Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Bertolt Brecht

Poezi nga Bertolt Brecht

Përktheu nga origjinali Fatmir Alimani

NDËRRIMI I RROTËS

Unë qëndroj në anë të rrugës.
Shoferi ndërronte rrotën.
Unë s’kam kënaqësi, atje nga unë rrjedh.
Unë s’kam kënaqësi, atje ku unë shkoj.
Pse e shoh atëherë ndërrimin e rrotës
me padurim?


SKEPTIKU

Gjithnjë nëse ne na dukej se kishim gjetur
përgjigjen e një pyetjeje,
njëri nga ne zgjidhte nga muri kordonin e vjetër
të ekranit kinez, dhe sakaq perdja binte poshtë
dhe kështu bëhej i dukshëm një burrë që ishte ulur,
në një bankë, dhe ai dyshonte shumë në çdo gjë.
Unë, na thoshte ai ne,
jam skeptiku, unë dyshoj, nëse
puna ia ka arritur që t’i gllabërojë ditët tuaja.
Nëse, çfarë keni thënë, edhe e thënë keq, ka vlerë
akoma për disa.
Nëse ju e keni thënë mirë dhe nuk keni lënë diçka
nga e vërteta, nga ajo që keni thënë.
Nëse nuk është i shumëkuptimshëm, për çdo gabim të mundshëm,
e mbani ju fajin. Mund të jetë edhe i njëkuptimshëm,
dhe largimi i kontradiktës nga gjërat,
a është kjo një gjë tepër e njëkuptimshme?
Pastaj është e papërdorshme, çfarë thatë ju.
Gjëja juaj është pastaj pa jetë.
A jeni ju, me të vërtetë në lumin e ngjarjeve?
Dakord, me gjithçka që do të ndodhë? A do të jeni ju? Kush jeni ju?
Me kë flisni ju? Për kë është e dobishme, ajo që ju thoni atje? Dhe:
A do të qëndroni të kthjellët? A duhet të lexohet vetëm nesër?
A janë përdorur fjalitë që i keni thënë ju, për diçka,
të paktën, si kundërprovuese?
A është gjithçka një dëshmi?
Përmes eksperiencës? Përmes cilës? Por mbi të gjitha,
gjithmonë, një gjë është mbi të gjitha të tjerat: si të veprohet,
nëse besojmë gjithçka që keni thënë ju?
Mbi të gjitha : si bëhet kjo punë?

Menduar kundrojmë ne me kureshtje burrin blu
skeptik, në ekran, shikojmë ne
dhe fillojmë nga e para.


PSALMI I PARË

1.Sa tmerruese është natën fytyra e mysët
e tokës së zezë!

2.Mbi botë janë retë, ato i përkasin botës. Mbi
retë nuk ka asgjë.

3.Një pemë e vetmuar në një fushë me gurë duhet
të ndjejë, që gjithçka është e kotë. Ai nuk ka parë
kurrë një pemë. Nuk ekziston asnjë pemë.

4.Gjithnjë unë mendoj: ne nuk do të vëzhgohemi.
Lepra e një ylli të vetëm shfaqet gjatë natës, para se ai
të fundoset!
5.Era e nxehtë përkujdeset akoma për ndërvarësitë,
ja katoliku.

6.Unë shfaqem shumë rrallë. Unë nuk kam kurrfarë durimi.
Vëllai ynë i varfër, zoti ia shpërbleftë, thoshte për botën:
ajo nuk bën asgjë.

7.Ne udhëtojmë me një shpejtësi të madhe drejt një ylli në Rrugën e Qumshtit. Është një qetësie madhe në fytyrën e botës. Zemra ime ecënshumë shpejt.
Përndryshe gjithçka është në rregull.

Kur Lenini iku,
ishte sikur pema u tha
gjetheve:
unë iki


NATA QË S’MUND TË HARROHET

Qielli mbi mua në natën që s’mund të harrohet
ishte mjaft i kthjellët. Karrigia, ku unë qëndroja
ishte mjaft komode. Biseda
ishte mjaft e lehtë. Pija
ishte mjaft e fortë. Dhe mjaft i butë
ishte krahu yt, vajzë, në natën
që s’mund të harrohet.


CITAT

Poeti Kin thoshte:
Si mund të shkruaj unë vepra të pavdekshme,
nëse unë s’jam njeri me famë?
Si mund të përgjigjem unë,
nëse nuk do të më pyesin?
Përse duhet të humbas kohë mbi vargjet,
nëse koha i harron ato?
Unë i shkruaj propozimet e mia në një gjuhë të qëndrueshme
sepse unë kam frikë që do të vazhdojë gjatë gjersa të realizohet gjithçka.
Që të arrihet më madhështorja, nevojiten ndryshime të mëdha.
Ndryshimet e vogla janë armiq të ndryshimeve të mëdha.
Unë kam armiq. Unë duhet të jem i famshëm.


KIAMETI

shtatë herë
ti nuk shikon asgjë
por në të tetën herë
mallkon sakaq


FJALËT E TYRE ISHIN TË HIDHURA

Fjalët e tyre ishin të hidhura
Rrugët e tyre ishin të shtrembra
Në shtatë vjet të gjatë
Shtatë vjet vinin rrotull


NË KOHËN E MADHE

Në kohën e madhe secili përgjohet në pusi
për çfarë ai ka bërë. Unë, pa shaka,
i kam bërë ballë,
mungesës së yndyrës, çimkave, ngricës
dhe nervit shiatik,
si dhe tmerreve të policisë.


I VARFËRI

Qielli ishte ishte i hirtë
Përgjatë anës së rrugës
Kalon një njeri i varfër
Ai fiton thuajse asgjë
Ai s’mund të hajë
Ai s’ka kurrëfarë strehe
Ai s’mund të jetë shpirtmirë
Ai ka ftohtë si një qen
Ai nuk është mëshirëmadh
Ai nuk ka miq
Ai ka këpucë me vrima
Ai është i sëmurë
Ai është një kriminel
Ai fiton thuajse asgjë
Ai kalon përgjatë anës së rrugës
Qielli është i hirtë


PYETJET E NJË PUNËTORI QË LEXONTE SHUMË

Kush i ndërtoi shtatë portat e Tebës?
Në libra janë vënë emrat e mbretërve.
A kanë tërhequr zvarrë mbretërit copa shkëmbinjsh?
Dhe Babilonin e shkatërruan shumë herë.
Kush e ndërtoi po kaq shumë herë? Në cilat shtëpi
ngjyrë ari të Limës, banuan ndërtuesit?
Ku shkuan muratorët në mbrëmjen,
kur muri kinez mbaroi?
Roma e madhe është plot me harqe triumfi. Kush
i ndërtoi ato? Mbi kë triumfuan Çezarët? A kishte
i shumëkënduari Bizant,
vetëm pallate për banorët e tij? Madje
edhe në përrallorin Atlantis,
atje ku deti po i gllabëronte
të mbyturit, këta ulërinin akoma
ndaj skllevërve të tyre.
Aleksandri i ri pushtoi Indinë.
Ai, vetëm?
Çezari goditi galët.
S’kishte ai të paktën një kuzhinier me vete?
Filipi i Spanjës qau, kur flota e tij,
u fundos.
Nuk qau askush tjetër përveç tij?
Frederiku i dytë fitoi në luftën shtatëvjeçare.
Kush fitoi përveç atij?
Secila anë, një fitore.
Kush e përgatiti gostinë e fitores?

Në çdo dhjetë vjet një burrë i madh.
Kush i paguan shpenzimet?

Kaq shumë raportime.
Kaq shumë pyetje.


HOLLYWOOD

Çdo mëngjes, për të fituar bukën time
Unë shkoj në treg, ku shiten gënjeshtrat.
Plot shpresë,
rradhitem
ndërmjet shitësve.


DJALLI

Djalli kishte një fushë me manaferra.
Çfarë të bëj unë me të? Çfarë të bëj unë me të?
Atje duhet të ndodhë diçka.

Dhe meqë djalli ishte një djall
Rretheqark ai ka shpikur diçka.
Ai ka shpikur gardhin.

Vajza ime ka një gjoks të madh.
Çfarë bën ajo me të? Çfarë bën ajo me të?
Atje duhet të ndodhë diçka.


FSHIJ GJURMËT

Ndau nga shokët e tu te stacioni i trenit
Shko nesër në qytet me xhaketën e kopsitur
Kërko strehë, dhe nëse shoku yt troket:
Hape, oh, mos e hap portën,
por
fshij gjurmët!
Nëse ti takon prindërit e tu në qytetin Hamburg
ose diku tjetër
kalo pranë tyre si e huaj, më tej, merr kthesën,
mos i njih ata
tërhiqe kapelën në fytyrën që ta dhuruan ata,
tregoje, oh, mos e trego fytyrën tënde
por
fshij gjurmët!
Haje mishin që është aty! Mos kurse!
Shko në çdo shtëpi nëse bie shi, dhe ulu
në çdo karrige që është aty,
Por mos rri ulur! Dhe mos e harro kapelën tënde!
Unë të them ty:
Fshij gjurmët!
Çfarëdo që të thuash, mos e thuaj dy herë!
Nëse i gjen mendimet e tua te një tjetër:
mohoj ato.
Kush nuk e ka dhënë firmën e tij, kush nuk lë mbrapa
asnjë portret,
kush nuk ishte aty, kush nuk ka thënë asgjë
si mund ta kuptojë ai situatën!
Fshij gjurmët!
Përkujdesu, nëse mendon të vdesësh,
Që të mos ketë asnjë pllakë varri që tregon
vendndodhjen tënde, me një shkrim të qartë,
që të denoncon ty. Dhe viti i vdekjes tënde
e vërteton fajin tënd.

Edhe një herë:
Fshij gjurmët!

( Këtë ma kishin mësuar mua.)


EPITAF PËR M.

Unë i shpëtova peshkaqenit
Unë e vrava tigrin
Por u përpiva i tëri
nga çimkat.


TË DASHURUARIT

Shikoni kurrilat në një hark të madh!
Retë, që u bashkangjiten atyre,
iknin tashmë me to, sikur fluturonin
nga një jetë në një jetë tjetër,
në të njëjtën lartësi e me të njëjtin nxitim,
që të dy dukeshin aq pranë e pranë,
sikur kurrila po ndante me renë,
qiellin e bukur, që e përshkuan shpejt,
sepse asnjëri nuk mund të rrinte gjatë këtu,
dhe askush tjetër s’mund të shihte më tepër
se lëkundjet e të tjerëve në erë, sepse të dy ndjenin,
që në fluturim ata rrinin pranë e pranë.
Kështu dëshironte era, t’i rrëmbente dhe t’i çonte
në asgjë, sa kohë që të dy s’mundnin të preknin asgjë,
sa kohë që mund t’i dëboje ata nga çdo vend,
ku shiu kërcënonte ose kur jehonin të shtëna.
Kështu poshtë diellit dhe hënës, pak disqe
të ndryshme,
fluturonin dhe rrezikonin njëri-tjetrin
tërësisht.
Për ku shkoni ju?
Askund.
Prej nga vini ju?
Nga gjithkund.
Ju pyesni, sa gjatë jemi ne bashkë, tashmë?
Që prej një kohe të shkurtër.
Dhe kur do të ndaheni ju?
Së shpejti.
Dhe kështu iu duket dashuria, të dashuruarve, si një mbështetje.


O VENECIA!

O Venecia, qytet i ëndrrave
Që ti i bën të pasur fëmijët e tu të varfër
Me të bardhën e pëllumbave të tu
Dhe me të kaltrën e qiellit tënd!

O Venecia, qytet i ëndrrave
Që ti vdes për të dhe nxiton për fëmijët e tu
Dhe për gjithë hiçbërësit tuaj të artë,
Vetëm kripë deti dhe fiq!
O Venecia, qytet i ëndrrave
të huajt nxitojnë tek ti dhe të shohin të vdekur
shohin pëllumbat, shohin qiellin,
dhe ne, trashëgojmë, fëmijët e tu.


NJERËZIT E MËDHENJ

Njerëzit e mëdhenj thonë shumë gjëra të marra.
Ata i mbajnë gjithë njerëzit për budallenj.
Dhe njerëzit s’thonë asgjë dhe i lënë ata të bëjnë ç’duan.
Ndërkaq koha shkon rrotull.

Njerëzit e mëdhenj hanë por edhe pinë
Dhe e mbushin barkun mirë
Dhe njerëzit e tjerë dëgjojnë për veprat e tyre
Dhe hanë e pinë gjithashtu.

Aleksandri i madh, për të jetuar
Kishte nevojë për një qytet të madh si Babiloni
Dhe ka pasur njerëz të tjerë
Që s’kishin nevojë për diçka të tillë. Ti je njëri prej tyre.

Koperniku i madh nuk shkonte të flinte
Ai kishte një dylbi në dorë
Dhe përllogariste: toka rrotullohet rreth diellit
Dhe besonte vërtet që ai e kuptonte qiellin.

I madhi Bert Brecht nuk i kuptonte gjërat
e thjeshta dhe mendonte për gjërat më të vështira, si për shembull, bari
dhe lavdëronte Napoleonin e madh
sepse ai gjithashtu hante.

Njerëzit e mëdhenj bënin sikur ishin dijetarë
Dhe flisnin me një zë shumë të lartë-si pëllumbat.
Njerëzit e mëdhenj duhet të nderohen
Por nuk duhet t’u besosh.


MASKA E NJË NJERIU TË LIG

Në murin tim është varur një vepër japoneze në dru
Është maska e një demoni të lig, lyer me ngjyrat e shebojës.
Pjesëmarrës në dhimbje, unë shoh
damarët e buhavitur të ballit, që nënkuptojnë,
sa e mundimshme është, të jesh i lig.


UNË, I MBIJETUARI

Natyrisht unë e di: vetëm nga fati
unë kam mbijetuar kaq shumë miq.
Por sot natën
në ëndërr i dëgjova unë këta miq të thoshin për mua:“Të fortët, mbijetojnë”.
Dhe unë urreja vetveten.


DËFRIME

Shikimi i parë nga dritarja në mëngjes
Libri i vjetër i gjetur përsëri
Fytyra entuziaste
Dëbora, ndërrimi i stinëve
Gazeta
Qeni
Dialektika
Dushi, notimi
Muzika e vjetër
Shkrimi, bimët
Udhëtimet
Të kënduarit
Të jesh i përzemërt


KOHË E KEQE PËR LIRIKËN

Por unë e di : vetëm i lumturi
është i pëlqyer. Zëri i tij
dëgjohet me kënaqësi. Fytyra e tij është e bukur.

Pema e gjymtuar në oborr
tregon mbi truallin e keq,
të përkohshmit ia shajnë një gjymtyrë,
por me të drejtë.
Varkat e gjelbra dhe velin e çuditshëm
të ngushticës detare, unë nuk i shoh.
Nga të gjitha
unë shoh vetëm rrjetën me të çara të peshkatarit.
Përse flas unë vetëm
mbi dyzetvjeçaren që ecën e përkulur?
Cicat e vajzës
janë të ngrohta si dikur.

Në këngën time një rimë
do të më dukej mua thuajse si një ekzaltim.

Brenda meje grinden
entuziazmi mbi lulëzimin e mollëve
dhe tmerri nga fjalimet e bojaxhiut.
Por vetëm kjo e dyta
më nxit drejt tavolinës së shkrimit.

UNË S’KAM NEVOJË
PËR NJË GUR VARRI

Unë s’kam nevojë për një gur varri, por
nëse ju lipset një për mua,
unë dëshiroj të shënohet mbi të:
Ai bënte propozime. Ne
i kemi marrë ato.
Me një mbishkrim të tillë,
do të ishim
ne të gjithë, të nderuar.

Exit mobile version