Kreu Letërsi Shënime mbi libra Josif Papagjoni: Pëllumb Kulla – “Kullë” e lartë e humorit shqiptar

Josif Papagjoni: Pëllumb Kulla – “Kullë” e lartë e humorit shqiptar

Emrin e Pëllumb Kullës e hasa më së pari në rrëfimet pasionale të mikut dhe shokut të tij, sa dhe timit, regjisorit të estradës së Sarandës, Thoma Milajt, kur të dy u jepnin krahë ëndrrave të tyre në Shkollën e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu”. Kur në vitin 1968 unë punova një vit në këtë estradë, në skeçet që Thomai na jepte të interpretonim shihja rëndom emrin e Pëllumbit. Dhe kur fitova dije, kur ia nisa kritikës dhe mbarova vetë po atë shkollë, ai m’u bë edhe më i dashur. E hasja në disa përkthime që ai kishte bërë nga letërsia ruse dhe italiane për bibliotekën e Institutit të Arteve. Dhe ja, ashtu, Pëllumbi hyri në vetëdijen dhe njohjen time në disa përmasa, të cilat i ndoqi si eremeti strofkën e vet të përsiatjes dhe vetmisë, aty, në tavolinën e tij të punës, në kërkim të së vërtetës, të kohës, të bukurive si dhe shformimeve të njeriut. E njoha, pra, si regjisor, si shkrimtar humorist, si dramaturg, si përkthyes, si publicist. Strofka e ngrohtë e tij u bënë të pesë këto, le t’i quaj “siujdhesa”, të cilat lidheshin habitshëm njëra me tjetrën, falë një ujane estetike tërësore – shpirti, fjala, mendimi, krijimi, gjesti teatror – dhe krijonin së toku një hapësirë të vetën. Ky asket i librit kishte një Zot lart, le ta quajmë Talent, nga vinte frymëzimi dhe një Zot poshtë, le ta quajmë Vullnet, nga ku njeriu i ulur orë pa fund në tavolinën e punës derdhte mendje dhe shpirt mbi letër. Dhe në tërë këtë jetë, kur vitet e mbrame peshojnë fort mbi supe, ai donte t’i vinte një kapak kolanës së tij me 7 vëllime, ku është përfshirë krijimtaria e tij e zgjedhur, me titullin Teatri, kjo lojë magjepsëse!

E mua, një murg i teatrit, më duhet të flasë, pra, për këtë “eremit” të artit…

***

Diku në një nga shkrimet e tij në këtë vëllim të fundit të kolanës Pëllumbi e “leqendis” emrin e vet, i cili po ikën nga kujtesa e studentëve të arteve, të cilët nuk kanë dëgjuar gjë për të se cili ka qenë e ç’ka bërë! Vërtet ca studente vanitoze, që e kanë mendjen veç të lyejnë flokë e thonj, s’kanë se si ta njohin Pëllumb Kullën. Sepse atë, në fakt, e njeh gjithë një komb. Ai s’ka faj se një brez injorantësh e vanitozësh të sotëm bredhin e mbushin sot rrugët e Boshit. S’ka faj pse u dha trajtë mijëra krijesave të shpikura nga mendja e tij si në një pllenim social e mirëfilli shqiptar, s’ka faj pse ishte si ai Demiurgu në mugëtirën e largët të përrallës së krijimit të gjithësisë, i cili u kish fryrë qenieve të veta e u pat dhënë shpirt. Po, shkrimtari është një Zot i vogël në tokë. Pëllumb Kulla ka krijuar në gjithë opusin e vet letrar me komedi, drama, skeçe, dialogë e monologë humoristikë, essé, libra e gjer monografi, një botë mirëfilli të TIJËN, e cila është njëherazi edhe një botë e madhe, mirëfilli SHQIPTARE.

Emri i Pëllumb Kullës është i lidhur më së pari me estradën e Fierit. Ai sikur e krijoi vetë atë, e lindi nga shpirti i tij, i dha frymë si Zoti krijesës më të dashur e më të përkryer: NJERIUT. Kam bindjen se kujtesa kulturore e popullit nuk ka për ta lëshuar kollaj emrin e Pëllumb Kullës nga skedarët e vet. Ai u bë një Fenomen. Një fenomen i humorit shqiptar. Më i “rëndë” dhe më identitar para vitit 1990, por edhe pas këtij viti, tanimë më i shpenguar falë ajrit të lirisë, që e mbushte me frymë. Po njësoj mbeti ai, njeriu që e ka humorin burim të vetvetes, fshikull, ironi, përqeshje, sarkazëm, një humor jo prej satiri dionisian mjekër-e-këmbë cjap, por prej thumbi që hidhëron, prej zjarri që djeg, prej haréje që shëndosh e shëron, sa dhe prej një poetike dhe mirësie që përtërin e këndell. Pse? Sepse ai i gërsheton aq bukur të gjithë kategoritë estetike të humorit, satirën dhe ironinë, groteskun dhe absurdin, burleskun dhe humorin e “lehtë”, lojën dhe argëtimin, keqkuptimet dhe kundërshtitë e llojllojshme, karakterin dhe situatën komike. Dhe mbi të gjitha: mesazhin dhe emocionin pozitiv. Nuk është dyfytyrësh, siç ngjau me shumë sharlatanë e meskinë të kohës së re, edhe pse pesha e kryqit Pëllumbit i pat rënë dikur mbi shpinë, por mbeti po i njëjti siç ka qenë, njeri me karakter, andaj dhe i respektueshëm. Me karakter si artist e shkrimtar, me karakter si pedagog e intelektual, me karakter si diplomat, publicist e nëpunës shteti. Por le të kthehemi në strehëzën e tij, humorin, ku të gjithë duam të jemi nga pak të pranishëm!…

 ***

E kush e pa dhe nuk qeshi me “Po martojmë Malon”, e kthyer në hitin e humorit të viteve ’70 e më tutje?! Po me “Lipe Shtogun në listë”, që ditëziut Lipe iu pre në grykë llafi kritik, kur mori vesh se dhe ai ishte në listë dhe jo pas liste, për të ngrënë e për të pirë, si sedërli e qylaxhi që ish. Po me mungesën e artikujve të imët, ku në vend të pjatave, gotave e filxhanëve të servireshin tepsi, tenxhere e kusi? Po këngën nga sikleti, te skeçi “Rrufe nga mali”, të atij ballistit që ia kishin rrasur revolen në brinjë dhe… këndonte a s’këndonte i gjori?! Po “Farat e shalqinit” që e çanë fshatin dhe e bënë kashtë e koqe, sepse i futën njerëzit në hullitë e luftës së klasave a kinse meritave dhe plasi sherri, zilia?! Ja dhe katundari që i vodhën lopën (“Po ai që e vodhi lopën?!”), që e shqepën duke e sharë se ku e kishte mendjen, ndërsa atë që e vodhi askush nuk e shante. Po te komedia “Kanani kërkon sy”, kur njeriu i varfër është gati të heq dhe syrin e ballit dhe t’ia shesë një banditi, ca se e shpëton familjen nga fukarallëku, ca edhe nga frika? E kush nga ne, prindërit, nuk kemi qeshur me të madhe dhe s’e kemi parë veten te skeçi“Leksione për ushqimin e vogëlushë”, teksa për një lugë ushqim në gojën e fëmijëve tanë kemi sajuar llo-lloj budallallëqesh, jemi bërë arinj e ujqër, jemi bërë zogj e lepuj, një hare plot endje kjo, e shkujdesur, që s’lë vrag… Dhe shembujt nuk mbarojnë, se e begatë është vërtet krijimtaria e shkrimtarit tonë.

Pëllumbit fati nuk ia dha të gjitha. Në të ri të tij fati iu ngrit si një mal pengese, por ai e tërhoqi zvarrë fatin, e bëri me vete. Nuk e kam fjalën për Zotin efemer të Qiellit, por për Zotin e tokës, në një Shqipëri që vuante paranojat e Enver Hoxhës dhe dasitë e nxitura nga Lufta e Klasave, e ngritur në sistem. E cili shpirt, i cilit artist, nuk fyhet e nuk shqyhet. Por Pëllumb Kulla e gëlltiti fyerjen dhe bëri atë që metafora e hershme e njerëzimit e ka bartur bukur mijëvjeçarëve: nga hiret e zjarrit, shpupuriti krahët dhe u ringrit në fluturim, si zogu Fenix. Aty, në Teatrin e Fierit, ai punoi afro 18 vjet, aktor e regjisor. Sot jeton në Amerikë, por nuk rri dot përherë atyre dhérave, arti e thërret vazhdimisht në dhéun e tij, sidomos në qytetin që i dha emër e ymër, në Fier. Shkon e vjen. Rigjen Itakën e munguar.

Krijimtaria më cilësore që vjen te kjo kolanë 7 vëllimshe në fushën e dramës, humorit dhe letërsisë skenike lidhet, më së pari, me teatrin dhe estradën e Fierit e më pas ecejaket gjithandej skenave shqiptare. Në repertorin e tij, si dhe të kanaleve televizive, u jetësuan një sërë dramash e komedish të tij si: “Shoku Niqifor”,Dy krisma në Paris”, “Kështu të dua”,Çobo Rrapushi me shokë”, “Kërcuri”,Milioneri”, “Dikush duhet të vdesë”, “Shtëpia me të djeshme pa fund”, dhe sidomos komeditë e shkurtra. Qysh para vitit 1990 ai ka botuar pesë vëllime me skica, komedi një aktshe dhe tregime lirikohumoristike, nën titujt “Lipe Shtogu në listë” (1979), “Shoku Niqifor” (1981), “Portrete pa makiazh” (1983), “Po martojmë Malon” (1984), “Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç” (1988), të cilat u kthyen në një “depozitë” për repertorin e estradave tona dhe të qindra grupeve amatore kudo në Shqipëri, nëpër fshatra alpinë të veriut e në ata fushorë, për shkolla, ndërmarrje e reparte ushtarake. Ishte një mushkëri e madhe që buiste gaz e frymonte haré.

Në vitin 1997 ai shkroi monografinë me natyrë eseistike kushtuar aktorit Skënder Sallaku, Si qeshnim nën diktaturë. Në një mbrëmje gazmore të organizuar nga Shtëpia Botuese “Eric” për një përvjetor të Sallakut, pos që ai na shkriu gazit e na lumturoi me barseletat e tij të panumurta, në fund aktori më dhuroi edhe librin e Pëllumbit kushtuar atij. Kur e lexova, ri-qesha me shpirt, por kësaj here të qeshurat m’i ndillte pena dhe hijeshitë letrare të Pëllumbit, i cili përmes humorit të “ndaluar” të Skënderit nëpër mjediset e epërme të pushtetit, gjer te Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, madje edhe Enver Hoxha, mendjemprehtësia e aktorit i tejkalonte shpotitë e lolove shekspirianë në oborret mbretërore. Sepse ishin tejet të hidhura sa dhe të guximshme, si prej kokëkrisurish, ndryshe të quajtura “humor i zi”. Ishte humori, që pasi qeshje, një tmerr e greminë e zezë të hapej përpara këmbëve të tua. Por po aq i zgjuar, ama! Habitesha se si Skënder Sallaku kishte mundësi (gjente guximin ?) t’i thoshte haptazi ato anekdota të “zeza”, të një kohe të zezë! Por, ja që hë! Vetëm njerëz si ai mund ta bënin këtë gjë. Prandaj dhe libri i Pëllumb Kullës për artistin tonë lexohet plot ëndje sot e mot, sepse nuk është thjesht një monografi, por përtej saj. Një shenjë e kohës.

***

Me të drejtë Pëllumb Kulla thotë një të vërtetë, kur pohon se letërsia e realizmit socialist ishte një shkretim pa fund, me lavdërime pa fund, gënjeshtra pa fund, ndërsa humori, ndryshe nga letërsia epike (dithirambike?) e lirike e kohës, do-s’do, duhej të godiste deformimet, zvetënimin e njeriut dhe burokracinë e sitemit, të keqen. Dhe herë me guxim e herë në pajtim me aq sa lejohej, ai e kreu këtë mision. Doemos jo plotësisht e në rrënjë, por, ama, krijoi një katarsis të munguar për kohën. Stoqe librash të asaj letërsie sot kanë vdekur, i ha krimbi i harresës, ndërsa pjesë të ndritshme të humorit, si ato të Pëllumb Kullës, Qamil Buxhelit, Miço Kallamatës na japin ende gëzim e na mbushin ende me haré. Pa dyshim, Pëllumbi ishte nga shkrimtarët më të mirë, në mos më i miri, sidomos në gjinitë e shkurtra dramatike si komeditë me një akt, skeçet, paroditë, që ndihmonin në realizimin e këtij katarsisi social…

Kam pasur rastin që shumë nga skeçet, dialogët dhe monologët e përmbledhjes disa vëllimshme të Pëllumb Kullës TEATRI, KJO LOJË MAGJEPSËSE, në vitin 2007, i kam shfrytëzuar si referenca shënjuese në librin tim “TË QESHËSH – Me cilin? Për çfarë? Përse?”. Pra, jo vetëm lexuar, por studiuar. Kam vlerësuar se ato kanë qenë nga më domethënëset në të kuptuarit e komikes dhe humorit në letërsinë tonë, kushtuar teatrit të varietesë, të shtrira në gjithë njësitë, shenjimet, kategoritë teorike e estetike, format e shpërfaqjes. Më duhen faqe pa fund t’i komentoj ato 300 skeçe e komedi të shkurtra dalë prej penës së tij, por ja, këtë hop po më vjen në mendje skeçi “Asaf Lala kërkon largimin”. Këta mburravecë si Asafi, që ndryshe thonë e ndryshe bëjnë, i sheh gjithandej, dje dhe sot, dhe kur uji u lag prapanicën, hidhen përpjetë, turfullojnë, shtirjet dhe lajle-lulet bien. Mund të them se e njoh në thellësi opusin krijues të Pëllumbit, dhe po e ripohoj fare shkoqur: te ky opus janë të larmishme temat dhe motivet, janë të mëvetësishëm karakteret dhe personazhet, janë domethënëse idetë dhe mesazhet. E gjithë kjo krijimtari e begatë, në disa qindra njësi kësisoj, na shpërfaqet, nga ana tjetër, falë një shumësie situatash humoristike, stilemash, modelimesh, paradigmash e tipologjish të komikes. Po, Pëllumb Kulla është një mjeshtër i tyre. Humori i buron vetiu, është brenda qenies së tij. Dhe është aq elegant, plot shije e dije, pa tepri e banalitete. Ai solli humorin e kulturuar në skenë, solli hijeshinë e fjalës. Nuk gjen asnjë të sharë në veprat e tij, teksa sot ka një keqkuptim dramatik sa i përket përdorimit të elementit banal në komedi. Pena e tij nuk i qas elementët spekulativë të kich-artit, ca më pak nuk tundohet në asnjë rast nga komedia “skatologjike” (me përdorimin e zhargonit të ndyrësive dhe “haleve”). Kur rrekem ta shoh letërsinë e Pëllumbit nga sipër e të bëhem një Zot i vockël, e para gjë që shquaj janë ngjyrat, larushia: një galeri tipash, gjendjesh, lodrash, rrengjesh, marifetesh, ku derdhet gazmend, ku i jepet fjalës dritë dhe haré. Jetësimi i tyre letrar sa dhe regjisorial (sepse Pëllumbi ishte njëherazi edhe mishëruesi i tyre skenik në skenën e Fierit si dhe estrada të tjera të vendit), dallon për shpërndarjen e ekonomizuar e racionale të vëmendjes sa nga një moment në tjetrin, përputhur theksimeve të mirëstudjuara, duke ndërtuar kësisoj një diagramë dinamike, të kahut rritës e progresiv, me të papritura e befasime të këndshme (p.sh. komedia “Luftë e ngatërruar”), në formë ciklike, me përsëritjen e situatës por në stade edhe më groteske (p.sh. te komeditë “Kush ma futi koburen?”, “Rrufe nga mali”), ose si keqkuptim prej një ndodhie të pritshme (p.sh. komedia “Fshatarët dhe Kadiu”). Elementi i zmadhimit, i hiperbolës, i groteskut tek ai rri mirë, është i paqmë, ruan sensin e masës, dhe nuk kërcet. Si shkrimtar të shquar humorist të skenës, kritika e ka vlerësuar për humorin e tij të çlirët, spontan, plot të papritura dhe mprehtësi komike, me kapërcimet e befasishme e të mençura të veprimit komik në situata të këndshme, që të japin gaz e hare. Ai aplikon forma të larme të strukturës letrare humoristike. Ja, te ky libër, me pak vëmendje, ju do të dalloni gërshetimet e qasjeve komike: sa demaskimin e menjëhershëm të bartësit të cilësisë, apo të dukurisë negative, që bëhet objekt humori përmes shpërfaqjes së përballshme, si për shembull te komeditë “Dikush duhet të vdesë”, “Shtëpia me të djeshme pa fund”, aq dhe zbulimet e shkallëshkallshme, duke përdorur tashmë përsëritjet rituale dhe riciklimet e të njëjtit veprim, falë një raporti të zhdërvjelltë karakter-situatë komike, si te “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë!” – komedia e tij fituese e çmimit të parë në Festivalin Kombëtar të  Teatrit 1989. Ishte një spektakël i suksesshëm i trupës elbasanase që me regjinë e fisme të Spiro Dunit dhe lëndën letrare të penës së mprehtë të Kullës arritën të thyenin hegjemoninë e Teatrit Popullor të kryeqytetit, dominuesit të vendeve të para në këta lloj festivalesh, qëkur nuk mbahej mend! Pëllumbi është një fije-thurës i mrekullueshëm i karaktereve në marrëdhëniet gjegjëse me gjendjen e krijuar, me mbijetesën, me interesin, në një kabinet ministror kuisling si ai i Ismet Verrizit.

Komedia “Shtëpia me të djeshmen pa fund”, ma solli Pëllumbin nën një stil elegant e një mendjemprehtësi të thukët. Ti sheh Shqipërinë e fillim viteve ’90, e futur si në një epruvetë ku gëlojnë të gjitha, e shkuara dhe e tashmja, mjediset dhe zyrat tipike të politikës shqiptare, e cila e sheh të ardhmen të kërcënuar sa nga e shkuara, aq dhe nga e tashmja. “Nuk bëra mik dot veçse shoferin tim, – thotë heroi kryesor. – Kurse një nëpunësi të ndershëm ish komunist, nuk ia nxora dot frikën e vjetër nga hierarkitë. Dhe më tej, një njeri me vlera, por që pat rënë dikur në burg, nuk arrita ta çliroj, me gjithë çlirimin që e sheh me tepri nga të katër anët.”

Kjo komedi më ka lënë një shije të mirë, të një letërsie sqimatare. Sikur lëviz në ajri´ një shpirt i bukur, i dëlirë, fluturak sa dhe dinjitoz, ashtu sikurse do të donim të gjithë ne që të ishte një zyrtar i shtetit. Kam ndjerë se si shpirti i autorit dhe shpirti i personazhit janë bërë të njënjëshëm. Nëse e njeh personalisht Pëllumbin, s’do shumë mund ta identifikosh këtë çka po them. Te ky vëllim është dhe komedia “Ujku i përrallës”. Një komedi lirike kjo, që ka një shtrim të thjeshtë, si pa u dukur, ku befas, në fund, vjen dhe mirësia e njeriut, e Zamirit, i anatemuar nga shoqëria e ngurtë e kohës si rrugaç, por që në fakt ka një shpirt të dëlirë e që çmon të bukurën.

***

Nuk e mbyll dot këtë shkrim edhe pa dy-tri gjëra të thëna shpejt. Nga optika estetike e kuptimit të komikës nuk lë dot mënjanë disa elementë identifikues te pena e Pëllumb Kullës: raportet kontrapunktuale midis a) shkakut dramatik”, që lexues/shikuesi e kupton se ku buis, b) pasojës komike, e cila shpërfaqet herë bujshëm e herë si eshka që digjet ngadalë e djeg fort, c) midis mundësive reale dhe pretendimeve fiktive, d) midis aftësisë dhe paaftësisë, e) midis të përkryerës dhe të cunguarës, f) midis hijeshisë fizike dhe gjymtimit etj. Këto kundërshti komike i gjen për bukuri edhe në skenarët e kinokomedive “Tela për violin” dhe “Stola në park”. Paradokset dhe të papriturat i sheh kudo, sa te përthyrjet surreale aq dhe te asociacionet e largëta. Pëllumbi ka shkruar 14 vepra për skenën, 9 prej tyre janë komedi dhe pesë të tjerat, drama. Bëri bujë me dramën dhe shfaqjen “Dy krisma në Paris” (në bashkautorësi me Sheri Mitën), kushtuar aktit heroik të Avni Rustemit në vrasjen e tradhtarit të kombit Esat Pashë Toptani, ku të rrëmbente fryma epikoheroike, ligjërimi pasional dhe një tension i madh dramatik në dialog.

Në tavolinën e tij të shkrimtarit gjen botimet e shumta me skica e tregime, romane, artikuj e essè. Faqja e Facebook-ut të tij është një medie e begatë krijimesh, tregimesh, skicash humoristike, ngjarjesh të vërteta e të sajuara, artikuj e qasje sociologjike e politike. Nuk shterr, jo, ky Pëllumbi! Si publicist, ka shkruar një mori artikujsh dhe analizash mbi situatën brenda dhe jashtë vendit, rëndom të këqyrura nga një optikë satirike e shakatore, të botuara më pas në një vëllim 700 faqesh, me titull “Luftë pa Fund”.  Çdokush që shkruan e di se “shkronjat” nuk hidhen në letër kotsëkoti, por kanë një mision, kanë frymë. Të tilla janë shkrimet e Kullës, shkronjat dhe fjalët e tij.

Pëllumb Kulla, ti je një njeri i bukur, me shpirt të bukur. Një shqiptar FISNIK… Nuk dua që ky shkrim për ty të jetë thjesht një lëvdatë, një “qokë”, se në mos hapur, në vetminë tënde do të më lëshosh ndonjë thumb. Ajo çka fle brenda meje si kritik e studiues paqësisht, pa iu trembur teprimit, po them se Pëllumb Kulla ka qenë përmbi 50 vjet një nga orfejanët e penës mençur të humorit. Është majë. Po, mirë e thashë, sidomos në artin e humorit skenik është MAJA MË E LARTË!…

Exit mobile version