Kreu Letërsi Shënime mbi libra Pol Milo: Spiralet analitike te “Misinterpretation”, romani i autores Ledia Xhoga

Pol Milo: Spiralet analitike te “Misinterpretation”, romani i autores Ledia Xhoga

Romani Misinterpretation/Keqinterpretim është kandidat për Çmimin Booker Prize 2025

Në qytetin e Nju Jorkut të sotëm, një përkthyese shqiptare pranon me ngurrim të punojë me Alfredin, një i mbijetuar nga torturat në luftën e Kosovës, gjatë seancave të tij të terapisë. Pavarësisht paralajmërimeve të burrit të saj, ajo shpejt përfshihet në problemet e klientit. Ankthet e Alfredit i zgjojnë kujtimet e saj të varrosura. Romani i parë i shkrimtares shqiptaro-amerikane Ledia Xhoga, “Misinterpretation” , u vlerësua me Çmimin e Librit në qytetin e Nju Jorkut, u rendit në finale te “Center for Fiction First Novel Prize”, u rendit në listën e librit më të mirë të vitit 2024 nga Debutiful dhe tashmë është e  renditur në listë si kandidate për Çmimin Booker 2025. Romani është botuar fillimisht nga Tin House, Nju Jork 2024, dhe më pas nga Daunt Books Londër 2025.

Romani “Keqinterpretim” është krijuar mbi një strukturë delikate të përjetimeve ndërnjerëzore në një kontekst migrimi, shumëkulturor dhe emocionalisht i fragmentuar. Në thelb, romani ndërton një botë ku përkthimi nuk është vetëm akt gjuhësor, por edhe ekzistencial, ku fjalët, gjestet dhe heshtjet përkthejnë botëkuptime, frikëra dhe intimitete të paartikuluara. Në qendër të romanit ndodhet përkthyesja shqiptare në SHBA, e cila lëviz ndërmjet personazheve të ndryshëm, Alfredit, refugjatit kosovar me traumë të pazbuluar, Lejlës, një poete kurde e ndjekur nga dhuna familjare dhe paranoia, dhe bashkëshortit të saj Billy, një profesor filmi i cili përfaqëson një jetë të stabilizuar por emocionalisht të zbehur.

Ky lloj konfigurimi është dinamik gjithnjë në lëvizje, në tension dhe shpërbërje të vazhdueshme. Vetë përkthyesja e ndien këtë lëvizje kur thotë se “ka një intimitet të panatyrshëm që zhvillohet mes meje dhe klientëve të mi”. Ajo lëviz vazhdimisht ndërmjet rolit profesional dhe përfshirjes emocionale, duke mbajtur në duar një sistem të paekuilibruar emocionesh që nuk mund të përkufizohen lehtë.

Marrëdhëniet ndërtohen mbi një lloj asimetrije emocionale, ku afërsitë krijohet shpejt por pa themele të forta, ndërsa ndarja ndodh pa u kuptuar, si një rëshqitje. Alfredi krijon një besim të menjëhershëm tek përkthyesja, Lejla kërkon mikpritje, mbnështetje dhe siguri. Të dy këto personazhe, kërkojnë më shumë nga protagonistja, sesa ajo është në gjendje të japë. Kjo gjeneron një gjeometri të pjerrët, ku energjia emocionale rrjedh në mënyrë të pabarabartë dhe shpesh në mënyrë të nënkuptuar.

Në qendër të romanit, përkthyesja shqiptare në New York, ftohet për të përkthyer terapinë e Alfredit, të mbijetuar nga dhuna dhe torturat në luftën e Kosovës. Por sa më thellë hyn në këtë akt, aq më shumë kupton se përkthimi nuk është një pasqyrë e fjalës, por një akt që transformon, që zhvendos, që vendos barrë emocionale. Këtu ndodh një shndërrim epistemologjik,ku përkthyesja nuk është më e padukshme. Ajo bëhet figura qendrore e procesit të kujtesës, dhe në këtë mënyrë, letërsia ndërton një etikë të vëmendjes, ku të përkthesh do të thotë të kujdesesh, të marrësh përgjegjësi për dhimbjen që nuk është jotja.

Në roman, marrëdhëniet mes personazheve kryesorë, përkthyeses, Alfredit, Lejlës, Billit,  ndërtohen mbi një afërsi të papërshtatshme, komunikime të ndërlikuara, dëshira të pashprehura, dhe një ndarje që nuk është e mbyllur, por pezull. Kjo krijon një gjeometri të paqëndrueshme, një lloj figure jo të rregullt ku emocionet nuk e gjejnë qendrën e tyre të balancuar. Kjo është thelbi i keqkuptimeve/misinterpretation.

Romani është vlerësuar jashtë mase, ku nëpër vlerësime janë përmendur fraza, si: “subtly blurs the distinction between help and harm… strangely human/që turbullon në mënyrë delikate dallimin midis ndihmës dhe dëmit… çuditërisht human” nga juria e Booker Prize 2025/The Booker Prize. Po ashtu, është përshkruar si një narrativë “ruminative and propeluse/përtypës dhe shtytës” që interrogon temat e ndjenjave, përkthimit dhe kufijve emocionalë.

Romani ka një ton etik të padukshëm por shpesh të nënkuptuar. Ai shndërrohet në përvojë estetike, pa kaluar në moralizim. Ndjeshmëria, kujdesi, përballja me transformimin, janë të bukura jo sepse janë të mëdha/groteske, por sepse janë të vërteta dhe të ndjeshme. Ai ka një strukturë narrative ku përvoja e brendshme e personazhit kryesor nuk ndjek një vijë të drejtë zhvillimi linear, por rrotullohet rreth vetes, duke u thelluar gradualisht në ndërgjegje, përmes rikthimeve, kontradiktave dhe zhvendosjeve të vazhdueshme. Kjo spirale emocionale dhe njohëse është thelbësore për mënyrën se si lexuesi përjeton dhe kupton transformimin e personazhit.

Në qendër të spirales është takimi me Alfredin, një personazh fillimisht i huaj, i panjohur, që vjen nga trauma. Ajo mendon se është vetëm një rast tjetër përkthimi, por, si një spirale që kthehet dhe afrohet përherë e më shumë rreth qendrës, takimet me të sjellin një intimitet gjithnjë e më të ndërlikuar. Fillon me një ndihmë përkthimi për dentistin, më pas vazhdon me ndjesi fizike të prekjes dhe shtrëngime duarsh. Pastaj me kërkesën e Alfredit për ta shoqëruar në terapi të psikoanalisti, derisa ajo merr pjesë në trajnim dhe shkon në kufijtë e shkeljes profesionale. Çdo kthesë e spirales e zbërthen një shtresë të re të vetëdijes, që lidhet me ndjeshmërinë, ndalimin, dyshimin dhe tërheqjen. Por nuk ka kthim prapa, ka vetëm thellim.

Romani ndërton dy spirale që zhvillohen paralelisht dhe ndonjëherë ndërthuren. Njëra është marrëdhënia me Alfredin, që e çon drejt intimitetit me dhimbjen e tij. Tjetra është marrëdhënia me Lejlën dhe Sanazin, që përballet me dhunën ndaj grave, paranojën, përkushtimin emocional dhe cënimin e mikpritjes ndaj tyre. Këto spirale nuk janë harmonike. Ato krijojnë disa përplasje që kulmojnë me shpërthimin e Bilit, shkatërrimin e murit dhe krisjen e botës së brendshme të protagonistes.

Pika më e thellë e spirales është kur ajo ndien se dhimbja e Alfredit, makthet e tij, hallucinacionet mitologjike, e ndihmojnë edhe atë, jo si terapiste, por si qenie njerëzore që nuk e ka përballuar ende vetminë, humbjen e babait, nënën e izoluar, martesën e përgjumur. Në atë çast, shfaqet si një subjekt i gjendur brenda spirales së tjetrit, që ndërkohë është spirala e saj. Këtu forma e spirales analitike mer formë ontologjike, çdo përpjekje për të ndihmuar tjetrin kthehet në rrotullime drejt vetes. Spiralja, si strukturë narrative, shmang përfundimin tradicional të romaniit. Ai nuk ka një mbyllje klasike, por pluskon në një lëvizje të hapur, midis braktisjes dhe qëndrimit, në një trajektore që nuk përfundon, por zhytet më thellë në të panjohurën. Kjo është natyra e spirales analitike, ajo nuk të çon asnjëherë në një “pikë fundore”, por në një greminë të vazhdueshme të përvojës dhe ndërgjegjes.

Në qendër të dilemës qëndron një konflikt: A mund të qëndrosh pranë dikujt që ka nevojë për ty, kur ti vetë nuk je më e mbrojtur nga trauma? Manualet e interpretimit psikosocial e ndalojnë këtë. Etika profesionale e ndalon gjithashtu. Por etika e përjetimit nuk mund të ndalojë spiralen që lëviz? Të dyja përvojat përshkruhen me heshtje, me fragmente të ndërprera si dhe me metafora të ngarkuara. Kjo bën që në ndërgjegjen e protagonistes, rrëfimi i Alfredit të rezonojë me kujtimet e saj. Kështu që procesi i përkthimit transformohet në pasqyrim të brendshem. Kur ajo përkthen, nuk është thjesht “kanal neutral” por aktivizohen përvojat e veta dhe fillon t’i lexojë fjalët e tij edhe përmes filtrit të kujtesës së saj.

Edhe pse burimet janë të ndryshme ngjashmëritë strukturore të traumës janë të njejta, simptomat si ankthi, ndjenja e humbjes, pamundësia për tu rikthyer në normalitet, janë të ngjashme dhe krijojnë një përzierje të dhimbjes. Ky ngatërrim i bën kufijtë midis dëshmuesit dhe dëgjuesit të paqartë,  përkthyesja  bëhet bashkëprotagoniste e një narrative traumatike të dyfishtë.

Romani fiton thellësi psikologjike sepse nuk është më një përvojë e vetme, por një rrjet kujtimesh dhe përjetimesh të mbivendosura, që e vështirësojnë edhe procesin e shërimit.

Romani krijon një mozaik estetik të dy narrativave traumatike që pasqyrojnë dy anë të Ballkanit pas viteve ’90, luftën në Kosovë dhe tranzicionin shqiptar. Ngatërrimi i dy traumave nuk e zbeh vuajtjen e secilës, por tregon se dhimbja kolektive nuk respekton kufij shtetërorë. Ajo ka gjuhë dhe mekanizma të ngjashëm kudo. Madje, kjo mbivendosje ngre pyetje mbi rolin e dëshmitarit, a mund të dëshmosh për tjetrin pa u bërë pjesë e dhimbjes së tij?

Vleresimi i romanit është i dyfishtë, për letërsinë shqipe sepse tregon që narrativa jonë, me të gjitha ngjyrat dhe kompleksitetin e saj historik, mund të artikulojë trauma universale me një gjuhë artistike të denjë për skenën ndërkombëtare.  Por edhe për dramën dhe traumën e rajonit, sepse sjell në qendër jo vetëm plagën e Kosovës, por edhe plagët e heshtura të tranzicionit ballkanik, duke i ndërthurur në një mënyrë që lexuesit e huaj mund t’i kuptojnë e t’i ndiejnë ato.  Në këtë kuptim, romani bëhet një urë etike dhe estetike, nga përvoja e dhimbshme individuale, në një reflektim kolektiv që i kalon kufijtë.

Romani “Misinterpretation” i Ledia Xhogës shfaqet si një fitore e dyfishtë, qoftë artistikisht, sepse arrin të ndërthurë me mjeshtëri dy kronotope të ndryshme të traumës ballkanike, luftën e Kosovës dhe tranzicionin shqiptar, në një narrativë të vetme, të ngarkuar me tension emocional dhe reflektim etik, por qoftë edhe nga ana kulturore, sepse dëshmon se letërsia shqipe mund të artikulojë plagë të thella historike me një gjuhë që depërton në ndërgjegjen globale. Ky roman nuk është vetëm dëshmi e një historie personale apo rajonale, por një akt i fuqishëm i kujtesës kolektive, që e shndërron dhimbjen në formë arti dhe e vendos zërin tonë letrar në hartën e dialogut ndërkombëtar.

Dyrrah 2025

Exit mobile version