër shkallë e frona duke u kacavarur te muri për të parë Vaçe Zelën. Aq bukur këndonte sa u hap dhe dritarja e Evanthisë, asaj vegjetarianes, e cila mallkoi: Mos ju zëntë e nesërmja ju që therni bagëti dhe hani mish! A harrohet dhe kjo?

Këqyr orën dhe më kujtohet shiu, ai shi i furishëm që m’i bëri qull kaçurrelat. Citizen. Me një rrip prej argjendi ku qenë skalitur peshq me ngjyra. Ajo s’troket më, kuajt e sekondave nuk bëjnë më trok, trenat e minutave nuk kalojnë aq ankthshëm nëpër fushën e orës, fushën e marsit ku ndodhnin aksidente, aksidente dashurie, raketa e orëve kishte arritur me kohë në hënë dhe priste. Atje binte dëborë. Pritja ishte e dëbortë. Jo, s’do të vinte. Dhe fytyra e saj më qeshte, aty në atë fushë të bardhë rrëzëlluese, ku ende s’kish dalë dielli, gjithmonë ishte prag agimi. Unë isha nisur dhe ajo ishte nisur njëkohësisht, po s’kishte punë me mua, sepse unë isha pritësi i përjetshëm, ndërsa ajo ishte diva, kasta diva, që refuzonte pritjet. Ishte më e dashuruara, kishte me mijëra dashnorë imagjinarë, po për dreq ora më kishte mbetur. Gjithmonë ngecte ajo orë dhe dukej sikur ajo s’ishte më dhe pritja ime s’kishte më kuptim, po unë isha mësuar me pritjen dhe sërish e vija në punë, kurdisja dhe pritjen time. 12. Muaji 12. Natën vonë. Bluz, apo xhaz, ç’na bëre Tish Daija. Festivali i 11-të. Nata e Vitit të Ri. Ajo këngë s’kishte fituar. E para herë që Vaçja s’merrte çmim. E ndieja që kisha këngë të mirë, më thoshte Tish Daija, dy muaj para vdekjes, ndërsa ne e shtrëngonim të mbante gjithmonë në dorë një tufë me trëndafila për gruan e tij të bukur, Lalin. Nuk e marr këtë këngë, nuk është për vokalin tim, Tish! Kështu më tha. I zgjidhte këngët. Kishte shije të hollë, nuk gabonte kurrë. Aq fine në marrëdhënie, aq delikate, po kur nuk i pëlqente diçka bëhej e egër, Vaçja shkonte te Vaçja, kështu thoshim për të kur mërzitej, dhe ishte e kotë ta ndiqje. Vetmia e saj ishte e shkurtër. Veç të gjithë e kishin ëndërr që këngën t’ua këndonte Vaçja. Kisha parë në skenë Mirel Matjenë, kisha parë një film me Edi Piaf, s’i kisha lakmi, më mjaftonte Vaçja, po aq madhështore sa ato, madje me një përparësi mallëngjyese, sepse kjo Vaçja jonë merrte urdhra. Nuk është pak. Unë kam qenë udhëheqës artistik i ansamblit të këngëve dhe va-lleve. Jo, aspak nuk e urdhërova, ose nuk nxita të ndodhte kjo gjë, nuk ishte në natyrën time, po si njeri shumë shoqëror dhe i qeshur, gjithmonë me shokë, i thashë se do ta këndoja vetë. Një piano, natyrisht dhe orkestra simfonike. Çfarë thua, Tish, do të lësh nam… Qeshi, po aq shumë u gajas, sa më hipën nervat. Po, do ta këndoj vetë dhe pikë. Dhe u ula ne piano dhe ia fillova… Ajo më dëgjonte. Ja, atje, e kam përpara syve si sot, o Zot, me ç’pasion e këndova, se vërtet më pëlqente. Kur mbarova nuk e pashë më. Në prova, pa më thënë mua, ajo doli dhe këndoi Natën vonë. Mu mbushën sytë me lot. Ç’ke, më tha, e bëra për ty se m’u dhimbse, nuk e di ç’ndjeva, po ajo këngë s’më mbush, nuk është imja… Natën vonë shkoi gjer te nata e tretë, por nuk u përzgjodh te këngët më të bukura. U kritikua për ndikim amerikan, në organizatën bazë më thanë se kisha shkarë nga binarët e traditës. Doja ta harroja atë këngë… nuk flisja më për të… Një ditë Vaçja më thotë: Tish, e para herë që gaboj për një këngë, e bukur, shumë e bukur, më fal… E këndojnë kudo, rinia çmendet për të… dhe unë çmendem, Tish, bëj dhe një tjetër si kjo, të lutem, Tish… Falimners, oj Vaçe, ia kthej shkodrançe, t’u paska tekë me m’pa mbas hekrash… ahaha…

M’u bë zakon që në fushën e orës të shikoja Vaçen, në atë fushë të bardhë, herë fushë e Marsit, herë fushë e Venusit.

Filmat, ku janë filmat?

Sa keq më vinte qe nuk po gjenim gjë për të qenë. Arkivi ishte vjedhur, ishte prishur. Ku janë gjithë ato dokumentarë, kronika, të paktën kronikat, ku janë? Të kujtohet 97-ta, mitralozi mbi strehën e Televizionit, shiriti i filmit që rrethonte Radio Televizionin, pikërisht ai shirit ishte nxjerrë nga bobinat me filmat e kronikës. I ka lufta këto! Aty brenda kushedi sa sekuenca të papërsëritshme që janë prishur në shi, i kanë flakur, i ka marrë makina e plehrave. Të kujtohen dhe ato kasetat e mëdha me ampex, qe s’u kthyen kurrë në beta. Sa pjesë teatrale, filma, intervista, portrete artistësh, kolazhe me këngë, valle, po degjeneronin në ato rrotullame të mëdha prej alumini, që në kohën e ekzilit shërbyen për të futur brenda kadaifin, bakllavanë… o Zot, prishnin filmin në ampeks ose në 16 ml për të futur në vend të tij byrekun me njëqind petë të gatuar nga duart e nënës për djalin që ishte larguar me eksodin e anijeve. Ç’na kanë parë sytë! Asgjë nga Dizhoni. Pothuajse asgjë. Ca fragmente bardh e zi nga festivalet e para, kolona zanore e prishur, xhirimi i dobët, drita s’ka ku të vejë më keq, sikur janë xhirime lufte. S’ka pothuajse asgjë të saktë. Ku je Vaçe, ku je, diva jonë? Ora prapë ka mbetur. Si të mos ngecë kjo orë e Marsit, e perëndisë së luftës së filmit, kur puna s’ecën, kurrsesi nuk ecën. E kurdis dhe sërish nis picikata e Paganinit, ato tinguj të artë kaq energjike sikur dalin nga një zemër e re. Ne kërkojmë këtu, po ajo është gjallë, ç’bëjmë, a jemi në vete, të shkojmë atje… dhe na kujtohej shëtitja e saj në liqenin e Luganos të priste mjellmën e saj, mjellmën e bardhë… të gjitha ato zonja të vjetra që shëtisnin bregut të liqenit kishin mjellmat e tyre që i ushqenin me biskota… dhe ato vinin me brafullimë… Zgjatej dhe dora e Vaçes, po kush e xhiroi? Krim. Dhe përditë ekranet mbushen me vrasësit e mjellmave.

Po kjo rrahje e orës si zemra e një vajze të re më ngushëllonte.

Megjithatë ajo është gjallë. E prisnim të vinte, po nuk shkonim. Vetëm e prisnim, një njeri që i kishte konsumuar të gjitha takimet dhe pritjet. Ajo takohej vetëm me doktorët dhe infermieret. Prej kohësh. Dhe me mjellmën e saj, të vetmes qe i dilte në takim, të vetmen që priste. Ç’sfidë! Po kush e kishte mendjen. Ata që duhet ta bënin, mbanin copëra atdheu nëpër xhepa, s’i vriste këpuca për Vaçen. Dhe ne kërkonim ndonjë sekuencë për të qenë, ndonjë arnë të Vaçes nëpër filmat e kohës së vajzërisë së saj, ndonjë zhele arti, po as atë s’po e gjenim. Jo, nuk ia vlente, si gjithmonë fati tallej me gjenitë e kësaj bote, dikë e bënte të çmendur, një tjetër e vdiste fare të ri, Vaçes i kishte marrë shëndetin që të mos këndonte më dhe filmat ia kishte prishur. Nuk u xhirua dot ai dokumentar, po mbeti skenari, atë e mora me vete në Amerikë, ca fletë që u zverdhën, si fletë të vdekura vjeshte rënë nga pema e artit. Po ajo ishte? Kush? Dy Diogjenë nëpër errësirën e kohërave që alternohen, dy tuafë, njëri mban skenarin, tjetri kameran, ah, të ishte, e kam fjalën për Shokë të një klase të Kujtim Spahivoglit ku luajnë Vaçja me Justinën, të kujtohet? U shqyen dyert e Institutit të arteve… Është kjo? Jo, s’është. Po ç’është atëherë? Sa e bukur Vaçja, brilante… Të lutem, mos e përdor këtë fjalë se është shumë e konsumuar… Justina, e mahnitshme… Ç’dorë kishte Kujtimi. Kishte krijuar Teatrin e të Rinjve atëherë dhe shkëlqeu, me Vaçen dhe Justinën… Sa shkonin ato të dyja… Ajo kishte talent të madh si aktore, por nuk u përzje. Sepse ishte e zgjuar. Qëndroi në kështjellën e saj ku nuk pati kalë Troje. Vetëm këndoi, dinte të zgjidhte perlat, jo shumë e për lumë. Kishte shije, po kishte veçanërisht atë që shënjon artistin, ndjenjën e masës. Ku t’i gjejmë këto? Janë këto? Jo, s’janë. Po atë e gjejmë dot? Premierën Orfeu zbret në ferr të Tenesi Uilliams, me regji të Mihallaq Luarasit? Të kujtohet si kapërcyem murin e Teatrit me Vangjel Toçin, se ftesat ishin të kufizuara, diçka parandjehej, diçka tragjike. S’ishte premierë, po prova gjenerale, Mihallaqi vinte nga prodhimi, pas burgut, ishte një triumf i paparë… Kush kapërceu tjetër murin, të kujtohet? Ti nuk do ta besosh, jo, s’ke se si… Ishte Vaçja, as ajo s’kishte ftesë. Ç’kohë! Janë këto? Jo, s’janë. Orfeu zbret në ferr u ndalua, po afishja mbeti, e mora unë, e kam dhe sot. Kjo e Mihallaqit ka ndodhur para se ai të futej në burg. Po letrat ia kishin hapur. Dhe me Kujtimin kështu ndodhi. Të kujtohet kur recitonte poemat e tij alla Majakovsk, me frymë futuriste, te Pallati i Kulturës? Si fërgëllonte Llazar Siliqi, ç’bën ky, sikur thoshte, skuqej e nxihej, mallkonte veten që ndodhej në atë sallë. Shumë gjëra nga ajo poemë nuk i mora vesh, po recitimi ishte i mrekullueshëm, të mos harrojmë se ai krijoi të folurin skenik. E ke parë interpretimin e Vaçes në skenë? Prej Kujtimit e ka. Ai s’donte emfazë, deklamim racional, po komunikim të drejtpërdrejt emocional, krejt të natyrshëm, kantilenën e përbuzte, i jepte rëndësi të madhe dëgjimit, donte jetë në skenë, natyrshmëri, po dhe shumë krijim vetjak. Po dhe atë e dëbuan nga teatri, për ekstravagancën e antikonformizmit të tij. Janë këto? Koha e tij në internim, është kjo? I treti regjisor i madh, po konformist, Piro Mani, nuk u mallkua, po u përshëndet. Kjo kohë ishte, në këtë kohë Vaçe shkëlqeu, ndërsa errësira që mbuloi të tjerët, në vend që t’ia zbehte këtë shkëlqim, ia dendësonte më tepër. U prenë shumë koka, ranë para këmbëve të saj, po ajo s’u prek. Edhe Kadare u ndëshkua për shumë vepra të tij, po dhe ai s’u prek. Fat? Jo. Ata i ndihmoi arti madh. Kishte një të dytë Kadare? Jo. Kishte një të dytë Vaçe? Jo. Janë këto? Ku janë këto, ju lutem? Nuk janë dhe s’ka si të jenë. Ora prapë ngeci. Harroj ta kurdis, pastaj unë s’e mbaj në dorë, po në kutinë me visaret e mia. Le të ngecë, siç ka ngecur ajo kohë në asgjënë e memorjes kombëtare, celuloidi dhe shiriti magnetik të tjera gjëra fiksoi, tragjikisht të tjera gjëra. Më falni për këtë vërshim nga të katër anët të kujtesës sime, po s’kam si ia bëj kohës që bie si shi i rrëmbyer. Koha. Pse mbeti Vaçe? Sa herë këndonte ajo, aq herë kishte ngjarje. Jo nga ato me demonstrime të mëdha, me parada dhe fjalime, po me ndryshimin e ngjyrës së flamurit në atdheun e zemrës. Se zemrat bëjnë jetë tjetër. Ne atëherë antenat i kishim kthyer nga perëndimi, Italia, i lëviznim natën, ishim fantazma mbi tarracat e pallateve. Sepse donin të shikonim Cansonisimon, Domenica in, Sanremon, po sa herë këndonte Vaçe, i kishim ato, Cansonisimon, Domenica in, Sanremon… ajo, me këngën e saj, ishte çka na u mohua, perëndimi. Prandaj e donim aq shumë. Luanim mendsh për Vacen. Le te kishte The Beatles, le te kishte Bee Gees, le te kishte Morandi, Çelentano, Ray Charls, ne kishim Vacen… po aq e madhe Vaçe sa ata, kjo na çudiste dhe na mahniste, kjo na bënte krenarë që ishim shqiptarë. Kjo. S’duhet mohuar. Kështu ishte. Pse nuk e tha Marinela? Ato të dyja u përqafuan pas koncertit madhështor, po të ftohtë, kinse të përmbajtur, gjer në cinizëm prej sigurimsave që kishin rrethuar sallën e teatrit të Operës, dhe Marinela, e mahnitur prej zërit të saj, i tha: Jo, ca nota unë s’i kap dot kaq natyrshëm e me kaq lirshmëri siç bën ti, gjithmonë këndon live? … Po, i tha Vaçja e çuditur. Jo, jo, e dashur, përdor dhe superpozimin, se kështu zëri yt do të marrë fund… Po Vaçja këndoi drejtpërdrejt, se e thamë, ajo ishte perëndimi për ne dhe nuk donte të na zhgënjente. Janë këto? I kemi xhiruar këto? Të linin fjalimet?

Ora. Ora e Vaçes, që s’ma kërkoi njeri. Ora që ngec gjithmonë, se nuk kurdiset. Tani e marr në duar dhe filloj ta kurdis, tik-tak, tik-tak, kërcen akrepi i sekondave, i minutave, ai i orës duket sikur ngurron… ndoshta i pëlqen të kthehet prapa në kohën e saj. Një e natës në Nju Jork, jashtë po bie dëborë dhe Vaçen sapo e kanë përcjellë me një ceremoni zyrtare pompoze. Atë që ajo s’e donte kurrsesi. Ajo donte një varr në mes të Myzeqesë, të fushës së gjelbër që mbaron në detin e kaltër, atje i qante shpirti, një varr të thjeshte për zogjtë dhe shiun, për diellin dhe hënën, se ajo ishte bijë e natyrës që i dha zërin. Po e varrosën në Sharrë, sikur e sharruan, jo dhe jo, ajo donte fushën e paanë, atë rrafsh ku këndoi së pari dhe e ngriti e bëri mal, Myzeqenë e saj. Po s’e dëgjuan, s’e dëgjuan atë, që i mësoi të jenë dëgjuesit më të lumtur. Ajo ndoshta nuk e di se sot, ata janë kthyer në dëgjues të tallavës, të tritolistit Julian Sinanaj, të turbofolkloristit Sinan Hoxha… U mbush një javë që në TV-të e Nju Jorkut po flitet për 50 vjetorin e ardhjes së parë të The Beatles në Amerikë. Po për Vaçen a flitet më në Shqipëri? Ku t’i gjejnë filmat, ku t’i gjejnë sekuencat që humbën, ato që nuk u xhiruan, ku t’i gjejnë?

Unë kam orën që nuk ma kërkon njeri. E ç’u duhet? ! Shqiptarët nuk janë nostalgjikë. Ne të dëbuarit, po, jo nuk e jap, sepse ajo ma dha mua për kaçurrelat e mia të bëra qullë, nga keqardhja, ashtu iu tek, se artistët udhëhiqen nga zemra pa arsye.

Unë, po u ktheva një ditë, do të shkoj t’i çoj një tufë lule në Myzeqe. Atje do t’i kurdis dhe orën. Më në fund ajo do të më buzëqeshë nga fusha e bardhë e orës që do të shndërrohet në ngjyrë të trëndafiltë, unë jam i lumtur, se ajo do të më buzëqeshë nga fusha e Venusit. I love you, Vaçe!

Nju Jork, 2014

Këtë ese jo vetëm interesante dhe me një këndvështrim krejt poetik, si një këngë malli për artisten e madhe Vaçe Zela, e përgatiti për këtë rubrikë interesante, Xhevair Lleshi. Nxjerrë nga libri me ese «Zogjtë e Hiçkokut», «Uegen», Tiranë, 2015; vlerësuar me çmimin kombëtar «Libri më i mirë i vitit» në Kosovë. 

Exit mobile version