Kreu Letërsi Bibliotekë Katër tregime nga Esmeralda Shpata

Katër tregime nga Esmeralda Shpata

PËR RRUGË

Nuk vë gjë mbi veten time, e dua fort. Ç’është e vërteta, edhe më shumë, kur jam vetëm për vetëm me të.

Quhem…

Nuk kam qenë kurrë në qytet dhe askush nuk më ka ftuar ndonjëherë. Kam shpresuar gjithmonë se do të gjendej ndonjë i njohur, të krijonte ndonjë rast për të më ftuar dhe mua. Domethënë, ta provoj dhe unë të ec mbrëmjeve, bashkë me të, rrugicave të ndriçuara me drita vezulluese. Kam bërë mijëra skica. E kam menduar të nisem vetë, kuturu, pa drejtim, por kam ngurruar. Kam frikë mos turpërohem në këtë moshë. Mos kuptohem që jam plak i çoroditur, humbas dhe ngatërrohem mes njerëzve e ndërtesave e nuk do mundem ta di më kush jam.

Këtë muaj bëj rrumbullak tetëdhjetë vjeç.

Nga të gjitha anët e llogaris, prapë i humbur jam. E mbusha mendjen, meqenëse jam ende në gjendje .

Pa pasur ndonjë plan të qartë, ashtu i hutuar, dal në rrugë të madhe dhe i tund dorën të parës makinë që shoh.

Nuk më merr.

Ua ngre duart të gjitha makinave që kalojnë, asnjëra nuk më merr.

Nisem më këmbë, pa e marrë parasysh që shojet e këpucëve të mia zor se më ruajnë nga rruga me gurë.

Eh, ç’dreq! Këmbët nuk më zënë dhe, e bëj një hap sa për dy-tre të tjerë. Zemra më ka dalë nga kraharori dhe ndjek një erë të njelmët që hunda ime s’e ka ndier më parë. Drejtimi nga shkoj më tregon se u kam munguar këtyre anëve. E shpejtoj më shumë hapin. S’është se do të ndodhem çdo ditë duke ecur drejt qytetit, por më duhet të shpejtoj për të mbërritur aty. Vras mendjen.

Si kam jetuar gjithë këto kohë duke ia mohuar këtë të drejtë vetes ?!

Ky është një mendim që më shoqëron ditë të tëra, aq ditë sa për herë të parë shoh njerëz.

I afrohem grupit. Fëmijë qenkan të gjithë. Ndaloj hapat për të kapur me veshë bisedën e tyre, sa për të krijuar një ide të vagullt për vendin dhe gjuhën. I lodhur u dal para dhe i pyes për rrugën që më duhet të ndjek. Duhet të gjej një vend të ngrohtë, të ha diçka, e më pas, të fle.

Normalisht, tani duhet të jem aty ku mungoj.

-Aty je,- m’u përgjigjën njëzëri. Ngrita sytë, i njoha, ishin të gjithë shokët e mi të fëmijërisë.

-Po ju,- i pyes i mallëngjyer,- çne këtu?! Çfarë keni bërë gjithë këto kohë?!

– Si puna jote,- më thonë,- kemi një jetë që jemi për rrugë.

Dhe, sa hap e mbyll sytë, u thinjën e u rrudhën si unë.


SHPËRFAQEM

Unë e dua atë.

E kam të ndaluar ta prek, por ta shoh nuk më pengon dot njeri.

E dubluar e prek.

Kam krijuar një realitet të dytë pa rregulla. Edhe ai është trembur pak, ftesat e mia ikanake e kanë shqetësuar disi.

Në historinë time nuk ka vend askush tjetër. Në qoftë se do mund t’ia tregoja ndokujt, nuk do isha më e dubluar.

Unë mbledh boronica natën. Natyrisht, asnjëherë nuk ua kam parë degët. Po të mund t’i merrja me mend shkurret e tyre, nuk do kisha nevojë të sajohesha në një formë tjetër të vetes sime.

Dje u rrëmbyem.

Pa asnjë hezitim, bëmë gjëra. Gjëra të tilla nuk bëhen publike.

Mbështetem pas murit dhe marr frymë thellë. Atëherë kam bërë punë të pëlqyeshme për njerëzit.

Tani po dal nga shtëpia. Dikur ishte ndryshe. Nuk e vija re kur dilja. Tani edhe unë kam filluar të besoj te gjërat e pashkruara. Edhe rastet e përjashtuara e përbëjnë një rregull.

Nuk e di sa është data sot.

Ky muaj është dubluar. Kam frikë ta mendoj si do të ishte origjinali.

Mund të isha më e qartë. Ka ndodhur një rast që s’është i zakonshëm.

Tema është e shkurtër. Nuk është as letrare.

Askush nuk u tregoi për mua dhe jetën time me dubla. Unë zgjodha të jem vetë rrëfimtari.

Ata, realët, duan të jem një formë e zakonshme e vetes sime. Unë u vetësakrifikova.

Përfund meje jam vetëm unë. Unë dhe vendi ku fshihem.


FITORE TË VOGLA

Nuk mund ta mohojë se ndikimi është i jashtëm, se gënjen në mënyrë mekanike, se të gjitha paraardhëset e saj kështu e drejtojnë të bëjë.

Emës i gënjehet. Mbase dy-tre kohë pas kësaj gjendjeje do të ulet përballë dikujt dhe do i duhet të shpjegohet, por gjithsesi, flas për tani, Emës i gënjehet.

Është e çuditshme si iu shfaq vetja në gënjeshtrën e saj, si një trup plasteline me këmbë të shkurtra (si vetë gënjeshtra), e fshehur dhe e mbuluar me mendime gjithëfarëlloj. Fshihet nga të gjithë, mbështillet me retorikë të kujdesshme dhe del para turmës duke hipur nëpër vende dhe sope të dekoruara për të mbuluar trishtimin dhe brishtësinë e dukshme.

Gënjeshtra, topthi prej plasteline, krijon pamje dhe imazhe të përsosura të shfaqjes së vlerave qytetare, ama, brenda zgavrës bosh të plastelinës ka spazma të forta makthi.

Ema me hire është zonja Gënjeshtër, i duhet të flasë shkoqur dhe të mbahet supzbuluar për bukuri, para ndërrimit të akteve dhe shoqërive.

Po të dështojë?!

Do e pranojë, pa u lerosur, duke e mirëpritur pa e humbur klasin, me shpikjen e saj pa frymëmarrje do të mundohet të mbijetojë.

Ema e di.

Nuk i shpëton dot fytyrës qortuese asnjë hetim i hollë i dy syve të vegjël popullorë. Ata depërtojnë dhe krijojnë plasaritje të imta të plastelines. Ema ia di marifetet trajtës së saj dhe , shpejt, gjindjes ia ngec të shikuarin jashtë brendisë prej kukulle. Megjithatë, për pak sa nuk hoqi dorë. As mundet ta shpjegojë se si sinqeriteti i një mashtrimi të bie ne kokë. Madje, mendon se u terhoq e bindur ne një hije të gatshme, për ta lënë të hapur një ndjesi të fshehur mu në thelbin e brendshëm të dëshirës.

Qëllimi, për ta zbuluar nga ku i buron gënjeshta Emës, na mashtron të gjithëve.

E vërteta është se asnjë të pagënjyer nuk ka, Ema na tregon kohët dhe vendet duke lëvizur vithet dhe supet për t’na çmendur.


PËR NJË PARAQITJE MË MIRË

Gatoi diçka të shpejtë, nuk i kushtoi ndonjë mund kushedi.

Në tavolinë ka dy hamës të uritur. Mbi mbulesë, në formë proteste, lëvizin lugët në pjatat bosh. Tavolina është e lyer me bojë të bardhë dhe karriget nuk janë xunkthi, gjithsesi e krijojnë një farë komoditeti.

Njëri nga hamësit ka ardhur në shtëpinë e saj si bujtës, tjetrin e ka krijuar vetë, me forcat e saj. Nuk ka shumë hapësirë në kuzhinën e shtëpisë, por prapëseprapë dy bujtësit nuk i lënë përshtypjen se ndihen ngushtë. Nuk e di se ku është rritur ai që s’e ka edukuar ajo, por ha keq dhe shpejt, sikur do t’ia mbarojë ndonjë i tretë, nxiton sa e fut në bark, pa e përtypur fare. Me gjithë këshillat e saj nuk ndreqet, bën thërrime dhe rrëmujë në vendin e tij të tryezës. Nganjëherë ia heq pjatën me inat, e çon në një cep të errët që të hajë vetëm. E shikon në fytyrë, që ta kuptojë si rrihet para saj, por është e kotë, gjithmonë e gjen një arsye jobindëse dhe e ul në tavolinë.

Ah, edhe ai që e krijoi vetë, nuk paraqet ndonjë etikë të madhe. Mbase është një e dhënë e dukshme ironike. As ajo. Të tre flasin me gojën plot me ushqim, dhe, e gjejne pikërisht në kulmin e vaktit të diskutojnë tema të nxehta. Është pikërisht ai momenti kur duan të shpërthejnë dituritë e tyre. E spërkasin njëri-tjetrin me thërrime të lagura nga pasioni. Kur hedhin sytë përreth, disi më të qetësuar, shikojnë se gjithçka humane është përlarë mbi tryezën e tyre.

Sikur hamësit të dinin ta falenderonin më mirë për mikpritjen, ajo do ua falte të ngrënin keq në shtëpinë e saj. Mbase do ua shtonte dhe ndonjë formë të re shërbimi, t’u afronte kafe pas dreke për shembull.

Por ajo e njeh veten sa lehtë përshtatet, kështu që heq dorë nga çdo përpjekje për të ndërruar rregullat e të ngrënit në tryezë. Madje ndodhi që ndryshoi disa zakone të vjetra, mësoi të mos japë më këshilla. Sa e lehtë qe që të përshtatej me çiltërsinë e të ngrënit primitiv.

Kur gatuan receta më bashkëkohore, në tryezën e saj hahet e bisedohet më njerëzisht. Po ta shikosh atë, në ato momente, ia mbulon fytyrën një e qeshur jo shumë e dukshme.

P.s.Ndodh që gominat( zbutëset e zhurmave), deri mbi gjunjët e këmbëzave të tryezës, mund të jenë dhe simbolike.

Exit mobile version