Kreu Opinion Virginia Woolf: Arti i biografisë

Virginia Woolf: Arti i biografisë

Përktheu: Granit Zela

1

Arti i biografisë, themi, por sakaq pyesim, a është biografia art? Pyetja është ndoshta marrëzi ta bësh, dhe sigurisht nuk është bujare, po të kemi parasysh kënaqësinë e madhe që na kanë dhënë biografët. Por pyetja bëhet vetvetiu kaq shpesh sa duhet të ketë diçka. Ajo diçka është aty sa herë hapet një biografi e re, e cila hedh hijen e saj në faqet e një libri; dhe duket se ka diçka vdekjeprurëse në atë hije, sepse në fund të fundit, nga moria e jetëve për të cilat janë shkruar, sa pak mbijetojnë! 

Por arsyeja për këtë shkallë të lartë të vdekjeve, mund të argumentojë biografi, është se biografia, krahasuar me artet e poezisë dhe të prozës letrare, është art i ri. Interesi për veten tonë dhe për njerëzit e tjerë është një zhvillim i vonshëm i mendjes njerëzore. Në Angli, kjo kureshtje për të shkruar për jetën vetjake të njerëzve nuk gjeti shprehje deri deri në shekullin e tetëmbëdhjetë. Vetëm në shekullin e nëntëmbëdhjetë biografia u rrit plotësisht dhe ishte jashtëzakonisht e begatë. Nëse është e vërtetë se ka pasur vetëm tre biografë të mëdhenj – Johnson, Boswell dhe Lockhart – arsyeja, argumenton biografi, është koha e shkurtër; dhe shfajësimi është se arti i biografisë ka pasur vetëm pak kohë për t’u krijuar dhe zhvilluar, dhe kjo vërtetohet nga tekstet shkollore. Sado joshëse të jetë për të zbuluar arsyen, çështjen e pazgjidhshme se pse vetja që shkruan një libër në prozë u krijua kaq shumë shekuj pas asaj që shkruan një poezi, pse Chaucer-i i parapriu Henry James-it, është më mirë ta lëmë mënjanë, dhe të kalojmë në arsyetimin e radhës për mungesën e kryeveprave. Kjo ka ndodhur sepse arti i biografisë është më i kufizuari nga të gjitha artet. Dhe biografi e ka provën gati. Ja ku është në parathënien në të cilën Smith-i, i cili ka shkruar për jetën e Jones, përfiton nga rasti për të falënderuar miqtë e vjetër që i kanë dhënë letra hua, dhe “e fundit por jo më pak e rëndësishme” zonjën Jones, të venë, për ndihmën “pa të cilën”, siç thotë ai, “kjo biografi nuk mund të ishte shkruar”. “Romancieri”, thekson ai, “thjesht shkruan në faqen e parë: “Çdo personazh në këtë libër është i trilluar”. Romancieri është i lirë; biografi është i lidhur.

Tek kjo pikë, ndoshta i afrohemi asaj çështjeje shumë të vështirë, përsëri ndoshta të pazgjidhshme: Çfarë nënkuptojmë duke e quajtur një libër vepër arti? Në çdo rast, ka një dallim midis biografisë dhe prozës së trilluar – një dëshmi se ato ndryshojnë në vetë lëndën nga e cila janë bërë. Njëra krijohet me ndihmën e miqve, të fakteve; tjetra krijohet pa asnjë kufizim, përveç atyre që artisti, për arsye që i duken të mira, zgjedh t’i zbatoj. Ky është një dallim; dhe ka arsye të fortë për të menduar se në të kaluarën biografët nuk kanë arritur ta kuptojnë këtë dallim. Është vetëm një dallim, por shumë i madh. E veja dhe miqtë kishin një detyrë të vështirë. Hamendësoni për shembull, që njeriu gjenial ishte imoral, me temperament të keq dhe ia ka flakur çizmet kokës shërbëtores. E veja do të thoshte: “Megjithatë e doja – ai ishte babai i fëmijëve të mi; dhe publiku, që i do librat e tij, nuk duhet në asnjë mënyrë të zhgënjehet. Shmange këtë detja; hiqe”. Biografi i bindet. Dhe kështu, shumica e biografive të periudhës viktoriane janë si figurat prej dylli të ruajtura tani në Westminster Abbey, të cilat në ceremoni mortore kanë thjesht një ngjashmëri sipërfaqësore me trupin në arkëmort.

Pastaj, nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, ndodhi një ndryshim. Përsëri, për arsye jo të lehta për t’u zbuluar, vejushat u bënë me mendjehapura, publiku më largpamës; shëmbëlltyrat nuk ishin më bindëse dhe nuk ngjallnin kureshtje. Biografi sigurisht fitoi njëfarë lirie. Të paktën mund të linte të kuptohej se kishte plagë dhe shenja në fytyrën e të vdekurit. Biografia e James Anthony Fraude për Thomas Carlyle-in  nuk është aspak një maskë dylli e lyer me të ngjyrë rozë. Dhe pas Froude-s ishte Sir Edmund Gosse, i cili guxoi të thoshte se i ati ishte një qenie njerëzore që gabonte. Dhe pas Edmund Gosse-s në vitet e para të shekullit të njëzet erdhi Lytton Strachey.

2

Figura e Lytton Strachey-t është kaq e rëndësishme në historinë e biografisë, saqë na detyron të ndalemi. Tre librat e tij të famshëm, Viktorianë të shquar, Mbretëresha Viktoria si dhe Elizabeta dhe Eseksi, janë të një niveli për të treguar se çfarë mund të bëjë dhe çfarë nuk mund të bëjë biografia. Ato sugjerojnë shumë përgjigje të mundshme për pyetjen nëse biografia është art, dhe nëse jo, pse nuk arrin të jetë. Lytton Strachey lindi si autor në një moment me fat. Në vitin 1918, kur bëri përpjekjen e parë, biografia, me liritë e saj të reja, ishte një formë shumë tërheqëse. Për një shkrimtar si ai, i cili kishte dashur të shkruante poezi ose drama, por dyshonte për fuqinë e tij krijuese, biografia dukej se ofronte një alternativë premtuese. Sepse më në fund ishte e mundur të thuhej e vërteta për të vdekurit; dhe epoka viktoriane ishte e pasur me figura të jashtëzakonshme, shumë prej të cilave ishin shformuar rëndë nga shëmbëlltyrat që ishin stampuar mbi to. T’i rikrijoje, t’i tregoje ashtu siç ishin në të vërtetë, ishte një detyrë që kërkonte dhunti të ngjashme me ato të poetit ose të romancierit, por nuk kërkonte atë fuqi krijuese ku ai  e pa veten të mangët. Ia vlente të provohej. Dhe zemërimi dhe interesi që zgjuan studimet e tij të shkurtra për viktorianët e shquar treguan se ai ishte në gjendje të bënte Olivia Manning-un, Florence Nightingalein, Gordon-in dhe të tjerët të jetonin ashtu siç kishin jetuar që kur ishin prej mishi dhe gjaku. Edhe një herë ata ishin në qendër të një zhurme debati. A pinte vërtet Gordoni, apo ishte një shpikje? A kishte marrë Florence Nightingale Urdhrin e Meritës në dhomën e gjumit apo në dhomën e ndenjjes? Ai e nxiti publikun, edhe pse lufta europiane ishte ndezur, duke ngjallur një interes të mahnitshëm për çështje të tilla të vogla. Zemërimi dhe e qeshura përziheshin; dhe botimet u shumuan.

Por këto ishin studime të shkurtra me mbitheksimin dhe shkurtimin që kanë karikaturat. Në jetën e dy mbretëreshave të mëdha, Elizabeta dhe Vkctoria, ai ndërmori një detyrë shumë më ambicioze. Biografia nuk kishte pasur kurrë një shans më të madh për të treguar se çfarë mund të bënte. Sepse tani po vihej në provë nga një shkrimtar që ishte i aftë të përdorte të gjitha liritë që kishte fituar biografia: ishte i patrembur; kishte dëshmuar shkëlqimin e tij; dhe e kishte mësuar zanatin. Rezultati hedh dritë të madhe mbi natyrën e biografisë. Sepse kush mund të dyshojë pas leximit të dy librave përsëri, njëri pas tjetrit, se Viktoria është një sukses triumfues dhe se Elizabeta e krahasuar me të një dështim? Por duket gjithashtu, siç i krahasojmë, se nuk ishte Lytton Strachey ai që dështoi; ishte arti i biografisë. Në Viktoria ai e trajtoi biografinë si zanat; iu nënshtrua kufizimeve të saj. Në Elizebeta e trajtoi biografinë si një art; i shpërfilli kufizimet e saj.

Por ne duhet të vazhdojmë të pyesim se si kemi arritur në këtë përfundim dhe në cilat arsye e mbështesim. Në radhë të parë është e qartë se dy mbretëreshat paraqesin probleme shumë të ndryshme për biografin e tyre. Rreth Mbretëreshës Viktoria dihej gjithçka që ajo bënte, pothuajse gjithçka që mendonte, ishin njohuri të përgjithshme. Askush nuk i kishte verifikuar dhe vërtetuar nga afër. Biografi nuk mund të shpikte, sepse në çdo moment ishte pranë ndonjë dokumenti për të kontrolluar shpikjen e tij. Dhe, duke shkruar për Viktorian, Lytton Strachey iu nënshtrua kushteve. Ai përdori plotësisht fuqinë e përzgjedhjes dhe marrëdhënies së biografit, por e mbajti rreptësisht brenda botës së fakteve. Çdo pohim u verifikua; çdo fakt u vërtetua. Dhe rezultati është një jetë që, me shumë mundësi, do të bëjë për mbretëreshën e vjetër atë që bëri Boswell-i për krijuesin e vjetër të fjalorit. Me kalimin e kohës, Mbretëresha Viktoria e Lytton Strachey-t do të jetë Mbretëresha Viktoria, ashtu siç Johnson i Boswell-it është tani Dr. Johnson-i. Versionet e tjera do të zbehen dhe zhduken. Ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe pa dyshim, pasi e kishte arritur, autori ishte në ankth për të vazhduar më tej. A nuk mundet biografia të krijojë diçka nga intensiteti i poezisë, diçka nga emocioni i dramës, e megjithatë të ruajë edhe virtytin e veçantë që i përket faktit, realitetin sugjestionues, krijimtarinë e duhur?

Mbretëresha Elizabetë dukej se ishte e përkryer për eksperimentin. Shumë pak dihej për të. Shoqëria në të cilën  jetonte ishte aq e largët sa zakonet, motivet, madje edhe veprimet e njerëzve të asaj epoke ishin plot çudi dhe gjëra të pandriçuara. “Me çfarë arti do të depërtojmë në ato shpirtra të çuditshëm? Sa më qartë ta perceptojmë, aq më i largët bëhet ai univers i mëvetshëm,” tha Lytton Strachey në një nga faqet e para. Megjithatë, ishte dukshëm një “histori tragjike” e fjetur, gjysmë e zbuluar, gjysmë e fshehur, në historinë e Mbretëreshës dhe Eseksit. Gjithçka dukej se i përshtatej krijimit të një libri që kombinonte përparësitë e të dy botëve, që i jepnin artistit lirinë për të shpikur, por e ndihmoi shpikjen me mbështetjen e fakteve – një libër që ishte jo vetëm një biografi, por edhe vepër arti. Megjithatë, kombinimi doli i papërshtatshëm; fakti dhe trillimi nuk pranuan të përzihen. Elizabeta nuk u bë kurrë reale në kuptimin që Mbretëresha Viktoria kishte qenë reale, megjithatë ajo kurrë nuk u bë e trilluar në kuptimin që Kleopatra ose Falstafi janë të trilluar. Arsyeja duket të jetë se dihej shumë pak – atij iu kërkua të shpikte; megjithatë diçka dihej – shpikja e tij u kontrollua. Kështu, Mbretëresha lëviz në një botë të paqartë, mes faktit dhe trillimit, as të mishëruar e as të trupëzuar. Ka një ndjenjë zbrazëtie dhe përpjekjeje, një tragjedie që nuk ka krizë, të personazheve që takohen, por nuk përplasen. 

Nëse kjo diagnozë është e vërtetë, jemi të detyruar të themi se problemi qëndron tek vetë biografia. Ajo imponon  kushte dhe ato kushte janë që vepra duhet të mbështetet në fakte. Dhe me fakt në biografi nënkuptojmë fakte që mund të verifikohen nga persona të tjerë përveç artistit. Nëse ai shpik fakte siç i shpik një artist – fakte që askush tjetër nuk mund t’i verifikojë – dhe përpiqet t’i kombinojë me fakte të llojit tjetër, ato shkatërrojnë njëri-tjetrin.

Vetë Lytton Strachey duket se në Mbretëresha Viktoria e ka kuptuar domosdoshmërinë e kësaj gjendjeje dhe i është dorëzuar në mënyrë instiktive. “Dyzet e dy vitet e para të jetës së mbretëreshës,” shkroi ai, “përndriten nga një sasi e madhe dhe e larmishme informacioni autentik. Me vdekjen e Albertit ngihet një perde. Dhe kur me vdekjen e Albertit mbulesa u hoq dhe informacioni autentik nuk ishte real, ai e dinte se biografi duhet të ndiqte shembullin. “Duhet të mjaftohemi me një rrëfim të shkurtër dhe të përmbledhur,” shkroi ai; dhe vitet e fundit janë asgjësuar shkurtimisht. Por e gjithë jeta e Elizabetës jetoi pas një perdeje shumë më të trashë se vitet e fundit të Viktorias. E megjithatë, duke shpërfillur pranimin e tij, ai vazhdoi të shkruajë, jo një rrëfim të shkurtër dhe të përmbledhur, por një libër të tërë për ata shpirtra të çuditshëm dhe madje edhe për trupa më të huaj për të cilët mungonte informacioni autentik. Sipas tij, përpjekja ishte e dënuar të dështonte.

3

Duket, pra, se kur biografi u ankua se ishte i lidhur nga miqtë, letrat dhe dokumentet, kishte vënë gishtin në një element të domosdoshëm të biografisë; dhe se ai është gjithashtu një kufizim i domosdoshëm. Sepse personazhi i shpikur jeton në një botë të lirë ku faktet verifikohen vetëm nga një person – vetë artisti. Autenticiteti i tyre mbështetet tek e vërteta e vizionit. Bota e krijuar nga ai vizion është më e rrallë, më intensive dhe më e plotë se bota që përbëhet kryesisht nga informacione autentike të ofruara nga njerëz të tjerë. Dhe për shkak të këtij dallimi dy llojet e fakteve nuk do të përzihen; nëse ndpdh ato shkatërrojnë njëri-tjetrin. Askush, si përfundim, nuk mund të bëjë më të mirën nga të dyja botët; duhet të zgjidhni dhe t’i përmbaheni zgjedhjes suaj.

Por edhe pse dështimi i Elizabeta dhe Eseksi të çon në këtë përfundim, ai dështim, për shkak se ishte rezultat i një eksperimenti të guximshëm të kryer me mjeshtëri madhështore, të çon në zbulime të mëtejshme. Po të kishte jetuar, Lytton Strachey pa dyshim që do të kishte eksploruar rrugën që ai kishte hapur. Ai na ka treguar rrugën në të cilën të tjerët mund të përparojnë. Biografi është i lidhur me faktet – por, nëse është kështu, ai ka të drejtë për të gjitha faktet që janë në dispozicion. Nëse Jones ia ka flakur çizmet në kokë shërbëtores, nëse kishte një dashnore në Islington, ose gjendej i dehur në një hendek pas shthurjes së një nate, ai duhet të jetë i lirë të thotë kështu, të paktën siç e lejon ligji i shpifjes dhe ndjenjat njerëzore.

Por këto fakte nuk janë si faktet e shkencës – të cilat pasi zbulohen, janë gjithmonë të njëjta. Ato janë subjekt i ndryshimeve të opinionit; opinionet ndryshojnë me kalimin e kohës. Ajo që mendohej si mëkat, tashmë dihet, në dritën e fakteve të fituara për ne nga psikologët, mund të jetë ndoshta një fatkeqësi; ndoshta një kureshtje; mbase as njëra as tjetra, por një gjë e vogël e parëndësishme në një mënyrë apo në tjetrën. Theksi mbi seksin ka ndryshuar brenda kujtesës së gjallë. Kjo çon në shkatërrimin e një pjese të madhe të lëndës së vdekur që ende errëson tiparet e vërteta të fytyrës njerëzore. Shumë nga titujt e kapitujve të vjetër – jeta në kolegj, martesa, karriera – dalin të jenë dallime shumë arbitrare dhe artificiale. Rryma e vërtetë e ekzistencës së heroit mori, me shumë mundësi, një rrjedhë tjetër.

Kështu, biografi duhet të shkojë përpara ne të tjerëve, si parlajmërues i rrezikut, duke testuar atmosferën, duke zbuluar falsitetin, jorealitetin dhe praninë e konvencioneve të vjetruara. Ndjenja e së vërtetës duhet të jetë e gjallë. Përsëri, meqenëse jetojmë në një epokë kur një mijë kamera drejtohen nga gazetat, letrat dhe ditarët, në çdo personazh nga çdo kënd shikimi, ai duhet të jetë i përgatitur të pranojë versione kundërthënëse të së njëjtës fytyrë. Biografia do ta zgjerojë shtrirjen duke vendosur syzet në qoshet e çuditshme. E megjithatë nga gjithë kjo diversitet ajo nuk do të nxjerrë një trazirë pështjellimi, por një unitet më të madh. Dhe përsëri, meqenëse dihet aq shumë që dikur nuk dihej, pyetja tani në mënyrë të pashmangshme i shtrohet vetes, nëse duhet të regjistrohen vetëm jetët e njerëzve të mëdhenj. A nuk është dikush që ka jetuar një jetë dhe ka lënë një histori të asaj jete, i denjë për biografi – dështimet dhe sukseset, të përulurit njësoj si të shquarit? Po çfarë është madhështia? E çfarë është vogëlsia? Duhet të rishikojmë standardet tona të meritës dhe të vendosim heronj të rinj për t’u admiruar.

4

Kështu, biografia është vetëm në fillim të karrierës së saj; mund të jemi të sigurt se  ka një jetë të gjatë dhe aktive përpara, – një jetë plot vështirësi, rrezik dhe punë të palodhur. Sidoqoftë, mund të jemi të sigurt se është një jetë ndryshe nga jeta e poezisë dhe e trillimit – një jetë e jetuar në një shkallë më të ulët tensioni. Dhe për këtë arsye krijimet e saj nuk janë të destinuara për pavdekësinë që artisti e arrin herë pas here me krijimet e tij.

Duket se tashmë ka prova të sigurta për këtë. Edhe Dr. Johnson si i krijuar nga Boswell-i nuk do të jetojë aq gjatë sa Falstaff-i siç u krijua nga Shekspiri. Micawber dhe Miss Bates mund të jemi të sigurt se do t’i mbijetojnë Sër Walter Scott-it të Lockhart dhe Mbretëresha Viktoria e Lytton Strachey-t. Sepse janë bërë nga materie më të qëndrueshme. Imagjinata e artistit në momentin e saj më intensiv nxjerr atë që në fakt prishet; ndërton me atë që është e qëndrueshme; por biografi duhet të pranojë atë që prishet, të ndërtojë me të, ta fusë në strukturën e veprës së tij. Shumë do të humbasë; pak do të jetojë. Dhe kështu arrijmë në përfundimin, se ai është zejtar, jo artist; dhe vepra e tij nuk është një vepër arti, por diçka ndërmjet dhe në mes. 

Megjithatë, në atë nivel më të ulët puna e biografit është e paçmuar; nuk mund ta falënderojmë aq sa duhet për atë që bën për ne. Sepse ne jemi të paaftë të jetojmë tërësisht në botën intensive të imagjinatës. Imagjinata është aftësi që lodhet shpejt dhe ka nevojë për pushim dhe ripërtëritje. Por, për një imagjinatë të lodhur, ushqimi i duhur nuk është poezia inferiore apo trillimi i parëndësishëm – në të vërtetë ato e topitin dhe e shthurin – por fakti i matur, ai “informacion autentik” nga i cili, siç na ka treguar Lytton Strachey, është bërë një biografi e mirë. Kur dhe ku ka jetuar njeriu i vërtetë; si dukej ai; ka veshur çizme me lidhëse apo jo; cilët ishin hallat dhe miqtë e tij; kë donte dhe si; dhe kur erdhi çasti për të vdekur, a vdiq në shtratin e tij si një i krishterë, apo…

Duke na treguar faktet e vërteta, duke shoshitur të voglën nga e madhja dhe duke i dhënë formë të tërës në mënyrë që ne ta perceptojmë të përmbledhur, biografi bën më shumë për të nxitur imagjinatën sesa çdo poet apo romancier, përveç më të mëdhenjve. Sepse pak poet dhe romancier janë të aftë për atë shkallë të lartë tensioni që na jep realiteti. Por pothuajse çdo biograf, nëse respekton faktet, mund të na japë shumë më tepër se një fakt tjetër për t’ia shtuar koleksionit tonë. Ai mund të na japë faktin krijues; faktin pjellor; faktni që sugjeron dhe nxit. Për këtë, gjithashtu, ka prova të sigurta. Sepse sa shpesh, edhe kur një biografi lexohet dhe hidhet mënjanë, një skenë mbetet e ndritshme, një figurë jeton në thellësi të mendjes dhe na bën që, kur të lexojmë një poezi apo roman, të kemi ndjesinë e njohjes, si të kujtonim diçka që e kishim ditur më parë.

Exit mobile version