1. Historia e botimit të këtyre veprave
1.1. Parahistoria dhe publikimi i Nderit të humbur të Katerina Blumit
Një objekt studimi në çfarëdo rrethane kërkon njohjen e shumanshme të subjektit që merret me të. Njohja, përveç aspekteve formale e përmbajtjesore, parakupton edhe parahistorinë e ardhjes, të origjinës, të asaj që i parapriu, sikundër edhe kontekstit të shfaqjes publike dhe, së fundmi, edhe horizontin e reflektimit nga recipientët që, në njëfarë dore mund të quhet efekti ose edhe ndikimi, pa u lodhur për të konstatuar në ishte dëm apo dobi, nëse merrte konotacion negativ apo pozitiv në hierarkinë e vlerave.
Studiuesi, pra, që merret me një objekt studimi, nuk mund ta njohë atë ndaras nga autori, ose pa e njohur njëkohshëm edhe autorin dhe krijimtarinë e tij, së paku deri në stadin e shfaqjes së objektit.
Hajnrih Bëli, diku në vitet e para të pasluftës (1947/48) shfaqet me tregimet e para. Një vit më vonë boton veprën me përjetime nga lufta, Treni ishte i përpiktë dhe dy vjet më vonë shfaqet me romanin antiluftë Ku ishe ti Adam? Këtu e këtej vazhdon seria e botimit të romaneve të tij që e bëjnë të njohur, madje edhe në përmasa ndërkombëtare, deri në kurorëzimin me çmimin “Nobel”.
Duke qenë një krijues që në fillet e punëve letrare mund të trajtohej si vazhdues i brezit të humbur me Gertruda Stejnin, Ernest Heminguejin e të tjerë, në fazën e dytë ai duket sikur bëhet prijatar i një brezi po kaq të rëndësishëm, që do të quhet brezi i luftës ose i gërmadhave të luftës.
Ma thotë mendja se te Bëli, jo për arsye formale e skematike, po para së gjithash për shkaqe substanciale të krijimtarisë, mund të vërehet edhe faza e tretë, ajo e angazhimit intelektual në plan të vlerave universale të njerëzimit.
Një vit pas publikimit të romanit Portret grupi me Damë[1], Bël nderohet me çmimin “Nobel” (1972). Fjalimi i tij me rastin e ceremonisë së pranimit të këtij çmimi, formuluar në trajtë diskursive, Një ese mbi arsyen e poezisë, është padyshim dëshmia e pjekurisë kulmore intelektuale e krijuese të tij. Mu në këtë frymë na vjen romani Nderi i humbur i Katerina Blumit (1974) që në shkrimet kritike shpesh përvijohet edhe mundësia e një nëntitulli në trajtë pyetëse e dileme: Si krijohet dhuna dhe ku mund të shpijë ajo?[2]Në esenë që zumë ngoje më herët, ai trajton, pos të tjerash, edhe observimin e tij mbi aktin krijues, mbi procedeun e krijimit letrar, mbi filozofinë e jetës që, në instancë të fundit, mund ta quajmë kredo të tij. Në këtë frymë i gjej të kompozuara edhe pesë a gjashtë kaptinat e para të Nderit të humbur të Katerina Blumit. Këtu narratori, po e quaj kushtimisht i zhvendosur ose i shpërvetuar (i depersonalizuar) flet krejtësisht me gjuhë diskursive për veprimin e romanit, si të ishte ndonjë kritik me qëndrim distancues ndaj veprës: “Po qe se ky tregim, meqë po flasim kaq shumë për burime, të krijon herë pas here përshtypjen e “rrjedhës”, na duhet të kërkojmë ndjesë për këtë: kjo gjë ishte e pashmangshme. Kur ke të bësh me “burime” e me “rrjedhë”, nuk mund të flasësh për kompozicion; në vend të tij mund të përdorim ndoshta nocionin e kanalizimit, dhe ky nocion është i qartë për këdo, i cili, kur ka qenë fëmijë (po ndoshta edhe i rritur), ka luajtur me pellgje uji, duke i lidhur ato me njëra-tjetrën me anë hullish e brazdash të vogla, duke i zbrazur e duke i devijuar, gjersa arrinte të mblidhte gjithë sasinë e ujit të pellgjeve në një kanal të përbashkët … na duhet t’i lutemi lexuesit që të bëjë pakëz durim, mbasi në këtë mes luajnë njëfarë roli edhe ndryshimet ose barazimet e nivelit, sepse, fundja, ekzistojnë edhe ndalesa, prita, grumbullime rëre, kanalizime gjysmake dhe burime që “nuk vijnë dot të gjitha njëherësh”, si dhe rryma të nëndheshme etj. etj.”[3]
Është pra e njëjta gjuhë, tashti e mendimtarit të shqetësuar për fatin e njeriut në përmasë universale, nën trysninë e pushteteve të forcës, po jo rrallë edhe të anarkisë, të forcës së pakufizuar të shtypit bulevardesk që, të prirë nga makutëria e babëzia pas parasë nuk e kanë për gjë që me logjikën e sensacionit të shkelin mbi moralin dhe të drejtën e individit të pambrojtur, të cilin doemos do ta shtyjnë drejt një akti vetëgjyqësie, derisa nuk gjen përfilljen e arsyes nga pjesa që quhet strukturë institucionale e shoqërisë.
Këtu nuk kemi se si të mos e vëmë re se jemi mu në sfondin dhe atmosferën e asaj pjekurie intelektuale të autorit që karakterizonte paraqitjen e tij në ceremoninë e “Nobelit”. S’ka veçse një vit distancë. E para ndodh në mars të 1973-shit, ndërkaq e dyta (koha e shkrimit të romanit) në shkurt të 1974-ës, sikundër edhe koha e të ndodhurës, e ngjarjes së romanit, që Bëli e nxjerr që në nismë të kapitullit të tretë: “Faktet, të cilat ndoshta do të ishte mirë t’i parashtronim qysh në fillim, janë brutale: të mërkurën, më 20.2.1974, në vigjilje të festave të karnavaleve, një grua e re njëzeteshtatëvjeçare del në një qytet rreth orës 18.45 nga shtëpia e saj dhe niset për të marrë pjesë në një mbrëmje dëfrimi private”[4].
Fakti që pas publikimit të këtij romani autori nuk rroi veçse edhe njëmbëdhjetë vjet të tjera dhe publikimet ndërkohë s’ishin veçse përzgjedhje e përmbledhje veprash, dëshmon se ai e kishte derdhur gjithë potencën krijuese, pa pardon – si thuhet. Ç’është e vërteta, bibliografisë së tij i shtohen edhe dy vepra pas vdekjes: Gratë në lumë dhe Engjëlli heshti, sikundër edhe një seri aktivitetesh që mund të konsiderohen pjesë e dekorit të skenografisë së paraqitjes së performansës komplete të këtij shkrimtari të madh: Pritja e disidentit rus Aleksandër Solzhenicin në shtëpinë e tij në Langenbroich – Këln; Marrja e çmimit “Carl-von-Ossietzky-Medaille” nga Lidhja Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut; Angazhimi në Lëvizjen për paqe, ku ai mban fjalim në demonstratën e parë në Bon kundër vendimit të NATO-s për armatim shtesë.
Më duket shumë i rëndësishëm sidomos viti i fundit i jetës së tij, sepse na përafron me një pikë kulmore që i korrespondon objektit tonë të studimit krahasimtar: Takimi dhe njohja me Kadarenë, me autorin që e bënte gati për shtyp romanin Nata me hënë, po me këtë nyje do të merremi më vonë në kapitullin për biografinë dhe kronologjinë e jetës dhe veprës së të dyve.
1.2. Parahistoria dhe publikimi i Natës me hënë
Diku më sipër kemi zënë ngoje prirjen e Kadaresë që shkrimin, krijimin letrar ta konsiderojë si një aventurë që, jo rrallë, rezulton si përballje dhe provokim i vetë fatit të tij, duke ngacmuar e gërricur pjesën e paprekshme mistike e misterioze të superqenies shtet, mbështjellë me membranën pushtet ose, edhe më tej, diktaturë. Një lojë e përvdekshme si me zjarrin prometean të perëndive, si me stuhitë, tërmetet, vullkanet. Ai nganjëherë futet në këto zona, gjithsesi me ndërgjegje e vetëdije, po duke e afishuar gjoja padjallëzinë si një kureshti për të provuar të ndaluarën, të palejueshëm, haramin të sanksionuar nga perënditë tokësore, ngjashëm me Danten që na e shfaqte Ferrin ditën për diell.
Në romanin Muzgu i Perëndive të Stepës ka një sekuencë që merr për pikë referimi periudhën e studimeve në institutin “Gorki” në Moskë. Merr pikërisht ditët e fundjavës, kur studentët (të ardhur nga anë e anë të botës) bënin aheng. Një çast vinte pika kulmore e delirit të dehjes, të cilën autori ynë e quan: çasti i vjelljes së syzheve. Në këtë përçartje, profesoresha e historisë së artit i kujton këtij pikërisht syzheun e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur, madje duke e tërhequr një paralele me Shpirtrat e vdekur të Gogolit, një syzhe për të cilin i kishte folur vetë ai, sigurisht në çaste të tilla përhumbëse.
Taktizimet e Kadaresë (le të më lejohet t’i quaj kështu nga shkaku se ngjasojnë me taktikat e zbutësve të kafshëve dhe të egërsirave për cirk) shfaqen që herët, qoftë kur adreson tema mitologjie, historie e politike, qoftë kur trajton aspekte të jetës bashkëkohore. Kështu kishte bërë me Dimrin e vetmisë së madhe ose edhe më herët me Dasmën (Lëkura e daulles), me Kështjellën (Daullja e shiut) e me të tjera.
Syzheun e Natës me hënë fillimisht e kishte shpërndarë si rrëfenjë që në stad ideje. Pastaj, si variant në dorëshkrim[5], pastaj si tregim në revistën “Nëntori”, në fillimvitin 1985 “…si i shtyrë ndoshta nga djalli, apo si ndonjë që me llambë në dorë kërkon në errësirën e kopshtit të vet të verifikojë nëse rreziku ka kaluar, unë botova novelën Nata me hënë, shkruan Kadare”[6]. Dhe, nuk vonon kundërpërgjigjja. Shkas, natyrisht, bëhet reagimi i një lexueseje në faqet e revistës “Zëri i Rinisë”. “Tre muaj pas daljes së novelës … më 10 prill 1985 autori u thirr në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve, në prani të disa anëtarëve të Komitetit Qendror. E gjykuar si një vepër armiqësore ndaj regjimit, novela u kritikua dhe u ndalua. Kritikuesit e saj mendonin se atmosfera në të paraqiste një realitet socialist të zymtë. Ismail Kadare dëgjon, duron. Ai nuk e di ende që disa orë më parë Enver Hoxha ka vdekur”[7].
Këtu e deri në të hyrë të viteve nëntëdhjetë nis jeta “ilegjitime” e kësaj vepre.
2. Struktura (forma dhe përmbajtja) e tyre
Koncepti strukturë e veprës letrare,përveç formës dhe përmbajtjes së saj, përfshin edhe gjithë përbërësit e nënpërbërësit e tjerë të tyre. Janë një seri elementesh që në raportet krahasimore, qoftë si barasvlerë e ngjashmëri, qoftë si kundërshti, duhet të kihen parasysh. Në rastin konkret me shprehjen strukturë kam parasysh strukturën kompozicionale të këtyre veprave.
Nderi i humbur i Katerina Blumit end rrëfimin në pesëdhjetë e tetë kapituj të shënuar me numra, të paraprirë me një shënim autorial që mund të lexohet si moto e veprës. Përmasa e vëllimit të saj kap një hapësirë prej 150 faqesh (këtu kam parasysh variantin e botimit shqip, ABC – Nobelistët, Tiranë, 2007).
Kapitujt, në pajtim me natyrën e zhanrit letrar, me tipin e shkrimit të raporteve policore, janë të shkurtër, pothuajse nuk kalojnë hapësirën prej një faqeje libri, sidomos nga fillimi. Kësisoj duket sikur ata mbajnë edhe ritmin e shpejtë narrativ, si një teleks policie që prezanton orë e çast të reja që ndërlidhen me ngjarjen dhe të tëra së bashku paraqesin mozaikun e fabulës, që bart brenda vetës intrigën, misterin ose më saktë atë shtjellë kureshtjendjellëse që mund të quhet suspens[8]. Në aspektin e tërësisë kuptimore që përmban një kapitull, këtu nuk mund të flitet për diçka të këtillë. Ndoshta këta kapituj më lehtë perceptohen si sekuenca, fragmente a ndërfutje tekstore, diçka si pjesë margjinash që e përplotësojnë dhe sqarojnë rrjedhën kryesore të ngjarjes.
Përmbajtja e kësaj vepre mund të formulohet me pak fjali: Një grua e re rreth njëzeteshtatëvjeçare, e divorcuar, tundohet nga dashuria e beftë me një kriminel të kërkuar. Nisma e kësaj rrjedhe ka topikën kohore: “të mërkurën, më 20.2.1974, në vigjilje të festave të karnavaleve… del në qytet rreth orës 18.45 nga shtëpia e saj dhe niset për të marrë pjesë në një mbrëmje dëfrimi private” (Nderi i humbur i Katerina Blumit,kap. 3). Pothuajse “aksidentalisht”, ajo bëhet shënjestër e shtypit bulevardesk. Më saktë, objekt përcjelljeje e mbikëqyrjeje nga gazetari a reporteri Vërner Tëtges, i cili, bashkë me padronët e gazetës, kanë një etje të shfrenuar për sensacione. Trysnia dhe shantazhi që i bëhet asaj nga shtypi, duke e denigruar në mënyrë sistematike dinjitetin e saj, privatësinë, jetën familjare (kujto vdekjen e nënës, raportet me ish-bashkëshortin, me miqtë e punëdhënësit) e shpie atë në një gjendje mosdurimi të skajshëm. Nderi i saj i nëpërkëmbur, në mënyrë të veçantë, bëhet shkak që Katerina, duke mos gjetur mënyrë mbrojtjeje nga tirania mediale, ta vrasë atë. Në tërë këtë rrëfim, me pak fjalë, ky është subjekti që bëhet i ditur që në faqet e para të romanit. Madje, do të thosha pjesa kulmore ose kulminacioni – si quhej dikur në mënyrë shkollore pjesa kompozicionale e një vepre. Vënia e kësaj pjese në fillim është tipike për romanin policor. Gjithë ngjarja zhvillohet brenda intervalit prej shtatë ditësh. Më tej, sipas teknikës së narracionit retardues a të vonuar vijnë e shpalosen detajet, shkaqet, motivet dhe procedurat e hetimit.
Nëse brenda këtij subjekti do të na duhet ta formulojmë në mënyrë më të përafërt boshtin tematik, do të thoshim se është pikërisht nderi, përkatësisht e drejta dhe liria e individit në raport me shoqërinë, rrethin, po edhe me mekanizmat e tjera, si dhuna ose shpërdorimi i lirisë së medias dhe reflektimet institucionale, pushtetore, gjithnjë në konotacion me politikën.
Fakti që Bëli e mbyll përshkrimin e ngjarjes qysh në fillim të tregimit, kur tashmë ndodh paraqitja e vrasëses në polici, dëshmon se tutje në shtjellimin e kapitujve vijues gjurmon për motivet e aktit të tillë. Madje, që në kapitullin 3, autori narrator, që rrëfen nga pozicioni i vetës së parë të shumësit, sikur ngutet të konfirmojë: “Këtu nuk do të flasim shumë për gjak; atij që i pëlqen gjaku i tepërt, mund t’i rekomandojmë t’i ndjek disa programe televizive e filma kinemaje, ku të tilla tmerre ka me bollëk, madje edhe me muzikë! Ne e kemi hallin që të rrjedhë diçka tjetër e jo gjak” (Nderi i humbur i Katerina Blumit, f. 10).
Kjo rrjedha tjetër është pa dyshim preokupimi i shkrimtarit me raportet ndërmjet individit e shoqërisë, përkatësisht të individit me strukturat shoqërore, të cilat doemos janë emanacione politike e pushteti, kjo rrjedha tjetër është terreni ku shfaqet vetiu zëri oponent i intelektualit krijues dhe jokonformist. Po ta tjerrim më tej, pse të mos themi edhe zëri kritik?
Le ta shohim tani Natën me hënë të Kadaresë.
Vepra në fjalë ka një titull që më shumë asocionon në një serenatë dashurie sesa në përmbajtjen e rëndë që transmeton përbrenda, për ndryshim nga Nderi i humbur i Katerina Blumit të Bëlit, e cila bashkë me nëntitullin Si shkaktohet dhuna dhe ku mund të shpjerë ajo, thuajse që në fillim e shpërfaq adresën e qartë të subjektit.
Po, sikundër e kemi thënë diku më herët, edhe ky sakrament letrar bën pjesë në arsenalin e qëllimshëm e të kamufluar të Kadaresë. Ai sikur do të krijojë mashtrimin optik ose maskën mashtruese para nomenklaturës së pushtetit diktatorial dhe këtë e arrin me kombinatorikën e rrëfimit të dyfishtë: realist dhe simbolizues. “Pasuria dhe larmia e simboleve, shtresëzimi i tyre hierarkik nga më i madhi te më i vogli dhe e kundërta, e, përmbi të gjitha, kupola e tyre e hapësirshme, që, në përfytyrimin pamor ngjan me katedralet e famshme në urbanistikën e qyteteve të mëdha, lejon të thuhet se është një prozë jo vetëm e shkruar me gjuhën e simboleve, por edhe e ndërtuar me lëndën dhe shestimet e veprave simbolizuese”[9]– do të vlerësojë studiuesi Bashkim Kuçuku. Në këtë plan, ai nxjerr titujt e tridhjetë e katër veprave të Kadaresë dhe zbërthen simbolet në to. Në titullin e romanit Natë me hënë gjen simbolin hënë në variantin e parë dhe natë (me hënë), në variantin e dytë, duke iu referuar mendimit të Erih Fromit : “Gjuha e simboleve është, ndoshta, e vetmja gjuhë universale e krijuar prej njeriut, që ka mbetur e njëjtë për çdo qytetërim dhe gjatë gjithë historisë”.[10]
Rrëfimi ndahet në trembëdhjetë kapituj, të cilët shënohen me numra, dhe kap një vëllim prej 109 faqesh (kam parasysh botimin e “Onufrit”, Tiranë, 2004).
Bërthama e ngjarjes ka një shfaqje prej rreth dy muaj më parë, por shpërthimi i suspensit ndodh në një kontekst rrethanor thuaja krejtësisht të ngjashëm me atë të Nderit të humbur të Katerina Blumit dhe pjesa intensive e veprimit edhe këtu pak a shumë kap intervalin prej disa ditësh.
Subjekti me pak fjalë është ky: Mariana, një punonjëse e re në një ndërmarrje socialiste, është e pashme, e bukur dhe e mençur. Pikërisht dinjiteti dhe krenaria e saj bëhen objekt tundimi për rrethin meskin e mediokër. Një mbrëmje me hënë, të qetë e të bukur, duke u kthyer nga një mbledhje kolektivi, shoqëruar nga njëri prej kolegëve, ajo merr guximin fatal të shqiptojë frazën pyetëse: “- A është e vërtetë që burrat e kanë dashurinë më të fortë se gratë?”. (Le ta lexojmë edhe këtë si një tundim dashurie të Katerinës!). Ky mëkati i parë i saj bëhet shkas dhe motiv që të shpërthejnë pastaj furtunat e vërsuljeve, të shpifjeve e të intrigave. Dhe shpërthimi ndodh pikërisht në mbrëmjen me rastin e fitimit të flamurit të garave socialiste prej ndërmarrjes ku ajo punonte. (Kujtoni Mbrëmjen e Karnavaleve te Nderi i humbur i Katerina Blumit). Qëllon që pikërisht bashkëshoqëruesi i saj pas Mbledhjes, është i sapofejuari i njërës prej kolegeve të saj. Këtu nis shkëndija e xhelozisë që i jep flakën smirës dhe intrigës, bashkë me pëshpërimat vrasëse. Jemi ende në kapitullin e parë dhe pozicioni i autorit-narrator është njësoj si te vepra e Bëlit, shumësi i vetës së parë: “Natyrisht që ne, në gjendjen që ishim, nuk i kapëm dot këto rryma të nëndheshme, të cilat, për hir të së vërtetës, duhet thënë se ishin vështirë të rrokshme në një mjedis të tillë si mbrëmja e vallëzimit, ku dihet se gjithçka është rrëmujë, të qeshura dhe vështrime plot nënkuptim” (kap. 1, f. 19/20).
Që këtu, pëshpërima shndërrohet në butafori dhe ysht reagimet në të gjitha nivelet e shoqërisë deri edhe te gazeta “Zëri i Popullit” (kujto GAZETËN E SË DIELËS te Nderi i humbur i Katerina Blumit!) dhe bëhet objekt hetimi për ndershmërinë, më saktë virgjërinë e Marianës, edhe për organizatën bazë të partisë (krahaso “krimin” hipotetik të Katerinës për shoqërim me Ludvig Gëtenin dhe të Marianës për shoqërimin me Gazmendin!).
Nderi i nëpërkëmbur i Marianës s’ka se si të shpëlahet veçse me dëshminë mjekësore të virgjërisë. Ajo e merr atë, por në çastin e fundit bën aktin final (lexo: krimin e madh) në vetëmbrojtje të nderit: gris raportin mjekësor copë e grimë. (Krahaso: Katerina vret Tëtgesin).
Nëntë muaj pas ngjarjes, pas dramaticitetit të “amoralitetit”, Mariana lind djalin pa baba legjitim, pa fejesë, pa martesë: “Që nga shtrojet e bardha, ajo na vështronte të gjithëve e qetë, buzëqeshëse, kjo Shën Mëri e re që ishte shfaqur në kohën kur pritej më pak” (kap. 13, f. 109).
Boshti tematik është pothuajse po ai regjistër moral i Katerinës, nderi në përballje me nëpërkëmbësit e tij, përfaqësues të strukturave shoqërore, administrative e politike. Te Bëli: policë, hetues, avokatë, reporterë gazetash, prokurorë; te Kadare: sekretar partie, brigadierë, aktivistë politikë, kooperativistë, mjekë.
Të përfundojmë këtu me rrjedhën tjetër, me zërin oponent të intelektualit krijues: Gjesti i Kadaresë rezulton i barabartë me kokëkrisje. Mu në qerthullin e diktaturës komuniste që e kishte shpallur shtetin e vetëm, të parin e të fundit në botë: shtet ateist, të shqiptosh Lindjen e një Shën Mërie të re, që vetëkupton lindjen e një Krishti të ri, është herezia më e paimagjinueshme politike në vitin 1985.
[1] Titullin e këtij romani Kadare e jep si: Portret grupi me një Damë.
[2] Shih te Kronologji e jetës dhe e veprës së H. Bëlit… Wikipedia… etj.
[3] Bël, H. Nderi i humbur i Katerina Blumit, vepër e cituar, f. 8/9.
[4] Po aty, f. 9.
[5] Rrustemi, Fatbardh: Them se e njoh Kadarenë, “Naim Frashëri”, Tiranë, 2001.
[6] Faye, Erik: Parathënie te Nata me hënë, vepër e cituar, f. 6.
[7] Po aty, f. 6.
[8] Shih: Çaushi, Tefik: Fjalori i estetikës, Ombra GVG, Tiranë, 2005, f. 420 (“Fjalë e frëngjishtes që, sipas fjalorit të V. Kokonës, do të thotë pritje me ankth e një ngjarjeje… Suspens quhet gjendja e asaj që rri pezull, zhvillimi i së cilës është ndërprerë përkohësisht, por në një mënyrë të atillë që gjendja e kërkon një rimarrje të procesit, për t’i gjetur fundin. Suspensi është një veprim estetik në letërsinë rrëfimtare…”).
[9] Kuçuku, Bashkim: Kadare në gjuhët e botës, botimet “Onufri”, Tiranë, 2000, f. 31/32.
[10] Po aty, f. 33.



