Shumica e poetëve shqiptarë bashkëkohës e shkrin zërin e vet në një kor të gjerë hermetik dhe pas – hermetik (ka edhe një pakicë poetësh që i qëndrojnë besnikë realizmit, një lloj realizmi modern).
Çuditërisht poetët shqiptarë e kanë realizuar më mirë veten në pesëdhjetëvjetorin e diktaturës, kur ishin në luftë të vazhdueshme me censurën dhe vetëcensurën dhe u duhej të mbroheshin përmes gjuhës së Ezopit. Lufta estetike dhe “e nëndheshme” me drejtimin zyrtar të realizmit socialist i bëri paradoksalisht më të fortë talentet e vërteta duke thyer pseudotalentet dhe talentet mediokër si era që shuan zjarret e vogla dhe u jep flakë zjarreve të mëdha (Përjashtojmë figura të tilla si Camaj që e zhvilluan krijimtarinë e tyre jashtë atdheut).
Atmosfera e lirisë relative e tridhjetëvjetorit të fundit (në mes të dy shekujve) u ka dhënë jetë pak luleve të mirëfillta lirike me një ngjyrë dhe një aromë të vetën. Midis tyre përfshihet edhe Nuri Plaku, i cili dallohet për një veçanti të poezisë së vet që lëshon aromë deti dhe ullinjsh dhe ka një problematikë ekzistenciale dhe një vulë shqiptare.
Umberto Saba që ishte edhe vetë një poet hermetik tepër origjinal, thoshte: “Poetët, siç e dinë të gjithë, janë egocentrikë. Për ta bota e jashtme ekziston, veçse rrotullohet kryesisht rreth vetes së tyre”.
Filozofët (metafizikë) kishin bërë një hap më shumë në rrugën e tyre: ishin “egokozmikë”.
Në poezinë e Nuri Plakut ndërthuren egocentrizmi i un-it lirik dhe ego-kozmizmi i poetit filozof.
Një veçori e këtij poeti është shkurtësia e vjershave të tij që ngjajnë si fryte të intuitës lirike të ekzaltuar nga Benedeto Kroçe[1]*. Kjo shkurtësi shpreh thellësi mendimi poetik të strukturuar me një konçizitet të lavdërueshëm.
Fjalët çelësa në poezinë e Plakut janë; udhë, zjarr, dru, dhe, fushë, ulli, kryq, këmbanë, kalë, flutur. Këto fjalë pikturojnë peizazhe të caktuara, po shprehin edhe një afsh vullkanik të fshehur nën një cipë akulli dhe një frymë mistike, ca tradicionale, ca kozmike.
Poeti shkruan në vargje të lira që shprehin dëshirën e tij për liri formale, po nganjëherë ndeshim në to ndonjë rimë, të çelur si lule vetmitare.
Një veçori grafike e këtyre poezive është përdorimi i fillimit të fjalëve me gërmë të vogël në titujt e tyre si për ta zbehur kështu në ndonjë farë mënyre shkëlqimin e formës ose si për të vënë, po të duam të shprehemi me fjalët e D’Anuncios[2]* (dhe të ungjillit të Mateut) “pishtarin nën shinik”.
Nuk është e qartë nëse kjo gjë bëhet nga modestia e poetit apo nga dëshira për të evidencuar më tepër përputhjen midis mesazhit dhe formës në poezinë e tij, kështu që po ia lemë lexuesit ta gjejë zgjidhjen e kësaj enigme.
Dihet se drejtimet e shumta letrare të shekullit të kaluar (si, bie fjala, futurizmi dhe surealizmi) e përdornin drejtshkrimin mjaft lirisht.
Nuri Plaku është një poet midis modernizmit dhe pasmodernizmit, hermetizmit dhe pas – hermetizmit, errësisë dhe qartësisë. Vargjet e poezive të tij, ndonëse, siç thamë, mund të karakterizohen si “të lira” janë të organizuara në strofa, distike, katërshe, me të rrallë strofa gjashtëshe.
Këto strofa kanë një veçori befasuese: lidhen midis tyre përmes fjalës së fundit të rimuar të vargut të fundit që luan rolin e fjalës çelës (bie fjala, varfëri – fëmijëri; shtrat të zjarrtë vetëtimash – vdekjes sime). Ky procedim i shërben muzikalitetit karakteristik që e dallon poezinë e Plakut, në dukje larg nga organizimi ritmik tradicional.
Në të vërtetë rima nuk është e huaj për vargun e lirë si dëshmon vepra e shumë poetëve që në dukje kanë flakur vargonjtë e traditës.
Ky fryt i vonshëm i evolucionit të poezisë (rima në fakt u shfaq pas vargut të bardhë të përdorur në lashtësi) vazhdon ende të shijohet nga lexuesit, duke ia shtuar shijen vargut aktual, qoftë ai edhe i lirë.
Lirikat e Nuri Plakut dallohen për një mbyllje shpërthyese që transmeton thelbin e mesazhit të autorit, një mesazh njerëzor dhe plot vlera. Sepse poeti në këtë atmosferë krize të vlerave, beson në qenien e këtyre vlerave, dashurinë për njerëzit, gruan, familjen, natyrën.
Pjesë integruese e poezisë së tij është malli për fëmijërinë, një fëmijëri më tepër e ëndërruar se e jetuar, fëmijësh të pjekur para kohe, të ngjashëm me kukulla “pa fëmijëri”.
…………………….
E ne lodheshim
Duke vrapuar nëpër ëndrra
Derisa lodhja na bëhej djersë
E djersa na bëhej kollë
E nga kolla
Pështynim varfëri.
Një ditë
E pamë veten se ishim
Kukulla të rritura
Pa fëmijëri.
Nuri Plaku ka një poezi erotike të vetën që i këndon vajzës dhe gruas në bukurinë e saj fizike dhe shpirtërore, më të simbolizuar se të vizatuar, më të sintetizuar se sa të analizuar. Është një poezi që u shmanget teprimeve erotike, shumë të përhapura në poezinë shqiptare bashkëkohëse, të lidhura me thyerjen e tabuve tradicionale, po edhe që synojnë ta tërheqin vëmendjen e lexuesve. Poezia e Nuri Plakut është një poezi e një spiritualiteti fisnik.
Mund të shtohet se poeti u takon autorëve të rrallë që i këndojnë dashurisë bashkëshortore. Ai vizaton në një nga poezitë më të mira të këtij vëllimi (kafe turke në mesnatë) një figurë gruaje që është shoqe besnike dhe ndan me poetin çdo të fshehtë, që, midis aromës së kafes dhe pagjumësisë së ndarë me burrin e jetës së saj, e bukur edhe me flokët e saj të thinjur, ëndërron tok me bashkëshortin të ardhmen që ndrit në sytë e fëmijëve të tyre.
…………………………………………………………………….
Teksa avujt e kafes e thinjin mesnatën tonë të përbashkët
Dhe thinjat e saj bëhen simotra të flokëve tanë të zbardhur.
Ani grua
Ne jemi pjesë e një bote në fluturim dhe s’duam asgjë tjetër
Veç të jemi gurë sinoresh në udhën e gjatë të brezave,
Shkruar me gjakun dhe qumështin e të parëve tanë.
Ndoshta vjen një zog pylli të qendrojë një çast mbi ne,
Të shkrifërojë me sqep pëndët e lodhura në stuhitë e qiellit
E të cicërijë një këngë të thjeshtë zogjsh
Kjo është pamje e bukur grua, për një gur – njeri
Dhe ne do ta shijojmë atë në të nesërmen tonë,
Nëpërmjet syve të përmalluar të fëmijëve tanë.
Ani, grua!
Dora jote në supin tim
Ma shenjtëron këtë natë të pagjumë.
Poezia e Nuri Plakut dallohet për dramaticitet por, megjithatë nuk derdhet në pesimizëm ekzistencial. Kjo poezi me frymëmarrje të gjerë ka edhe një ngjyresë shqiptare që shfaqet në peizazhet karakteristike dhe përmes zakoneve (dasma dhe varrime).
Mund ta përmendim vjershën ku shpërthen mallkimi i një nuseje “dasma e thyer”me shprehjen; “o të vraftë orizi i dasmës sime!” apo vjershën tjetër, “vau i Jagodinës” që u kushtohet shtatë nuseve (vetë numri i tyre është fatidik) që mbyten tragjikisht gjatë ritualit të vajtjes për ujë.
Mund të përmendim edhe vjershat që i kushtohen “arixhiut” me “llautë” ose “shtriganes së fshatit” figurë njerëzore dhe njëkohësisht mitike ose “arixheshkës që këndonte formulat e fatit”.
Në poezinë e Plakut ndeshim atë model organizimi semantik të fjalës poetike që është përkufizuar si simbol objektiv dhe Bartesi e quan si “përmbysje në njohjen e natyrës që thekson jo-vazhdimësinë e saj”, në kontrast me harmoninë të ëndërruar nga romantikët.
Zoti që do të mund të vinte rregull në këtë jo-vazhdimësi dhe fragmentarizëm s’është aq mungues sa i largët. Poeti dëshiron ekzistencën e tij, po s’është i sigurt për të. Nganjëherë Nuri Plaku i referohet Krishtit dhe simbolit të tij, Kryqit, shpreh dhimbjen e vet për kryqëzimin e përditshëm të njerëzve dhe krijon një “bibël” të vetën njerëzore dhe të shkrirë me natyrën.
Poezia e Nuri Plakut është vizive, në peizazhet e tij lule, pemë dhe zogj kanë emrin e tyre të veçantë dhe të saktë: trëndafila, lulekuqe, pisha, plepa, qiparisa, ullinj, lejlekë, guguftu, pulëbardha, gjela, harabela; janë të pranishëm edhe “vëllezërit e vegjël” të njeriut:, kuaj, lepuj, flutura, milingona, një mace vetmitare. Këto peizazhe kanë ngjyrat e veta: e kuqe, e verdhë, e gjelbër, e kaltër, bardhë, ngjyra reale dhe simbolike.
Disa lirika mbajnë erë det: Plaku u takon poetëve të rrallë shqiptarë që i këndojnë detit, po i këndon në mënyrën e vet, ndryshe nga poetë si Fatos Arapi dhe Agim Mato.
Mund të thuhet edhe se kjo poezi është auditive, meqenëse, edhe nëse është strukturuar në vargje të lira, ka një muzikalitet të çuditshëm të vetin. Lirika e Plakut është një lirikë mendimi që mund të përkufizohej si “e gurtë”, po të mos përmbante një “zjarr” potencial dhe të mos ishte përherë gati të shkrepte shkëndija.
Jo rastësisht, një nga fjalët çelësa të kësaj poezie është zjarr dhe përsëritet si titull në poezi të ndryshme.
Ky autor dallohet edhe për një pasuri të veçantë figurash që e befasojnë gjithnjë lexuesin: metafora, simbole dhe krahasime që ofrojnë me njëra tjetrën dukuri nga më të ndryshmet, konkrete dhe abstrakte. Në shumicën e rasteve, poeti godet në shenjë me këto figura të reja dhe të guximshme: “hëna e holluar” e “pirë nga nata”, “bohçja e nënës”, “mbushur me hapat” e poetit, selvia që është “një shatërvan i blertë shpirtrash”, “lidhësat e këpucëve” të thurura me “këngën e gjelave të parë”, “kryqi i zi” prej “mjegulle”, “shegët e ….. gjakut”, vathët ….. “milingona të argjendta”, ………………. prilli “i gëlltitur”.
Simbolet e kalit dhe të fluturës janë polivalente. Metafora më e habitshme është “trëndafili i kuq” te poezia “brinja e mbjellë”që duhet të shënonte vdekjen e poetit. Kjo metaforë ia kalon, për mendimin tonë “shkëmbit të bardhë” të Karduçit[3]*.
Kërkoj një adresë të kaltër ikjesh
Fshehur nën krahët e zogjve
Të më çojë
Në një shtrat të zjarrtë vetëtimash.
Do të shqyej brinjën time nga trupi
Ta mbjell atje
Të mbijë prej saj
Një bisk i bukur gruaje.
E do të pres
I përgjeruar mbi të
Derisa të çelë
Trëndafili i kuq
I vdekjes sime.
Mbase këto afrime të guximshme dëshmojnë për dëshirën e poetit për të rivendosur një harmoni dhe koherencë të natyrës përmes jo – vazhdimësisë që shndërrohet në vazhdimësi.
Në mungesë të një perëndie metafizike kjo detyrë i takon poetit demiurg. Pasuria e shumëngjyrshme e figurave i jep një shije të veçantë poezisë së Plakut, po në disa raste rrezikon të krijojë një ndjenjë ngopjeje te lexuesi si mbingarkesa e gjellëve me kripë.
Ky shndërrim i një cilësie në një të metë takohet në shumë nga poetët e sotëm shqiptarë, sidomos hermetikë dhe shkaktohet nga një pasion i papërmbajtur për figurat.
Poezia e Plakut është, në thelbin e vet, moderne dhe elitare, megjithatë ka disa pika kontakti me poezinë popullore kryesisht përmes figurave (që s’janë megjithatë të thjeshta dhe të qarta si në folklor) dhe ndonjë element etnografik. Kjo dëshmon një herë e më tepër për rrënjët e tij shqiptare ndaj të cilave poeti me gjithë frymën kozmike të tij, është i lidhur fort.
[1] * Filozof dhe studiues letërsie i shquar italian.
[2] * Poet, dramaturg dhe romancier dekadent i njohur italian. “Pishtari nën shinik” është titulli i një tragjedie të tij.
[3] * Aludohet për një sonet të poetit nobelist italian Karduçi ku vdekja emërtohet “shkëmb i bardhë”.



