Kreu Letërsi Shënime mbi libra Jo Hamya/NYT: Dilema e dyfishtë e idealit femëror

Jo Hamya/NYT: Dilema e dyfishtë e idealit femëror

“Gjithë dashnorët e natës”, ku ndër të tjera, flitet edhe për vetminë e një gruaje dhe dëshirën e saj për ta luftuar atë duke pirë… shumë!

Në librin “Gjithë dashnorët e natës” të Mieko Kawakami-t, një korrektore letrare 34-vjeçare, Fujuko Irie, merr dy herë një shishe parfum ngjyrë të verdhë të zbehtë të markës luksoze Chloé. Të dyja shishet janë dhurata nga mikeshat e punës: fillimisht nga Hixhiri magjepsëse, një feministe neoliberale pa doreza, e cila e tregon tërheqjen e saj duke e angazhuar rregullisht Fujuko-n për punë si profesioniste e lirë; dhe më pas nga Kjoko, një redaktore në shtëpinë botuese të Tokios që Fujuko e lë në fillim të romanit, për të punuar vetëm.

Për të painformuarit, aromat Chloé janë, në mënyrë karakteristike, jofyese dhe të bukura — të buta, pudrore dhe të tregtuara si “femërore në thelb”, me reklama që paraqesin modele me flokë të shpupurishur e pamje natyrale. Gjatë një mbrëmjeje me pije, Hixhiri vëren se Fujuko nuk ka vënë makijazh dhe e pyet: “Nuk je një nga ato tipat natyralë, apo jo?” Jo një nga ato gratë që janë “të gjitha kështu, oh, unë jam kaq natyrale, thjesht duke qenë ajo që supozohet të jem.” Libri i tretë i Kawakami varet nga ky ngërç i dyfishtë i krijuar nga ideali femëror: melankolia e lindur nga dështimi i pashmangshëm i një gruaje për t›iu përgjigjur standardeve të pamundura të bukurisë dhe pëlqyeshmërisë, e shoqëruar me mungesën e çdo kuadri tjetër të disponueshëm përmes të cilit ajo mund të shikojë veten ose bashkëmoshataret e saj.

Fujuko e vuan këtë in extremis. Me pak miq, pa hobi dhe një karrierë të vetmuar duke gjuajtur për gabime të imtësishme në dorëshkrimet e librave, ajo përqeshet nga gratë e tjera për pamjen e saj të zbehtë dhe mungesën totale të aftësive shoqërore, jetës familjare apo jetës romantike. Në punë ajo sakrifikon interesat dhe kuriozitetet e saj në shërbim të rregullave të vendosura të gramatikës, drejtshkrimit dhe verifikimit të fakteve — një ngurtësi që pasqyron qasjen e saj ndaj jetës në përgjithësi.

Kjo përqeshje, megjithatë, nuk e ndalon atë të gjykojë privatisht të tjerët në bazë të peshës, moshës, veshjes dhe normave shoqërore. Në pikën e parë të madhe të kthesës së romanit, ajo sheh pasqyrimin e saj në një dritare në një ditë vere, me sy të futur brenda dhe e shkujdesur. “Ajo që pashë në pasqyrim isha unë,” vëzhgon ajo, “thjesht një grua e mjerë, që nuk mund të kënaqej as në një ditë të mrekullueshme si kjo, e vetme në qytet.” Menjëherë pas kësaj, Fujuko përpiqet të imitojë konsumin e alkoolit të Hixhiri-t duke e detyruar veten të pijë birrë dhe sake, gradualisht por me dashje, në mënyrë që të lirohet — ose siç e thotë ajo, “të heq dorë nga vetja ime e zakonshme.” Në një përpjekje të dehur për vetëpërmirësim, Fujuko regjistrohet për kurse në një universitet dhe përfundon duke vjellë në sallën kryesore të tij. Aty, ajo shpëtohet nga një mësues fizike, Mitsutsuka. Të dy krijojnë një miqësi ngurruese, duke u takuar çdo javë për të diskutuar “Berceuse” të Shopenit dhe vetitë e dritës, derisa formohet një tërheqje e heshtur, në dukje e ndërsjellë. Jashtë këtyre takimeve, Fujuko vazhdon të përshtatet me punën si profesioniste e lirë ndërsa pi në sasi të mëdha.

Ka një zgjuarsi në mënyrën se si “Gjithë dashnorët e natës” i trajton këto ndryshime, romantike dhe profesionale, në jetën e protagonistes së tij. Duke përfshirë alkoolizmin mes tyre, Kawakami i anashkalon klishetë e rrëfimeve të stisura të “përmirësimit rrënjësor” dhe e ruan Fujuko-n si një enigmë: ende e ngathët dhe e mjerë për pjesën më të madhe të romanit, por më e akorduar me ofertat e rreme dhe hipokrizitë e vetëimponuara që duron seksi i saj.

Një ribashkim me Kjoko-n më vonë në libër mbushet me një ironi që të shijon, teksa urimet e shoqes së saj për autonominë e re në karrierë të Fujuko-s shtrembërohen në një kritikë ndaj Hixhiri-t që ndjek të njëjtën gjë. “Ka shumë njerëz që duan ta nxjerrin veten në pah, duke konkurruar për vëmendje,” thotë Kyoko, “gjë që krijon më shumë probleme për ne të tjerët. Por ti nuk ke pse të shqetësohesh për këtë, sepse ti nuk je ashtu.” Kyoko përsërit thashethemet për jetën seksuale të Hixhiri-t (“ajo nuk ka vetëkontroll”), duke ia atribuuar sigurinë e saj në vetvete pamjes së saj të bukur. “Të gjitha ambiciozet si ajo,” thotë ajo, “ato u bëjnë kaq shumë presion grave rreth tyre. … Ajo i ka bindur të gjithë burrat, dhe të gjithë kolegët e saj, se gratë në zyrë duhet të jenë në lartësinë e shembullit të saj dhe të duken bukur ndërkohë që e bëjnë këtë.” Menjëherë pasi Kjoko denoncon Hixhiri-n vjen zbulimi se zgjedhja e tyre e përbashkët e parfumit i lidh ato me të njëjtin standard bukurie.

Megjithatë, ajo që e bën romanin e Kawakami-t kaq brilant është të kuptuarit se pse gratë mund t’u përmbahen me dëshirë mënyrave regresive të feminitetit performativ, ndonëse e kritikojnë atë. Dëshira për t’u dashur nuk është gjë e vogël. Fujuko është skeptike ndaj një jete të zvogëluar nga pritshmëritë gjinore — në një moment, një e njohur e fëmijërisë i thotë Fujuko-s se mëmësia i ka grabitur pavarësinë financiare dhe ndjenjën e vetvetes, ndërsa, me të njëjtën frymë, i kërkon Fujuko-s të bëjë fëmijë — dhe megjithatë, joshja e një jete me Mitsutsuka-n është e mjaftueshme për ta bërë atë të provojë. Ndoshta e ndikuar nga ëndrrat e përsëritura në të cilat një version i saj jeton në lumturi shtëpiake, por pastaj transformohet në Hixhiri-n, Fujuko merr pjesë në takimin e saj të parë (dhe të fundit) zyrtar me Mitsutsuka-n me rrobat e Hixhiri-t, me flokë të krehur me tharëse, e lyer me makijazh.

Tragjedia kulmore në “Gjithë dashnorët e natës” nuk është zbulimi shqetësues i Mitsutsuka-s pas këtij takimi, por një frazë e qetë, mizore nga Hixhiri që i bën jehonë qëllimisht një traume që Fujuko ka përjetuar në adoleshencë. Romani i Kawakami-t është pa kompromis i sinqertë në vlerësimin e dëmit që gratë i shkaktojnë njëra-tjetrës, duke mos i humbur kurrë nga sytë strukturat gjithëpërfshirëse që i çojnë ato ta bëjnë këtë në radhë të parë. Kompakt dhe elastik, është një arritje jashtëzakonisht inteligjente.

Exit mobile version